Përkthimi i ajetit të sures Hadidë




Një vështrim i shkurtër krahasues mbi përkthimin e ajetit të katërt të sures Hadidë të Kuranit Fisnik në shqip



Roald A. Hysa


Ai është i Pari dhe i Fundi, dhe i Dukshemi dhe i Padukshmi dhe Ai ka dijen e plotë rreth çdo gjëje”.
  “Kurani i Shenjtë”, Al-Hadid, ajeti 4, fq.750, e përktheu Muhammad Zakaria Khan, Islam International Publications Ltd, Islamabad 1990.

Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë”.
  “Kur’an-i”, El Hadidë, ajeti 3, fq.623, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Kompleksi i Shërbyesit të Dy Haremave, Mbretit Fehd ibn Abdulaziz Al-Saud, Medine 1992.

Ai është më i Pari (s’ka asgjë para Tij, Ai është i Pafillim), edhe më i Fundit (s’ka asgjë pas Tij, Ai është i Pambarim), edhe më i Larti (s’ka asgjë mbi Të), edhe më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt pranë gjërave se Ai, nuk ka asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij). Dhe Ai është i Gjithëditur për çdo gjë”.
  “Kur’ani Lartë”, El-Hadid (Hekuri), ajeti 3, fq. 789, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam, Sh. Botuese dhe Shpërndarëse Darussalam, Riad, Arabia Saudite, qershor 1999.

          “Ai është i pari dhe i fundit. I dukshmi dhe i padukshmi. Ai është i gjithëdijshëm për çdo send”.
  “Kur’ani dhe hija e tij shqip”, al-Hadîd – Hekuri, ajeti 3, fq. 536, përktheu: dr. Feti Mehdiu, Logos-A Shkup, IHH Stamboll, 1999.

          “Ai është i Pari dhe i Mbrami, edhe i Dukshmi edhe i Padukshmi, dhe Ai është i dijshëm për çdo gjë”!
 “Kur’ani i Madhëruar” El Hadidë (Hekuri), ajeti 3, Përktheu dhe botoi prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1988.

Këto janë pesë përkthime të ndryshme të të njëjtit ajet (varg) nga arabishtja prej autorësh të ndryshëm. Ky është ajeti i tretë nga Sureja el-Hadidë, e Hekurit, nga Kur’ani Fisnik me një përjashtim të vogël që përkthimi i Muhammad Zakaria Khanit e njeh si ajetin numër katër për vetë faktin se e numërojnë edhe Bismilahin si ajet më vete, ndërsa autorët e tjerë të sipërcituar nuk e nisin numërimin e ajeteve nga Bismilahi. Në përkthimin e parë vihet re dhe dallohet qartë që përkthyesi nuk është njohës i mirë i gjuhës shqipe, ndërsa te katër të tjerat normalisht duke qenë përkthyesit shqiptarë, ka më pak probleme gjuhësore. Ndoshta për përkthimin e parë ndikon edhe ajo që shtypja dhe radhitja është bërë jashtë vendit dhe ndoshta janë gabimet e radhitësit. Ndërsa përkthimi i Feti Mehdiut dallon për qartësinë e tij dhe ky ajet është dhënë në tre fjali të shkurtra pohore që nuk lejnë shenjë dyshimi për atë çka transmetojnë ato fjalë, që në vetvete ato përbëjnë koncepte, sepse edhe nga komentuesit e ndryshëm dhe studiuesit e Kur’anit ato njihen si cilësi të Allahut. Ndërsa për variantin e parë nuk mund ta themi një gjë të tillë për shkak edhe të gabimeve ortografike që vërehen, pavarësisht se si përkthime janë të ngjashme për nga mesazhi që duan të japin. Ndërsa nën përkthimin e Sherif Ahmetit vërejmë se nocionet “i pari, i fundit, i dukshmi dhe i padukshmi” fillojnë duke u zgjeruar dhe nga një tentativë formale jepet një variant më i letrarizuar dhe më i tingëllueshëm. Nocionet zgjerohen dhe është “i pari që s’ka fillim” dhe “i fundit që s’ka mbarim”, pra, me këtë tentohet një shpjegim që është më i zgjeruar qoftë nga pikëpamja gjuhësore, po ashtu edhe nga ajo filozofike. Ndërsa në botimin e Darussalamit studentët që e kanë përkthyer janë munduar të japin të gjitha kuptimet e mundshme duke dalë nga kornizat e një përkthimi standard dhe duke kaluar në një komentim, gjë e cila të bie në sy edhe nga shënimet me të cilat përkthyesit e kanë pajisur këtë botim special në format xhepi. Kurse në përkthimin e Hasan Nahit vërejmë një ndryshim të vogël por që i jep më tepër bukuri nga ana stilistikore; në vend të “i fundit” siç e kanë përdorur përkthyesit e tjerë, autori ka përdorur mbiemrin dialektor “i mbrami”, që ka efekt më tingëllues në fjali. Normalisht në shqip ekzistojnë edhe përkthime të tjera të Kur’anit Fisnik, porse këto të pesta janë të botuara në mënyrë integrale. Është një përkthim i H. Ibrahim Dalliut dhe i disa të tjerëve, si dhe përkthime ajetesh të veçanta brenda veprave të ndryshme që kanë përgatitur në lidhje me tema të ndryshme autorë shqiptarë. Hafiz Dalliu për nga ana gjuhësore, i përket kohës kur akoma nuk ishte vendosur norma letrare dhe vepra e tij është e shkruar në dialektin gegë. Ndërsa nga të pesë përkthimet e përmendura më sipër, më i përhapuri është ai i Sherif Ahmetit, i cili deri tashti ka parë mbi tre ribotime dhe që ka gjetur përdorim më të gjerë qoftë në publik, po ashtu edhe studiuesit në një pjesë të mirë të studimeve janë shërbyer nga ky përkthim. Përkthimi i prof. Hasan Nahit është marrë dhe përpunuar nga AIITC dhe ka parë disa botime në disa variante, format xhepi, vetëm varianti shqip etj. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe përkthime të tjera të Kuranit Fisnik në shqip, si dhe punime më të zgjeruara, punë të cilat me përpjekjen e gjuhëtarëve dhe përkthyesve pasurojnë jetën kulturore dhe gjuhën shqipe me kuptime dhe vepra të reja.


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit