Bagdadi qyteti i rrumbullakët



Bagdadi qyteti i rrumbullakët


Roald A. Hysa


Bagdadi është një nga kryeqytetet e rralla islame, që na rrëfen për lavdinë e dikurshme të kalifatit abasid. Ai u ngrit si një qytet i ri, që do të mbizotëronte mbi të gjitha rrugët e hershme të tregtisë dhe me bukurinë e ndërtimeve të veta do t’ia rriste famën abasidëve, por që shkëlqimin e vet do ta arrinte me kalifin e mirënjohur abasid Harun Rashidin, ku bëmat e këtij kalifi dhe bukuritë e këtij qyteti do të përktheheshin në përrallat arabe të 1001 netëve.
Bagdadi u ngrit dhe u projektua pranë qytetit të vjetër të Ktesifonit dhe e mbuloi lavdinë e kryeqytetit të Sasanidëve. Ai u ngrit si kryeqyteti i ri i abasidëve nga kalifi Mensur, i cili për këtë projekt thoshte: “Ky është qyteti ku unë dua ta themeloj, ku unë dua të jetoj dhe ku pasardhësit e mi do të mbretërojnë më pas”. Emërtimi që i dha Mensuri ishte Medinetul Selam- Qyteti i Paqes, porse kohës i mbizotëroi emërtimi Bagdad, i cili është një emërtim i hershëm në persisht. Disa studiues mendojnë, se ky emërtim vjen nga persishtja e vjetër, ku “bagh” do të thotë Zot, dhe “dad” dhuratë, pra Dhuratë e Zotit. Struktura bazë e qytetit konsiston në formën e dy gjysëm-rrathëve të mëdhenj me një diametër prej 19 km. Qyteti u projektua në formën e një rrethi me diametër 2 km, e cila i dha emrin e “Qyteti i Rrumbullakët”. Projekti origjinal na tregon një unazë të vetme, ku përfshiheshin banesat rezidenciale dhe strukturat tregtare përgjatë mureve të brendshme, por ndërtimi përfundimtar i shtoi edhe një unazë tjetër brenda të parës. Brenda qytetit kishte parqe, kopshte, vila dhe shëtitore. Në qendër të qytetit qëndronte xhamia, po ashtu edhe zyrat qendrore të rojeve të rendit. Qëllimi apo përdorimi i pjesës së mbetur të qendrës së qytetit është për ne i panjohur. Projekti i rrumbullakët i qytetit njëkohësisht pasqyron traditën urbane persiane, por më tepër edhe parapëlqimin e rrethit si formë e përkryer e traditës islame me rrezet që përhapen nga qendra në periferi.
Qytetit të ri iu deshën 4 vite për t’u ndërtuar 734-738. Mensuri mblodhi inxhinierë, mbikëqyrës dhe konstruktorë nga e gjithë bota. Mbi 100,000 punëtorë punuan në bazë të planeve paraprake. Tullat e përdorura për të ndërtuar qytetin ishin katrore me brinjë 460 mm. Ebu Hanifja ka qenë numërues i tullave dhe ai zhvilloi një kanal, i cili sillte ujë në qytet për ta përdorur në vendet ku punohej, si për të pirë, po ashtu edhe për prodhimin e tullave. Gjithashtu edhe mermeri u përdor gjerësisht në ndërtimin e pallateve, si dhe për të bërë shkallë në brigjet e lumit.
Në mes të Bagdadit në sheshin qendror u ndërtua Pallati i Dyerve të Arta. Pallati ishte rezidenca e kalifit dhe familjes së tij. Pjesa qendrore e ndërtesës mbulohej nga një kupolë jeshile e lartë 39 metra. Pallati ishte i rrethuar nga sheshe të gjelbëruara, një mulli uji në të cilin kalifi mund të hynte mbi kalë. Në vitin 813 pas vdekjes së kalifit el-Emin pallati shumë shpejt u braktis dhe nuk u banua nga kalifi dhe familja e tij.
Rritja e qytetit u ndihmua nga vendndodhja e tij, e cila i dha mundësi kontrolli mbi rrugët strategjike dhe tregtare përgjatë Tigrit. Një arsye përse Bagdadi pati një vendndodhje të shkëlqyer ishte bollëku i ujit dhe klima e thatë. Ujë kishte në të dy dyert e qytetit në veri dhe jug, duke iu mundësuar familjeve të kenë ujë me bollëk, e cila ishte e pazakontë për kohën.
Brenda një gjenerate nga ndërtimi i tij Bagdadi u kthye në një nyje të rëndësishme tregtie dhe dijeje. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua Bejtul Hikmeh – Shtëpia e Urtësisë, në të cilën përktheheshin në arabisht punime nga Greqishtja, Persishtja e Mesme dhe Siriakishtja. Shkollarë nga e gjithë perandoria islame i drejtoheshin Bagdadit, duke lehtësuar futjen e trashëgimive shkencore persiane, greke dhe indiane në botën arabo-islame të asaj kohe. Bagdadi ka qenë qyteti më i madh i kohës shumë shpejt pas themelimit të tij deri më 930, kur u arrit nga Kordoba. Shumë vlerësime na sugjerojnë që qyteti ka pasur mbi 1 milionë banorë në kulmin e vet. Shumë nga ngjarjet e përrallave të “Një mijë e një netëve” janë të vendosura në Bagdadin e kësaj kohe.
Shkatërrimi i parë i Bagdadit nga Mongolët solli edhe fundin e abasidëve. Më 10 shkurt 1258 Bagdadi u pushtua nga khani mongol Hulegu, stërnip i Xhenghiz Khanit. Lagjet u shkatërruan nga lufta e zjarri. Mongolët masakruan pjesën më të madhe të qytetarëve përfshi këtu edhe kalifin Mustesim. Plaçkitja e Bagdadit i shkaktoi një dëm të pariparueshëm qytetërimit islam, nga i cili nuk ka arritur ta rimarrë veten. Në vitin 1401 Bagdadi u plaçkit sërish nga një pushtues tjetër, që vinte nga Azia Qendrore Timur Lengu ose Timuri i Çalë. Kur forcat e tij pushtuan Bagdadin nuk kursyen pothuajse asnjë frymë njerëzore.
Më 1534 Bagdadi kalon në duart e Osmanëve, dhe për një periudhë të shkurtër e marrin nën sundim Safavidët iranianë, dhe rikthehet përsëri në duart e Osmanëve deri në vitin 1917, kohë kur kalon në duart e Britanikëve gjatë zhvillimeve të Luftës së Parë Botërore. Që nga viti 1920 Bagdadi është kryeqyteti i Irakut, fillimisht mbretëri e më pas republikë. Në vitet 1970 Bagdadi përjeton një kohë begatie falë naftës dhe rritjes së prodhimit të saj. Luftërat e Gjirit Persik të vitit 1991 dhe 2003, si dhe ndërhyrja ushtarake në Irak për të larguar nga pushteti Sadam Hysenin e dëmtuan Irakun dhe Bagdadin.
Tashmë shumë vende historike janë dëmtuar tragjikisht nga bombardimet dhe betejat e viteve të fundit.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit