Hamami dhe kultura e të larit në botën muslimane
![]() |
Hamam ne Mostar, Bosnje-Hercegovine |
Pamje e brendshme e nje hamami |
Hamami dhe kultura e të larit në botën muslimane
Roald A. HYSA
Në të
gjitha qytetet muslimane e gjen edhe hamamin, si një shenjë dalluese e këtij
qytetërimi. Islami i kushton një vëmendje të veçantë pastërtisë trupore sidomos
në çaste të veçanta. Banjat publike hasen edhe në qytetërime të tjera më të
hershme, si në lindje te kinezët po ashtu edhe në Perëndim te Romakët, e po
ashtu edhe në vendet e veriut me saunat dhe banjat ruse. Hamamin ose banjën
publike e gjen si një ndërtesë të veçantë dhe funksionale në të gjitha qytetet
muslimane gjatë të gjitha kohëve e deri më sot. Sipas madhësisë mund të kishin
edhe më shumë se dy hamame (në rast se qyteti kishte dy ose më tepër hamame,
njëri përdorohej vetëm nga gratë), por hamami gjendet edhe në
ndërtimet private. Përdorimi i hamameve bëhej me radhë, fillimisht përdorohej
nga burrat e më pas nga gratë (fëmijët meshkuj pa mbrritur moshën madhore
futeshin së bashku me gratë). Në hamam kemi edhe enёt e sapunit, tё cilat
ishin çanta prej metali, në formë ovale, poshtë me vrima si kullesë dhe sipër
me një dorëz. Brenda saj kishte disa ndarje si kuti, ku vendosej sapuni,
krehëri, dorezat e fërkimit, sapunimit dhe fijet. Një person që shkonte në
hamam për t’u larë fillimisht pushonte pak e qetësohej në një dhomë, që njihet
si dhoma e ngrohjes dhe që ngrohet vazhdimisht nga një rrymë e nxehtë ajri, e
cila të lejon të marrësh frymë lirisht. Personi lëviz më pas në një dhomë më të
nxehtë se e para, që njihet si dhoma e nxehtë, ku më parë e kanë spërkatur
trupin me ujë të ftohtë. Pasi lahet trupi krejtësisht dhe kryhet një masazh
personi lëviz për në dhomën e freskët dhe qëndron aty për një periudhë qetësimi.
Struktura
arkitektonike e hamamit pra, në elementet e saj më të thjeshta, përbëhet nga
një sallë pushimi apo veshjeje, në një tjetër dhomë të freskët, ku bëhen
kontaktet e para dhe të fundit me ujin e freskët, në një sallë qendrore më të
ngrohtë, në të cilën është e mundshme të rrish më gjatë dhe me një sallë të
mbrame në fund, ku avulli nxit djersitjen dhe në të cilën duhet të veshësh
pantofla për të mos djegur këmbët. Në anët e kësaj salle, në vende më pak të
nxehta, frekuentuesit e hamamit përgatiteshin për larjen e kokës, masazhin etj.
Arkitektura e hamamit turk është e ndikuar gjerësisht nga termat romake. Ndërsa
në shtëpitë private, hamamet i gjeje brenda shtëpisë dhe komunikohej vetëm
nëpërmjet dhomës së gjumit, ku flenin çiftet e martuara, të cilët merrnin gusul
menjëherë pasi kishin kryer marrëdhëniet seksuale. Pra, që të mos merreshin
vesh nga pjesa tjetër e familjes. Në këtë pjesë të shtëpisë, hamami përdorej
vetëm për të kryer larjen dhe në ndryshim nga ditët e sotme, nuk kryhen nevojat
e tjera, madje kanë qenë xhelozisht të ndara. Brenda hamamit kishte një lambik
të madh, gryka e të cilit kalonte nëpërmjet një mangalli me prush që e nxehte
ujin me të cilin do të laheshe. Nuk ka qytet që të mos gjeje hamamet,
gjithashtu edhe në të gjitha trojet shqiptare. Shumë domethënëse është edhe
historia e fillimeve të Tiranës si qytet, kur Sulejman pashë Bargjini (Mulleti),
që njihet si themeluesi i saj, ndërtoi xhaminë që mbante emrin e tij, hamamin
dhe furrën e bukës. Pra, tre elemente themelore për qytetërimin, xhamia si
vendadhurimi që i mbledh njerëzit në një vend, hamami si simbol i pastërtisë së
detyrueshme, si dhe furra e bukës që u duhet njerëzve për t’u ushqyer. Kështu
që hamami në arkitektonikën qytetare islame shihet si një element themelor
qytetërues. Të lahesh në hamam nuk
është thjesht një procedurë pastrimi fizik, por në më të shumtën e rasteve
është edhe një akt përkushtimi. Pastërtia dhe kujdesi për trupin në shoqëritë
islame janë të rregulluara nga norma që i përkasin jetës së përditshme, me
veprimet e saj të zakonshme të pastërtisë dhe që disiplinojnë më tutje
hapësirën e pastrimit që përbëhet nga banjot. T’i drejtohesh hamamit dhe të
lahesh i tëri bëhet e detyrueshme qoftë në rrethana të jashtëzakonshme, si në
rastin e përgatitjes për t’u martuar, si edhe në rrethana të zakonshme pas
menstruacioneve apo marrëdhënieve seksuale (marrja gusul). Hamami mund të konsiderohet
edhe si një pjesë e rëndësishme e sferës së jetës shoqërore qytetare të
shekujve të shkuar.
Disa
ndërtesa hamamesh janë ruajtur edhe sot si objekte antike, fjala vjen në
Elbasan, Krujë, Prizren, Shkup, Vushtri etj. Për nga numri i madh i hamameve në
qytete të botës muslimane dallojnë Kajro, e cila ka pasur rreth 300 hamame,
ndërsa për Damaskun thuhej se ka pasur 365 hamame, nga një për çdo ditë nga të
cilët në vitin 1950 kishin mbetur rreth 50 copë të tilla.
Nga një
vështrim i shpejtë i hedhur në librin “Shqipëria dhe Shqiptarët” të Sami Frashërit
në të gjithë zërat, ku flitet për qytetet shqiptare dhe të dhënave të tyre do të
vërehet, se ato e kanë pasur një hamam të paktën. Qytetet e mëdha shqiptare kanë
pasur dy edhe tre hamame, ku mund të përmendim këtu Shkodrën, që ka pasur dy
hamame dhe njëri ka qenë vetëm për gra.
Kultura
e hamamit dhe e larjes vazhdon të jetë e gjallë në shumë vende të Ballkanit, po
ashtu është e përhapur gjerësisht edhe në Perëndim, e kryesisht sot e gjen atë
si pjesë e industrisë së turizmit të këtyre vendeve.
Comments
Post a Comment