Përshkrimi i Profetit Muhamed alejhi salatu ue selam
Përshkrimi i Profetit Muhamed
alejhi salatu ue
selam
Hindi,
vajza e Ebu Halah et-Temimit r.a., e përshkruante Profetin e Allahut xh.sh. si
me poshtë:
“I
Dërguari i Allahut xh.sh. ishte një njeri i mrekullueshëm, që ishte i nderuar
denjësisht nga të gjithë ata që e takuan dhe e panë atë. Fytyra e tij
shkëlqente si hëna e plotë.
Ai ishte i një gjatësie mesatare, as shumë i gjate, as
shumë i shkurtër. Ai kishte kokë të madhe dhe flokët e tij ishin të
përdredhura. Ai i ndante në mes flokët nëse ato i zgjateshin shumë, ndryshe
flokët e tij nuk i kapërcenin bulat e veshëve të tij në rrethana normale. Ai
ishte mishërimi i shëndetit. Balli i tij ishte i gjerë, vetullat e tij ishin të
rregullta e të pashme në mënyrë të natyrshme dhe ato nuk ishin të bashkuara. Ai
kishte një venë në mes të vetullave që i fryhej në rast zemërimi, hunda e tij
ishte e drejtë dhe kishte një ngjyrë të kuqe të veçantë. Rrëza e hundës ishte e
gjatë dhe e hollë. Profeti a.s. kishte një mjekër të trashë dhe faqe të buta,
ai kishte gojë të madhe dhe kishte mustaqe. Dhëmbët e tij kishin hapësira
midis. Qafa e tij ishte e bukur si e një kukulle dhe ishte në ngjyrë të
argjendtë në të bardhë. Profeti a.s. kishte një trup mesatar dhe ishte mjaft i
fortë. Barku dhe kraharori i tij ishin në të njëjtin nivel, gjoksi dhe
shpatullat e tij ishin të gjera, belin e kishte të gjerë. Lëkura e tij ishte e
bardhë, ai kishte qime nga fundi i kraharorit e deri te kërthiza, nuk kishte
qime në kraharor, por krahët dhe shpatullat e tij ishin me qime. Parakrahët e
tij ishin të mëdhenj dhe pëllëmbët e tij ishin të gjera, të dy duart dhe këmbët
ishin të shkurtra dhe gishtërinjtë e tij ishin të një gjatësie mesatare, këmbët
e tij ishin të sheshta dhe të lëmuara, e si pasojë e këmbëve të lëmuara te tij
uji nuk ngelte në ta.
Ai
ecte me hapa të mëdhenj dhe në mënyrë të hijshme. Kur ecte, ai i ngrinte këmbët
dhe nuk i tërhiqte ato. Kurdoherë që Profeti a.s. kthehej, ai do të kthehej me
të tërë trupin e tij (dhe jo të kthente vetëm kokën).
Ai e ulte shikimin shpesh dhe më shpesh shikonte në tokë se sa lart në qiell.
Ai hidhte një shikim të shpejtë (dhe nuk e ngulte shikimin për gjëra të
ndryshme). Ai i përshëndeste të tjerët përpara se ata ta përshëndesnin atë.
Dikush e
pyeti: “Na përshkruaj mënyrën e tij të të folurit”, Hindi u përgjigj:
“Profeti
a.s. ishte i heshtur pjesën më të madhe të kohës dhe rrinte i menduar, ai kurrë
nuk rehatohej plotësisht dhe nuk fliste nëse nuk i kërkohej. Kurdoherë që
fliste, ai e fillonte dhe e mbaronte bisedën e tij me emrin e Allahut xh.sh. Ai
fliste qartë dhe i shqiptonte fjalët me kuptimin e tyre të plotë, precize dhe
bisedat e tij ishin të kujdesshme. Fjalët e tij ishin vendimtare, askush nuk
mund t’i shtrembëronte ato. Ai ishte jashtëzakonisht i dashur dhe i kujdesshëm.
Ai kurrë nuk ofendonte njeri. Ai ishte mirënjohës për çdo mirësi që Allahu
xh.sh. i kishte dhuruar atij sado e vogël të ishte ajo. Ai kurrë nuk i
nënvlerësonte gjërat. Ai kurrë nuk e kritikonte ushqimin që hante, por as e
lavdëronte atë. Ai nuk mërzitej kurrë për çështjet e dynjasë. Nëse ndokujt i
ishte bërë padrejtësi, ai zëmërohej shumë. Zemërimi i tij nuk ulej derisa
personit t’i jepej e drejta e tij. Ai nuk nevrikosej kurrë nëse i bëhej
padrejtësi dhe nuk përfitonte nga rasti. Kur dëftonte diçka, ai e dëftonte me
të gjithë dorën e vet, e jo me gisht. Kur Profeti a.s befasohej, ai rrihte
shuplakat. Kur Profeti a.s. fliste ai e qëllonte pëllëmbën e dorës së djathtë
me gishtin e madh të dorës së majtë. Kur ai zemërohej ai e kthente fytyrën në
anën tjetër dhe kur ishte i kënaqur dhe i lumtur e ulte shikimin. Pjesa më e
madhe e së qeshurës së tij përbëhej nga buzëqeshja. Sa herë buzëqeshte dhëmbët
e tij dukeshin si margaritarë të ndritshëm.
Hasani
r.a. ka thënë: Unë nuk i kisha treguar Hysenit për këtë
(përshkrimin e Profetit a.s.) për një periudhë kohe, por ai ndërkohë kishte
pyetur të atin (Aliun r.a.) rreth këtyre detajeve.
Hyseni
r.a. ka thënë: Unë e kam pyetur babain tim se si Profeti a.s. hynte në familjen
e tij dhe dilte prej saj, dhe rreth sjelljes së tij në përgjithësi. Unë e kam
pyetur babain tim se si e kalonte kohën Profeti a.s. në shtëpinë e tij dhe se
si e ndante kohën ai. Ai i ishte përgjigjur: Profeti a.s. e ndante kohën në tri
pjesë, një pjesë për hir të Allahut, një pjesë për familjen e tij dhe të tretën
e ndante midis vetes së tij dhe njerëzve.
Ai
nuk e mbante të fshehtë ndonjë këshillë apo ndonjë udhëzim. Ai do ta kalonte
pjesën e caktuar të kohës për Umetin e tij, duke u marrë me nevojat e njerëzve
sipas statusit të tyre fetar dhe nevojave të tyre. Ai do t’i angazhonte këta
njerëz, duke u mësuar se çfarë do t’u sillte begati atyre dhe Umetit, duke i
njoftuar se për çfarë kishin nevojë. Ai u thoshte atyre: “Ata që janë të
pranishëm le t’ua përcjellin atë që dëgjuan atyre që s’ishin të pranishëm dhe
të më njoftojnë mua për nevojat e atyre që nuk mund të marrin pjesë në takimin
tonë, sepse “Kushdo që informon prijësin e tij për gjendjen e vështirë të një
personi, Allahu xh.sh. do t’i japë qëndrueshmëri mbi Urën e Siratit, Ditën e
Ringjalljes”.
Hyseni
r.a shtoi më tej se: “Unë e pyeta babain tim për mënyrën që i Dërguari a.s.
përdorte ndërsa ai gjendej jashtë shtëpie”. Ai më tha: Ai e ruante gjuhën e tij
nga bisedat e kota e të padobishme dhe jepte këshilla të vyera e të sinqerta
dhe kur bisedonte jepte këshilla të dobishme me anë të të cilave ai mund të
ishte në gjendje t’i grumbullonte dhe t’i bashkonte njerëzit. Ai i respektonte
bujarët, fisnikët e të dashurit midis çdo populli dhe u ngarkonte atyre punët e
popullit të tyre.
Ai
i këshillonte njerëzit kundër të këqijave dhe ruhej prej të këqijave
gjithashtu, megjithëse ai nuk vrenjtej kurrë para ndonjë personi. Ai pyeste për
gjendjen e njerëzve dhe urdhëronte gjithnjë për të mirë dhe i ndalonte nga e
keqja. Profeti a.s. ishte i matur në të gjitha punët e tij, ai kurrë nuk e
humbiste rastin për t’u kujtuar shokët e vet dhe për t’u dhënë këshilla të
vyera e të sinqerta. Profeti a.s. ishte i përgatitur për çdo situatë dhe
gjithmonë do ta mbronte të vërtetën dhe
nuk ishte njeri i shkujdesur. Njerëzit qe uleshin pranë tij ishin më të mirët
mes njerëzve. Shoku më i lartë në nivel dhe në gradë do të ishte ai që e
mbështeste dhe e ndihmonte atë në mënyrën më të mirë.
Hyseni
r.a thotë: “Unë e kam pyetur babanë tim për mënyrën se si sillej Profeti a.s.
kur ulej dhe ai më tha: I Dërguari i Allahut xh.sh. nuk ngrihej dhe nuk ulej
kurrë pa përmendur emrin e Allahut xh.sh. Ai nuk caktonte një vend për t’u ulur
që kështu ai mund ta konsideronte të tijin. Ai ulej kudo që gjente një vend të
lirë. Po ashtu i porosiste të tjerët të bënin të njëjtën gjë kur ata të hynin
për t’u ulur diku. Ai e ndante kohën e tij në mënyrë të barabartë dhe të drejtë
ndërmjet shokëve të tij (sahabeve) që uleshin së
bashku me të. Ai që ulej me Profetin a.s. mendonte se ai ishte njeriu me i
rëndësishëm dhe më i dashur për të. Nëse një person do të shkonte tek Profeti
a.s. dhe do t’i kërkonte atij për ndonjë nevojë të caktuar, ai nuk do ta
përcillte me ashpërsi, por do ta lejonte atë ta paraqiste kërkesën e tij dhe do
ta linte të largohej kur ai të dëshironte. Profeti a.s. nuk do ta kthente kurrë
duarbosh dikë që donte diçka, por ai më së paku e përcillte me fjale të
këndshme e të mira, nëse nuk ishte në gjendje t’ia përmbushte kërkesën e tij.
Ai kishte një zemër të hapur e të madhe dhe një mendje të ndritur. Ai
konsiderohej si një baba i dashur dhe që tregonte kujdes për çdo njeri. Të
gjithë njerëzit për të ishin të barabartë. Ligjëratat e Profetit a.s. ishin
ligjërata të dijes, këmbënguljes, thjeshtësisë dhe besimit. Askush nuk e
ngrinte zërin në praninë e Profetit a.s., cilido nuk mund të fliste keq për
tjetrin ose ta përgojonte në praninë e tij aty. Ata që ishin në këto ligjërata
e trajtonin njëri-tjetrin me nderim, i respektonin të moshuarit dhe ishin te
mëshirshëm me të rinjtë, dhe i respektonin të huajt.
Hyseni
r.a. gjithashtu ka thënë: “Unë e pyeta babanë tim se çfarë qëndrimi mbante
Profeti a.s. me njerëzit në takimet dhe mbledhjet e tij, dhe ai më tha: I
Dërguari i Allahut xh.sh ishte vazhdimisht i gëzueshëm, ai ishte tërësisht i
dashur dhe tregonte kujdes të madh. Ai kurrë nuk ishte i vrazhdë, ai kurrë nuk
e ngrinte zërin në publik dhe të përdorte fjalor të ulët. Ai kurrë nuk fliste
keq dhe të përgojonte. Ai kurrë nuk lajkatonte njeri, ai kurrë nuk zhgënjeu
dikë. Ai shmangte tre gjera; debatin, të folurin shumë dhe të ndërhynte në
gjëra që nuk kishin rëndësi për të. Ai gjithashtu shmangte tre gjëra të tjera.
Të fliste keq për dikë, ai kurrë nuk tallte njeri dhe ai kurrë nuk fliste për
gabimet e dikujt në sy të të tjerëve dhe kurrë nuk kritikonte njeri. Ai fliste
dhe diskutonte për gjera që ai shpresonte se do të shpërblehej për to. Sa herë
që Profeti a.s. fliste, shokët e tij shikonin poshtë në tokë (në shenjë
respekti dhe vëmendje), edhe sikur ndonjë zog të qëndronte në kokat e tyre.
Pasi i Dërguari i Allahut xh.sh. mbaronte së foluri shokët e tij fillonin e
flisnin. Ata kurrë nuk bënë dallime në prani të tij. Sa herë që një nga shoket
(sahabët) fliste, të tjerët do të dëgjonin me vëmendje derisa ai ta përfundonte
bisedën e tij. Vetëm sahabët prijës (udhëheqës) flisnin në praninë e Profetit
a.s.
I
Dërguari i Allahut xh.sh. tregonte durim të madh kur dëgjonte një të huaj me
theks ose me dialekt të vështirë. Ai nuk do ta pyeste folësin derisa ai ta
kishte përfunduar fjalën e tij. Në fakt i Dërguari a.s. i Allahut xh.sh. i
dërgonte sahabët që ta ndihmonin dikë që kërkonte ndihmën e tij. Ai kurrë nuk e
ndërpriste dikë që ishte duke folur derisa ai ta përfundonte bisedën e tij dhe
të ndalonte dikë që me dëshirën e tij çohej për t’u larguar. (Përcjell
Bejhekiu)
Comments
Post a Comment