Përsiatje pas Ramazanit 2019



Përsiatje pas Ramazanit 2019


Roald A. HYSA

Në prag të Ramazanit shumë prej nesh kishin bindjen, se ky muaj do të ishte i begatë për të gjithë ne, dhe kjo u duk qysh në mbrëmjen e parë të teravive kur gjoksi na u rehatua nga ngacmimet e vesveset e zakonshme dhe i falëm teravitë me një qetësi për ta pasur lakmi edhe në ditët e tjera jashtë këtij muaji. Nga diskutimet e bëra me vllezër të ndryshëm rreth mbarëvajtjes së këtij muaji diskutuam edhe për motin dhe vërejtëm që këta vitet e fundit Allahu me Madhështinë e Vet na e ka lehtësuar vapën, kur në javën e parë të agjërimit e ka freskuar motin dhe temperaturat, madje ka dërguar shi të bollshëm e të bereqetshëm, ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë tonë kërkonin t’iu drejtoheshin plazheve për t’u shuhëllyer në diell, e për të marrë sa më shumë rreze dielli. Me sa duket lutjet e besimtarëve për një agjërim më të lehtë edhe për motin u dëgjuan dhe u pranuan nga Allahu i Madhnueshëm dhe besimtarët me javën e parë me një mot shumë më të freskët se zakonisht arritën që në këto ditë të para të mësohen me agjërimin dhe më pas ta kenë më të lehtë për ta vazhduar atë me gjithë të nxehtin e madh në vazhdim dhe etjen e përditshme deri në vaktin e iftarit.
Mirëpo kësaj radhe të paktën në Tiranë e rrethina pati një ndryshim krejtësisht drastik, muaji i Ramazanit kaloi krejt me një mot me shira të vazhdueshme dhe me temperatura të ulëta, e me një freski e fllad të pashoq, saqë në momentine çeljes së iftarit, askujt prej nesh nuk i binte ndërmend për bukë e për ujë. Allahu me Madhninë e Vet e lehtësoi aq shumë, saqë kërrkush nuk e mbante mend një agjërim të tillë, megjithëse besimtari kalonte mbi 17 orë pa vënë ujë e bukë në gojë.
Përshtypjet e të gjithë neve ishin të njëjta, një lehtësim i paparë dhe i pandjerë ndonjë herë, ku i gjithë maji kaloi pa u ndjerë, besimtarët me përkushtim i kryenin adhurimet dhe nuk e ndjenin vapën e zakonshme, as lodhje, por vetëm një kënaqësi dhe shije me të gjitha veprimet e agjërimet e kryera. Dashamirësia midis besimtarëve dhe dashuria për ibadetet e përbashkëta të kryera ndjeheshin në çdo sofër bujare deri në iftarin e fundit në vigjiljen e natës së bekuar të Bajramit të Ramazanit. Hareja dhe gëzimi zunë vend që para mbylljes së ditës së fundit të agjërimit, por edhe keqardhja që ky agjërim po mbyllej. Përshtypjet dhe perceptimet në këtë muaj të madhnueshëm kanë qenë krejtësisht të veçanta për të gjithë ne. Në ndenjat e mëpasme të gjithë diskutonin pikërisht për këto ndjesi të jashtëzakonshme, që u manifestuan edhe më faljen e Bajramit në të gjithë vendin, ku u mbushën sheshet plot me agjërues. Dikush pati frikë se mos shiu vazhdonte edhe ditën e Bajramit, por nuk kishte mundësi që shiu të vazhdonte më tej, e ta prishte këtë gëzim dhe hare të muslimanëve!
Nuk kishte mundësi, pse Ai, i Lartmadhëruari që e zbret shiun në tokë, po Ai e ndalon edhe të bjeri për ta shtuar edhe më shumë gëzimin dhe harenë e festimeve të Bajramit të Ramazanit, të kthimit në natyrshmërinë njerëzore. E për këtë ne jemi të bindur dhe po ashtu e falënderojmë Allahun Madhështor, që na bëri muslimanë dhe na mundësoi ta agjërojmë Ramazanin dhe ta lusim Atë dhe vetëm Atë Dhul Xhelali uel Ikram, të na e ketë pranuar agjërimin dhe ibadetet e tjera. SELAM

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit