Kurbani i Bajramit ne Shqiperi





Bajrami i Kurbanit dhe debatet mbi datën


ROALD A. HYSA

(Shumë veta ngritën pyetjen kësaj radhe “Kur është Bajram?”, por nuk ishte ky thelbi i vërtetë për të cilin u shqetësuan njerëzit. Në fakt mungesa e unifikimit të datës nxorri në pah probleme të tjera të gjeneruara edhe nga dy qendrat më autoritative të botës muslimane. Asnjë nuk u përpoq t’i kthehej thelbit të kësaj pyetje ashtu si i takon!)*

Edhe një herë në pak vite u ngatërruam me festën e Bajramit të Kurbanit, si dhe për nisjen e muajit të Madhnueshëm të Ramazanit. Rëndom palët në konflikt ishin të ashtuquajturit “Turq” dhe “Arabë”. Ky është një rast i përsëritur, i cili nuk shfaqet për herë të parë përpara të gjithë muslimanëve, si dhe përpara dijetarëve muslimanë, të cilët e kanë barrën kryesore të zgjidhjes së këtyre meseleve. Por këto fjalë dhe mesele janë sqaruar tashmë me kohë, po ashtu edhe për rastin tonë hoxhallarë me emër u shprehën rreth vendimit të marrë nga KMSH për fillimin e ceremonialit të Bajramit të Kurbanit më 25 tetor, kudo ku ata e patën mundësinë për ta bërë këtë me argumentet “në favor” të datës 25 (çuditërisht ata që u shprehën nëpër blogjet sociale dhe FCB, apo edhe në këshillimet e tyre fetare individuale apo në grupe të mëdha ishin ata hoxhallarë, që janë etiketuar rëndom si “vehabi”). Janë pikërisht këta hoxhallarë, të cilët u shfaqën në masë me të njëjtin qëndrim, që e qetësuan xhematin dhe pamë fotografinë e zakonshme tashmë të Bajramit në sheshin që nis nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme e deri tek Ura e Madhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithsesi ajo çka u reflektua në këto ditë ishte fatkeqësisht debati “turko-arabë”, i cili përkeqësohet më tepër kur kalon në duart e xhematit. Në debatet e bëra nëpër tavolina u reflektua gjallërisht tendenca e pan-turkistave me pan-arabët, ndërkaq shqetësimi më i madh për ne duhej të ishte unifikimi i datës me të cilën do të festohej në të gjitha trojet shqiptare njësoj, si dhe në mbarë Ballkanin e botën. Shumë interesante ishte një letër e drejtuar nga Reis Ulemaja e Bosnje-Hercegovinës prof. dr. Mustafa Ceriq, i cili iu drejtua këtyre autoriteteve kështu, po e citoj:
I nderuari kryemyfti Sheikh Abdulaziz Al al-Shaikh,
I nderuari kryemyfti Mehmet Görmez.
Kemi marrë vendimet tuaja, të cilat flasim për dallimet tuaja rreth ditës së parë të muajit dhul-hixhxhe të këtij viti (1433 hixhri), rreth ditës së Arafatit, dhe ditës së parë të Kurban Bajramit. 
Argumentimi Këshillit të lartë të ulemasë të Mbretërisë së Arabisë Saudite se nuk ishte e mundur të shihet hënën e re para përfundimit të 30 ditëve nga muaji dhul-ka’de është e kuptueshme dhe e pranueshme për popullin e Arabisë, por nuk është e kuptueshme dhe as e pranueshme për popujt tjerë. Gjithashtu, argumentimi Administratës së përgjithshme të çështjeve fetare të Republikës së Turqisë, se nuk është e mundur të ndryshohet takvimi i bërë sipas llogaritjeve të sakta të kohës është e kuptueshme dhe e pranueshme për Turqinë, por nuk është e kuptueshme dhe as e pranueshme për pjesën tjetër të botës, sepse haxhi dhe kurbani janë adhurime që veçohen nga koha dhe vendi, e këto janë Dita e Arafatit, sipas hadithit në të cilin thuhet: “Haxhi është Arafati!”
Një vërejtje interesante kjo e të nderuarit Ceriq, i cili e ka vënë gishtin në plagë dhe e ka nxjerrë në pah thelbin e këtij debati. Nuk mund të lemë pa përmendur këtu trashëgiminë osmane, e cila ngriti institucione të posaçme si Munexhimbashilliku (Zyra e Kryeastronomit perandorak), si dhe Muvakithanet (Vendet që i kushtoheshin përcaktimit të saktë të kohëve të faljes quheshin muvakithane) e Muvakitët (Matësit e Kohës - përgatisnin kalendarë dhe përcaktonin ditën e fillimit të muajit të Ramazanit). Gjatë kësaj kohe edhe Arabët kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane, por nuk mund të mos vërejmë këtu, se këta Arabë sot kanë përparuar dhe kanë observatorët dhe satelitët e tyre në hapësirën përreth tokës. Kështu debati në terren këtu te ne përfundoi që përfaqësuesit e KMSH-së, kryetari për Tiranën Ylli Gurra në Klan TV me siguri iu referua përllogaritjeve të bëra nga observatori zyrtar i Kandilisë dhe për këtë nuk ka asgjë të keqe deri këtu përderisa ne do të ndjekim vendimin e Dijanetit Turk.
Por të gjitha këto u acaruan shumë ngaqë hyri në mes edhe media, e cila pa dashje duke u marrë me këtë problem e ndezi atmosferën tonë këtu, duke i fryrë zjarrit në përballjen “turq” e “arabë”, apo edhe dikush në blogjet sociale iu referua ndarjes për datën Shqipëri-Kosovë datave 28-29 nëntor të çlirimit për të cilat kanë kundërshtime të majtët e të djathtët. Ajo çka u bë më shqetësuese në këtë rast ishte nacionalizimi i tepruar i 25 tetorit dhe ajo që i irritoi njerëzit ishte, se në një masë të madhe ata prisnin nga institucioni zyrtar, që të ndërronin datën. Ajo çka morën njerëzit ishin disa justifikime të vakëta, ku fraza “përllogaritje astronomike” ishte kryefjala e justifikimit dhe nënteksti “ata- të tjerët” vejnë dorën në ballë për të parë hënën me një nuancë të dallueshme talljeje (madje me humor dikush tha që duhet të rikthejmë orën diellore). “Ne kishim një marrëveshje me Kosovën më datë 25”, por ato nuk e mbajtën marrëveshjen. Institucioni kryesor heshti pa dhënë asnjë shpjegim për të gjithë këtë gurgule mediatike, duke e lënë xhematin në pjesën më të madhe të hutuar dhe duke e dëmtuar imazhin e vet përsëri. Në gjithë këtë rrëmujë të krijuar në këto ditë, nuk është e rëndësishme se kush ia qëlloi datës, sepse “tek Allahu nuk mbërrin, as gjaku, as Kurbani, por mbërrin devotshmëria”, dhe se “Allahu nuk sheh fizionominë e njerëzve, porse sheh zemrat tona”. Allahu na faltë të gjithë neve...

* Ky shkrim paraqet qëndrimin personal të autorit.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit