Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit
Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit
Kundërshtimi, kompozitat, fonostilistika
Këto janë vargje të
romancës “Kur shtrohet vala” dhe pas i ke dëgjuar arrin në përfundimin, që ajo
është një perlë e Lasgushit, poetit lirik më të madh shqiptar të shekullit të
kaluar. Krijimtaria e tij e dendur poetike nis rreth viteve ’20-të të shekullit
të shkuar dhe kulmon vetëm me botimin e dy librave me poezi gjatë periudhës
1920-1940 dhe të poezive që u botuan në shtypin e kohës. Dy përmbledhjet që e
bënë atë të famshëm janë “Vallja e Yjve” dhe “Ylli i Zemrës”. Krijimtaria e tij
pas vitit 1944 nuk themi se ndërpritet, porse atij i duhet që të merret me
përkthime për të nxjerrë jetesën. Ndoshta dy libra do t’i dukeshin pak
gjithkujt për një poet të tillë kalibri, por ai vetë si Lasgush ishte i
mendimit që një poeti gjenial i mjaftojnë vetëm dy libra me poezi dhe asnjë më
tepër.
I bindur për
bukurinë e poezisë së tij, gjë të cilën nuk e vuri kurrë në dyshim, ajo është
një poezi e shkruar dhe e rishkruar, e përpunuar disa herë. Kjo mënyrë pune
vërehet tek libri “Ylli i Zemrës”, ku disa poezi gjenden në disa variante, si
dhe mund të shihet një faksimile e dorëshkrimit të poezisë “Naim Frashërit”, ku
dallohet qartë se ajo është përpunuar shumë herë nga prishjet dhe vizat që ka bërë.
Për botimin e këtyre dy librave pati përkrahjen e fuqishme të mikut të tij
Mitrush Kuteli. Njëkohësisht ai pati edhe një kundërshtim të fortë nga ana e
kritikës së kohës, sidomos nga Krist Maloki, që për të thënë të vërtetën ai nuk
i kurseu kritikat e tij të hidhura edhe për shumë të tjerë, me një shkrim
kontestues kritik në faqet e revistës “Përpjekja Shqiptare” 1938. në faqet e
shkrimit të tij Maloki e sulmon ashpër Lasgushin me tirada të gjata
teoriko-estetike, duke marrë si shembull poezinë kushtuar Asdrenit, që duke i
bërë zëvendësime asaj, ia ndryshon kuptimin dhe prej nga vinte në përfundimin
që Lasgush Poradeci nuk ishte poet. E çuditshme kjo?!...
Por duke se më
tepër Maloki shpalos dijenitë e tij teoriko-estetike se sa argumenton atë që do
të mbrojë, dhe njëkohësisht mund të themi me plot gojën se në poezinë e rimuar
dhe brenda të gjitha rregullave të metrit poetik, fjalët mund të zëvendësohen
dhe për pasojë kuptimi i saj të ndryshojë. Kjo gjë ka ndodhur rëndom edhe për
efekte humori me këngë popullore apo edhe me këngë të autorëve të caktuar. Dhe
ky që e sulmon është bashkënxënës i tij, e një intelektual i kompletuar, që
edhe sikur mos ta dini se kush është, mjaft që ta lexoni këtë shkrim në faqet e
revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kurse Kudret Kokoshi,
e cilëson si një “bilbil” që nuk na prish punë, prandaj le ta lejmë të këndojë,
dhe kështu duke e nënvleftësuar atë po ashtu si edhe disa të tjerë që i
përkasin asaj periudhe. Mitrush Kuteli merr përsipër mbrojtjen e tij po në
faqet e revistës “Përpjekja Shqiptare” me “Fjalën e Editorit”, e botuar edhe si
pasthënie tek “Ylli i Zemrës”.
Ngrihet pyetja,
përse u kontestua kaq fort?!... Përse ky poet që t’i prek telat e zemrës, nuk u
pranua si i tillë? Si gjithmonë,... nuk ka vetëm një arsye! Unë do të mundohem
të jap disa, por për arsye konteksti njërën do ta lej jashtë këtij emisioni për
ta trajtuar dhe ndaluar më gjatë në emisionin pasardhës. Temat e poezisë janë
të pakta dhe ato më të trajtuarat janë: dashuria, koha vdekja. Këto tema
gjithashtu i gjejmë edhe te Poradeci, ku edhe zejnë një vend të rëndësishëm. Po
ashtu kemi poezinë peizazhike, si dhe një cikël prej katër poezish në frymë
popullore kushtuar çështjes kombëtare e titulluar “Rapsodi Popullore”.
Shumë pak, kanë
menduar ata. Në një kohë kur Çështja Kombëtare nuk është zgjidhur akoma dhe
viti i Shpalljes së Pavarësisë nuk ishte larg, ku kudo mbizotëronte fryma e
bashkimit kombëtar dhe e një qëndrimi militantist ndaj saj. Lasgushi merret më
tepër dhe seriozisht me poezinë erotike dhe atë filozofike. Qetësisht me atë që
i vrullon në shpirt, duke përdorur një gjuhë të re, ndoshta të padëgjuar më
parë dhe që e shtyn Eqerem Çabejin të thotë për poezinë e Poradecit, që sjell
një “frison neuf”, një drithmë të re.
Ata nuk mund t’ia
falnin edhe atë mendjemadhësi të theksuar, ku megjithatë na duhet ta pranojmë,
se një poet i vërtetë krijon përherë kundërshtime dhe jo menjëherë të
lavdërohet.
Pra, është diçka
normale ajo që i ndodhi dhe dashur, pa dashur i bëri reklamë punës së tij,
megjithëse ajo ishte negative. Le të vazhdojmë më tej rrugën që nisëm. Poezia
filozofike është shpirti i krijimit të tij; fjalën e cilëson si: verb
Perëndije, verb i larë në ar. Siç e ka nxjerrë në pah edhe Aurrel Plasari
në esenë e tij “Princ i Princërve”, Poradeci qe’ një njohës i mirëfilltë i
Rigvedave, librave të shenjtë indianë. Njëkohësisht e njihte shumë mirë
filozofinë romantike dhe mund të themi se ndjenja e dashurisë së tij ngjitet në
thellësinë e kohërave dhe jetërsohet në idenë e purushaut dhe prakrtit (filli
mashkullor dhe femëror) që ekzistonin para krijimit të njeriut sipas ideve
primitive të Rigvedave indiane. E përforcon këtë ide edhe ripërdorimi i shumë
fjalëve të vjetra, të marra dhe të rikrijuara prej tij.
Po të vihet re’ me
kujdes, në të gjitha poezitë dashurore nuk kemi të bëjmë me një person që i
këndon thjesht dashurisë, por gjithnjë i referohet çiftit, dmth, krijimit të
një jete të ardhme, familjes së re, sepse pa këto elemente, të dashurisë, të
çiftit dhe të familjes nuk mund të krijohet jeta.
E kundërta ndodh me
poezinë filozofike. Aty gjindet vetë Lasgushime meditimet e tij dhe mënyra se
si ai i përjeton ato. Me një vetëdije të plotë të një njeriu jo të zakonshëm,
ai krijon “Gjeniun e anijes”, një parathënie e jetës së tij të vështirë deri në
çastin kur fryma do t’i shkëputej nga trupi, t’i dorëzohej Zotit.
E morti fatkeq në
më çiku
M’u desh
tmerrësisht të fundas
Aspak nuk më thyen
rreziku
Po nis e përmbysem
me gas
Ja, kështu kemi
këtë strofë domethënëse. A thua e dinte ai se do të vinte një ditë, që pa vdekur
akoma ai do ta dinin për të vdekur, dhe zhurma që shkaktoi vdekja e tij, ishte
më tepër për këtë fakt dhe jo për ndonjë gjë tjetër. Pas vitit 1944,
veprimtaria e tij krijuese u pakësua ndjeshëm, për të mos thënë fare, dhe
kryesisht u mor me përkthime, duke kryer një punë kolosale. Nevoja e tij për të
siguruar mjetet e jetesës, u kthye në një të mirë për ne, ai e pasuroi
letërsinë e huaj të përkthyer në shqip me autorë të kalibrit botëror, që nuk po
i përmend se nuk është ky qëllimi.
Njeriu i anijes përjetë,
mbeti kështu duke lënë për trashëgim gjenialitetin e vet për brezat si model
paraprijës. Gjuha që përdor Lasgushi është e folmja e Pogradecit, më se
karakteristike dhe që vihet re fjala vjen në fjalët: gas, liqeri, Shëndaumi,
ergjëndë, dyke etj. Ritëm dhe metrikë e përsosur dhe me një stil mjaft të
përpunuar, e ndikuar ndjeshëm nga gjuha
popullore, po ashtu dhe motivet e saj. Tek “Ylli i Zemrës” madje gjenden dy
cikle të ndërtuara me frymën popullore, për njërin fola pak më sipër “Rapsodi
Popullore”, kurse tjetri titullohet “Vasha dhe Trimi”, ku ndihen elemente të
jetës folkloristike.
Duke munguar
studime të ritmit dhe metrikës shqipe në atë kohë, mendoj se Lasgushi e ka
zgjedhur qëllimisht si model poezinë popullore. Gjuhë fluturake që të hyn fshehtasnë
pejzat e shpirtit dhe të ndriçon në fillim vagëllimthi, e më pas duke u
shkallëzuar ngjitet pa kuptuar. Poezia ishte për të vetë jeta dhe ai nuk iu nda
asaj dhe që u kthye për Lasgushin në kullën e tij të fildishtë. Vazhdojmë më
tej me një nga inovacionet gjuhësore që solli dhe shumë të rëndësishme për
stilin e tij: kompozitat.
Ato janë pjesa më e
fortë e lëndës gjuhësore të krijuar nga Lasgushi; kjo është vënë re dhe
studiuar pjesërisht nga Mitrush Kuteli tek “Fjala e Editorit”, por kalohen
shkarazi, vetëm sa përmenden si mënyra formimi analitiko-sintetike. Mënyra e
formimit të tyre është huajtur prej gjermanishtes, kurse brumi është
ekskluzivisht shqiptar.
Gjithsej në këtë
vepër gjinden 90 kompozita, nga të cilat 30 janë të përdorimit të përditshëm gjuhësor,
si dhe të fondit të letërsisë gojore, bie fjala: hije-letë, zemër-letë,
kot-më-kot; ndërsa 60 të tjerat përbëjnë risinë e poezisë së tij. po ashtu ato
përbëjnë risi edhe për të gjithë poezinë shqipe, që për shumë kohë së cilës i
kishte munguar një poet i tillë, kaq i ndjeshëm. Risitë që solli janë krijimet
e tij më se origjinale dhe përdorimi i tyre është bërë me efikasitet e në
vendin e duhur.
Psh, tek poezia
“Kush të fali bukurinë”, pendë-shkruar e sy-larme gjinden edhe në letërsinë
gojore, madje edhe vargu i fundit është një shprehje popullore e huazuar. Sa
për kompozitat e reja që ai krijoi, mund të themi se ato janë perla gjuhësore
dhe që asnjë poet deri tani nuk e ka marrë guximin të krijojë. Po marrim një
shembull nga poezia “Ah, me atë mall që më ke ti”, kemi kompozitën
“malli-i-djegur-durim-plot”, të cilën po ta ndajmë në dy pjesët kryesore krijon
një përplasje të fortë, një kompozitë antitetike që vështirë se mund të gjendet
në fjalorin poetik të poezisë shqipe.
Përplasja është e
fortë dhe shumë e fuqishme. Le t’i krahasojmë të dy pjesët që secila ka kuptim
të kundërt me tjetrën: malli-i-djegur dhe durim-plot. Pra, kemi
dy cilësime mall dhe durim, që plotësohen nga i djegur dhe
plot. Kështu që sa vjen e plotësohet dora-dorës efekti i përplasjes
nëpërmjet kundërvënies së fjalëve. Edhe mall-i-djegur, edhe durim-plot.
Ndërsa te poezia
“Lamtumirë” V. I, vështrim-bukur-pallua, ai përdor shkallëzimin ngjitës, ose
tek “Përjetësia”, duke bashkërenduar dy emra nxjerr një fjalë të re, me kuptim
më të lartë filozofik, dhe me valenca të fuqishme poetike, si: shteg-bashkimi,
pemë-ëmbëlsi, këngë-llaftari etj; pra, fjalëformimi me kompozita është i
shumëformshëm, si nga ana gjuhësore po ashtu edhe nga ana figurative. Një
karakteristikë e veçantë dhe e re për kohën qe’ përdorimi i shenjave të
pikësimit, bie fjala tek poezia “Poradeci”, ai i përdor pikat e heshtjes
retiçencën, për të krijuar efektin e risonancës, kumbimit, jehonës së vargut;
kështu për t’i dhënë krahë fantazisë, por njëkohësisht edhe për të plotësuar të
pathënën.
Tërë fisi, tërë jeta, ra... u dergj... e zuri gjumi
Zotëroi në katër anë errësira.....
Po tashi:
Dy pikat të
përgatisin për vazhdimin, shtjellimin e peisazhit. Ai përdor edhe vizën ndarëse
midis fjalëve, si te të gjithë kompozitat, por edhe në raste të tjera, bie
fjala, Ri vasha largë Zot. Siç mund të kuptohet, ai e ka përdorur vizën ndarëse
për të shmangur dukurinë e elizionit dhe aty ku kadashur e ka lënë të veprojë.
Pra, me këtë larmi elementësh, ai i jep një tharm krejt të veçantë gjuhës së
tij poetike, duke e pajisur atë me elegancë dhe larushi ngjyrash. Nga ky
vështrim dhe nga një përllogaritje matematike e bërë në përmbledhjen “Ylli i
Zemrës”, i përbërë nga 67 poezi, në 42 të tilla gjinden kompozita, që do të
thotë në më shumë se 2/3 e kësaj përmbledhjeje.
Të gjitha këto që i
përmenda më sipër, i bëjnë edhe një lloj parapërgatitjeje për ato që do të
përmend në vijim. Nga romanca “Kur shtrohet vala”, do të merrem më tepër me 3
strofa, të parën dhe dy të fundit. Karakteristikë e të folmes së Pogradecit
është mungesa në të folur e fonemës rr, gjë të cilën poeti e ka
shfrytëzuar me sukses. Tek strofa e parë bashkëtingëlloret r, l
dhe ll na japin idenë e zhumhurit, të gurgullimës jetësore. Këtu
shumë qartazi mund të vihet re se mungon rr-ja e fortë, e
pothuajse fare në të gjithë poezitë e tjera.
Lasgushi thotë na
ritej dhe jo na rritej, kjo për të mos shkaktuar një zhurmë të
tepruar brenda vargut. Kështu që kjo romancë nuk mund të recitohet ndryshe
vetëm se me një zë të ëmbël, ton të ulët dhe ritëm të ngadalësuar. Kurse
bashkëtingëllorja sh që është e ndjeshme në të gjithë gamën e
fjalorit të Poradecit, na jep ndjenjën e afshit, shushurimës, misterit, flladit
poetik, psh: fashe-fashe, levorashe, dashuria, fshehtësi etj. Kemi të bëjmë me
një përzierje tingujsh të përgatitur me kujdes dhe në proporcione të drejta që
na kujton poetin e madh francez Pol Vërlen.
Tek strofa e
parafundit dëgjohet qartë troku, që brenda teje rritet malli e vjen si lëmsh
duke u ngjitur; po ashtu në këto strofa të fundit kemi një si lojë fjalësh dhe
njëkohësisht alternimin tingullor me atë leksiko-gramatikor. Në vargun e parë
kemi atë që quhet par exclusion, përjashtimin.
Dmth, poeti e
përjashton çiftin nga kjo lojë dhe në vargun e dytë i referohet dashurisë së
vërtetë, duke e ngritur në një shkallë më të lartë dhe menjëherë vendos shenjën
e barazimit, nivelit të njëjtë për rastin, një dashuri – një fshehtësi, dhe
prapë e ngren një shkallë më lart, duke e mbyllur: M’e fshehur sesa
fshehtësija.
Roald A. HYSA
Comments
Post a Comment