Dalliu dhe komunistet
Hafiz Dalliu sipas një bashkëkohësi
Nga Roald A. HYSA
Ja se si e përshkruan poeti dhe bashkëkohësi
Ibrahim Hasnaji punën e Hafiz Dalliut dhe paralajmërimet që i bëri ai popullit
tiranas dhe atij shqiptar asokohe. Gjithashtu ai përshkruan edhe shpirtin
rezistent të Hafiz Dalliut dhe opozitarizmin e tij që e bëri të përfundojë
nëpër burgje, sepse e deshi të vërtetën dhe këtë vend, saqë askush nuk mundi
t’ia mbyllë gojën atij.
“Mbas ardhjes në fuqi të pushtetit ateist-komunist, Hafizin, ashtu si të
gjithë vargun e pafund të patriotëve të ndershëm –e burgosën dhe e torturuan me
akuzën e dhimbshme dhe të turpshme “Armik i Popullit”.
Hafiz Ibrahim Dalliu pati një meritë të madhe, sepse evidentoi shpirtin e
madh demokratik e paqedashës të tiranasve autentikë, në kundërshti me pushtetin
ateist-komunist, që i mohoi vlerat e popullit të këtij qyteti. Akuza kryesore që
i vihej Hafizit ishte se në dhjetorin e vitit 1918 kishte shkruar në poemën
“Grenzat e kuqe të Tiranës” strofën ku sulmonte pansllavizmin (si pasojë edhe
Partinë Komuniste Shqiptare që nuk ishte tjetër, veçse një pjellë e
pansllavizmit). Hafizi në strofën e tij të përfolur, në dhjetorin e vitit 1918,
pati thënë:
Zot, kuçedrës së pansllavizmit,
Pritja kryet sa më parë,
Shueje racën e barbarizmit,
Këtij kombi të mos i mbesë farë!
Këto katër vargje mjaftonin për gjyqet komuniste, që t’I shkonte deri edhe
koka Hafizit veteran.
Hafiz Ibrahim Dalliu ka meritën e madhe në arsimin shqiptar, se figuron si
një nga mësuesit e parë të shkollës Normale të Elbasanit.
Në janar të vitit 1949, në burgun e Tiranës shkroi vargjet e titulluara “Drejtësia e sundimtarëve të sotshëm”, të cilat i ruajti
dhe i fshehu me kujdesin më të madh. Ndër këto vargje ai thotë:
Po kërkove bukën të japin urinë
Po kërkove jetën të japin patërdinë
Po kërkove nderin të japin llaftarinë
Po kërkove shokun të japin
pabesinë
Po kërkove besën të japin tradhëtinë
Po kërkove mëshirën të japin gjakësinë
Po kërkove njëriun të japin kafshërinë
Po të jesh shenjtor të bashkojnë me qenërinë
Po kërkove dritën të japin errësirën
Po deshe shijen të japin të vështirën
Po kërkove fenë të japin mundimin
Po kërkove dhimbjen të japin acarimin
Po të duash paqen të bashkojn’ me krimin
Po të duash familjen të japin burgimin
Po kërkove rregullin të japin kukudhin
Po kërkove Zotin të japin të paudhin.
Kisha pak ditë që isha në një kaush –dhomë të burgut të Tiranës, së bashku
me Hafiz Ibrahimin dhe Irine Banushin, një prift i urtë e shumë njerëzor i
besimit ortodoks, kur hapet dera dhe futet oficeri i Sigurimit e hetuesi i
birucave, i tmerrshmi dhe sadisti i madh, Muço Saliu. Ky, porsa hyn në kaush i
afrohet të dy klerikëve që ishin afër njëri-tjetrit, dhe pasi ia hoqi çallmën
Hafizit ia vuri në kokë Irine Banushit, kurse kamillafin e Irineut ia vuri në
kokë Hafizit. Duke iu drejtuar në fillim priftit ortodoks i tha:
- Hë, si të duket? U bane hoxhë.- Irine Banushi me zgjuarsinë dhe
inteligjencën e tij të rrallë, i përgjigjet:
- Të jam shumë mirënjohës, që më vune çallmën e një kleriku musliman, i
cili asht dënue me vdekje dhe e ka kalue jetën në burgje dhe internime, veçse
për Atdheun e popullin.- Oficeri gjakatar në çast i kthehet hoxhës veteran:
- Po ty, a të pëlqen që u bane prift?- Hafizi me sinqeritetin që e ka
shoqëruar gjithë jetën dhe me gjakftohtësi krenare i thotë:
- Më pëlqen, se e kam vëlla.- Oficeri kafshëror, kur e shikoi se nuk ia
arriti qëllimit për t’i shqetësuar shpirtërisht u largua me “bisht në shalë”.
Si përfundim, do të jetë vetëm historia ajo që do t’i japë tërësinë e
peshës së vet figurës së patriotit të madh Hafiz Ibrahim Dalliut[1].
Figura e Hafiz Dalliut është pak e njohur për publikun e gjerë të sotshëm,
si dhe për kontributin e tij shumëplanësh në dobi të komunitetit tiranas e më
gjerë. Në një botim të fundit mbi Historinë e Sigurimit të Shtetit 1945-1991 në
një raport të Muço Saliut flitet se si i detyronin “të burgosurit të këndonin
si hoxhë”. Po ashtu aty rrrëfehet se si hetuesit si pjesë të torturave kishin
edhe talljet e ofendimet për t’i thyer shpirtërisht e moralisht të burgosurit
politikë, që më pas të kishin mundësinë për t’i manipuluar më lehtë dhe për
t’ju nxjerrë dëshmitë apo deklarata të rreme. Por Hafiz Dalliu, gjithashtu edhe
shumë hoxhallarë të tjerë që kaluan nëpër qelitë e Sigurimit të Shtetit nuk u
dorëzuan, duke treguar karakter të fortë dhe një integritet të lartë moral, gjë
që iu mungon të gjithë drejtuesve të lartë të sotëm.
Comments
Post a Comment