Agjërimi në vite


Agjërimi në vite

MEDITIM- MBI TË KALUARËN

Roald A. HYSA



Proceset demokratike u përshpejtuan edhe nga rivënia në funksionim e objekteve të kultit, të cilat i patën shpëtuar rrebeshit komunist të vitit 1967. Në dhjetor 1990 do të rivihej në funksionim Xhamia e Plumbit në Shkodër, ku populli i Shkodrës me një manifestim madhështor festoi kthimin e lirisë së besimit. Më pas në mes të janarit 1991 do të rihapej në Tiranë xhamia e Haxhi Et’hem Beut, ku i gjithë sheshi para saj u bllokua nga një turmë e pazakontë. Një muaj më pas do të rihapej dhe do të fillonte funksionimin e saj Xhamia e Kokonozit, e kështu me radhë hap pas hapi do të merreshin një nga një ato xhamia që kishin mbetur si objekte të tjetërsuara nga marrëzia komuniste, e cila i kishte hapur luftë Zotit. Por Allahu e ka vendin në zemrat e njerëzve, në zemrën e një besimtari, e cila rreh nga dashuria që ka për Zotin, Allahun e Lartësuar. Në vitin 1992 kam agjëruar për herë të parë dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Ne ishim rritur me një frymë respekti ndaj fesë, sepse gjyshja ime dhe motra e vet rahmet paçin që të dyja, kishin agjëruar e ishin falur. M’u kujtuan rrëfimet e babës tim, që na tregonte se si e kishte gjetur kryetari i Frontit i lagjes tonë gjyshen time, duke pirë cigaren e parë pas çeljes së iftarit (viti 1970), dhe gjyshja ime pasi e kishte mohuar herën e parë, herën e dytë e kishte pohuar që po pij cigaren e iftarit dhe nuk ishte trembur fare. Po ashtu m’u kujtuan edhe shumë rrëfime të tjera, se si komunistët nëpër qendrat e punës shkonin te punëtorët dhe iu jepnin diçka për të ngrënë e për të pirë gjatë kohës së agjërimit, që t’ua prishnin besimtarëve këtë ibadet. Më kanë treguar se si disa kavajas mbanin guralecë të vegjël në gojë për t’i shpëtuar përndjekjeve të komunistëve dhe grupeve të agjit-propit, të cilët propagandonin të mirat e ateizmit shkencor dhe “jetën e lumtur”, që ju ofronte partia me gjithë të mirat që kishte sjellë. Gjithandej komunistët ju rrinin në kokë njerëzve që të mos i linin të agjëronin dhe ta kryenin këtë iradet të rëndësishëm. Njerëzit çoheshin për syfyr natën dhe detyroheshin t’i mbyllnin dritaret me batanije, që të mos merreshin vesh se ishin zgjuar. Me shumë vështirësi përcaktoheshin datat e fillimit dhe të mbarimit të Ramazanit, nëpërmjet kalendarëve të vjetër, apo me shumë vështirësi kur kapnin valët e ndonjë kanali radiofonik arab apo turk. Për falje Bajrami as që mendohej fare. Kështu u vazhdua deri më dhjetor të 1990, më pas me ngritjen e Komunitetit Musliman të Shqipërisë shumë shpejt u vunë në qarkullim kalendarët e parë. Vetë besimtarët organizohen me ato pak lekë që mund të mblidhnin dhe përgatisnin iftare. Një atmosferë e ndritur besimi dhe përkushtimi ndihej në iftaret e para. Për fat muajin e parë të Ramazanit e mbaj mend që ka qëlluar në dimër. Megjithëse çelej rreth orës 17, 20 unë e kam çelur pasi ishte errësuar mirë thjesht për të qenë më i sigurt me orarin e agjërimit. Më pas më sqaruan se nuk ishte e nevojshme ta shtyje orarin e agjërimit ashtu. Ka qenë një kënaqësi e madhe asokohe dhe mbetet akoma kënaqësi edhe sot e kësaj dite, që e agjërojmë Ramazanin në verë. Madje u bënë 3 vite radhazi që 10 ditët e para të Ramazanit bie shi dhe moti është i freskët, mëshirë nga ana e Allahut të Madhëruar. Tashmë shtrimi i një iftari familjar apo shoqëror në Ramazan është bërë një traditë e këndshme për të gjithë, madje edhe xhamitë kryesore të Tiranës organizojnë me xhematet e veta iftare të rregullta, ku ftohen të gjithë të marrin pjesë. Shoqërizimi me besimtarët, shtimi i dashurisë dhe i respektit, përmendja e emrit të Zotit, urimet e ndërsjella jehojnë jo vetëm brenda xhamive, por edhe në të gjitha ambientet private apo shoqërore. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit