Koha kur Turqit ishim ne


Koha kur Turqit ishim ne


Roald A. HYSA


Revolucioni grek i vitit 1821 dhe pasojat e tij sollën një ndryshim të ndjeshëm në atë që ne e njohim sot si Ballkan, apo siç njihej asokohe Rumeli. Ky term u rrudh vit pas viti dhe vendin e tij e zuri Ballkan, emërtimi i një vargmali në Bullgarinë e sotme. Lindja e shteteve të reja kombëtare hapi njëkohësisht edhe kutinë e Pandorës në Evropën Juglindore, e sidomos luftërat Ruso-Turke dhe synimet ekspansive për ta kthyer Stambollin në Kostandinopojën e dikurshme dhe si kryeqytetin e ri të Perandorisë Ruse, risillnin në jetë synimet e hershme, e veçanërisht ato të Ekaterinës së Madhe dhe të dashurit të saj princit Potjomkin. Traktati i Shën Stefanit për pak sa nuk i dha fund këtyre synimeve dhe në të njëjtën kohë e fshinte nga harta e Ballkanit atë që ne sot i themi Shqipëri e madhe, natyrale apo etnike dhe pikërisht kjo kthesë historike, që më pas me Kongresin e Berlinit dhe Fuqitë e Mëdha që u munduan të korrigjojnë pasojat katastrofike të këtij traktati dhe humbjes së osmanëve dolën gjithsesi një ërong turn për të gjithë shqiptarët. Ja se si shprehet në librin e tij “Vdekje dhe dëbim” historiani dhe studiuesi amerikan i kësaj periudhe të turbullt Xhastin MekKarti (Justin McCarthy):
“Revolucioni grek 1821 krijoi një model për revolucionet e ardhshme në Ballkan. Politika e spastrimit të krahinave nga popullsitë e tyre turke në emër të pavarësisë kombëtare u pa sërish në luftërat e viteve 1877-78, 1912-13, dhe 1919-23. Në luftërat e vona qëllimi ishte i njëjti si ai i revolucionarëve grekë në vitin 1821- krijimi i kombeve të bashkuar duke shkatërruar grupin fetar dhe etnik që përbënte pengesë. Urrejtja ndaj turqve ishte një faktor i vërtetë në këto vrasje, por ajo ishte një faktor i kanalizuar në synimet e pavarësisë dhe të nacionalizmit. Sigurisht dëshira për të marrë nën zotërim çifligjet dhe pronat turke ishte një faktor që s’duhet nënvlerësuar aspak.”
Një vërejtje për tekstin e cituar më sipër është, se nën termin “turk” edhe ky autor fut edhe shqiptarët, të cilët asokohe sapo kishin hyrë në hullinë e kombëtarizmit dhe sensibilizimit të popullsisë për faktin e thjeshtë se flasim shqip, jemi shqiptarë dhe tashmë duhet të ndërtojmë një identitet të ri, mundësisht së bashku edhe me të krishterët, katolikë e ortodoksë. Për kohën ortodoksët shqiptarë, apo si mund të etiketohen ndryshe nga një pjesë e historiografisë arvanitasit ishin rreshtuar me kohë në krahun e shtetit grek, Kollokotroni, Xhavella, Joanis Kapodistria etj., ndërsa një pjesë shumë e vogël e tyre që mbetën për këtej kufirit dhanë një kontribut të ndjeshëm në ngritjen e këtij identiteti dhe në shtetin e ri shqiptar të 1912. Por nuk ishte thjesht marrëdhëniet ndërfetare ato që karakterizuan përplasjet luftarake të këtij shekulli e deri më 1945 kur ngjanë masakrat e fundit e popullsisë myslimane çame nga zervistët. Një element i “nënvlerësuar” nga studiuesit ka qenë dëshira e ethshme greke “për të marrë nën zotërim çifligjet dhe pronat turke”-alias të shqiptarëve muslimanë. Pas eliminimit dhe dëbimit masiv të “turqve” nga Greqia dhe po ashtu edhe nga Kosova për drejt Shqipërisë e Turqisë një valë kolonësh zunë vendet e zbrazura dhe me anë të reformave agrare tokat e mbetura bosh iu dhanë fshatarëve grekë e serbë.
Kosova pak a shumë i rezistoi zbrazjes mekanike të popullsisë edhe me ndihmën e hoxhallarëve që në një mënyrë apo tjetër arritën të ndikojnë mbi popullsinë myslimane të mos merrnin rrugën drejt Shqipërisë e Turqisë. Ndër ta qenë Hafuz Xhemal Dibra deputet i parlamentit shqiptar të kohës, së bashku me Rauf Ficon, që kanë kundërshtuar me forcë largimin e Shqiptarëve drejt Turqisë. Problemi i pronave të Çamëve muslimanë, por jo vetëm ata, se ka edhe shumë të tjerë, ende ka mbetur i pazgjidhur dhe shteti fqinj sa herë që i drejtohen kërkesa për rikthimin e këtyre pronave nxjerr si justifikim reformën agrare dhe ligjin e luftës me Shqipërinë. Spastrimet etnike në kurriz të shqiptarëve ua kanë “lehtësuar” punën fqinjëve tonë në këtë drejtim, saqë sot është pothuajse e vdekur çështja e rikthimit të pronave në Greqi. Në kohën e Monarkisë një pjesë e madhe e kosovarëve u rregulluan në zonën e Fierit dhe në Durrës, si dhe iu krijuan lehtësira të ndryshme, ndërsa dyndjet e Çamëve pas vitit 1944 hasën në vështirësi të mëdha për të rregulluar të ardhmen e tyre, e cila më pas u vështirësua edhe më tepër nga rrethanat politike të krijuara nga regjimi komunist.

Botuar ne revisten DRITA ISLAME


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit