Arti i një mbishkrimi
Arti i një mbishkrimi
Roald
A. HYSA
Jo shumë
kohë më parë faqet e para të shtypit, titujt kryesorë të radiove dhe televizorëve
dhe i gjithë interneti u mor me mbishkrimin e Sulejmanit të Madhërishëm në
Kalanë e Lezhës, ku normalisht ai mbishkrim tregonte një datë. Ashtu siç pritet
shiriti i një vepre madhështore dhe ruhet si një relike, ashtu edhe mbishkrimet
janë në një farë mënyre shiriti që ruan një histori të caktuar. Mbishkrimi i një
pllake të vogël në sipërfaqe, një pllakë e gdhendur në gur. Një mbishkrim që përmban pak rreshta, por shumë histori. Një
pjesë e madhe e historisë së Tiranës ruhet pikërisht në këto mbishkrime dhe falë
përpjekjes të disa njerëzve të shquar ato kanë arritur të mbijetojnë. Mbishkrime
që kanë arritur të plota deri në ditët e sotme dhe që gjenden në objektet e
kultit janë në xhaminë e Et’hem beut dhe në xhaminë e Kokonozit në Pazarin e
Ri. Ndërkaq shumë të tjerë u shuan dhe u zhdukën, por për fat disa prej tyre i
gjejmë të ruajtur nëpër libra e revista e falë osmanistëve si Osman Myderrizi,
Zyber Bakiu, Vexhi Buharaja, Rauf Fico shpëtoi një pjesë e mirë e historisë
shqiptare e gdhendur në gur, apo në vargjet e bejtexhinjve shqiptarë. Datën e
themelimit të Tiranës ia dedikojmë kryesisht diplomatit të shquar dhe njohës
shumë i mirë i gjuhëve klasike të orientit dhe i pajisur gjithashtu me një
kulturë të gjerë e të jashtëzakonshme Rauf Ficos. Ky fakt na tregohet në një
nga numrat e revistës Kultura Islame, ku na jepen tri data të rëndësishme për
xhaminë e Sulejman Pashës, ku data e parë na intereson, sepse sipas të gjithë
studiuesve kjo datë është marrë si data themeluese e Tiranës si qytet. Data e
parë është e mbarimit të xhamisë dhe në mbishkrim zakonisht ishte krijuar si
traditë, ku përmes disa vargjeve ku përmendej porositësi i xhamisë e lavdërohej
Zoti e puna e bamirësit, pra sponsorit, ndër to fshihej edhe data. Sipas
shkruesit në shprehjen “Hajri Sulejman Ja Hu”, ku në bazë të një përllogaritje
matematike të quajtur ebxhed del viti hënor 1024, apo viti diellor 1614, ndërsa
data e mbarimit të minares del nga po një frazë e ngjashme rreth 35 vite më
pas. Në një shënim tjetër gjejmë edhe datën e themelimit të Xhamisë së
Karapicit, e cila është ndërtuar nga tregtarët tiranas dhe data e saj është e
fshehur në një rresht të mbishkrimit, i cili në shqip pak a shumë thotë: “tregtarët
e ndërtuan këtë xhami të bukur”, dhe nga përllogaritja e sistemit ebxhed del
data e vitit hënor 1258-diellor 1858. Ngjashëm me fraza të tilla dhe në bazë të
përllogaritjes me sistemin ebxhed dalin datat e themelimit të punimeve nga
Lutfi Molla Beu dhe mbarimit të punimeve nga Haxhi Et’hem Beu të Xhamisë së
Et’hem Beut, xhamisë ikonë të Tiranës.
Karakteristikë e xhamive monumentale ka qenë
se ato mbi hyrjet në vende të dukshme kanë të vendosura kronogramet apo
mbishkrime, ku sipas përllogaritjes së germave nxirrej data e nisjes së
punimeve. Në këto mbishkrime përmendej emri i porositësit dhe sipas rastit edhe
autori i këtij mbishkrimi. Në vetvete ato janë forma të larta arti, ku
përfshihen njëkohësisht poezia, kaligrafia, gdhendja dhe përllogaritjet
arithmetike, ku në një varg të caktuar sipas sistemit ebxhed fshihej viti i
themelimit të objektit të ndërtuar. Numrat
ebxhed janë një sistem dhjetor numrash në të cilin 28 germave të alfabetit arab
i jepen vlera numerike të caktuara. Në disa shembuj të arkitekturës osmane ne i
gjejmë datat nëpër ndërtesa, duke deshifruar vargun e fundit të një poezie të
vendosur me mbishkrim në ndërtesë nëpërmjet sistemit ebxhed. Kjo fjalë vjen nga
arabishtja dhe përbëhet nga germat A-B-G-D, duke nënkuptuar alfabetin. Gjithashtu
kjo nënkuptonte si shprehje edhe fillimin e mësimit të fëmijës në mejtep apo
fillore. Nga
ndërtimet e hershme mund të përmendim këtu xhaminë në kështjellën e Vlorës, ku
nga mbishkrimi marrim vesh se porositësit janë shejh Jakub efendiu dhe sulltan
Sulejmani, ndërsa viti 1542/43 del nga rreshti i fundit i këtij mbishkrimi, i
cili në shqip tingëllon kështu: Mësoje që xhamia që kemi afër
është drita e Perëndisë. Po ashtu mësojmë edhe autorin e këtij mbishkrimi
Hasbiu. Po ashtu nga mbishkrimi mbi portën e xhamisë së Haxhi Et’hem beut
marrim vesh se emri i autorit të këtij mbishkrimi ka qenë Suziu (Suzi Ahmed
efendiu nga Sivasi i Anadollit). Autori i mbishkrimit të Kullës së Sahatit në
Elbasan ka qenë Refik beu nga Stambolli, ndërsa i xhamisë së Ballies ka qenë
Lealiu nga Manastiri (Leali Hasan efendiu dijetar po nga ky qytet). Mbishkrime
të tilla gjehen në të gjitha ndërtesat e rëndësishme të qytetit dhe jo vetëm të
xhamisë, gjë që e bën një tipar karakteristik të përgjithshëm.
Si mund
të shihet janë disa forma arti të përfshira në një pllakë guri, e cila nuk ze
vend më shumë se një gjysmë metri katror.
Comments
Post a Comment