Haxhi Vehbi Dibra- Hoxha që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë
Hoxha që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë
Vehbi efendiu është
një nga figurat me kontributin më të madh në historinë moderne të Shqipërisë.
Kontributi i tij politik e patriotik është i përmasave të jashtëzakonshme dhe
me përgatitjen e tij të lartë ai u kthye në një figurë shumë aktive të patriotizmit
shqiptar. Haxhi Vehbi Dibra
(Agolli) u lind më 1867 dhe u rrit në qytetin e Dibrës së Madhe prej nga mori
edhe mbiemrin dhe u njoh gjerësisht në të gjitha trojet shqiptare. Vehbi efendi Dibra qysh në moshën e fëmijërisë
shquhej për një zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të rrallë. Ai dallohej midis
moshatarëve për zellin e tij të madh për të mësuar. Më pas vazhdon studimet e larta në Stamboll. Pas
kryerjes së studimeve të larta për teologji, kryen specializime në degë të
veçanta, si: filozofi islame, logjikë e jurisprudencë. Ai i zotëronte shumë
mirë tri gjuhët klasike të Lindjes muslimane turqishten, persishten e
arabishten. Ai bëhet kështu në një figurë qendrore të historisë shqiptare të
Pavarësisë, së bashku me Ismail Qemalin. Në vitin 1892, në moshën 25 vjeç
emërohet myfti i Dibrës, duke zëvendësuar babain e tij[1]. Vehbi
Efendiu lozi një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit 1908, 1910, ku
mbështeti Dervish Himën e dom Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me
germa latine. Ai i drejtoi me shumë kujdes punimet e Kongresit të Dibrës më
1909, ku me shumë zgjuarsi amortizon presionin e partisë xhonturke e pranishme
në këtë kongres me një numër të madh pjesëmarrësish. Merr pjesë në ngritjen e
Flamurit në Vlorë së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Hafiz Sherif
Langun, si delegatë të Dibrës dhe aty zgjidhet
Kryetar i Pleqësisë (Senatit) së Parë Shqiptare, të Qeverisë së
Përkohshme të Ismail Qemal bej Vlorës, ku me fetvanë e tij ngrihet flamuri me
shkabën dy-krerëshe, si dhe hedh firmën së bashku me delegatët e tjerë në
shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe në ngritjen e qeverisë së parë të Shtetit
Shqiptar. Shpallet nga qeveria e Vlorës Myfti i përgjithshëm i Shqipërisë dhe zëvendësohet
në postin e kryetarit të Senatit nga Eqerem bej Vlora. Në ato vite shumë të
trazuara të dy luftërave ballkanike dhe menjëherë të Luftës së Parë Botërore,
ai si një politikan i aftë dhe njeri me veti të larta organizative jep
kontributin e tij të vlefshëm në saje të emrit të mirë që gëzonte në popull si
klerik i lartë dhe teolog i ditur. Gjithashtu jep kontributin e tij në ngritjen
e flamurit kombëtar nëpër rrethe të ndryshme të vendit, si dhe në krijimin e
organizimin e pushtetit lokal në prefektura e nënprefektura. Nga dokumentet e
Qeverisë së Vlorës shumë prej tyre mbajnë firmën e tij, si zëvendëskryetar pasi
Ismail bej Qemali largohet në mars 1913 drejt Evropës me mision dhe e ngarkon
Vehbi efendiun ta zëvendësojë në këtë detyrë shumë të vështirë për kohën, që po
përjetonte vendi. Në shtator 1913 kontribuoi gjerësisht në organizimin e
kryengritjes kundër serbëve në Dibër. Më 1 Mars 1918 ndodhi një akt i pazakontë, ku disa të
krishterë shkodranë hodhën parulla ofenduese ndaj muslimanëve nëpër qytet, si:
“Poshtë xhamija”, “Poshtë Mevludi”, por akoma më e keqja ishte therja e derrit
në derën e xhamisë. Kjo u prit me indinjatë të thellë nga muslimanët e
Shkodrës, të cilët normalisht që reaguan me shumë zemërim ndaj këtij akti
vandal, por kryemyftiu Vehbi Efendiu bëri takime e bisedime me klerikë të
ndryshëm të krishterë, dhe në mënyrë demonstrative tha se këto veprime nuk i
sjellin ndonjë dëm bashkimit të popullit, dhe se 4 apo 5 ferra nuk përfaqësojnë
komunitetin e krishterë dhe nga ana tjetër iu drejtoi një notë proteste
autoriteteve Austro-Hungareze, pastaj bëri përpjekje të shumta për të qetësuar
gjendjen. Më 1916-ën,
pasi Shqipëria ishte krejt e pushtuar nga fuqitë e huaja, ai ia del të krijojë
Gjyqin e Naltë të Sheriatit, të cilin e drejtoi vetë, duke u përpjekur që
shqiptarët të mos e humbnin pusullën në ato vite të turbullta lufte. Qysh në këto
momente kur ai drejton Gjyqin e Naltë ai nxjerr një qarkore për përdorimin e
shqipes në administratë, si dhe porosit vulat në gjuhën shqipe me shqiponjën
dy-krerëshe. Ky institucion e vazhdon jetën e tij deri në shkurt të vitit 1923,
ku po me iniciativën e tij, të Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ismet Gurit etj.,
mblidhen 36 delegatë nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në Kongresin e
Parë të Xhamisë në kryeqytetin e sapozgjedhur të vendit Tiranën. Menjëherë pas
fillimit të punimeve H. Vehbi Dibra zgjidhet drejtues i këtij Kongresi, që e
shkëput Xhaminë shqiptare nga qendra e Stambollit, Kalifati dhe Meshihati, duke
shpallur mëvetësinë e saj. Në këtë Kongres u bënë një sërë reformash ku Gjyqi i
Naltë i Sheriatit kthehet në Këshillin e Naltë të Sheriatit. U mor vendimi për
nxjerrjen e reviste që do të ishte zëdhënëse e Komunitetit Mysliman (Zani i
Naltë), si dhe hapja e sa më parë e një Universiteti (Medrese Alije-e lartë),
ku do të mësoheshin jo vetëm arabishtja e shqipja, por edhe gjuhë të tjera
perëndimore. Gjithashtu shumë shkrime të tij me karakter fetar janë botuar në
faqet e revistës “Zani i Naltë”, si dhe ka shërbyer si vaiz në xhami të
ndryshme të Tiranës, ku është shquar për oratorinë dhe shërbimet e tij të
vyera. Deri në vitin 1929 shërben si kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë
dhe për arsye moshe tërhiqet për t’ia lënë vendin kryetarit pasardhës dr.
Behxhet Shapatit. Vdes në Tiranë në mars të 1937-ës, e varroset duke u
përcjellë nga respekti dhe nderimi i qindra-mijëra muslimanëve nga të katër
anët e Shqipërisë, ku në varrimin e tij morën pjesë funksionarë të lartë të
shtetit.[2]
Comments
Post a Comment