Mëngjes Bajrami në burg
Kishte pasë ndjehë Bajram
Mëngjes Bajrami në burg
Ahmet
Bushati
(Ahmet
Bushati këtë syth dhe shumë informacione të tjera i ka regjistruar në librin e
tij me kujtime. Këtu flitet për në Kampin e Çengelajve midis Peqinit dhe
Kavajës. Pamja që na ofron Ahmet Bushati
vërtet i takon një dite gëzimi për Bajram, porse një bajram i prangosur që do
të mbahet mend pikërisht pse ishte i prangosur. I mahnitur nga pamja madhështore
e Bajramit ai na rrëfen ato momente qetësie dhe komunikimi me Zotin e Gjithësisë.)
Më
ishte infektue keq thembra e njenës kambë, aq sa për disa ditë nuk muejsha me e
prekë me te në tokë. Me temperaturë e pushim të mjekut më zue edhe nata e festës
së Bajramit, e që prej temperaturës së naltë që kisha pasë, nuk pata ndigjue se
ç’mund të ishte folë rreth ditës së nesërme, ditës së Bajramit.
Ishte
verë dhe të nesërmen në mëngjes heret shumë, nji dritare e vockël që binte mbi
kryet tim, bashkë me dritën që sapo kishte nisë me zbardhë, po më fuste edhe
nji freski të kandshme, të cilën po e ndjejsha se më rrëshqiste me ambëlsi mbi
fytyrë. Nuk dij ç’ndodhi që unë papritmas u ngrita përnjiherë me vërejtë
përjashta, kur si për një mrekulli, m’u shfaq para tablloja madhështore e
faljes së Bajramit nga ana e të burgosurve myslimanë, të cilët qysh me natë
kishin pasë pushtue cep më cep gjithë katrorin e oborrit të madh të kampit, që
mue prej emocionit e çudisë, më bani të shtangesha menjiherë.
Kishte
pas ndjehë (gdhirë) Ditë Bajrami! Në fillim nuk po iu besojsha syve dhe ende pa
pasë fitue vetëdijen, gjithçka aty po m’u dukte si në andërr, sikur t’u
ndodhsha para nji pamjeje që e kishte lëshue nata. Besimtarë të burgosun qysh
prej krahinave ma të epra të Kosovës në veri e deri poshtë n’ato të Çamërisë
tonë të dhimbsun, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë nën “ezanin” e thellë
e prekës të hoshës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje, tue ba që ai shesh
kampi komunist, t’ishte shndërrue për pak kohë në nji tempull, xhami, ku
besimtarë të vuejtun që prej thellë shpirtit i luteshin Zotit të plotfuqishëm
si asnjëherë tjetër në jetën e tyre. Nuk kishte ndodhë ndonji herë! Fjala njatë,
por unë që ndigjojsha ezanin e hoxhës që u përhapte gjithandej si thirrje
qielli e njerëzit mbrapa që atij iu bindshin ashtu verbrisht e me përulësi, bashin
që mue, si në ekstazë, të m’u dukte vetja po u ndodhsha diku mes qiellit e tokës,
mes një fantazie të kahershme fëminore e realitetit të nji kampi komunist. Ndër
tjera, do të më tërhiqte vërejtjen e disi edhe të më prekte, qëndrimi që me atë
rast po tregojshin edhe ata të komandës ndaj ndërgjegjes së tyne, tue ba që
atyne njerëzve të shkëputun prej familjeve e lirisë, atë ditë t’ua respektonte
dashurinë e lidhjen e tyne me Zotin që ishte ma e shejta gja e jetës së tyne.
Nuk qeshë
largue ende prej asaj dritareje të vogël dhe as çlirue prej atij emocioni, kur
pashë se si ata të burgosun, mbasi mbaruen faljen, mbështollën pa u ngutë
shtrojë e shami, mbi të cilat kishin pasë mbështetë gjunj e krye, e u përzien paqësisht
tue u përfalë mes tyne si vëllazën e me mall, ndërkohë që mue vetvetiu, sikur më
vinte me thirrë: “Shqipni, Shqipni, a ke kenë ndonjëherë?” e “A thue vërtetë do
t’bahesh nji ditë?”
Kampi i
Çengelajve 1952
Comments
Post a Comment