Në gjykatoren e Kalifit Omer
Në gjykatoren e Kalifit Omer
Një tregim prekës,
me ngjyrime të shumta islame, drejtësia e Omerit dhe fryma mbizotëruese e
Islamit mbi fjalën e dhënë, faljen dhe vllazërinë... ky tregim është botuar për
herë të parë në Kultura Islame e vitit 1940, dhe përmenden emra sahabesh të mëdhenj
si dhe jetësimi që i kanë bërë ata Islamit.
Anët e rrugës ranishte që
shkonte prej Mekës në Medine, mbuloheshin prej pyjeve tërheqës me pemë hurmash;
nën këto pemë rridhnin burime me ujë të ftohtë e të kulluar. Karvanët, që çanin
shkretëtirën e mërzitshme, falënderonin Zotin kur mbërrinin në këtë dhuratë.
Atje qëndronin për t’u shkarkuar devetë e tyre, për të pirë atë ujë të ftohtë e
të kulluar dhe për të kaluar vapën e mesditës nën hijen e pemëve me degët si
tenda, ndërsa të zotët çlodheshin, kafshët e tyre lëshoheshin sa andej-këndej
për të kullotur. Në mes të këtyre pemëve ndodheshin, aty-këtu, kasolle të
shpërndara, kasolle me një pamje krejt të thjeshtë, ku banonin kopshtarë dhe
banorët e një sheiku, zotnia i oazeve. Në qendër të këtij vendi ishte një fshat
ku ndodhej një vilë e vogël dhe e bukur, e qarkuar prej kopshteve me pemë; ajo
ishte banesa e sheikut. Tek këto banesa në vetmi mbretëronte paqja dhe
kënaqësia, jeta kalonte në qetësi gjithnjë. Kur, në një mesditë nga të tjerat
ndodhi që një djalosh të shkojë andej me deve; djaloshi simbas zakonit, qëndroi
në oaz për të bërë pak pushim; dhe mbasi ishte i lodhur dhe i këputur, e lëshoi
devenë të kullosë dhe u plandos nën hijen e një peme, pranë burimit ku frynte
një fllad i freskët, dhe porsa ra e zuri gjumi. Kafsha duke kullotur aty këtu,
më në fund hyri në kopshtin e sheikut dhe filloi të kullosi aty e të prishi
vreshtën me rrush. Ruajtësi i sheikut, një plak i devotshëm e zemërbardhë,
ishte duke shtruar një qilimth për t’u falur, si vështroi pa që vreshta e agait
të tij dëmtohej, mori shkopin në dorë dhe vajti e nxori kafshën. Pas pak kjo
gjeti një shteg tjetër dhe hyri përsëri, plaku edhe këtë radhë shkoi dhe e
nxori, por kjo s’u ndal dhe kështu shkoi për të tretën herë dhe bëri dëm; këtë
radhë ruajtësi ia tërhoqi me shkop devesë dhe pa dashur e goditi fort, duke e
lënë, me një të rënë, të ngordhur në vend. I zoti i devesë, djaloshi, ishte në
gjumë kur po ndodhte kjo ngjarje; as në ëndërr nuk po e shihte se ç’po i
pësonte deveja e tij e shtrenjtë. Për pak u zgjua, pemët i kishin zgjatur hijet
e veta, rrezet e diellit e kishin humbur nxehtësinë e tyre, ishte koha për të
shkuar. Përpara se të përgatitej për t’u nisur u pastrua, mori abdes me ujë të
freskët, si një musliman i mirë, shtroi qylymin dhe fali namazin e pasdrekes,
me zemër të pastër e me përulje falënderoi Zotin për hijen e freskët, për ujin
e ftohtë, për prehjen e për kënaqësinë që i kishte siguruar në atë shkretëtirë.
Me të mbaruar u bë gati të nisej, kërkoi devenë, shiko andej e shiko këndej,
por nuk po e shihte kërkund. “Ku do të ketë shkuar”?, -thoshte me vete. Si
shkoi pak më tutje dhe hyri në kopshtin e sheikut, e pa devenë të ngrirë e të
shtrirë pa frymë! Edhe sikur t’i kishte rënë ndonjë rrufe nga lart nuk do ta
kishte tronditur aq shumë. Ngordhja e kafshës së bukur, e cila për atë ishte e
dashur si një shok, e hidhëroi pa masë.
Kopshtari,
që kishte vrarë devenë, iu afrua djaloshit që t’ia kallëzonte ngjarjen pikë për
pikë. “Më fal o bir”, -thotë plaku,- “qe kader, qe fatkeqësi, s’e pata me
qëllim një të tillë punë, kafsha ishte duke bërë dëm në kopsht; e përzura një
herë, hyri për së dyti, e përzura prapë, hyri për së treti, edhe këtë radhë
desha ta nxjerr, e qëllova me shkop për ta përzënë, por fatkeqësisht pa dashje
e godita keq dhe mbeti e ngordhur. Dhe ngjau ajo që ngjau, pa dashje kjo
fatkeqësi. Jam shumë i pikëlluar, pa masë”. Djaloshi kaq u turbullua saqë nuk
ishte aspak në gjendje t’u vinte veshin fjalëve që thoshte plaku, dëshpërimi i
tij kishte kaluar çdo kufi. E mbërtheu plakun e gjorë për fyti me duart e tij
të çelikta duke bërtitur: “ti i marrë, ti i marrë! Si guxove që ta prekësh
devenë time”? - dhe nga gjaknxehtësia e shkundi kaq fort sa menjëherë u
shkrehën krahët e dobëta të plakut, zemra i pushoi së rrahuri dhe sa të hapësh
e të mbyllësh sytë dha shpirt e ra i vdekur për tokë.
Tashti,
kur i kaloi gjaknxehtësia e çastit, mbeti i tmerruar për çka bëri, e goditi
rëndë hidhërimi për fajin e bërë. I dha fund jetës së një vëllai dhe shkeli
ligjin e shenjtë të fesë islame. “Jeta, nderi dhe pasuria e njëri-tjetrit janë
të shenjta dhe nuk mund t’i shkelni.” A nuk qe kjo porosia e fundit që i bëri
Profeti botës islame në kohën që do të ndahej nga kjo jetë? Këto fjalë djalit i
tingëllonin pa ndalim nëpër veshë; e mbuloi turpi. Thoshte me vete që ishte një
tradhtar dhe një mysliman pa kurrfarë vlere; duke marrë jetën e një vëllai nuk
e mbajti amanetin e fundit të Profetit, që i la çdo myslimani.
Ishte
tepër vonë, çka u bë u bë, tashti puna ishte se ç‘do të bënte? Nuk u ndodh
njeri që ta shihte. A të ikte për të shpëtuar kokën? Po të dorëzohej e priste
litari, ç‘të bënte? Kështu mendonte me vete dhe pothuaj qe gati të anonte nga
instinkti i vetëmbrojtjes, duke vendosur që të arratisej e t’i shpëtonte
dënimit të ligjit. Ndërsa bëhej gati që të arratisej i erdhi një zë nga
thellësia e shpirtit e i thotë, jo! Kurrë. Nuk është për një mysliman të iki e
t’i shpëtojë dënimit të ligjit. T’i shpëtosh ligjit të kësaj bote do të thotë
mashtrim e tradhti, nuk është për një mysliman që të mashtrojë e të tradhtojë.
Shkoi drejt e në vilën e sheikut dhe e dorëzoi veten si vrasës i kopshtarit
plak.
Në
këtë kohë mbretëronte në Medine, i madhi Omer si Kalife i Myslimanëve:
drejtësia e paanësia e tij ishte me famë; nuk mbante as të lartë as të ulët, as
mik as armik. Kur e gjeti të birin në një faj pat urdhëruar të dënohej me
vdekje. Në një të tillë gjyq po e dërgonte sheiku djaloshin të gjykohej, të dy
djemtë e plakut po e shoqëronin për në gjyq.
Pas
një udhëtimi të gjatë mbërritën në Medine, si ankuesit edhe i pandehuri, e ju
paraqitën kalifes, i cili ndodhej në gjykatore bashkë me suitën e tij. Salla e gjyqit të Omerit nuk ishte aspak si
sallat e gjyqeve moderne, me madhështi e me stoli. Thjeshtësia ishte shpirti i
Fesë Islame në ato kohë të arta; salla e gjyqit nuk ishte tjetër veç faltores
të mbuluar me kashtë. As gjykatësi nuk ishte veshur me rroba zyrtare të
kushtueshme, por me rroba të andrruara dhe të pastërta. Kalifi rrinte i
mbështetur përmbi një shtresë prej hurmash; megjithëkëtë pamja e tij i shtinte
tmerrin fajtorit, drejtësia e tij një për të gjithë, ishte mbrojtësi i të
dobtëve dhe tmerri i tiranëve a i shtypësve. Trupi gjykues ishte i thjeshtë,
përbëhej prej grumbullit të myslimanëve të devotshëm që kishin ardhur për t’u
falur në xhami; të gjithë ishin njerëz që kishin frikë Zotin dhe duan
drejtësinë e paanësinë. Përpara një gjykatësi dhe një trupi gjykues të tillë
paraqitej djaloshi i akuzuar për vrasjen e plakut, ruajtësit të kopshtit. I
drejtohet Omerit, vëllai më i madh duke filluar nga ankimi: “Emirul muemininë”,
“Sundimtar i Besimtarëve!”, i thotë: “Ky njeri qëndroi në oazet tona për
pushim, mbasi e zuri gjumi, i hyri deveja në kopshtin e Sheikut tonë dhe bëri
mjaft dëme në vreshta, babai jonë e nxori kafshën dy herë, por ajo u kthye
përsëri; të tretën herë duke e qëlluar me shkop pa dashur e goditi keq dhe e la
të ngordhur. Qe fatkeqësi, u bë padashur, ai nuk pati ndonjë qëllim ta vriste,
vetëm deshi të kryente detyrën duke e nxjerrë nga dëmi. Kjo ishte detyra e tij
dhe për këtë e paguante sheiku. Zotnia flinte kur iu vra deveja dhe nuk dinte
gjë kush ia vrau. Po të donte babai im mund ta kishte mohuar që s’kishte dijeni
për ngordhjen e devesë. Po ishte një mysliman i vërtetë dhe një ndjekës i saktë
i Profetit, dhe megjithëqë kërkush nuk e pa, nuk mund ta mohonte. Nuk i hidhte
dot njollë emrit të Fesë Islame dhe Profetit duke gënjyer. Shpeshherë na
kallëzonte që myslimani duhet të jetë i drejtë le t’i dalë si t’i dalë fundi.
Të folurit të vërtetën ishte diamanti më i shkëlqyer në karakterin e Profetit. Edhe
përpara se të bëhej Profet qe titulluar prej të gjithëve “El-Emin”, “I Drejti,
Besniku”; një njeri me të tilla ndjenja të pastra islame s’mund të bjerë aq
poshtë sa të gënjejë për të shpëtuar jetën e tij. Iu afrua djalit dhe i
kallëzoi pikë për pikë ç‘kishte ngjarë duke shfaqur edhe hidhërimin e tij; po
ky në vend që t’i çmonte sinqeritetin islam iu vërsul për gryke dhe e mbyti pa
të drejtë. Një heshtje mbretëronte në sallën e gjykatores, kur po kallëzonte
ndodhinë e hidhur i biri i plakut.
“Ç’
ke t’i thuash këtij djali” - pyet gjykatësi të pandehurin.
“Zotni”,
- përgjigjet, djaloshi i akuzuar me kokë të ulur nga turpi dhe nga hidhërimie
pendimi për fajin, - s’kam gjë për të thënë për t’u mbrojtur, po më mbulon
turpi dhe hidhërimi për çka kam punuar me duart e mia. S’kam gajle aspak se po
e paguaj me jetën time, pikëllohem pa masë se tradhëtova myslimanizmin. I lashë
pas dore mësimet fisnike të Fesë Islame. Profeti ka urdhëruar që myslimani
duhet të respektojë moshën e vjetër. Profeti në këshillën e fundit që i dha
botës Islame; jetën, pasurinë dhe nderin e një njeriu e bëri të shenjtë për
tjetrin. I lashë të gjitha këto porosi dhe në vend që të tregoja respektin e
duhur kundrejt një plaku flokëbardhë, humba mendjen dhe i shkaktova vdekjen.
S’kam gjë për të thënë, vetëm i shtrohem ligjit, jam fajtor.”
Të
gjithë dëgjuesit në faltore u prekën mjaft nga sinqeriteti i djaloshit. Të
gjithë e admiruan për guximin edhe që po shihte vdekjen me sy. “Mirë djalë”-
thotë kalifi,- “kështu duhet të sillet çdo i ri mysliman, nuk është vonë të
pendohesh dhe të turpërohesh për veprën e ligë; megjithëqë je një vrasës duhet
të të uroj për ndjenjën e lartë të vërtetësisë. Të tilla sjellje pret feja
Islame nga secili prej bijve dhe bijave të saj. S’ka gjë nëse e pret vdekja,
një mysliman nuk duhet ta poshtërojë kurrë veten duke folur të rrema. Eshtë
burracak ai që gënjen dhe ka frikë nga përfundimi, nuk duhet të jetë kurrë
burracak e frikacak myslimani; nuk trembet kurrë myslimani. Mbetem i kënaqur
nga burrëria jote, je sjellë si një bir i vlefshëm i fesë Islame, megjithëkëtë
hidhërohem tepër. S’kam gjë në dorë, s’mund të ndihmohesh, ligji duhet të bëjë
të vetën, ti duhet të vdesësh; ligji të dënon me vdekje për këtë faj.
“Emirul
muminin” - përgjigjet djaloshi - “s’duhet të hidhërohesh. Mysliman është ai që
i shtrohet vullnetit të Perëndisë, kështu desh Zoti që të vdes dhe unë i
nënshtrohem dëshirës së Perëndisë me buzë në gaz. Vetëm një lutje po u bëj: më
lejoni të shkoj në shtëpi, mbasi kam për të larë disa borxhe. Si do të dal
përpara Zotit pa përmbushur detyrat kundrejt njerëzisë? Le të më thonë katil po
të mos më thonë që hëngri të drejtat e të tjerëve. Më vjen ndërmend, sikur e
kam përpara syve, sa me merak e kishte Profeti këtë arsye, në kohën e vdekjes.
Ai deklaroi kur do të vdiste, në qoftë se i kishte kujt borxh t’ia paguante e
në kishte fyer njeri të hiqte dënimin e duhur në këtë jetë. Donte ta linte këtë
botë duke qenë i pastër. Thoshte më mirë i turpëruar përpara njeriut se sa
përpara Zotit, do tradhtoja kujtimin e Tij fisnik në qoftë se le borxhet pa
larë. Prandaj të lutem të më japësh leje sa të shkoj në shtëpi e të laj këto
borxhe. Kjo është e vetmja dëshirë e imja e fundit”. Edhe një herë u mbushën me
admirim si dëgjuesit ashtu edhe kalifi për djaloshin. Ç’ndjenjë e lartë
drejtësie thoshin, mu në prag të vdekjes vetëm një gjë ia shqetëson zemrën,
detyrat e tij të paplotësuara kundrejt njerëzisë. –Ç’fatkeqësi është, që të
vdesë një bir i tillë i Islamit! S’ke ç‘bën nuk i shpëton dot ligjit, ai është
një për të gjithë, duhet të vdesë patjetër, vetëm dëshëronte që t’i pranohej
lutja e fundit.
-“Ua
pranoj lutjen” - thotë kalifi, - “u plotësohet dëshira, por duhet të gjeni
njeri të bëhet garant për ju, të jetë përgjegjës që të ktheheni tamam në orën e
caktuar të ekzekutimit”.
-“Emirul
muminin” - thotë djaloshi, - “e vetmja garanci që mund të jap është fjala ime e
nderit, myslimani lidhet për fjalë të nderit”.
-“Ke
të drejtë,” - përgjigjet kalifi, - “kjo pritet nga çdo bir i fesë Islame, duhet
të qëndrojë besnik në fjalën e dhënë edhe sikur t’i kushtojë jetën. Po duhet të
vihet në veprim procedura e ligjit, e kjo nuk njeh vetëm një fjalë nderi si
garant. Duhet të vesh një njeri të bëhet garant për ty. - Kjo e dëshpëroi tepër
djaloshin, ai ishte i huaj në atë vend. Kush mund të bëhej garant për atë e të
rrezikonte jetën e tij për një të huaj? Një garanci për një të tillë punë ishte
barrë e rëndë. Në rast se nuk kthehej, garanti do të humbiste kokën në vend të
tij. Është e kotë të shpresojë një i huaj, të gjejë garant për një punë të
tillë. Hodhi një herë një vështrim rretheqark gjindjes me shpresa të prera. Por
s’i thoshte zemra të kërkonte ndonjërin, ishte e tepërt t’i drejtohej
ndonjërit. Duke qëndruar djaloshi me shpresë të prerë e i dëshpëruar, kur për
fat, për gëzim e për habi të të gjithëve ngrihet një burrë plak në këmbë prej
një qosheje të xhamisë: -“Emirul Muminin”- thërret ai, - “unë bëhem garant për
të”. -Ky ishte Ebu Dher Gafari, shoku i famshëm i Profetit.
Djaloshi
menjëherë u lirua duke u zotuar të vinte
në kohën e caktuar për ekzekutim (për t’u varur). U nis me vrap të
shkonte në shtëpi për të rregulluar punët e për të larë borxhet. Më parë se të
dalë përpara Zotit duhej të shkëpuste marrëdhëniet me njerëzit. Shtëpia e tij
ishte mjaft larg, eci natë e ditë. Leja ishte mjaft e shkurtër dhe duhej të
kthehej prapë për të pësuar dënimin shembullor, prandaj nuk humbi kohë po
vrapoi sa mundi. Më në fund arriti në shtëpi, porsa e panë e gjithë familja u
mbush me gëzim; fëmijët e vegjël iu vërsulën duke vrapuar secili ta përqafonte
më parë e të fitonte të puthurën e parë prej tij. E shoqja dhe prindërit pleq u
mbushën me gëzim kur panë shpresën dhe gëzimin e tyre e dritën e syve që u
kthye në shtëpi, e ëma e puthi në ballë të birin, kjo skenë gëzimi e dashurie
nuk vazhdoi shumë, për pak e mbuloi një hije meraku. Djaloshi dukej i
shqetësuar, jashtë zakonit mallëngjimi i hidhur i vinte duke iu shtuar.
Prindërit e kuptuan hidhërimin e djalit dhe e panë që diçka kishte. Ç’të ka
ngjarë? - e pyeti e ëma me kureshtje. -Të shoh të vrenjtur e të shqetësuar, mos
diçka ke? - Djali në atë çast heshti dhe vari kokën, nuk dinte se si t’ia jepte
këtë lajm familjes. Për babain dhe nënën plakë, ky çast i shkurtër me merak iu
duk kohë e gjatë, ishte e para herë që e shihnin birin e tyre të dashur në
merak e të vrenjtur. Më në fund djaloshi mblodhi veten ngriti kryet dhe mori
fjalën:
-“Nënë e dashur, kur isha i vogël më
kallëzoje ngjarje trimërie të myslimanëve në ditët e Profetit; hoqën mundime të
mëdha por nuk doli kurrë ndonjë herë ankim nga goja e tyre. Ishte dëshira e
vullneti i Zotit dhe gëzimi i tyre më i madh varej nga të nënshtruarit te ky
vullnet. U desh t’u bënin ballë rreziqeve më të mëdha por kurrë nuk u
frikësuan, ishte vullneti i Allahut, në fushë të betejës bënë vepra të mëdha
sakrifice e trimërie, kur i thërriste detyra hidheshin mu në kthetrat e
vdekjes, rreziku dhe vdekja vetë ishin për ata dera që i çonte në parajsë, a
nuk m’i kallëzoje të gjithë këto nënë e dashur”?
Duke
vazhduar djaloshi të fliste për rreziqe, vdekje e guxim, prindërit e dëgjonin
pa shpirt në vete; meraku i tyre i kaloi kufijtë. Me sy të ngulur te djali
dridheshin duke u shkuar ndërmend lloj-lloj pandehmash. “Çfarë do të na thotë,
- thoshin me vete”.
-“Kështu
nënë e dashur- vazhdoi djali, - gjithmonë më ke treguar sa trima ishin
baballarët e nënat myslimane; kur i thërriste detyra, i shtynin e i bënin burra
bijtë e tyre të dashur për t’u qëndruar trimërisht rreziqeve. U thonin: detyra
ose vdekja, do të ishte motoja e tyre në jetë. Tani dëgjoni! Ka ardhur koha që
të shijohet e të vihet në praktikë durimi e kurajua Islame. Kini guxim se do
t’ua kallëzoj...”
Prindërit
u përgatitën, për ngjarjen më tragjike, duke e siguruar të birin ta thoshte
lajmin sidoqë të ishte duke iu zotuar se do të ishin të vlefshëm për traditat
Islame. Djaloshi atëhere filloi t’ua tregojë krejt ngjarjen, si iu vra deveja
prej kopshtarit kur ishte duke fjetur në oaz, si u zemërua, iu turbullua mendja
dhe e mbyti plakun duke e lënë të vdekur, si e morrën në gjykatoren e kalifit,
si u gjykua, si u dënua me vdekje, si iu lut kalifes ta lejonte të vinte në
shtëpi për të larë borxhet; si pat qenë lejuar me garant dhe se si iu bë garant
një i huaj duke i zënë besë vetëm me fjalën e nderit të tij. “Tani jam këtu”-
vazhdoi -“por jo si një bir shtëpie të jetoj nën këtë çati të vjetër e të
dashur dhe të marr pjesë në gëzime e hidhërime tuajat, por kam ardhur t’u bëj
nderimet e fundit dhe pas pak orësh t’u them lamtumirë. U dërgoni lajm jahudive
që u kam të holla borxh, duhet të shpejtoj; kam leje vetëm sa të laj llogaritë
dhe të kthehem në kohën e caktuar për ekzekutim”. Si mbaroi djaloshi, prindërit
mbetën pa mend e pa gojë sikur u ra vetëtima; lotët u shkonin rrëke faqeve të
rrudhura nga pleqëria, për një copë herë erdhën në vete. “Allahu të qoftë
mbrojtës” thotë nëna. “Ç’është shkruar, është shkruar, ti duhet të mbash
fjalën, mos e dhëntë Zoti që të thonë që i biri i një nëne myslimane s’i
qëndroi besnik fjalës së dhënë për të shpëtuar jetën”.
Erdhën
menjëherë huadhënësit jahudi, përgjithësisht këta para-dhënës janë të zhveshur
nga ndjenjat njerëzore. Tashti që morën vesh se djaloshi kishte vetëm pak orë
për të larë llogaritë, gjetën rastin dhe mendonin për të marrë më tepër të
holla. Djali s’kishte të holla, do t’u jipte vetëm plaçkë dhe këta njerëz të
pashpirt do ta ndanin vetë çmimin e plaçkës. E ndanë me një çmim shumë të ulët,
më pak se gjysma e çmimit që shiteshin në treg. Borxhi duhej të paguhej atje
dhe aty në kohë. Shumë nga pasuria e djaloshit iu dorëzua kreditorëve.
S’kishte
ardhur akoma ora më pikëlluese, ora e ndarjes. Deveja iu bë gati; djaloshi
duhej t’i thoshte lamtumirë për jetë shtëpisë së ëmbël dhe të ikte. Nuk ishte
punë e kollajtë të ndahej për jetë midis psherëtimave, lotëve dhe të puthurave.
Prindërit e përqafuan birin e tyre të shtrenjtë njëri pas tjetrit. E shoqja,
një nuse e re u bë si e vdekur, kur burri i dashur, shoku i ëmbël i jetës së
saj iu drejtua të takohej, ra përtokë pa mend e pa gojë. Flokët e saj të bukura
iu derdhën në pluhur, djaloshi i shkoi pranë dhe e përqafoi, deri këtu bëri
kurajë; por kur iu kthye foshnjave të dashura e të vogla që i rrinin pranë të
habitur prej kësaj, vendimi i hekurt i tij dukej se po i thyhej; ndenji midis
tyre duke i përqafuar nxehtësisht dhe duke i puthur secilin.
“Baba”,
- thirri më i madhi i të treve, -“a mos vdiq mëma? Me kë do rrimë neve? Të
lutem mos shko”! Të dy më të vegjlit iu varën për gjunjësh kur po ngrihej.
“Baba do të vijmë edhe ne me ty,”- filluan të bërtasin.
Menjëherë
guximi i djalit dukej se po humbiste, pamja e këtyre fëmijëve të ëmbël e të
vegjël që mendonin se edhe nëna u vdiq edhe babai ishte duke i lënë, e
shqetësoi pa masë. Nuk kishte ndonjë polici aty afër. Vetëm një fjalë nderi e
kishte lidhur. Përveç kësaj duke banuar në zemër të shkretëtirës nuk do të ishte
punë e kollajtë që të binte në thonjtë e ligjit: Pse për një fjalë nderi të
vetme ta prishte gëzimin e lumturinë e krejt fëmijëve për jetë! Pse t’i thyente
këto zemra të njoma? Ai ishte fajtor nuk ishin ato. Pse t’i linte në fatin e
vajtueshëm të jetimllëkut? Duke u menduar me vete për një çast iu duk që mishi
po merrte fuqinë mbi shpirtin, çasti i fundit kishte ardhur: Që të ishte në
kohë për ekzekutimin duhej t’i hipte devesë e të vraponte. Në këtë çast, më të
hidhurin e jetës së tij, djaloshi qëndronte i humbur në mendime se ç‘udhë të
merrte.
Nderi
e thërriste të kthehej për ekzekutim, dashuria e prindërve e të shoqes dhe e
fëmijëve e mbante në vend. Kishte një kundërshtim të rreptë në vetvete,
kundërshtim midis mishit e shpirtit; ky kundërshtim vazhdoi për një çast të
shkurtër, përsëri nxori kokë ndjenja myslimane e nderit. “Të mos iu shmangi
prej rrugës së Zotit as pasuria as fëmija juaj”, i tingëlloi në veshë zëri i
prekshëm i Kuranit dhe menjëherë e zgjodhi rrugën.
Për
Myslimanin fjala e tij e nderit duhet të jetë më shumë se nëna, baba, gruaja
dhe fëmijët e tij. Midis lotëve dhe britmave, ia hypi devesë dhe u nis për
Medine dhe në vdekjen e tij. Të dashurit e ndoqën nga mbrapa duke qarë dhe e
vështruan me pikëllim derisa u humbi nga sytë.
Djali
vraponte me sa kishte fuqi për në Medine dhe ekzekutimin e vet, po, do të
shkonte për të dhënë jetën! Me të vërtetë është një gjë e çuditshme, por kështu
e ka Myslimani fjalën e nderit. Kur ta japi një herë fjalën kurrë nuk e kthen
edhe sikur t’i kushtojë me jetën e tij. Historia Islame është plot me zotime të
mbajtura nën rrethana të vështira. Djaloshi, një Mysliman i vlefshëm veproi
sipas këtyre traditave fisnike të Fesë Islame. Vdekja i qëndronte mu në ballë,
por nuk e meriton një ndjekës i Profetit të madh të bëjë batakçillëqe e ta hajë
fjalën e dhënë. Vrapoi pa u ndalur drejt kryeqytetit. Megjithëkëtë vrap i doli
një pengesë dhe ndaloi në rrugë se ju prishën yzengjitë dhe iu desh të zbriste
pranë një katundi t’i çonte për të ndrequr. Kjo e vonoi ca, ora e caktuar e
ekzekutimit erdhi dhe ky ishte akoma në rrugë.
Brenda
këtyre çasteve në Medine kishte një shqetësim e një përshtypje të thellë.
Populli ishte mbledhur në xhami, edhe Ebu Dher Gafari, garanti ishte atje; në
çdo moment pritej të kthehej djaloshi. Koha e caktuar për ekzekutim erdhi e
kaloi, po djaloshi s’po kthehej. Kjo i shtiu në merak për Ebu Dherin, jeta e të
cilit tashti ishte në pikëpyetje; u shkonin lloj-lloj mendimesh nëpër mend,
pandehnin se mos i gënjeu djaloshi:
Secili
po thoshte; i gjori Ebu Dher, do të vdesë për hiçgjë.
Ebu
Dheri për vete ishte i qetë e s’tronditej aspak. “Ç’është shkruar, është
shkruar”, - thoshte. -“Myslimani duhet t’i shtrohet me gëzim urdhrit të Zotit,
është vullneti i Zotit që të vdes, jam gati për të”.
E
vetmja gjë që kërkoi Ebu Dheri, ishte që të lejohej të falte namazin e fundit
më parë se ta linte këtë jetë. Mori abdes dhe u fal, më pas u bë gati për t’u
ekzekutuar, për të vdekur. Kur u bë gati ekzekutimi, po shihej për së largu një
gjë që lëvizte dhe një pluhur i ngritur. “Pritni, pritni, - urdhëroi kalifi kur
ekzekutuesi ishte gati ta kryente atë veprim tragjik. -Pritni mbase është
djaloshi”.
Ekzekutuesi
e mbajti dorën, krejt sytë e turmës ishin kthyer drejt gjësë që po u afrohej;
pikësëpari ishte e errët dhe e padallueshme, si u afrua më tepër e shtoi
shpresën e turmës kureshtare. U duk që ishte njeri i hipur në deve që ecte me
të katra; fytyra e njeriut dalëngadalë po vinte duke u dalluar mirë e më mirë.
Një kënaqësi e pamasë u ndje prej të gjithë atyre që u ndodhën, njeriu që po
vinte ishte djaloshi i dënuar me vdekje. E gjithë turma u gëzua dhe nga të
gjitha anët po e uronin Ebu Dherin.
Porsa
hyri në derë të xhamisë: Hidhërohem tepër,- thotë. - S’munda të arrij tamam në
kohë dhe u lashë të prisnit gjatë, veçanërisht më duhet t’i kërkoj falje
mirëbërësit tim të panjohur që u bë garant duke rrezikuar jetën e tij; do të
ketë qenë në merak por s’pata se ç’të bëj.- më në fund shpjegoi çka e kishte
ndaluar rrugës.
Secili
po admironte si ndjenjën e nderit të djaloshit gjithashtu edhe shpirtin e
vetësakrificës së Ebu Dherit. Edhe kalifi u prek thellë dhe e lejoi djalin të
çlodhej pak përpara se të përgatitej për t’u vënë në litar. Si u ulën në xhami
djaloshi, Ebu Dheri, të bijtë e plakut të vrarë, kalifi Omer me turmën e
kureshtarëve; Kalifi e pyet Ebu Dherin në këtë mënyrë:
-“Ebu
Dher! Ç’të shtyu të vesh jetën në rrezik për hatër të këtij djaloshi! -Emirul Muminin,- përgjigjet shoku i madh i
Profetit, -kur djaloshi i hodhi një sy grumbullit të myslimanëve dhe shikonte
me habi nëse do t’i vinte kush në ndihmë e të bëhej garant për atë apo jo, më
mundi turpi që ndjeva se s’ka përkrahje një vëlla mysliman dhe ta shohë veten
si të huaj në një grumbull myslimanësh; thashë me vete, mos e dhëntë Zoti të
thonë njerëzia se mësimi Islam që të gjithë myslimanët janë vëllezër është një
lajkë me fjalë të thata dhe që në kohë mjerimi e nevoje një Mysliman nuk i vjen
në ndihmë tjetrit. Le të bëhet ç’të dojë, emri i bukur e i mirë i fesë Islame
nuk duhet të njolloset dhe u bëra garant për të”.
Të
gjithë u prekën prej këtyre fjalëve, më pas Kalifi iu kthye djaloshit: “Ç’të
shtyu o djalë, të kthehesh për t’u dënuar me vdekje?
“Emirul
Muminin,”- përgjigjet djaloshi. -“Nuk ishte aq e kollajtë për mua kjo punë,
pengime e prirje të mëdha pata në rrugë. Shtëpia ime është në zemër të
shkretëtirës, në një vend të paditur, ku s’mund të hyjë me lehtësi dora e
drejtësisë, s’kishte kërkend aty afër të më shtrëngonte të vija këtu. Pastaj,
para meje kisha fytyrat e plakura e të dashura të nënës e të babait të mbuluara
nga lotët si rrëke, kur po shkoja gruaja ime e dashur ra përtokë, pa mend e pa
gojë duke menduar të ndarit për jetë. Tre fëmijët e njomë m’u varën nëpër këmbë
duke thirrur “babi, babi”! Nuk ishte aq e lehtë të ndaheshe prej atyre zemrave
të dashura! Kurdoherë që mishi te mua bëhej gati pothuaj të merrte fuqinë mbi
shpirtin, thosha me vete: Ç’do të thonë njerëzia për këtë? Një mysliman nuk e
mbajti fjalën e nderit! Mos e dhëntë Zoti që t’i hidhet një njollë nga unë
emrit të fesë Islame, vendosa dhe midis lotëve e britmave të më të dashurve të
mi e ia hipa devesë”.
Njerëzit
që po e dëgjonin u prekën e u tronditën në kulm, edhe një herë po admironin pa
masë ndjenjën e detyrës të djaloshit; ishte një atmosferë e plotë islame, e
cila nuk i la pa i prekur thellësisht edhe të bijtë e kopshtarit të vrarë.
“Emirul Muminin”- folën të dy ankuesit.-“Ky djali këtu ka vrarë babanë tonë dhe
neve jemi munduar me çdo mënyrë ta dënojmë. Po tani na duket se me hakmarrjen e
vdekjes së babait, mohojmë e lemë pas dore parimin më të lartë të fesë Islame. FALJEN. Me të vërtetë është e lejuar
t’ia bësh tjetrit atë që të bën, por më e mira në sy të Zotit është që ta
falësh fyesin, fajtorin. Të mos thonë që dy bij të fesë Islame nuk patën aq
zemër sa të falnin e të harronin. Emrit të fesë Islame nuk duhet t’i hidhet
njollë: Ne, po e falim djaloshin”. “Allahu Ekber”- u lartësuan thirrjet e
entuziazmit nga grumbulli, dhe të gjithë u gëzuan që gjithçka përfundoi mirë.
Përk.
Hasan Kallarati
Marrë
nga libri: “Golden Deeds of Islam”, “Bëmat e Arta të Islamit”
Comments
Post a Comment