Bolshevizma dhe Myslimanizma
Bolshevizma
dhe Myslimanizma
HAFIZ ALI
(Një këndvështrim interesant nga Hafiz Aliu mbi kotësinë e teorive
barazitare të majta dhe urtësitë kuranore se si duhet ta shohi një besimtar
veten e vet dhe rolin e tij në këtë botë. Ndryshimet në pasuri dhe në atë që i
ka furnizuar Zoti besimtarët e vet Hafiz Aliu i sheh si nxitje për të punuar
dhe për t’u dalluar secili prej nesh me përpjekjet e veta. Njerëzia nuk mund të
jenë “njësoj apo të barabartë”, sepse kjo do të ishte padrejtësi dhe Zoti i
Madhëruar është i Drejti. Por më mirë le të lexojmë atë mesazh që na përcjell dijetari
i shquar Hafiz Ali Korça.)
Para se të fillojmë të flasim për
çështjen, të flasim pak përmbi rrënimet njerëzore dhe qytetërore që i ka sjellë
botës rreziku i kuq e i zjarrtë i bolshevizmit. Për ta ndriçuar duhet të tregojmë
thelbin e këtij ajeti që urdhëron Zoti në Suren Shura (ajeti 27):
و لو بسط الله الرزق
لعباده لبغوا في الأرض و لكن ينزل بقدر ما يشاّء إنه بعباده خبير بصير
“Zoti me madhërinë e vet
që ta shtronte e ta shtrinte ushqimin e pasurinë njësoj për të gjithë njerëzit,
njerëzija padyshim në faqe të dheut do të bënin kryengritje të rrepta, edhe do
të bëheshin të gjithë rebelë”. Dmth, Zoti po t’i bënte të gjithë njerëzinë
njëlloj nga ana e pasurisë, njëri-tjetrin do të mos e respektonin, se kush do
të thoshte unë jam, i vogli të madhin nuk do ta njihte, se kush do të
dëshironte t’i jepte urdhra tjetrit por askush s’do ta dëgjonte tjetrin dhe
kështu do të hante njeriu-njerinë, raca e njeriut do të shfarosej, bota do të
shkretohej. Pra, Zoti pasurinë e ndau duar-duar që të mundohet secili të vrasi
mendjen, të përpiqet të punojë që kësisoj të bëhet i pasur e të lartësohet si
në pasuri ashtu edhe në dituri, e në mjeshtëri etj…
Nëse pasuria do të ishte
e caktuar dhe e pandryshueshme, askush nuk do ta vriste mendjen, askush nuk do
të lodhej, askush nuk do të punonte; atëherë qytetërimi s’do të lindte, edhe
bota do të jetonte në egërsi. Në një ajet tjetër urdhëron:
و
أن ليس للإنسان إلا ما سعى
“Njeriut nuk i takon veçse ajo që
ai punoi” (Sure Nexhm: 39)
Në tjetër ajet urdhëron:
أ
فحسبتم أنما خلقناكم عبثا
“Ç’kujtoni se mos ju krijova
kot”? (Sure Mu’minun: 115)
Puno, puno Zoti thotë
Mos rri duarlidhur kot!
Në një vend tjetër urdhëron:
أ يحسب الإنسان أن يترك سدى
“Njeriu pandeh se do të
lihet ashtu i harruar në heshtje? Do t’i merren të gjitha hesapet”.
Siç kuptohet nga ajetet e sipërshënuara, njëri që i thotë vetes
njeri duhet të mos e poshtërojë veten, por të përpiqet e të mundohet që çdo
send të pëlqyeshëm e njerëzor që i dëshiron shpirti ta shtjerë në dorë.
Ai që përpiqet i arrin
dëshirës
Në je burrë kurrë mos
i-u ndaj së mirës!
Vërtet e gjithë bota
jemi vëllezër, jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit, punojmë njëri për tjetrin. Bie
fjala një afrikan mundohet në shkretëtirat e zjarrta të Afrikës, mbjell pambuk
e tjetri gjuan egërsira në Siberi për lëkurë që të veshim ne, por edhe ne
punojmë me kazëm, mihim tokën me bel për të fituar pak të holla që t’iu japim
atyre. Kësisoj punon secili rob për vëllanë e tij që s’e njeh aspak. Të ishte
pasuria njësoj, vallë kush do të punonte e do të kujtonte vëllanë e tij që
jeton në tjetër vend!
Vjershë
Lëvdime të qofshin, o
Zot i vërtetë!
Gjithë njëri për tjatrin punojmë në jetë!
Comments
Post a Comment