Shënimi i JAVËS Albania fm
Kujtim Kaziu |
Shënimi i JAVËS
Kësaj jave të nderuar dëgjues do të doja të sillja në vëmendjen
tuaj një nga problemet sociale të pazgjidhur akoma i shtrirë në një kohë të
gjatë prej 23 vjetësh. Normalisht jo se nuk ka qenë në vëmendje, por ngjarjet e
fundit na i risjellin në vëmendje, jo vetëm mua por për të gjithë opinionin e
gjerë publik. Një ish i burgosur politik tenton të vetëdigjet
përpara Parlamentit. Ish- të burgosurit ishin mbledhur në një protestë
përpara Parlamentit, dhe po kërkonin me ngulm të drejtat e tyre. Kujtim Kaziu një
nga ish-të dënuarit politikë që pret të marrë këstin e parë të dëmshpërblimit
tashmë të njohur ligjërisht nga qeveritë shqiptare të pas demokracisë ka dashur
të vetësakrifikohet duke u djegur me benzinë. Pas problemit të pronave në Shqipëri
ky është problemi i dytë më shqetësues, që i përket shoqërisë shqiptare dhe
qeverive. Është një problem gjithashtu me një buxhet të madh financiar, kur
dihet që janë më se 15,000 persona që në sasi të ndryshme monetare presin ta
marrin këtë dëmshpërblim për punën e papaguar në burgje e internime. Problemi i
pronës dhe i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë kanë disa lidhje të përbashkëta.
Të dy i lidh fatura financiare, që duhet të paguajë shteti për të dyja këto
kategori njerëzish dhe kjo është një faturë e rëndë buxhetore. E dyta që i lidh
këto probleme, se vetë këta persona apo trashëgimtarët e tyre kanë qenë
ish-pronarë tokash, por edhe ish-të dënuar apo të përndjekur politikë. Kujtimi na
përkujtoi varfërinë e tij dhe borxhet monetare, por nuk është vetëm ai që po përjeton
momentet e krizës. Ajo që deri tashti nuk kanë arritur të marrin ish të
burgosurit politikë është satisfaksioni moral dhe integrimi i tyre i natyrshëm i
tyre në shoqërinë e re demokratike. Ky është
një shqetësim i tyre i ligjshëm, kur kujtojmë këtu se çfarë hoqën baballarët tonë
nëpër burgjet e zeza të komunizmit, në një kohë kur e gjithë Shqipëria u shndërrua
në një burg të madh ideologjik. Kur të gjithë ishin të internuar dhe internoheshin
pasivisht. Nuk do të mjaftonte thjesht një faturë e rëndë financiare, e cila
edhe sikur të merrte një zgjidhje ekonomike nuk do t’i lehtësonte shpirtrat e
vrarë të këtyre njerëzve. Ata janë plakur e thinjur përpara kohe dhe kërkojnë ndonjë
lek për të mbyllur njërin nga shumë hallet që ata kanë sot, si të gjithë njerëzit
e tjerë. Ndërkaq unë do të vëreja se sot akoma nuk janë zbardhur përmasat e
atij eksperimenti gjenocidal, që i kushtoi jetën drejtpërdrejt rreth 15,000 shqiptarëve,
por që me pasojat e shkaktuara pati efekte mbarëkombëtare. E si mund të harrojmë
ato qindra kosovarë, që për t’i shpëtuar regjimit serbosllav të Kosovës vinin për
të gjetur shpëtim këndej dhe përfundonin burgjeve e internimeve. Akoma nuk dimë
një numër të saktë të atyre hoxhallarëve që përfunduan burgjeve, pse ishin të
tillë. Familjarët e hafiz Xhemal Naipit akoma nuk i kanë gjetur dot vendin ku është
varrosur ai për të shkuar te varri e t’i bëjnë një lutje. Po ashtu hafiz
Mustafa Varoshi, i cili vdiq për shkak të rrahjeve e torturave të pësuara. Hoxhallarëve
ua shkulën mjekrat qime për qime nëpër tortura për t’i gjunjëzuar. E këto gjëra
nuk janë thënë akoma publikisht dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Ai regjim
ka marrë një dënim moral publik, që i takon me të drejtë. Ndërkaq nuk shohim një
dënim publik ndaj regjimit komunist dhe partisë komuniste, e cila udhëhoqi gjenocidin
më të madh në historinë e re të Shqipërisë. Ky do të ishte satisfaksioni më i
madh për të gjithë këtë shtresë. Kurdo që të vijë ai do të ishte i mirëpritur për
të gjithë ne. Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Ah të mos harrojmë, edhe ato
paratë e dëmshpërblimeve na duhen...
Comments
Post a Comment