Tre Kryebashkiake te Tiranes
Tre hoxhallarë të shquar dhe njëkohësisht tre
kryebashkiakë të kryeqytetit shqiptar Tiranës
Roald A. HYSA
Shumë njerëz sot do të
habiteshin, por ja që kjo gjë është një fakt. Në periudhën e parë të Shtetit
Indipendent Shqiptar 1920-1939 Tiranën e kanë drejtuar jo pak, por tre
hoxhallarë të shquar si kryebashkiakë. Ata jo vetëm që e kanë drejtuar Tiranën
si kryebashkiakë, por edhe kanë dhënë një kontribut të gjerë në jetën sociale
dhe publike të Tiranës. Ata janë Zyber
efendiu, që e drejtoi Tiranën në vitet e turbullta 1913-1914, kohë kur
armiqtë e këtij kombi serbo-malazezët ishin turrur nga veriu dhe grekët nga
jugu për ta shkatërruar Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur në Vlorë. Ismail
efendi Ndroqi, që e drejtoi Tiranën gjatë viteve 1917-1922, një nga
kryebashkiakët më jetëgjatë gjatë Shtetit Indipendent e deri në vitin 1945, kohë
kur regjimi komunist filloi t’i largojë me dhunë hoxhallarët nga jeta politike
dhe publike. Djali tij është dr. Shefqet Ndroqi një nga mjekët më të shquar të
pasluftës dytë botërore, emri i të cilit është bërë legjendë dhe është emërtuar
spitali i kurimit të mushkërive në Tiranë, ose siç njihet rëndom nga tiranasit
sanatoriumi i dr. Ndroqit. I treti është Ali efendi Dërhemi nga familja e mirënjohur
bujare tiranase e Dërhemëve. Ali efendiu përveç të qenit kryebashkiak ka qenë
një bamirës i njohur dhe ka marrë mirënjohjen e Monarkisë Shqiptare të Ahmet
Zogut, duke u dekoruar me dekoratën e lartë urdhrin Skënderbej të klasit të
parë. Ndërkaq regjimet vijuese kanë heshtur për kontributin e madh të këtyre
tre hoxhallarëve, të cilët nuk kujtohen aspak. Ata përmenden me emrat e tyre të
zakonshëm, por jo ashtu si njihesh hafiz Ismail efendiu, apo hoxhë Zyber
efendiu. Ajo që i ka dalluar këta hoxhallarë dhe kryebashkiakë nga të gjithë të
tjerët nuk kanë qenë thjesht vetëm aftësitë e tyre për menaxhimin e situatave të
vështira, me të cilat u ballafaquan ata, por edhe besnikëria në punë ndaj
amanetit të Zotit, që ata kishin marrë përsipër. Ata nuk e shfrytëzuan
pozicionin e tyre në dëm të bashkësisë dhe në dobi të interesit të tyre
personal, por u përpoqën maksimalisht për të mirën e përgjithshme të qytetarëve
tiranas. Me keqardhje vërejmë, se është kthyer në tendencë për të heshtur ndaj
kontributit të tyre të jashtëzakonshëm dhe nuk përmenden në jetën publike për
t’i shuar nga kujtesa kolektive. Për këto kontribute që përmendëm, si dhe shumë
të tjera, të cilat janë evidentuar tashmë nga botime të ndryshme historike e
enciklopedike asnjë prej tyre nuk ka marrë mirënjohjen e Shtetit Shqiptar në
këto festime të bujshme të 100 vjetorit. Në vijim do të gjeni nga një profil të
shkurtër të këtyre figurave tiranase për të pasur një pamje të kompletuar të
jetës dhe veprimtarisë së tyre shoqërore, e cila nuk ka qenë e kufizuar vetëm
në aktivitetin e tyre si kryebashkiakë.
Zyber efendi Hallulli
– (1842-1927) I biri i Mehmetit, lindi në Tiranë në një familje me tradita të
zhvilluara fetare. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe pastaj i vazhdoi
studimet e larta në Stamboll. Pasi i mbaron studimet kthehet në Tiranë, ku
fillon shërbimin e tij fetar. Pas ngritjes së flamurit në Tiranë dhe në Vlorë
zgjidhet në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, gjithashtu ndihmoi në
hapjen e shkollave shqipe. Më 28 nëntor 1917, ishte njëri ndër iniciatorët për
hapjen e strehës së parë vorfënore, ku u zgjodh edhe drejtues i Këshillit të
kësaj strehe. Kjo strehë pati edhe mbështetjen e gjerë të parisë së Tiranës, ku
tregohej një kujdes i veçantë për jetimët aty, numri i të cilëve erdhi duke u
shtuar. Zyber efendiu veç të tjerash ndihmonte edhe vajzat e familjeve të
varfra, duke iu siguruar atyre pajën e martesës. Ai ndihmonte edhe në lagje
familjet me jetimë, duke i furnizuar me ushqime dhe veshmbathje. Ai vazhdoi ta
administrojë Strehën Vorfnore qysh nga themelimi i saj e deri sa ndërroi jetë
dhe për këtë gjë u mbiquajt edhe “Babai i jetimëve”. Një fushë tjetër e
veprimtarisë së tij ka qenë edhe ajo patriotike. Bashkë me patriotë të tjerë
tiranas ai është përpjekur për shkollën shqipe, merr pjesë në ngritjen e
flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912, ngre zërin në mbrojtje të të drejtave të
shqiptarëve etj. Kështu ai është nënshkruesi i parë në telegramin-kërkesë, që i
dërgohet Esad Pashë Toptanit, deputeti i Durrësit në Stamboll më 25 korrik
1912, ku në formë kërkese parashtrohet: “se shqiptarët presin prej një qeverie
të tillë (qeverisë xhonturke), që t’i marrë parasysh me kujdes të drejtat dhe
kërkesat e arsyeshme të tyne”. Ky telegram bëhet nga e gjithë paria e Tiranës,
nënshkruar në emër të popullit nga 21 veta, ndër të cilët: Zyber Haxhi- kryetar
bashkie, Ismail Ndroqi- myderriz, Xhemal Pazari- myderriz, Murat bej Toptani,
Masar bej Qorraliu, Xhemal agë Beshiri, Muharrem aga Karapici, Fan Koja etj.
Para se të vdiste edhe atë pasuri që kishte në zotërim ua la jetimëve të
Strehës Vorfnore. Ndërroi jetë në 25 dhjetor 1927. Për veprimtarinë e tij
patriotike dhe bamirëse ka marrë disa tituj e medalje falënderimi. Me vendim të
Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës Shtëpia e Fëmijës ka marrë emrin
“Zyber Hallulli” dhe është dekoruar nga presidenti Sali Berisha në vitin 1995
me medaljen për “Veprimtari Patriotike”[1].
Ismail efendi Ndroqi
– (1878-1944) Ka lindur në Tiranë në
vitin 1878, me origjinë nga Ndroqi dhe vdes po në Tiranë më 4 mars 1944. Pasi
mbaron mejtepin dhe klasat e para të Medresesë së Tiranës i vazhdon ato më tej
në një nga medresetë e Stambollit. Më pas vazhdon studimet e larta teologjike
po në Stamboll. Kur u kthye nga Stambolli më 1910 fillon aktivitetin e tij
fetar si myderriz (arsimtar i lartë) në Medresenë e Tiranës. Ai njihej nga të
gjithë si patriot i orëve të para në Tiranë, ku edhe merr pjesë në ngritjen e
flamurit më 26 nëntor 1912. Shpejtimi i ngritjes së flamurit me dy ditë përpara
Vlorës është i vetëkuptueshëm tashmë duke parë rrethanat politiko-historike në
të cilat po kalonte vendi asokohe. Në ato çaste luftërat ballkanike kishin
arritur kulmin, ku serbët ishin në luftë me turqit dhe kishin arritur të hynin
në Shqipëri deri në Lezhë dhe synonin të merrnin edhe Elbasanin deri në
Shkumbin. Ismail efendiu ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet e
turbullta 1917-1922. Në këtë periudhë ai ka kryer një veprimtari të zellshme
patriotike, shoqërore dhe demokratike. Ai ishte një nga nismëtarët kryesorë për
mbledhjen e Kongresit të Tiranës në mbarim të Luftës I Botërore më 1918.
Gjithashtu ai ka qenë delegat në Kongresin e Durrësit me Abdi Toptanin e të
tjerë. Po ashtu ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen e Kongresit të
Lushnjës dhe për vendosjen në Tiranë të qeverisë së dalë prej tij, pa u trembur
aspak nga bajonetat italiane, që i kërcënonin ata. Më 22 prill 1920 organizon
një miting me 30,000 banorët e Tiranës dhe nënshkruan një protestë në emër të
tyre, e cila dërgohet në Konferencën e Paqes në San Remo, ku kërkojnë
pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve të saj etnikë. Ai u shqua në organizimin
e vullnetarëve të Tiranës për të shkuar në Luftën e Vlorës më 1920. Ai pati një
veprimtari të gjerë në fushën e bamirësisë, ku ndihmoi në ngritjen e spitalit
dhe të strehës vorfënore, njëkohësisht përkrahu Kryqin e Kuq etj. Veprimtaria e
tij shoqërore karakterizohet për luftën e tij për një Shqipëri të pavarur dhe
etnike me një shtet të fortë demokratik. Ai ka qenë anëtar i shoqërisë
“Dituria” dhe më vonë i partisë popullore “Xhoka”, së bashku me Hafiz Ibrahim
Dalliun. Gjatë periudhës 1913-1917 ai ka qenë myfti i Shijakut e më pas i
Kavajës. Në vitin 1928 tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet plotësisht
shërbimit fetar. Gjatë periudhës 1928-1939 shërben si Myfti i Durrësit. Ndërron
jetë në mars 1944[2].
Ali efendi Dërhemi (1850 – 1938) - Familja DËRHEMI mendohet se
ka ardhur në Tiranë nga kalaja e Ndroqit dhe madje shumë herët gjatë viteve
1830 - 1850. Pjesëtarët e saj janë të njohur gjithmonë për vlerat miqësore dhe
qytetare, ku në shumicën e tyre kanë ushtruar sidomos profesionin e nënpunësit
dhe të tregtarit. Aliu lindi në Tiranë në vitin 1850 dhe ai u njoh shumë shpejt
nga bashkëqytetarët si Ali efendiu. I ati Hasani (1800 – 1870), jurist i njohur
i kohës kishte detyrën e inspektorit të gjyqeve për vilajetin e Shkodrës, prej
nga varej dhe Tirana. Vetë Aliu pasi mbaron medresenë e Tiranës i mbaroi studimet e larta në universitetin
e Kajros, Egjipt. Kur u kthye në vendlindje sikurse dhe i ati, edhe ai po ashtu
filloi inspektor, por për problemet financiare dhe duke punuar sidomos në
qytetet e Durrësit, Kavajës dhe Shijakut. Duke qenë për vite me radhë edhe mësues
për lëndën e matematikës në medresenë e Tiranës, ai aktivizohet kështu me
sukses në detyrën e edukatorit. Gjatë karrierës së tij, falë dhe përgatitjes
teologjike që kishte, ai ka patur dhe detyrën e zëvendëskryetarit të
Komunitetit Musliman Shqiptar, e tamam në atë kohë kur institucioni i
sapothemeluar drejtohej nga i mirënjohuri Haxhi Vehbi Dibra. Me formimin
profesional të tij Aliu drejtoi me sukses aktivitetin financiar të këtij institucioni,
duke filluar që nga evidentimi dhe inventarizimi i pasurisë së patundshme e
deri te problemet e tjera të kësaj fushe. Falë personalitetit dhe qytetarisë së
tij ai u zgjodh disa herë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa në
vitet 1923 – 1924 edhe kryetar i Bashkisë. I bindur për nevojën e ligjshmërisë
Aliu kishte besimin dhe përkrahjen e regjimit mbretëror dhe të drejtimit të
mbretit Zog. Prej tij ai ishte dekoruar me urdhrin e Skënderbeut të klasit të
parë. I njohur në publik gjithnjë si Ali Efendiu ai ishte njëherësh njeri bamirës
dhe bujar. Revista e kohës "Zani i Naltë" në numrin 2-3/1933, nën
titullin “Veprat shpirtërore të Haxhi Ali Dërhemit, ndihmës i kryemyftiut"
ka shkruar “Hirësia e tij, i frymëzuar
nga shpirti i naltë i vet ka vendosë që pasunine që i ka falë Zoti, ta shpenzojë
po në rrugë të Zotit...” Pjesëmarrja e madhe në ditën e varrimit të tij,
kur ai vdiq më 1938 tregoi më së miri respektin dhe vlerësimin që kishte
populli i Tiranës për këtë personalitet të shquar[3].
http://en.wikipedia.org/wiki/Tirana
Comments
Post a Comment