HAFIZ DËRGUTI DHE BESIMI NË ZOTIN NJË E TË PASHOQ



HAFIZ DËRGUTI DHE BESIMI NË ZOTIN NJË E TË PASHOQ
hafiz Musa Derguti (1888-1961)

Për të treguar besimin e thellë e optimizmin e Hafiz Dërgutit citojmë një fragment nga një shkrim i një ish-të dënuari politik gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri, Beqir Ajazi: "Një herë më doli gjumi shume herët. Sipas ndërrimit të rojeve, kuptova se ishte ora 3 pas mesnate. U mërzita mjaft, se e dija që me t'u zgjuar një herë, gjumi arratisej përfundimisht prej meje dhe ua linte vendin brengave e dhembjeve, që s'kish melhem që t'i zbuste. Në këtë kohë vura re se Hafizi i kish hapur sytë. I shkrirë i tëri në hallet e mija, unë e harrova për një çast respektin i detyrohesha dhe kështu guxova dhe i thashë:
- Efendi, a thua vallë, se nuk pati Zot fare dhe ne e humbëm jetën ashtu kot së koti, duke i dhënë rast komunizmit të na hajë për mish pëllumbi?
Me këtë pyetje unë nuk prisja nga ai ndonjë leksion teologjik, por donja vetëm njëfarë ngushëllimi, sa për të qetësuar pak shpirtin tim të sfilitur. E pashë që ai u nevrikos me mua, ngriti kokën nga jastëku dhe me ata sy që i shndrisnin fort, duke e ngritur gishtin tregues në formë kërcënimi, filloi të më fliste me zemërim:
- A e di ti sa vjeç jam? Sa vjet burg kam bërë dhe sa me kane mbetur për të bërë? Po, a ta merr mendja ty se me të vërtetë Hafiz Musai i plotëson edhe të gjitha këto vjet dhe del e shkon në shtëpi i gjallë?
- Jo, ne te vërtetë jo.
- E pra shiko këtu, verja veshin mirë këtyre fjalëve, se nuk ke për t’i dëgjuar kurrë prej gojës sime. Në qoftë se Hafiz Musa Dërguti vdes në burg, atëherë rri i qetë e pa kurrfarë frike, se Zot nuk ka fare. Por ama, nëse Musai del prej burgut e shkon e vdes në shtëpi të vet, atëherë te jesh i sigurt se ka një Zot që e rregullon në harmoni të plotë të gjithë rruzullin. Kjo vuajtje që po heqim ne, nuk është tjetër, veçse një shkallë ngritjeje shpirtërore që na çoi Zoti për të na nisur drejt përsosmërisë.
Me të mbaruar këto fjalë, ai e vuri rishtazi kryet në jastëk dhe hyri në atë fazë ku shiheshin vetëm buzët që lëviznin dhe vetëm një Zot e dinte nëse ai po flinte apo i lutej Atij.
Nuk kishin kaluar akoma mirë as dy vjet nga lirimi im prej burgut të Burrelit, kur një dite dikush trokiti në portën e shtëpisë time. lshte postieri që më dorëzoi një telegram. E hapa atë me një farë habie, sepse s'kisha marrë kurrë letër telegram prej askujt, qysh se kisha dalë nga burgu.
- "Hafiz Musai sosi në shtëpi dhe ju pret. Familja."
Nuk mund t'u besonja syve të mij. Më dukej fare e pamundur. Madje, për t'u siguruar se nuk isha ne kllapinë e një ëndrre, ia dhashë dikujt që të ma lexonte ... Vetëm atëherë më ranë në mend fjalët që më kish thënë Musa Dërguti atë natë... Kuptimi i këtij telegrami donte të thoshte: “A e shikon pra, dhe a e kupton provën që të kam dhënë dikur se KA NJË ZOT QË ËSHTË I VETËM E I PASHOQ?”


ALLAHU I LARTËSUAR DHE I MADHËRUAR e nderoi Hafiz Dërgutin duke e nxjerrë gjallë nga burgu i tmerrshëm i komunizmit për ta bërë argument për të gjithë ne, se Allahu i nderon ata që kanë besim të palëkundur tek Allahu Dhul-Xhelali uel Ikram...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit