Luto Islami dhe gomari

Malet e Golemit

Luto Islami dhe gomari
Apo historia e gomarit që u bë spiun

(Ngjarje e vërtetë nga vitet e largëta 1970)

Luto Islami ishte një fshatar nga Golëmi i Gjirokastrës, një fshat malor 1200m mbi nivelin e detit në jug të Shqipërisë. Dimri atje është i vështirë dhe e mbulon bora në pjesën më të madhe të stinës dhe bën shumë ftohtë. Lutua ishte nisur për të bërë dru për dimër që ta kalonte dimrin sa më lehtë. Golemi si fshat e kishte pyllin ku bënin dru nga ana tjetër e malit dhe Lutua kishte marrë gomarin me vete dhe bëri dru nga shqopa, shkoza e kështu me radhë. Në kthim gomari mezi po ecte, se ishte i ngarkuar, dhe rruga ishte malore, dhe me shumë kthesa dhe Lutua e nxiste gomarin:
-Ysh, o baba ysh,- e gomari mezi ecte dhe i lëshonte pordhët litar... Lutua u mërzit se gomari nuk ecte, se rruga ishte edhe me baltë e llohë, dha e dha e i tha gomarit:
-Ysh, o baba ysh, se më je bërë si komunist Brahua- ndërkohë rreth e rrotull nuk kishte njeri, veç pemë, pyll, shkurre e gjethe... Xha Lutua e përsëriti disa herë me dëshpërim:
-Ysh, o baba ysh, se më je bërë si komunist Brahua- dhe me shumë mundime kthehet në shtëpi. Dikushi na e paska dëgjuar dhe i përcjell haberet nëpërmjet degës së Sigurimit të Shtetit te sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Punës së Gjirokastrës D.M.

Ky i fundit na i dërgon njoftim Luto Islamit që të paraqitet në Komitetin e Partisë të Rrethit në takim me sekretarin e parë. Lutua si njeri i rregullt dhe i përpiktë niset qysh herët në sabah për ta takuar sekretarin dhe e pret te sheshi i Çerçizit. Aty i zë shtegun sekretarit të parë, i cili vinte si çdo mëngjes për në punë, me çantën karakteristike të kohës nën sqetull dhe i livandisur, e i qethur flokët kare-kineze, e po nxitonte për punë. Lutua gjykoi me veten e vet, me intuitë: Ky duhet të jetë ai!- e përshëndeti dhe e pyeti njëkohësisht:
-E mo je ti, sekretari i parë?
-Po,- i tha ai.- Më thuaj si e ke punën xhaxha!- Lutua si burrë shumë i edukuar dhe me sqimë u prezantua se kush ishte dhe i tha:
-Po hë a i vrarë, s’të ka bërë qeveria një copë zyrë që të llafosemi, po të flasim këtu në xhade te Çeçua!- atëherë D.M. u detyrua ta ftojë në zyrën e vet dhe u nisën që të dy, sekretari para dhe Lutua pas i rrinte disa hapa larg, që sekretari të kishte kohë të hapte zyrën dhe të akomodohej në zyrë. Lutua priti aq sa sekretari i parë rregulloi zyrën dhe mori vesh nga shkresat që kush ishte Lutua dhe trokiti në derën e zyrës, dëgjoi sekretarin që e ftoi brenda dhe hyri duke përshëndetur, si e kërkonte zakoni dhe edukata e mirë. Si fisnik që ishte Lutua u ul atje ku i treguan vendin për t’u ulur. Sekretari D. M. i tregoi me gisht vendin dhe ishte në fytyrë shumë serioz, gjë që tregonte se tashmë ai e dinte kush ishte Lutua.
-Ti je Luto Islami?- e pyeti sekretari.
-Po, unë jam- i thotë Lutua. –Përse më keni thirrur?- atëherë sekretari i thotë Lutos:
-Zotrote qenke dhe myhib teqeje, që kur keni filluar të besoni në Zot, ëëëë?- Lutua i përgjigjet:
-Po besoj në Zot!
-Që kur keni filluar të besoni ju te Zoti,- e pyet përsëri sekretari.
-Që kur ju shoku sekretar i parë keni nisur të besoni që anijet kozmike shkuan në hënë, që edhe ato Zoti i çoi atje...- që nga ky moment sekretari u err në fytyrë se e kuptoi se nuk kishte të bënte me një njeri dosido, por me një burrë shumë të përgatitur. Tashti sekretari e mori më seriozisht punën dhe i thotë i egërsuar:
-Juve zoti Luto, na i bëni komunistët gomar, ëëë?
Lutua e mohoi dhe i thotë që nuk është e vërtetë, atëherë sekretari vazhdoi të këmbëngulë që ato fjalë Lutua i kishte thënë dhe Lutua vazhdoi të mohonte, deri sa debati midis të dyve u ndez fort dhe po dilte nga linjat e zakonshme të logjikës. Sekretari D.M. ia tregon të plotë fjalinë siç e kishte thënë Lutua:
-Ti ke thënë: Ysh, o baba ysh, se më je bërë si komunist Brahua...-
Lutua e pa që sekretari nuk po hiqte dorë nga kjo gjë dhe se situata u përkeqësua më tepër dhe Lutua e vendosi sekretarin në gjendje dileme e i dha fund muhabetit me sekretarin, duke i thënë atij:
-Nëse do t’i qëndrojmë logjikës tuaj, që ky informacion që keni marrë është i vërtetë, atëherë shoku sekretar i parë ka dy mundësi: e para, ose gomarin tim e keni pranuar anëtar të organizatës bazë të partisë në Golëm, dhe unë nuk e di këtë gjë; ose në veshët e llapushit tim keni futur agjentin e Sigurimit të Shtetit? Kë të pranojmë nga këto shoku sekretar i parë i partisë?



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit