Legjenda mbi themelimin e Tiranës
Xhamia e Sulejman Pashes, ku gjendej guri themelues i saj dhe i Tiranes |
Legjenda mbi themelimin e
Tiranës
Në të
gjitha variantet e legjendës për themelimin e Tiranës, figura kryesore e saj
është Sulejman pashë Bargjini (Mulleti). Edhe në legjendën e themelimit me
gjithë variantet e saj thuhet se Tirana përpara se të ndërtohej xhamia, ishte
një vendbanim me 15 shtëpi. Varianti i parë është ai dhënë nga Johan George Fon
Han (konsulli austriak në Janinë), ku në veprën e tij “Studime Shqiptare”
(1854) e përshkruan legjendën e themelimit sipas asaj që kishte dëgjuar nga
banorët e Tiranës, ku flitej: “për një hyzmeqar djalosh që shërbente pranë
Sulejmanit, një beu të vogël. Një ditë, hyzmeqari i tregoi beut të tij ëndrrën
që kish parë, sikur hëna paskësh zbritur nga qielli dhe kishte qëndruar mbi
supin e djaloshit duke përhapur një dritë të shkëlqyer. Për beun, ëndrra ishte
paralajmërimi i një fati të bardhëpër hyzmeqarin, prandaj e nxiti të largohej.
Shumë vite kaluan kur Sulejmanit i erdhi urdhri të paraqitej në Stamboll, te
Veziri i Madh. Gojëdhëna vazhdon të tregojë se hyzmeqari i dikurshëm ishte bërë
Vezir i Madh dhe tani nuk i pëlqente ta harronte zotërinë e vjetër. Si u takuan
në Stamboll, Veziri e emëroi Sulejmanin komandant të sanxhakut të Ohrit. Nga
Ohri, një ditë tek kishte dalë për gjah, u gjend në Tiranë. Bukuria e vendit e
tërhoqi Sulejman Beun, kështu ai vendosi të ndërtojë aty një xhami dhe një pazar për t’i dhënë këtij fshati të vogël pamjen e qytetit.
Po këtë
variant e tregon edhe konsulli frëng i Shkodrës J. Hekar (1857) me një shtesë,
ku tregon se Sulejmani shkoi të luftonte në Persi dhe atje vdes dhe sipas
dëshirës së tij trupi iu soll në Tiranë, ku u varros pranë xhamisë, të cilën e
kishte ndërtuar vetë.
Po këtë
variant, porse të shkurtuar na e jep edhe Sami Frashëri, kur flet për Tiranën
në Kamus al-Alam.
Një
variant tjetër na jep fillim të shek. XX konsulli frëng në Shkodër, A. Dëgrand,
ku këtu mungon tashmë figura e hyzmeqarit dhe Sulejmani s’është më një bej i
vogël, por një feudal i pasur me toka dhe me kështjellën e tij në Mullet, afër
lumit Erzen.
Në këtë
variant konsulli frëng thotë se Sulejman Pasha pasi kishte mbrritur një fitore
gjatë një fushate në Teheran, e pagëzoi qytetin e ngritur prej tij Tehran, emër
i cili me kalimin e kohës u kthye në Tiranë.
Pak a
shumë po këtë variant të pagëzimit të qytetit na e jep edhe një autor i
panjohur, i cili firmos me inicialet “Nd.P.D.”, në “Kalendari i vjetëve 1920”.
Ky autor i rikthehet historisë së hyzmeqarit, duke e bërë vetë Sulejman Pashën
në këtë variant hyzmeqar dhe pasi i tregon ëndrrën sesi hëna ose dielli i
kishte zbritur në krah, përzihet nga zotëria i tij si i marrë. Ai hyn në
ushtrinë turke dhe pasi tregohet trim në luftime arrin të fitojë titullin vali
i Teheranit në Persi. Kur kthehet në vendlindje kalon pranë Tiranës, e cila në
atë kohë nuk ishte qytet, por kishte disa shtëpi. Sulejmani duke dashur të
përjetësonte emrin e vet, ndërton në këtë vend një xhami, hamamin dhe furrën
dhe e pagëzon me emrin Tirana prej Teheranit ku ishte vali.
Në
variantin e Osman Myderizit thuhet se: “Sulejman Pashë Mulleti, mbasi mori
fermanin nga Stambolli për të ngritur një qytet në mes të lumenjve Lanë e
Rigllatë, duke vëzhguar vendin ndeshi një plakë që tirte anë (mëndafsh) pranë
kasolles së saj, buzë Lanës. Pyetjes së Sulejman Pashës se ç’po bënte aty në
Lanë, plaka iu përgjigj: “Po tir anë”. Përgjigja e frymëzoi Pashanë nga Mulleti
ta pagëzonte qytetin e ri me emrin Tir-anë, Tiranë.”
Comments
Post a Comment