IBNI SAHIB



IBNI SAHIB-
Historia e një lejleku dhe të burgosurve politikë në kampet e punës


Një histori intriguese e një lejleku, i cili me praninë e vet i qetësonte të burgosurit nëpër kampet e punës. Historinë e Ibni Sahibit e kam dëgjuar prej babës tim qysh në mesin e viteve 1980. Shumë histori të dhimbshme burgjesh i di qysh prej atyre viteve të errëta. Llojet e torturave se si i torturonin me të nxehtin e vapës dhe mungesën e ujit për të pirë të burgosurit politikë. Macja në çitjane, një torturë që iu bëhej grave të burgosura si Musine Kokalari e Marije Tuci, lënia në diellin e nxehtë i lidhur me tel me gjemba, të varur me kokë poshtë në skarpatin e kanalit të ujitjes me një bidon 25 litrash të mbushur plot dhe që ua varnin në qafë e shumë të tjera...
Falë disa kujtimeve nga miku im Shpëtim Hereni dhe Neritan Kolgjini plotësohet në një farë mënyre mozaiku i historisë së disa lejlekëve, të cilët me udhëzim hyjnor ua plotësonin rrëskun të burgosurve politikë. Kuçedra komuniste nëpërmjet xhelatëve të burgjeve, të cilët nuk besonin se ka Zot, dhe se do të vijë Dita e Gjykimit për të gjithë ato krime që kanë kryer, kërkonin me ngulm t’i torturonin edhe me bukën e gojës të burgosurit, porse Zoti i Lartësuar ua ka taksur njerëzve edhe rrëskun e të ngrënit dhe Ai me Mëshirën e vet të pafundme urdhëron disa shpendë t’ua dërgojnë atë ushqim. Pa u lodhur, sepse mjaftonte puna skllavëruese që bënin nëpër kampet e punës, një punë e papaguar ende edhe sot pas 24 vitesh demokraci, një rini që humbi kampeve të punës. Megjithatë lexojeni vetë se si e tregojnë historinë e lejlekëve që i shoqëruan të burgosurit dhe i ushqyen ata.

Fjalët e Bajram Herenit rahmet pastë, të cilat na i përcjell i biri i tij Shpëtimi:
Një ditë diku nga viti 1992, një mik në shtëpinë tonë e pyet babanë tim:
-O Bajram, a e ke parë Zotin?
- Po,- i përgjigjet baba rahmet pastë...
- Si ka mundësi, unë asnjëherë nuk e kam parë...
- Epo unë i kam pasur sytë me vete gjithmonë,- ia kthen baba.
- Po ku e ke parë?
- Në vitin 1960 kur u prishëm me Rusët, ishim ne kampin e Bubullinjës në Lushnjë dhe po bënim bonifikimin e fushës,  krizë për bukë, realisht vdisnin njerëzit për bukë, plus dhe terrori ishte në maksimum, kishte vajtur ku nuk mbante më, 2 muaj lejlekët dhe pelikanët zinin peshq, ngjala, bretkosa, zhaba në Karavasta, dhe vinin e i zbraznin në kampin ku ishim ne, dhe koha kur i zbraznin ishte pas orës 3: kohë kur në të cilën ne ktheheshim nga puna. Kush i mësoi pelikanët dhe lejlekët të na ushqenin? Ja pra, që unë e pashë Zotin,- ju përgjigj baba im mikut.

Pjesa në vazhdim na vjen nga një tjetër ish-burgosur i regjimit...
Maksim Rakipaj: Gjallë pas mbytjes së anijes; Në faqet 160-163 ka këtë pjesë:

5 - Një ndodhi biblike në kampin e përqendrimit nr. 309

Sakipi

Në vitin 1968 Drejtoria e Kampe-Burgjeve bëri disa transferime kampesh. Kampi i Repsit u transferua në Spaç, kurse Kampi i Kripores së Vlorës u transferua në Ballsh, në një faqe kodre përballë Azotikut.
Të dyja zgjedhjet ishin të qëlluara, të studiuara dhe sigurisht, projektuesit e Aushvicit dhe Mat-Hauzenit do ta kishin zili. Në Spaç kishte a s’kishte 3-4 orë diell në ditë. Dielli atje (poeti ynë, Visar Zhiti, ka një poezi nobeliane për këtë, shkruar në Spaç) kalonte me frikë mes dy maja malesh për të përfunduar si një kokë e prerë e përgjakur përballë kampit famëkeq. Edhe Kampi shfarosës i Ballshit nuk qëndronte më poshtë. Në atë faqe kodre, dikur e pyllëzuar, lagështia të brente kockat gjithë vitin. Shumica e të dënuarve i kishte gishtat e duarve dhe të këmbëve të ënjtur prej morthit; uria jepte ndihmën e saj dhe të burgosurit shkonin një nga një në varrezën e Panahorit.
Në ‘78, në kampin 309 Ballsh, kishte ende mjaft të burgosur që patën provuar jo vetëm lemeritë e Kripores së Vlorës, por edhe të Porto-Palermos, aeroportit të Rinasit, madje edhe nga ata që kishin njohur tmerret e kënetës së Maliqit. Njerëz, që prej vitesh kanë bashkëjetuar me vdekjen pa e humbur dashurinë për jetën. Njerëz. Kanë shumë për të treguar: dëshmi rrëqethëse të krimeve komuniste në Shqipëri.
Mbetesh pa mend kur dëgjon prej tyre të tilla rrëfime, që ngjajnë si rrëfime biblike, por që janë të vërteta, të jetuara, rrëfime që emocionojnë.
Kam dëgjuar nga shumë të burgosur në Ballsh për Sakipin, lejlekun që i shoqëronte të burgosurit nga kampi për në kriporen e Vlorës, por jo vetëm atje. Legjenda për Sakipin tregohej edhe në Spaç, edhe në Qaf
ë-Bar, edhe nga të burgosurit që vinin nga burgu i Burrelit.
Më rrëfeu për Sakipin me mallëngjim e dashuri edhe Idriz Kaiku në maj 2013 ndërsa pinim bashkë raki në Durrës. Si lindi kjo miqësi e lejlekut Sakip me të burgosurit e kripores?
Sipas të burgosurve të vjetër, Sakipi jetonte me familjen e tij së bashku me një koloni lejlekësh në lagunën e Vlorës, jo shumë larg prej kripores. Një lejlek si gjithë lejlekët e tjerë deri atë natë vere të vitit 1965.
Atë natë, një i burgosur, që ishte ngritur për të shkuar në WC e kampit, dëgjoi një zhurmë të çuditshme, një si fëshfëritje të shoqëruar nga një zhurmë që bëjnë dy dërrasa kur përplasen me njëra tjetrën... U afrua ngadalë për tek vendi nga vinte zhurma dhe gjeti një lejlek që përpiqej të ngrihej. U ul pranë lejlekut dhe vuri re se krahun e majtë e kishte të larë në gjak.
- Ç’të bëj tani, si ta ndihmoj? - mendoi.
U kthye me shpejtësi në fjetoren e tij dhe zgjoi nga gjumi një shokun e vet nga veriu:
- Ngrihu, është një lejlek i plagosur ke banjat... ti merr vesh nga plagët, ke qenë kaq herë i plagosur me plagë plumbi... Mos bëj zhurmë.
E morën lejlekun në krahë dhe e sollën në fjetore.
- Do ta ketë qëlluar me çifte pa dashje ndonjë gjuetar... Ja dy saçme këtu... paska plot që duhen nxjerrë nga plaga...
I pastruan plagën, ia mjekuan si mundën dhe sapo u gdhi kërkuan ndihmën e infermierit të burgosur. Ky u tregua i gatshëm menjëherë:
162 - Vetëm, aman, mos ta marrin vesh nga komanda, se më merrni më qafë.
Të gjithë të burgosurit ishin të merakosur për lejlekun:
- Mirë mjekimet i siguruam, po për ta ushqyer, si do t’ia bëjmë? Çfarë hanë lejlekët?
- E, mo, se zhaba hanë, si i thoni yve, bretkosa.
Zhaba ka sa të duash andej nga punojmë neve, mbushim xhepat me zhaba dhe ia sjellim lelekut, – tha një i burgosur pogradecar, që i njihte mirë lejlekët! – Ne i themi stërg këtij, yve i thoni lejlek. E dini që stërgu, kur s’ka se ç’t’u japë të vegjëlve të tij për të ngrënë, çan barkun e tija me sqep për t’i ushqyer? S’ka sevap më të math se të ndihmosh stërgun... vetëm mirë ke.
I vunë edhe një emër lejlekut. E quajtën Sakip. Një i burgosur dibran, pasi lejleku e pat marrë disi veten, i gëzuar nga kjo gjë tha duke qeshur:
- E paska atë sqep tamam si hunda e Sakipit, or tëj!
Dhe kështu, që atë ditë, lejlekut i mbeti emri Sakip. E mori veten me shpejtësi Sakipi. Ditët e para i hante bretkosat nga dora e të burgosurve, më pas ia linin te një nga kovat prej llamarine, që përdorej për pastrimin e fjetores. Rrinte gjithë ditën fshehur poshtë shtretërve, pa u ndjerë. Sapo dëgjonte hapat e miqve të tij, dilte prej vendit ku fshihej dhe ecte drejt tyre duke përplasur atë sqepin e tij të madh që i dha emrin Sakip.
Dy javë më pas Sakipi qe shëruar thuajse plotësisht dhe një mbrëmje, pasi të gjithë të burgosurit e përshëndetën duke i ledhatuar kokën, Sakipi u ngrit në fluturim. Bëri një rrotullim rreth kampit dhe u nis drejt lagunës, për tek lejlekët e tjerë.
Të nesërmen, kur u kthyen nga puna e mundimshme në kripore, të burgosurit gjetën në sheshin e kampit një sasi të madhe ngjalash dhe ndonjë peshk. Sakipi i vetëm nuk do të mundte kurrë të hidhte gjithë ato ngjala brenda kampit. Sa lejlekë ishin që sollën gjithë ato ngjala? Nuk dinte gjë njeri, askush nuk kishte parë gjë...
Nga ajo ditë, filloi rituali i përditshëm: Sakipi vinte në kamp çdo mëngjes, ulej mbi çatitë e fjetoreve dhe kur vargu i të burgosurve nisej për në kripore, Sakipi i shoqëronte nga lart duke fluturuar. Kur shkonte koha për të lënë punën, Sakipi, më i saktë se çdo orë, çohej në fluturim dhe të gjithë kuptonin që ishte koha për t’u kthyer në fjetore. Kur polici i turnit njëherë bërtiti:
- Vazhdoni, do edhe dy minuta të bjerë çanga për të lënë punën! - dikush nga të burgosurit i tha:
- Jepi ujë asaj orës tënde. U ngrit Sakipi, vajti ora për të ikur.
Sakipi i shoqëronte miqtë e tij deri në kamp, pastaj kthehej tek të vetët. Miqësia e të burgosurve me Sakipin vazhdoi deri në ditën kur kampi nr. 309 u transferua në Mallakastër, në Ballsh, në kodrën përballë Azotikut.

Në vazhdim do të japim edhe një poezi nga baba im rahmet pastë Allaman Hysa, i cili u mundua ta gdhendë në vargje atë që bëri një lejlek i vetëm për të burgosurit. Kjo poezi është shkëputur nga vëllimi i tij i parë poetik “Këngët e dhimbjeve”. Aty gjendet edhe një poshtëshënim sqarues për Ibni Sahibin apo Sakipin...


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit