Xhamia dhe disa zhvillime
Monumentet osmane në
rrezik
Roald A. HYSA
Shumë monumente të periudhës osmane në trevat
shqiptare janë vënë tashmë nën rrezikun e shkatërrimit për mungesën e mirëmbajtjes.
Një nga monumentet që është vënë në rrezik dhe ka më shumë nevojë për ndërhyrje
është Xhamia e Et’hem beut në kryeqytet. Pikërisht xhamia që është kthyer në
një ikonë përfaqësuese të kryeqytetit. Një shikim i vëmendshëm dhe dëmet
dallohen qartë nëpër peisazhet e mureve të mafilit të xhamisë si dhe ato të
brendshmet. Megjithë “ndërhyrjet” e shkuara përsëri janë peisazhet ato që janë
më të rrezikuarit ato prej pavëmendjes së studiuesve dhe restauruesve të
Institutit të Monumenteve që deri në këto çaste janë treguar shumë refraktarë
ndaj këtij problemi. Megjithë sensibilizimin e medias televizive dhe fushatës
të ndërmarrë nga myftiu i Tiranës, Bledar Myftari, prapëseprapë nuk ka pasur
asnjë reagim pozitiv nga Instituti i Monumenteve. Ato që janë më të dukshme janë
plasaritjet e mëdha të peisazheve me ngjyra të gjalla që zbukurojnë pjesën e
mafilit, porse nuk dihet dhe nuk është vlerësuar ende dëmi që ka pësuar kjo
xhami. Dëmi i pësuar mund të jetë edhe struktural, porse drejtori i Institutit
të Monumenteve, Gjerak Karaiskaj[1]
nuk ka marrë as mundimin të dërgojë restauratorët dhe inxhinierët për të bërë
vlerësimin e dëmit. Për shkak të luftimeve që u bënë në Tiranë në vitin 1944 (30
tetor-17 nëntor) digjet[2]
për t’u rrafshuar më vonë në vitin 1952 nga pushteti i asokohe xhamia e
Sulejman Pashës, kjo e fundit që mbante mbi vete edhe gurin themelues të sajin
dhe të Tiranës si qytet njëkohësisht, u shkatërrua për të humbur kështu një nga
monumentet më të vlefshme historike dhe arkitekturore me vlera shumë të mëdha,
për historinë e tiranasve dhe të shqiptarëve. Nuk do të donim t’i ktheheshim
mbrapsht në kohë këtyre problemeve, por janë përvojat e hidhura që na i sjellin
në kujtesë. Është pikërisht Instituti i Monumenteve që ka tagrin ligjor për të
ruajtur monumentet antike të kulturës shqiptare që është kthyer në pengesë që të
vihet dorë mbi xhaminë e Et’hem beut, pikërisht me justifikimin jo të zorrshëm
për t’u gjetur, nuk kemi fonde.
Kjo mospasje e fondeve është me të vërtetë një problem
i madh, por më i madh është problemi tjetër. Mospasja e dëshirës për të bashkëpunuar
që të gjehen rrugët për t’u gjetur këto fonde të bekuara për ta restauruar perlën
e Tiranës, xhaminë e Et’hem beut. Drejtoria e Institutit është shumë larg?!...
Një rrugë më tej, por edhe sikur të duash të paktën një herë në javë do të
kalosh përpara kësaj xhamie.
Sa më tepër që kalon koha aq më tepër vazhdon të
dëmtohet ky monument i rëndësishëm dhe megjithëse ka përgjegjës për këtë
monument të rrallë, askush nuk e merr përgjegjësinë për ta ruajtur atë.
Objektet fetare u shkatërruan me dekretin famëkeq të Presidiumit të Kuvendit
Popullor të RPSSH nr. 4263 11 prill 1967. Pra, dikush e mori përgjegjësinë për
t’i prishur ato dhe ky ishte shteti, ndërsa sot nuk po marrim përgjegjësinë as
për t’i bërë një kontroll për të nxjerrë dëmet. Bilanci i shkatërrimeve është
me të vërtetë tragjik dhe një shembull të vogël po marrim vetëm në Tiranë, duke
mos dalë më tej, sepse gjërat rrezikojnë të kthehen në statistika.
Janë 15 xhamitë e prishura krejt në Tiranë nga
pushtetet e kaluara, ky është bilanci tragjik që e ka dëmtuar në mënyrë të
pariparueshme historinë e kryeqytetit të shqiptarëve dhe ato janë:
1. Xhamia e Karapicit (te Muzeu Kombëtar) 1922 e
dëmshpërblyer.
2. Xhamia e Haxhi Jasës (te Materniteti i vjetër
i Tiranës) 1925 e dëmshpërblyer.
3. Xhamia e Stërmasit së bashku me Pazarin e Vjetër
1960 nuk është dëmshpërblyer ende.
4. Xhamia e Tetovës (shkolla Kushtrimi i Lirisë,
rr. Ali Demi) 1967 nuk është dëmshpërblyer ende.
5. Xhamia e Met Firës dhe teqja e Sheh Dyrrit
(sh. Sami Frashëri, rr. Barrikadave) 1967, teqja është hapur kurse truallin e
xhamisë e ka zënë shkolla dhe nuk është dëmshpërblyer ende.
6. Xhamia e Islam Allës (sh. Jeronim de Rada) 1967,
nuk është dëmshpërblyer ende.
7. Xhamia dhe teqja e Sheh Zelës (sh. Kostandin
Kristoforidhi rr. Shyqyri Bërxolli) 1967, nuk është dëmshpërblyer ende.
8. Xhamia dhe teqja e Vathit (përballë sh.
Kongresi i Lushnjes, rr. Qemal Stafa, ku janë bërë pallate) 1967, nuk është dëmshpërblyer
ende.
9. Xhamia e Zajmit (në kryqëzimin e rr. Thanas
Ziko e 4 dëshmorët) 1967, nuk është dëmshpërblyer ende.
10.
Xhamia dhe teqja në rr. Hoxha Tahsin 1967, nuk
është dëmshpërblyer ende.
11.
Xhamia e Mujës në rr. Budi 1967 ku u ndërtuan
pallate banimi, nuk është dëmshpërblyer ende.
12.
Xhamia dhe teqja te Varri i Bamit 1967 ku u ndërtuan
pallate banimi, nuk është dëmshpërblyer ende.
13.
Xhamia dhe teqja e Sheh Voglit në rr. Vllazën
Huta ku u ndërtuan shtëpi banimi, nuk është dëmshpërblyer ende.
14.
Xhamia e Balit në rr. Mihal Grameno ku u ndërtuan
shtëpi banimi, nuk është dëmshpërblyer ende.
15.
Xhamia e Bërxollit, rr. Ali pashë Gucia ku u
ndërtuan shtëpi banimi, nuk është dëmshpërblyer ende.[3]
Më poshtë po japim pak a shumë një listë jo të plotë të monumenteve të
dëmtuara prej kohës dhe prej mosndërhyrjes së njerëzve:
- Xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës
- Xhamia Fatih në Durrës
- Xhamia e Plumbit Berat
- Xhamitë në Kalanë e Beratit (Xhamia e Bardhë dhe Xhamia e Kuqe)
- Xhamia e Plumbit në Vlorë
- Xhamia e Plumbit në Shkodër
- Xhamia Mbret në Kalanë e Elbasanit
- Xhamia e Nazareshës në Elbasan
- Xhamia e Kalasë në Lezhë
- Xhamia në Kalanë e Krujës së bashku me hamamin e ndërtuar nga
osmanët.
- Xhamia e kalasë së Prezës në Tiranë.
- Xhamia e Borshit në kalanë e Borshit.
- Xhamia e Konispolit ku ka dhënë mësim Muhamet Çami dhe Medreseja 300 vjeçare tashmë e shkatërruar, në Sarandë.
- Xhamia e Iljaz bej Mirahorit Korçë.[4]
e hënë,
2005-02-07
[1] Institutit të Mbrojtjes
së Monumenteve dhe drejtorit të tij, të gjithë shqetësimet për xhaminë e Et’hem
beut në Tiranë, i janë bërë me dijeni nga shkresë e posaçme e dalë nga Myftinia
e Tiranës me nr. Prot. 30, dt. 02.08.2004 dhe që është marrë në dorëzim nga
nëpunësit e Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve me nr. Prot. 571, dt.
02.08.2004.
[2] Tirana kryeqytet,
ndryshimet urbane dhe objektet e kultit musliman, prof. dr. Myzafer Kazazi,
gazeta “55” e mërkurë 21 korrik 1999, fq. 11.
[3] Kjo listë u ndërtua në bazë
të shkrimit: Tirana kryeqytet, ndryshimet urbane dhe objektet e kultit
musliman, prof. dr. Myzafer Kazazi, gazeta “55” e mërkurë 21 dhe enjte korrik 1999,
fq. 11.
[4] Kjo listë e përkohshme u
hartua me ndihmën e nënkryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, Bledar
Myftari, dhe do të pasurohet ditë-pas dite deri sa të plotësohet.
Comments
Post a Comment