Fjala e Lamtumirës e Profetit Muhamed alejhi selam
Fjala e Lamtumirës e Profetit Muhamed
alejhi selam në Malin e Arafatit gjatë Haxhit të fundit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
O njerëz, dëgjoni se çfarë do t’ju them, se nuk e di a do t’ju takoj më në
këtë vend pas këtij viti!
O njerëz, frikësojuni Zotit dhe respektojeni
atë, bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo
është dita e kurbaneve në emër të Allahut. Vërtet, gjaku, nderi dhe pasuria
janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e
shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.
Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit. Njeriu është vepër
madhështore e Allahut. Mjerë ai që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së
Tij!
O njerëz, ju sigurisht do t’i ktheheni Allahut të Madhëruar dhe Ai do t’ju
thërrasë të përgjigjeni për veprat dhe punën tuaj. O besimtarë, dijeni se ka
përfunduar koha e mosdijes dhe e traditave të këqija, të cilat i kanë sjellë aq
fatkeqësi gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e shpëtimit, drejt së
cilës duhet ecur. Sendet që iu janë dhënë amanet, ruajini si të ishin tuajat
dhe kthejani ato besnikërisht dhe me kohë atij që i përkasin. Gjakmarrja është
e ndaluar. Të gjitha akuzat e këtilla, të cilat rrjedhin nga koha e injorancës,
anulohen. Akuza e parë, e cila anulohet është është gjakmarrja e ungjit tim,
Ibn Abdul-mutalibit, të cilin të pafajshëm e vranë njerëzit nga fisi Hudhejl.
Kjo gjakmarrje le të harrohet dhe të gjitha të tjerat në të ardhmen le të
falen. Kamata është e ndaluar. Huadhënësi duhet të marrë nga huamarrësi vetëm
atë që vërtet ia ka huajtur. Huatë e para që i nënshtrohen këti vendimi, janë
huatë e ungjit tim, Abasit, që ka pasur mjaft borxhlinj. O besimtarë, ua falni
kamatat borxhlinjve! Dëgjojeni këshillën time dhe pasuria juaj do të shtohet,
sepse ju mbetet kryegjëja për tregti dhe punë të ndershme. Nëse këtë nuk e
bëni, dijeni se e keni zemëruar shumë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nëse
borxhliu juaj është në vështirësi, shtyjani afatin e pagimit; ndërsa, nëse mund
t’ia falni borxhin, atëherë kjo është edhe më e mirë për ju. O besimtarë! O
njerëz! Frikësojuni Ditës, e cila vërtet do të vijë, kur të gjithë do të
paraqiteni para Allahut, Gjykatësit të Vetëm Suprem, Ditën kur pret drejtësia
absolute! Kur të keni një borxh, paguajeni në kohë dhe kur ta bëni
marrëveshjen, bëjeni atë me shkrim, saktë dhe theksojeni besnikërisht afatin e
pagesës...
O ju që do të vdisni! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin, Krijuesin e materies dhe
asaj që është shpirtërore, Atë që krijoi mashkullin dhe femrën, prej të cilëve
u zhvillua u zhvillua e tërë gjinia njerëzore! Frikësojuni Allahut, që nën
ndihmën, prehjen dhe mëshirën e Tij jemi të udhëzuar! Ne jemi të vdekshëm dhe
në çdo çast jemi më afër vdekjes dhe takimit me të, me Allahun e Madhëruar,
Gjykatësin e Drejtë. Respektojeni farefisninë. Përmbushni besnikërisht detyrat
dhe detyrimet ndërmjet burrit dhe gruas, si dhe ndërmjet prindërve dhe
fëmijëve! Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe xhelozia.
Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë gjynah i rëndë, ndërsa xhelozia
sjell përçarje në martesë. Martohuni me ato, të cilat i doni, e kur Zoti me
vullnetin e vet do t’ju bashkojë, atëherë respektoni dhe duajeni njëri-tjetrin
dhe jetoni në dashuri e harmoni. O bashkëshortë, silluni ndaj grave tuaja me shumë
mirësi dhe dashuri! O besimtarë, largojuni ngatërresave dhe përgojimit!
Le të jenë të mallkuar në të dy botët ata që u bëjnë shpifje grave të
ndershme! Ata që i akuzojnë gratë e ndershme për tradhti në martesë ose për
imoralitet, e për këtë nuk mund të sjellin katër dëshmitarë të besueshëm,
dënojini me tetëdhjetë goditje (shkopinj) dhe mos u besoni më asnjëherë, sepse
janë të ulët dhe të këqij! Nëse ndjeni se ndaj grave tuaja ju është dobësuar
dashuria, mos nxitoni (në shkurorëzim), por mendoni mirë, sepse Allahu
nëpërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugët e së ardhmes së re dhe të madhe,
me të cilën dëshiron t’ju përgëzojë. Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të
arsyeshme, sepse prej të gjitha gjërave që Allahu ka lejuar, më së tepërmi
urren shkurorëzimin.
Gratë tuaja janë dorëzuar në besë të Zotit; pra, respektojeni o besimtarë
atë amanet të Zotit! O njerëz, sot Djalli i mallkuar është i dëshpëruar, sepse
ka pësuar humbje dhe nuk mundet më të ndikojë te ju. Megjithatë, gjithnjë
bëhuni të kujdesshëm, që ai i mallkuar të mos ju largojë as në gjërat më të
vogla!
O besimtarë, kur e caktoni dhe e ndani ndërmjet vetes trashëgiminë, bëhuni
të drejtë dhe përmbajuni Librit të Zotit. Ruajeni pasurinë e të miturve, të
paaftëve dhe të të marrëve. Zoti gjithkujt ia ka dhënë të drejtën e vet,
prandaj nuk ka nevojë t’u lihet trashëgimtarëve testament, ndërsa si testament
mund të lihet nje e treta e pasurisë. Fëmija i takon atij, në shtratin e të
cilit është lindur. Kush pohon se i takon tjetërkujt përveç prindit, atë do ta
zërë mallkimi i Zotit. Nuk i lejohet gruas të japë diçka nga pasuria e burrit
të vet pa lejen e tij. Borxhi duhet paguar, ndërsa sendi i huajtur duhet
kthyer. Dhurata duhet kthyer me dhuratë. Kush hyn dorëzanë për dikë, detyrohet
me përgjegjësi për dorëzani. Me robërit dhe shërbëtorët silluni njerëzisht.
Ushqejini ata sikurse ushqeheni vetë dhe vishini ata sikurse visheni vetë. Mos
guxoni t’u bëni keq e as t’i keqtrajtoni. Edhe ata janë njerëz, edhe ata janë
shërbëtorë të Zotit.
O besimtarë, dijeni dhe mos harroni, se të gjithë myslimanët janë vëllezër.
Ju jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe detyra. Arabi ndaj joarabit
nuk ka kurrfarë përparësie e kjo vlen edhe për të ziun ndaj të kuqit dhe për të
kuqin ndaj të ziut, përveç në devotshmëri. Të gjithë ju jeni pasardhësit e
Ademit, ndërsa Ademi e ka prejardhjen nga dheu.
O myslimanë, kujdesuni për njëri-tjetrin, duajeni njëri-tjetrin dhe
ndihmojeni njëri-tjetrin! Mos guxoni të fyeni njëri-tjetrin e t’i grabitni
diçka njëri-tjetrit. Ky është gjynah i rëndë. Merrni vetëm atë që ju jepet me
dëshirë! Respektojeni pacenueshmërinë e pasurive tuaja, derisa të jeni në
frymën e ligjeve të Zotit. Islami dhe interesi i përgjithshëm le të jetë mbi ju
dhe mbi interesin tuaj! Përkushtojani Islamit jetën tuaj dhe në punën për
Islamin jepni prej vetes gjithçka që mundeni. Kurrë mos e shkelni të drejtën
dhe nderin e tjetrit! Mos i bëni dhunë vetes! Mos harroni se mëshira është një
ndër themelet e Islamit.
O njerëz, dëgjoni se ç’po ju them dhe mbajeni mend mirë! Po ju lë librin e
Zotit, Kuranin, i cili, nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e
humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësisë dhe të Vërtetës. Kurani është libër
i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e Allahut dhe fjalën e Tij, në
vërtetësinë e të cilit nuk ka dyshim. Para vetes i keni tërë jetën time, fjalët
dhe veprat e mia, gjithçka që kam folur dhe punuar, jam përpjekur të jetë në
përputhje të plotë me urdhërat e Allahut. Ju, vërtet nuk do të gaboni, nëse i
përmbaheni Kuranit (Librit të Zotit) dhe Synetit (traditës sime). O njerëz, pas
meje nuk do të vijë më i Dërguar tjetër nga Zoti dhe pas jush populli nuk do të
ketë më Pejgamber! Pra, bëni ibadet dhe adhuroni Zotin; falni pesë namazet në
kohë; agjëroni muajin e Ramazanit; jepeni Zekatin me plot zemër e të kënaqur;
kryejeni Haxhin; dhe zbatoni urdhrat e sundimtarëve tuaj! Kështu do të hyni në
Xhenetin e Zotit tuaj!
O besimtarë, thoni gjithnjë të vërtetën e pastër. Asnjëherë të mos u
largojë urrejtja nga rruga e drejtë. Drejtësia është motra e devotshmërisë.
Frikësojuni Allahut, se AI i sheh veprimet tuaja! O njerëz, e dëgjuat porosinë
time. Atëhere futeni atë në zemrën tuaj! Të gjithë ata që i dëgjuan fjalët e
mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, se ndodh që ata i kuptojnë
më mirë. O Zoti im, a e përmbusha detyrën dhe misionin e besuar?
Rreth njëqind e dyzet mijë haxhinj brohoritën njëzëri: “O i Dërguari i
Zotit, ti e përmbushe misionin tënd besnikërisht dhe na e komunikove atë që të
urdhëroi Zoti...”
Atëherë Muhamedi tha: “O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!” Atë
ditë atij iu shpall ajeti nga Zoti i Madhëruar: “Sot kam përsosur fenë tuaj,
plotësova dhuntinë time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja
juaj.” (Maide 3).
Comments
Post a Comment