Urtesi nga Kurani Famelarte




Copëza urtësie nga Kurani Famëlartë

Roald A. HYSA

“...E nuk ka dyshim se në këtë (rrënim) për një popull që kupton ka argument”. (Neml, 52)
“...S’ka dyshim se në këtë ka argument për secilin njeri që kthen mendjen te Zoti”. (Sebe’ë, 9)[1]
“...Vërtet që në këtë ka një shenjë treguese të qartë për ata që besojnë”. (El-Ankebut, 44)[2]
“...kjo është me të vërtetë argument për njerëzit të cilët mendojnë”. (Nahl, 11)[3]

Ajetet e sipërcituara kanë qenë, janë dhe do të jenë nxitës të arsyes së shëndoshë për të gjithë, jo vetëm për dijetarët e fesë, për të gjetur urtësitë e pafundme që gjenden në Kuranin Famëlartë[4]. Këto ajete i nxisin ata që besojnë në Zotin e Madhëruar dhe mendojnë me arsye të ftohtë drejt shkencës së vërtetë dhe studimeve për këtë Libër Hyjnor por edhe për natyrën dhe gjërat që na rrethojnë. Pikërisht fjalët e larta të këtyre ajeteve më nxitën për të shkruar këto pak rreshta rreth ajeteve të mëposhtëm, e për të dhënë një mendim modest rreth tyre. Më se e qartë është edhe nga titulli që këto janë copëza shumë të vogla të Urtësisë Hyjnore në krahasim me të tërën por që vërtetojnë pa dyshim saktësinë e këtij libri dhe besnikërinë me të cilën i Dërguari i Zotit Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ua përcolli njerëzve. Gjithashtu këto ajete tregojnë universalitetin e kësaj thirrjeje, jo vetëm për njerëzit dhe kohërat por edhe për fushat e ndryshme të dijes që përfshihen në të. Logjika shpjeguese e ajeteve kuranore është e thjeshtë dhe pa shumë ndërlikime porse njerëzimi dhe ata që besojnë duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të arritur nivele të larta shkencore dhe dijeje që më pas të kenë mundësi ta kuptojnë urtësinë që gjendet nëpër rreshtat e këtij libri të lartë. E falenderojmë Zotin e Madhëruar për këtë Libër Hyjnor dhe e lusim të na e shtojë dijen të gjithëve për t’i hyrë sa më thellë kuptimeve të Kuranit Famëlartë.

Ju porosit juve Perëndija në fëmiët t’uej: Për mashkullin (të marri) sa marrin dy femna. Në qofshin ata (të tana) vajza dhe ma tepër se dyë, për ta janë dyë të tretat e mallit të trashiguem. E në qoftë nji vajzë e vetme, për tê asht gjymsa (e ati malli); dhe për prindët për çdo njanin nga ata, asht nji e gjashta e mallit qi ka lanë i vdekmi (djal) në se ka ai fëmië. E në qoftë se ai (djal i vdekun), nuk ka ndonjë fëmi, trashigimtarët e mallit t’ati janë dy prindët e ati: për t’âmën asht nji e tretë e mallit. Në qoftë se ka i vdekmi vllazën, atëherë nji e gjashta e mallit të ti asht e s’amës. (Kta dispozita hyjnë në fuqi) mbassi t’i kryhet vessijeti qi ka bâ, ose mbassi t’i lahet huvaja qi ka pas. Ju ndër prindët t’uej dhe ndër fëmite t’uej, nuk e dini se kush asht mâ i afër kah dobija për juë. Ky (pjestim) asht urdhën definitiv prej anës së Perendís; se Zoti asht ditës (i nevojave t’juja) plotsisht, dhe asht veprues me vend[5]. (Nisa, 11.)

Nga Kurani Famëlartë ka dalë një nga legjislacionet më të përsosura dhe ky është Islami. Edhe sot e kësaj dite juristët islamë nxjerrin ligje dhe vendime të ndryshme nga ky libër. Ky ajet i veçuar nga sureja Nisa, është njëri ndër ato ajete që merren me ndarjen e mallit dhe të pasurisë së atij që ka vdekur dhe ka lënë trashëgimi pas vetes (pasuri të tundshme ose të patundshme). Ky ajet pos pasojave ligjore që nxjerrin juristët i nxit ata, të cilët e kanë për detyrë të merren me këtë punë që të merren edhe me arithmetikë dhe përllogaritjet përkatëse. Këto përllogaritje bëhen në bazë të situatave të ndryshme vijuese në të cilat gjendet familja e atij që ka lënë vasijet (testament). Pra, në bazë të një ekuacioni që ngrihet prej numrit të pjesëtarëve, llojit të tyre (mashkull apo femër) dhe të afrimitetit të tyre me të vdekurin; bëhen përllogaritjet dhe nxirren përfundimet. Po ashtu nga ana arithmetike vërehet se ky ajet nxit edhe veprimet thyesore, mbledhjet dhe zbritjet. Kjo është nxitje prej Zotit të Gjithfuqishëm për ata që mendojnë.

Shembulli pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut, është si i një kokrre që i mbin shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është bujar i madh, i di qëllimet”. (Bekare, 261.)

Ky ajet i Kuranit Famëlartë u tregon dhe i nxit njëkohësisht të gjithë ata njerëz që japin diçka nga pasuria e tyre në rrugë të Allahut. Allahu i shpërblen bujarisht të gjithë ata që shpenzojnë sadopak për hir të tij. Në këtë ajet përveç që tregon se sa mbrrin shpërblimi i Allahut ka edhe dy urtësi të tjera: njëra ka të bëjë me arithmetikën dhe janë koncepti i shumëfishave dhe i nënfishave (a: 1 x 7 x 100 = 700 dhe b: 700/100/7 = 1). Ndërsa urtësia tjetër e këtij ajeti ka të bëjë me agronominë dhe atë që quhet me termin vëllazërimi i grurit. Mbillet një kokërr grurë, e cila maksimalisht jep shtatë kallinj dhe secili prej tyre jep maksimalisht nga njëqind kokrra dhe kjo ndodh pas një stine të mirë bujqësore dhe pasi grurit i janë bërë shërbimet më të mira prej fermerit. I gjithë ky proces i përshkruar, në agronomi njihet si vëllazërimi i grurit ndërsa Allahu në Kuranin e Tij Famëlartë e ka përshkruar me qindra vjet më përpara se ta bënte agronomia moderne me tekstet e saj.

“Zoti yt i dha instikt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra, nëpër drunj dhe në ato (koshere) që njerëzit ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha frutat dhe futu nëpër rrugët që Zoti i ka lehtësuar për ty.” Nga barku i tyre del një lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim (ilaç) për njerëzit. Me të vërtetë, në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Nahl: 68-69)

Mrekullia e Allahut shihet edhe në këtë insekt të vogël dobiprurës, i cili përbën njërin prej argumenteve të shumta të plotfuqishmërisë së Zotit të Madhëruar. Ky insekt i pajisur me një shikim të mprehtë është prodhues i një prej ushqimeve të preferuara nga njerëzit, mjaltit dhe përveç kësaj ai përdoret edhe si ilaç për shërimin e disa sëmundjeve, si psh, mykun që formohet në gojë prej përdorimit të tepërt të antibiotikëve nga të sëmurët. Vetë mjalti është një ushqim me përmbajtje kalorike të lartë dhe që asimilohet lehtë nga organizmi i njeriut. Aftësia e bletës në prodhim është e habitshme sepse jeta e saj zgjat vetëm tre ditë dhe në errësirë të plotë ajo arrin të ndërtojë hojet e saj ku depoziton larvat që pjell mbretëresha mëmë. I ushqen ato dhe arrin të mbajë një pastërti shembullore në zgjoin e vet. Vetë mbledhja e ushqimit në çdo lule, pra, kullotja është shumë e vështirë dhe e lodhshme për këtë insekt. Organizimi i zgjoit është i përkryer ku secila prej tyre kryen detyrën e vet me rigorozitet dhe pa gabuar aspak. Ndërsa një nga prodhimet më të vyera të saj që përdoret gjerësisht në mjekësi, është qumështi i mbretëreshës. Ka fuqi të larta kalorifike, edhe më shumë se vetë mjalti dhe mund të përdoret tek ata që vuajnë prej impotencës, si dhe për ato që vuajnë nga anemia. Nuk merret drejt ashtu siç prodhohet porse përzihet për shkak të fuqisë së madhe kalorifike që zotëron. Pra, kjo është ajo që Allahu i Madhëruar e cilëson në Kuranin e Tij “Nga barku i tyre del një lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim (ilaç) për njerëzit”.

Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë”. (Dharijatë, 47)

Fjala “qiell” e përdorur shumë herë në Kuranin Famëlartë nuk ka vetëm kuptimin e qiellit, të cilin shohim ne por njëkohësisht ka edhe kuptimin hapësirës, kozmosit apo universit. Shumë kozmologë dhe astronomë dilnin në përfundimin se universi ka qenë ky që është dhe nuk ka ndryshuar, pra, është i pafillim. Ndërsa nga ky ajet kuranor kuptohet që ai është në zgjerim “...Ne e zgjerojmë atë”. Dy shkencëtarë: rusi Aleksandër Fridman dhe belgu Zhorzh Lëmetër me anë të llogaritjeve të tyre teorike nxorrën që universi është në lëvizje të vazhdueshme dhe zgjerohet.[6] Edhe një herë tjetër është Kurani Famëlartë që i paraprin shkencës me saktësinë e tij të habitshme, duke u bërë nxitje për ata që mendojnë dhe arsyetojnë.

As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata ditën. Po secili noton në një orbitë të caktuar”. (Ja-sin, 40)

Tashmë astronomia moderne dhe kozmologët e kanë vërtetuar shkencërisht që gjithsecili nga planetet e sistemit diellor kryen një rrugë të caktuar si dhe format e lëvizjes së tyre sipas një eliptike të caktuar. Dhe për këtë u deshën breza të tërë shkencëtarësh që të punonin e të harxhonin energji, kohë e përllogaritje nga më të ndryshmet e të vështirat për të ardhur në këtë përfundim që Zoti i Gjithësisë me lehtësinë më të madhe ia ka furnizuar njerëzve nëpërmjet Kuranit Famëlartë.

Ai është i pari dhe i fundit. I dukshmi dhe i padukshmi. Ai është i gjithëdijshëm për çdo send” (al-Hadid, 3)[7]
Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë”. (El Hadidë, 3)[8]
Ai është më i Pari (s’ka asgjë para tij, Ai është i Pafillim), edhe më i Fundit (s’ka asgjë pas Tij, Ai është i Pambarim), edhe më i Larti (s’ka asgjë mbi Të), edhe më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt pranë gjërave se Ai, nuk asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij). Dhe Ai është i Gjithëditur për çdo gjë”. (El Hadid, 3)[9]

Këto janë tri përkthime të ndryshme të të njëjtit ajet Kurani nga sureja Hadidë-Hekuri në shqip. Të tre përkthimet japin të njëjtin mesazh. Ndërsa i pari është telegrafik, i dyti është pak më i zgjeruar dhe tek i treti përkthyesit janë munduar ta zgjerojnë më tepër kuptimin e këtij ajeti për të qenë sa më të saktë. Porse qëllimi ynë është se mesazhi i këtij ajeti është pafundësia e Allahut të Madhëruar. Ai nuk ka lindur dhe as nuk vdes, as nuk lind kënd dhe as nuk është i lindur. Ky quhet koncepti i infinitit (pafundësisë) dhe në kohërat e reja përdoret gjerësisht në matematikën dhe gjeometrinë analitike (minus infinit/plus infinit) në fizikë e astronomi, filozofi edhe në shumë fusha të tjera të jetës njerëzore.

Dhe ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)”. (Edh Dharijatë, 49)[10]
Edhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, që ju të mund të përkujtoni (Mirësinë e Allahut)”. (Edh-Dharijat, 49)[11]
Dhe prej çdo sendi kemi krijuar nga një çift, ndoshta do të mendoni”. (adh-Dharijat, 49)[12]
Qoftë lartësuar Ai i cili ka krijuar çifte nga e tërë ajo që mbin prej toke, edhe nga vetë ata, edhe nga ajo që nuk e dinë”. (Jasin, 36)[13]

Fjala “palë” ose “çift” që kanë përdorur përkthyesit në këto ajete përdoret edhe për ato që Allahu i Madhëruar i ka përmendur por edhe “...edhe nga ajo që nuk e dinë”. Po të shihet jo vetëm për njerëzit por edhe te kafshët edhe te lulet e pemët ekziston pala tjetër, pra, janë çift. Koncepti i dualitetit (i çiftit) është një koncept që përdoret edhe në fusha të tjera si filozofia, morali, shoqëria etj. Gjithashtu  vërehet edhe në fizikë e kimi, materie - antimaterie, elektron - proton etj. Pra, ajetet kuranore nuk bëjnë gjë tjetër veçse ta nxisin dijetarin të mendojë rreth universit dhe gjërave që e rrethojnë dhe ta studiojë të gjithë botën që e rrethon njeriun. Kurani Famëlartë është ai libër që përveç rregullave fetare e shoqërore i nxit shkencëtarët ta studiojnë universin për të ardhur në përfundime sa më të sakta dhe kjo shihet nga saktësia e thënieve të këtyre pak ajeteve që kemi përmendur në këtë shkrim të shkurtër që Zoti i Madhëruar ia përcolli nëpërmjet Xhibrilit (engjëllit besnik - lajmëtar), të Dërguarit të Vet në këtë botë Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të).
Si përfundim shihet nga këto ajete që përmendëm dhe komentit të tyre se këto janë koncepte universale që i përcjell ky Mesazh Hyjnor. I gjithë ky libër përshkruhet nga fryma universale e thirrjes qoftë nga pikëpamja historike, legjislative, shkencore, metodologjike etj. Në çdo fjalë ndihet Udhëzimi Hyjnor, udhëzim, të cilin e ndjeu i pari, i Dërguari Muhamed (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) dhe që ishte pjesa më e rëndësishme e misionit të tij pejgamberik.
Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët (besimtarët).” (Nahl: 89)[14]




[1] Këto ajete janë nxjerrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, Kompleksi i Shërbyesit të Dy Haremave, Përk. Sherif Ahmeti, Medine 1413 H, fq. 436 dhe fq. 491.
[2] Marrë nga “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, Përkthyer nga një grup përkthyesish, Darussalam, Riad AS, Bot. II, shtator 2000, fq. 578.
[3] Marrë nga “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”, përk. Dr, Feti Mehdiu, Logos-A, Shkup IHH, Stamboll 1999, fq. 267.
[4] Gjithashtu ka edhe ajete të tjera që flasin për argumentet dhe faktet që i jep Allahu i Madhëruar njerëzve dhe ku Allahu ua tërheq vëmendjen njerëzve. Për më tepër shih: suret 2: 248; 3: 49; 11: 103; 15: 77; 16: 11; 26: 8, 67, 103, 158, 174, 190; 29: 44.
[5] Ajeti i sipërpërmendur është marrë nga përkthimi i Hafiz Ibrahim Dalliut në “Ajka e kuptimevet të Kurani Qerimit”, Botim’ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Shkodër 1931, fq. 722-723.
[6] “Mrekullitë e Kuranit”, Harun Jahja, Alb-Books, Nëntor 2002, fq. 14.
[7] Marrë nga “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”..., fq. 536.
[8] Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”..., fq. 623.
[9] Marrë nga “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”..., fq. 784.
[10] Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”..., fq. 603.
[11] Marrë nga “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”..., fq. 757.
[12] Marrë nga “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”..., fq. 521.
[13] Po aty, fq. 441. Po ashtu shih edhe përkthimin e Sherif Ahmetit, fq. 507. Po ashtu përkthimi i Darussalam, fq. 637.
[14] Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”..., fq. 321.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit