Tragjedia e Camerise 1943-1945
Krimineli ZERVA |
![]() |
Gjate shpernguljeve me dhune |
![]() |
ZERVA me oficeret e shtabit |
Nji pasqyrë nga tragjedija e Çamërisë
Ç’na thotë nji imam nga qarku i Filatit.
Ngjarjet e 1943-1945
Ishte ditë e hanë. Ndodheshim në sallën e Kryesisë së Komunitetit Musliman.
Aty na erdhi nji hoxhë prej Çamrije, i quejtun Uzejr Dauti. Kishte qenë imam në
nji nga katundet e Filatit. Kishte ardhur për të kërkuar punë dhe Kryesija e
Komunitetit, pa humbë kohë, mori masat e duhura për me i bâ nji vend që kështu
t’i pakësojë vuejtjen që kishte pësue.
E pyetëm mandej se ç’e kishte shtye me e lanë vendin e vet dhe me ardhë në
Shqipëri të lirë? – Na u përgjegj me buzë të dredhur dhe me sy të përlotur mbi
gjithë ato masakra që kishte parë me syt e tijpërtej kufirit disa kohë më parë
kundër popullatës së pafajshme myslimane shqipëtare. Ësht për të theksuar se
edhe tiparët e fytyrës së tij tregonin kjartë vuejtjet dhe terrorin që kishte
shijuar nga monarko-fashistët Grekë. Ai i shprehte hollësisht episodat aqë sa
na la të habitur e të tmeruar dhe na bëri sikur me e pá me sytë t’onë tragjedinë
e kobëshme që kishte ndodhë në ato vende:
NË PARAMITHIË
“Një dite kriminelët Grekë Monarko-Fashistë e Kuislingë mblodhën gjithë
meshkujt myslimanë 15 vjeçë e lartë në Shkollë të Paramithisë. Shkuan mandej të
kërkojnë Myftinë e vendit, Hasan Efendinë për t’a bashkuar me të tjerët dhe e
morën. Por kur duelën jashtë në vend që t’a shpinin në Shkollë, e vranë te dera
e shtëpisë tue e çpuar me thika. E shoqja, me të ndëgjuar zhurmën, duel tue
uluritë, por edhe kjo pësoi të njajtin fat. Së fundi duel e bija, tue qarë e
tue bërtitë për të jatin e për të amën, por edhe këtë e shtrinë barbarisht për
dhé. Këta janë klikat reaksionare greke të Megalidhesë, të cilat as kanë zënë
as do të zënë mënd kurrë me gjith grushtet që kanë ngrënë kohë mbas kohe nga
fqinjët e tyre më të mbëdhenj. Politika e tyre shoveniste ka qenë gjithmonë
kundër elementit mysliman shqipëtar të Çamërisë deri sa tashti në kohët e
fundit një pjesë të atij elementi e çfarosën fare dhe pjesën tjetër e përzunë
prej vatravet të tyre.”
Imami i sipër përmendur vazhdon gjithënji tue dashtë me dhanë shpjegime më
të gjëra:
“Para se t’i mblidhnin myslimanët shqipëtarë në Shkollë, nxorrën një
tellall, i cili lajmëronte se e tërë popullata myslimane duhet të mblidhet
medoemos në até vend. Ata vunë edhe një tellall tjetër i cili do të thërriste
tue porositë grekët e vendit që të mos mshefin asnji mysliman se për ndryshe do
të pushkatohet çdo njeri që bën një vepër të tillë. Urdhëri ishte kategorik. Mbasi
e kryen mbledhjen j’a filluan bastisjes, plaçkitjes dhe kontrollit në çdo shtëpi.
Hynin e dilnin grumbuj grumbuj nëpër shtëpira myslimane. S’lanë asnjë burrë
mysliman pa zënë, me përjashtim të çilimijve e të grave. Më në fund j’a filluan
thertores: disa i pushkatuen dhe të tjerët i therën me thika e me bajoneta. Fëmijët
e gratë mbenë për një-a-dy muaj në Paramithië. Këtyre j’u epesh vetëm 50 gram
bukë në ditë për çdo frymë. Më në fund i nxorrën jashtë Çamërisë tue i sjellë në
Shqipërië. Monarko-Fashistët e kuislingët i vunë mandej zjarrin shtëpijave e
faltoreve myslimane të qytetit dhe të katundeve.”
Kështu e shpjegon hoxha Thertoren e Paramithisë, tashti këthehet të na
shpjegojë edhe mbi até të Filatit, e cila âsht edhe më fryksuese e tmerruese:
NË FILAT
“Një muaj mbas thertores së Paramithisë (vijon hoxha), filloi Thertorja e
Filatit. Kur bisha Gjermane tërhiqej për në Gumenicë dhe prej këndej për në
Filat e Konispol, një bishë tjetër monarko-Fashiste e kuislinge greke, pjellë e
mësimeve të ndyra të Gestapo-s, po i vërsulej myslimanëve shqipëtarë, të cilët
këtë herë, po i mbulonte kobi më i zi. Grekët e sipër përmendur përdorën edhe këtu
sistemin e çfarosjes si në Paramithië. I mblodhën burrat myslimanë që të gjithë
dhe i shpunë në Shtëpinë e Koçanit. Dy orë mbas akshamit i nxorrën prej andej
dhe i shpunë te ura e Filatit, ku i pushkatuanë. Grave dhe fëmijëve, që i
kishin mbledhë në shkollë të vendit, j’u caktuen 50 gramë bukë në ditë si atyre
të Paramithisë. Pak më vonë i përzunë fare tue i nxjerrë jashtë kufirit për në
Konispol.”
“Mbas një mueji në Filat hyri Eami[1]
dhe nxorri një komunikatë me të cilën lajmëronte që kush të dëshironte nga
familjet e ikura mund të këthehet në Filat se nuk e gjen gjë. Me të marrë vesht
këtë lajm, shumë familje u-këthyenë në Filat, në Spatar, në Kalibaq e në Vërselë.
Por ushtërija e Eam-it nuk qëndroi shumë aty, ajo mbas pak ditësh shkoi në
Janinë, tue lënë vetëm disa roje në Filat. Mbas këtij largimi të Eam-it u-futën
në qytet Zervistët , të cilët lajmëruan popullsin myslimane të mblidhet në
Mejdanllik të pusevet të Filatit. Asqerët burracakë të Zervës e rrethuan
popullatën e pa mbrojtje të mbledhur n’até vend, e grabitën dhe e xhveshën si
mos ma keq: i hoqën teshat, i morën yshqimet e kafshët e gjithçka kishin me
vehte. Ata j’u hoqën grave pa pikë turpi edhe shamitë e këpucët tue i lënë kështu
zbathur e xhveshur në një gjendje të vajtuarshme.”
“Disa tregëtarë grekë të Filatit i proponuan Zervës që t’j’a u dorëzonte
atyre këta myslimanë Shqipëtarë për t’i shoqëruar deri sa t’i nxirrnin jasht
kufirit. Por Zervistët e refuzuan kët proponim tue thënë se do t’i shpijshin
vetë deri në kufi. Këtu fillon edhe një thertore tjetër që të bën me t’u-ngjethë
mishi: Jashtë Filatit, në Vanër, Zervistët me shokë kishin zënë pusi në
tre-a-katër vënde në të dy anët e një rruge të ngushtë tue lënë një distancë sa
me kalue vetëm një person e jo dy për një herë. Myslimanët shqipëtarë filluen
me kalue si kalojnë dhentë në shtrungë. Gjithë burrat u-kositën në sy të
familjeve të tyre prej shpatës tradhëtare dhe se nuk shpëtuen veçse gratë e
çilimijtë. Mbas kësaj vepre mizore, i vunë zjarrin xhamisë së famëshme të
Filatit dhe shtëpive myslimane.”
Kështu e mbaroi fjalën e tij hoxha, të cilit memzi i kujtoheshin nga tmerri
ngjarjet tragjike mbi shpinën e një populli krejt të pafajshëm.
Po. Kështu e zbatuen Grekët e Megalidhesë, Grekët Imperjalistë, planin e
tyre çnjerëzor dhe tani në Çamërië nuk ekziston asnjë frymë frymë myslimani
shqipëtar. Bijt e Shqipes kishin pasë fatin e zi të vuejnë në até vend prej
sistemeve të një qeverimi nga më barbarët dhe më të egërit që ka eksistuar në kët
shekull vetëm e vetëm pse ishin të Fesë Myslimane. Herë u çfarosën me mënyrat më
terroristike, herë u përzunë prej vatravet të tyre dhe herë të tjera u këmbyen
me Grekërit e Anadollit nën pretencën se ishin tyrq! Kjo luftë me metodë që j’u
bëhej myslimanëve të atyre vendevet s’ka qenë tjetër veç luftës fetare
sistematike që kanë ndjekur dhe që ndjekin edhe sot e kësaj dite regjimet greke
antipopullore në Gadishullin Ballkanik.
Po a u-ndal me kaqë agresioni grek kundër kundër shqipëtarëvet? Jo. Grekët
shovinistë të Megalidhesë s’janë ngopur ende. Ata kanë zënë t’i bien një avazi
tjetër tashti në kohët e fundit. Ata kërkojnë të zbatojnë një fazë tjetër të
politikës së tyre të vjetër. Ata, me planet djallëzore që ngrehin, aspirojnë për
të shkëputur pjesë të tjera nga Shqipërija. Duan të ashtu quajturin Vorio-Epir
i cili, si dihet, përbëhet prej krahinavet thjesht shqiptare. Këto krahina që
ata i quajnë Vorio-Epir janë Korça e Gjirokastra, bijt heronj të të cilavet, pa
dallim feje, ishin të parët në luftën gjigante që u-bë për të rifituar lirin e
grabitur prej okupatorëvet Fashistë e Nazistë. Korça e Gjirokastra janë pra
djepi i Shqipërisë e Shqiptarizmës, burimi ku shpërtheu e rrufeshme lufta e së
drejtës kundër së shtrembtës.
Marrë nga Kultura Islame,
maj-gusht 1945, fq. 73-75.
Disa të dhëna mbi masakrat në Çamëri
1944-1945
Më 27 qershor 1944 masakrimi i qytetit të Paramithisë. Mëngjesin e së martës,
500 zervistë hynë në qytet duke premtuar qetësi, paqe dhe dashuri, por pas
dreke filloi masakra. Popullsia që shpëtoi largohet për në Filat dhe Konispol.
(të masakruar në Paramithi, Margëllëç e katunde 800 burra, 230 gra e fëmijë,
Pargë 130 burra)
Në gusht 1944, masakra në qytetin e Filatit dhe katundet. Popullsia
largohet përfundimisht në shtator 1944, pas ngjarjeve të tmerrshme. (të masakruar
në Filat e katunde 198 burra, 61 gra e fëmijë)
Shkurt 1945, një pjesë e popullsisë çame kthehet pas marrjes së zonës nën
kontroll nga ELAS-i.
Më 13 shkurt 1945 bëhet marrëveshja e Varkizës midis EAM-it dhe qeverisë së
Plastiras. ELAS-i në bazë të marrëveshjes dorëzon armët.
Në mars 1945- krahina e Filatit bie në duar të organeve të gjeneral
Plastiras (Ushtria Kombëtare Greke). Këto organe bëjnë masakrimin e tretë. (të
masakruar në Filat e katunde 142 burra, 59 gra e fëmijë)
Të humbur burra, gra e fëmijë 230.
(Masakra në Çamëri, Kastriot Dervishi, 55, Tiranë, fq. 75, 104.)
Comments
Post a Comment