GAZETA DAJTI
Hafiz DALLIU me trupin mesimor te Normales se Elbasanit. |
Arsimi ka qene vazhdimisht ne qender te vemendjes se gazetes "DAJTI" |
Reklame mbi pullen emetuar me rastin e fluturimit te pare civil brenda vendit. |
Hafiz Dalliu & Gazeta Dajti
"...Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë
njerëz që nuk kanë menduar në të mirë të Atdheut, unë do të jem në
opozitë..." - Hafiz Ibrahim Dalliu.
Dalja e gazetës
Dajti ka qenë një ngjarje e rëndësishme për kohën. Kjo gazetë ka luajtur një rol të ndjeshëm asokohe, duke
u përpjekur të sjelli një zë të ri të fuqishëm në ato momente vështirësish
politike për shtetin e sapokrijuar shqiptar. Hafiz Dalliu është një ndër ato
figura patriotësh tiranas të pastudiuara ende dhe të panjohura siç duhet nga
pikëpamja e veprimtarisë së tij politiko-atdhetare. Hafizi është një nga ata
burra që luftuan “me pushkë e penë për mëmëdhenë”. Ai e shkriu jetën e tij që
ta ndriçonte popullin dhe atdheun nëpërmjet arsimit, përhapjes së diturisë dhe
dashurisë ndaj atdheut. Ai ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në fushën e
politikës në disa drejtime. Pas ngritjes së Shtetit Indipendent ai ka marrë
pjesë edhe në zgjedhjet për deputet më 1923 dhe gjatë kësaj kohe ai nxirrte
gazetën Xhoka, dhe përfaqësoheshin me partinë me të njëjtin emër së bashku me
Jusuf Bankën. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve në janar të 1924 ai fillon botimin
e gazetës Dajti, ku kthehet në zëdhënësin e popullit të thjeshtë. Ai përsëri
merr pjesë në zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës në vitin 1925 dhe del i
katërti me 976 vota. Ai i falënderon publikisht tiranasit nëpërmjet gazetës për
besimin që i dhanë me votat e tyre. Ishte një burrë me karakter të fortë, por
edhe me shumë humor me të cilin nuk linte njeri pa thumbuar me rreshtat e
“Dajtit në gaz”, apo edhe në vargjet që i qarkullonte gojarisht në popull.
Madje ka pasur thumbime edhe me Gjergj Fishtën, i cili e respektonte
maksimalisht Hafizin. Kjo gazetë trajtonte të gjitha çështjet e aktualitetit,
si të gjitha gazetat e sotme moderne nëpërmjet rubrikave të ndryshme,
ekonomike, lajme nga vendi dhe nga bota, politikë, sporti etj. Zakonisht
shkrimi i faqes së parë i përket aktualitetit politik. Po në faqen e parë një
kolonë e posaçme i kushtohet rubrikës "Dajti në gaz", e cila i përket
gjinisë së fejtonit dhe është mbajtur vazhdimisht nga vetë Hafiz Dalliu. Në
faqe të dytë ka lajme të ndryshme nga kronika e zezë, ekonomia, reklama e
njoftime. Në faqet e kësaj gazete është diskutuar edhe për formën e regjimit, e
cila në ato çaste nuk ishte zgjidhur akoma dhe vendi drejtohej nga Regjenca
prej katër anëtarësh. "Monarki a po Republikë?" është një shkrim i
faqes së parë nga H. Jusuf Banka ku më pas diskutimi vazhdon në numrin vijues
me shkrimin e deputetit Hil Mosi i titulluar "Forma e
rregjimit".
Hafiz Dalliu i
ka hapur faqet e kësaj gazete për debatet pro e kundra. Dallohet qartë
opozitarizmi ndaj qeverisë në fuqi, gjë që do ta shoqëronte gjatë të gjithë
jetës atë. Ai nuk është pajtuar ndonjë herë me këdo regjim, duke ecur me idenë
e mbrojtjes së të dobtëve dhe duke u kthyer kështu në zëdhënësin e tyre.
Një vend të veçantë
në faqet e gazetës së tij ka zënë edhe Çështja Kombëtare, si një problem
shqetësues i ditës për të gjithë opinionin e gjerë. Vuajtjet dhe përndjekjet e
Çamërisë trajtohen gjerësisht në këtë gazetë, po ashtu edhe shkatërrimet e
regjimit serbo-malazez në Kosovë. Gjithashtu edhe lajme të shkurtra mund të
gjehen rreth problemeve të Çamëve në faqet e tjera të kësaj gazete. Kjo tregon
ndjeshmërinë e lartë jo vetëm të botuesit të kësaj gazete për këtë çështje, por
edhe ndjeshmërinë e publikut. Me statistika të posaçme nën okelion “Shkurtimi i mixorive serbe në Kosovë” (15 tetor 1918- 1
qershor 1921) jepen të dhëna të hollësishme mbi shkatërrimet e shtëpive,
vrasjet dhe burgosjet e bëra nga pushteti serb në 10 qytete të Kosovës, si
Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica etj.
Në faqet e gazetës
Dajti një problem tejet i ndjeshëm ka qenë ai i arsimit, i cili nuk është lënë
manash nga H. Dalliu si një nga pionierët e orëve të para të arsimit shqip.
Kështu mund të
themi se tendenca e H. Dalliut ka qenë që në faqet e kësaj gazete të trajtojë
me të gjitha mundësitë problemet shqetësuese të kohës, duke e bërë këtë gazetë
të mos dallojë për nga simotrat e kohës, si dhe nga reagimet ta verë atë në
qendër të vëmendjes së publikut. Na duhet të shohim me mirëkuptim vështirësitë
e mëdha në të cilat kalonte shtypi në këtë periudhë, kur shtypshkronjat ishin të
pakta dhe me probleme personeli.
Në numrat e parë
vërehet shënimi “Tash për tash del një herë në javë” çka me sa duket shpreh
dëshirën e Hafiz Dalliut për ta rritur periodicitetin e daljes së kësaj gazete.
Ai është përpjekur dy herë ta bëjë këtë, por me sa duket ka hasur vështirësi.
Më 1924 është përpjekur ta nxjerrë dy herë në javë dhe ka nxjerrë 5 numra, po
ashtu edhe më 1925 po 5 numra, pra gazeta ka dalë dy herë në javë nga numri 90
deri 95. Ai e ka kuptuar rëndësinë e figurës dhe të reklamës, dhe foto e parë
shfaqet në numrin 82, ku i bëhet reklamë një ilaçi për bagëti dhe në shumë
numra ai përdor moton “Reklama asht shpirti i tregtisë”. Ai gjithashtu i ka
bërë reklamë edhe fluturimit të parë të brendshëm me aeroplanë, postës me
aeroplan dhe fluturimit të parë të linjës Tiranë-Shkodër më 1.VI. 1925, si dhe
edicionit të një zarfi me pulla të posaçëm për këtë ngjarje.
Në faqet e kësaj
gazete kanë shkruar përveç H. Dalliut edhe shumë figura të tjera të
shquara si: Aleksandër Xhuvani, Avni Rustemi, H. Jusuf Banka, Haki Stërmilli,
Mehdi Frashëri, Hil Mosi, H. Ali Kraja, dr. Behxhet Shapati etj., pak a shumë
numri i autorëve, të cilët kanë milituar në faqet e kësaj gazete arrin në 178.
Nga numri 90 deri 94 i është bashkëngjitur drejtimit të gazetës si redaktor
shkrimtari Namik Selim Delvina.
Pra, nga të
gjitha sa u tha më sipër vërehet se Hafiz Dalliu ka bërë një punë titanike në
nxjerrjen e kësaj gazete i vetëm. Ai është përpjekur të sillte një zë të ri në
kuadrin mediatik të kohës dhe ia ka dalë, duke thyer kështu konceptet e gabuara
dhe paragjykimet ndaj hoxhallarëve. Ai e shkriu personalitetin e vet dhe aftësitë
e tij në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe të atdheut. Me përpjekjet e tij të
pareshtura është shembulli i shquar i një qytetari model dhe i fetarit që përpiqet
për të mirën e përgjithshme, duke mos u kursyer aspak. Kohët kur ai jetoi ishin
tejet të vështira, ngritja e Shtetit Indipendent, Monarkia, Lufta II Botërore
me pushtimin italian dhe gjermanët, e më pas regjimi komunist, i cili shkatërroi
çdo ëndërr për të cilën kishte luftuar Rilindasi plak. Gjithsesi ai ka lënë një
trashëgimi të pasur jo vetëm me këtë gazetë, por edhe me librat fetarë të
përkthyer, si dhe një trashëgimi të pasur edhe në vargje. Për jetën e tij është
folur dhe do të flitet, sepse përbën modelin e përkryer të një intelektuali dhe
politikani patriot.
Kush ishte Hafiz Dalliu? (1878-1952)
Një nga kokat më të shquara të periudhës kur
jetoi, figurë poliedrike dhe me ndikim të madh në popull. Teologu, përkthyesi,
poeti, publicisti, mësuesi, rilindësi e patrioti Hafiz Ibrahim Dalliu, lindi në
Tiranë më 1878 në një familje të nderuar e me tradita fetare. Ndjenjat fetare
ia ushqyen prindërit qysh në fëmijëri, më vonë gjatë procesit të studimeve në
Stamboll, Ibrahimi i ri u pajis me një kulturë të shëndoshë islame e qytetare
dhe që nga kjo kohë ai e përcaktoi rrugën e vet të një militanti të vendosur të
Islamit e të një mbrojtësi konsekuent të çështjes së Shqipërisë. Lufton me armë
në dorë kundër pushtuesit serb gjatë Luftës I Botërore. Bëhet pjesë e stafit
mësimor në hapjen e Shkollës Normale në Elbasan 1909, si dhe në rihapjen e saj
më 1912. Merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912. Gjatë
periudhës 1920-1944 dallohet për prodhimtarinë e tij në drejtim të librit
islam, si dhe merret me politikë, ku shpreh pikëpamjet e tij të një opozitari
me regjimin e Ahmet Zogut dhe më pas edhe të pushtuesit të huaj. Pas vitit 1945
i ngarkuar nga Komuniteti Musliman ndihmon në mbledhjen e ndihmave në popull
për rindërtimin e disa xhamive të dëmtuara nga Lufta II Botërore në Tiranë.
Vendosja e diktaturës së shtetit monist cenonte interesat e të gjitha shtresave
dhe të drejtat e masave popullore, prandaj Hafiz Dalliu nuk mund të pajtohej
kurrë me regjimin ateist, komunist e diktatorial dhe pikëpamjet e tij i
shprehte hapur qoftë edhe përpara nxënësve gjatë orës së mësimit. Mirëpo ky
lloj qëndrimi nuk i pëlqente diktaturës së kuqe, prandaj e arrestuan e burgosën
dhe e torturuan pa asnjë argument ligjor; pas disa muaj mundimesh në duart e
persekutorëve të birucave (nëpër qelitë e burgut), e liruan për mungesë faktesh
dhe del nga burgu i sëmurë, i dobësuar sa nuk qëndronte dot në këmbë dhe për
pasojë vdes në vitin 1952.
Comments
Post a Comment