Kronikë e jetëve të humbura




Kronikë e jetëve të humbura

Ing. Orhan Sakiqi


Nga Roald A. HYSA


Ata që nuk e njohin historinë janë të dënuar ta përsërisin atë. George Santayana
Pikërisht ky është edhe thelbi i këtij libri me rrëfime jetësh të ndryshme njerëzore, të cilët dalin nga kujtesa dhe përjetimet e ing. Orhanit zbardhen nëpër gazeta të ndryshme dhe tashmë marrin formën e një libri. Një libër i shkruar me dashuri për të luftuar me harresën zyrtare që ofronte regjimi i kaluar komunist pasi të kishte etiketuar si “armik i popullit”. Mirëpo era e lirisë do të frynte edhe në Shqipëri për t,i dhënë fund represionit dhe dhunës shtetërore komuniste. Tashmë pas rreth 28 vitesh demokraci jemi në një garë me “harresën zyrtare” të imponuar nga komunizmi me etiketat e tij të gatshme “armik i popullit” apo “i deklasuar e kulak”. Së fundmi kemi përjetuar edhe një debat të nxehtë politik, për shkak se vazhdohet ende me mentalitetin që “ne e fituam luftën dhe ne duhet ta bëjmë historinë”. Një histori e manipuluar me gënjeshtra, ku njerëz të ndershëm e që u rritën e punuan me dashuri e përkushtim ndaj këtij vendi u etiketuan si “armiq të popullit”, madje u pushkatuan dhe nuk iu dihet varri edhe sot e kësaj dite.
Një dilemë e autorit të këtij libri është se janë gjetur eshtrat e 2000 të vrarëve, por ende nuk i dihet varri rreth 4,500 të tjerëve. Një dramë njerëzore e përshkruar në faqet e këtij libri është ajo e bashkëshortëve të nderuar Akil e Nevrez Sakiqi. Një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar që u nda nga kjo jetë me pengun se ku prehej trupi i bashkëshortit të saj, një peng që ia transmetoi edhe pasardhësve që la mbrapa. Kjo është një pjesë e tragjedisë që përjetuan 60 familje, të cilave iu zhdukën familjarët e tyre në Masakrën e Tiranës të tetor-nëntorit 1944.
Autori i këtij libri nëpërmjet copëza rrëfimesh na jep copëza tragjedish e dramash të përditshme që u përjetuan nën regjimin komunist të enverit nën poshtërimin që iu bë njerëzve të ndershëm nga e ashtuquajtura luftë e klasave e imponuar nga mësimet marksiste-leniniste me dhunë, me gjak e me shkatërrim jetësh të pafajshme.
Në këto rrëfime përfshihen jo vetëm prindët e autorit tonë Orhan Sakiqi, por edhe emra të njohur të motrave Qiriazi, arkitektit të mirënjohur Petraq Kolevica, patriotit të shquar tiranas Rexhep Jella etj. Në këto rrëfime të shkurtra, por shumë domethënëse janë përmbledhur në formë copëzash mozaiku të gjitha pasojat e “luftës së klasave”. Personazhet e këtij libri janë të gjitha reale dhe janë miq e të afërm të autorit, pra gjithçka që na përcillet është material jetësor i dorës së parë edhe si dëshmi e gjallë për të gjithë brezat në vijim. Pjesa më e madhe e tyre nuk jeton më, kanë ndërruar jetë, vetëm se nëpërmjet këtij libri tashmë janë bërë pjesë e një kujtese më të gjerë. Ata do të jenë pjesë e bibliotekave tona, të cilat duhet t,ua trashëgojmë fëmijëve tonë. Një vend të konsiderueshëm në këto rrëfime zen edhe miku i tij Agim Musta me shifrat e Librit të Zi të Komunizmit, po ashtu edhe ish-të dënuarit politikë Abdulla Berberi e Skënder Kosova, që të dy këta të fundit nuk janë më midis nesh. E pra në këtë libër autori ka përfshirë një mini-enciklopledi personazhesh, ku në fund ai jep edhe një opinion e analizë të gjerë të asaj që ka ndodhur dhe se si duhet trajtuar nga institucionet përkatëse. Ky është libri i pestë i dalë nga duart e tij dhe njëkohësisht një libër që i shtohet bibliotekës së memories të familjeve të ish-të përndjkurve politikë të regjimit komunist.
Librin e lexova me shumë kënaqësi edhe për vetë faktin se disa prej tyre kanë qenë edhe miqtë e ngushtë të babait tim Allaman Hysa, por që i kam njohur dhe i kam takuar, si arkitekti Petraq Kolevica, profesor Kolec Topallin, që kam pasur pedagog, apo Abdulla Berberi e Skënder Kosova.
Urime dhe ju falënderoj shumë i nderuar inxhinier Orhan Sakiqi.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit