poezia
Poezi të një mëngjesi të vonuar me një filxhan kafe në dorë
Roald A. Hysa
Lindur në Tiranë. Mbaron gjimnazin “Sami Frashëri” në vitin 1985 dhe vazhdon të lartën për gjuhë-letërsi në vitet 1992-1996. Ka botuar poezi në disa gazeta të përditshme.
* * *
Nesër dua të vij me ty
Pas ngjyrave të flokëve të tu.
Vepër arti rrotull meje
Vjen ti pamëshirë,
Ndjej zemrën tënde
Të rrahi furishëm mbi rrënojat
e artit tim.
Hajde, pra, ulëri vogëlushe
Jepi se dua të të dëgjoj
Me kënaqësinë e të mjeruarit
Që zbret shkallët
Me hidhërimin e këmbëve
Të thyera pas letrave
Të pashkruara për ty.
..............................................
nuk është mjaft për mua
DRITA,
Por buza rrokullisëse
Që më sheh prirtazi
Dhe buzëqesh.
* * *
Pulbardha në stacion
Buzë rrugës
Ftonte detin te hipte
Në qiellin manushaqe.
Pas reve drita fsheh yjet
Dhe drithma fsheh sytë e saj
Kur zemra thotë plas
Se dua të plas
E shishja se dua të derdhem
Në kalldrëmin e shtëpisë
Së mekur përkohësisht.
* * *
Ndriçimi i kandilit
Përshëndet me peshkun në lëvizje
Pa ditur kush është dhimbja e vet.
Humnera e Mindanaos nuk mjafton
Për ta zbritur pishtarin stafetë
Në vatrën tmerruese të errësirës.
Peshqit precipitojnë në formacion
Zbulimi dhe shohin si shuhen
Nji nga nji thërrimet e flakës
Që duan të sjellin.
* * *
Ik prej këndej,
Diku aty tej
Në shkurrishte gushkuqi
Ndalet për të pështyrë dikë
Pas ferrave që dridhet.
Era merr gjethet pa leje
E i çon në vendet
Ku më parë loznin fëmijët
E trembur
Nga dhimbja jote.
Cikloni pas
Shumë rrotullimesh
Nga dora jote vjen
Tek unë dhe fal
Një dorë grurë me egjër.
............
..............
................
Vazhdon kokëziu të këndojë
Nën hijen...
* * *
Për pak kohë
Unë e di atë
Se ku do të zbresë,
Ndoshta nga retë do t’ishte
Më mirë,
Por jo se andej zbresin
Dallëndyshet vetmitare
Dhe nuk dua që prej saj
Të qaj me lotë gjaku
Nga gjethet vjeshtuke.
Nga gjethet vjeshtuke
Humbën me mijëra
Papushim,
Ndërmjet tyre dhe të miat.
* * *
Thirre pendën e zogut
Qetësues në hapat e tij
Drejt qytetit,
Thirre arushin e vogël
Larg nënës
Dhe do të shihni
Përmes prizmit spektrin
E ngjyrave të paparë ndonjëherë.
* * *
Para letrës së bardhë
Fshihet misteri i përjetshëm
I endacakut po aq të përjetshëm
Sa pallto e grisur e tij
Me ulërimën jam këtu.
* * *
Drejt hapësirës na ndajnë
Sinjalet e patkonjve që priten
Me padurimin e të marrit.
Dikush ka marrë flamurin
E don ta valëvisi i pari
Në rërërat e shkretirave
Ku gjurma e gjelit zhduket
Bashkë me thirrjet.
4 vjet-drite na ndajnë
nga vezullimet e gënjeshtrës.
Nga shumë ulërima pafundësie
Vetëm prej njërës presim
Ankthin e përditshëm.
* * *
Shkuma e kafes hedh valle
Nën këmbët e valles
Me pritjen e përditshme
Që nuk luan centimetër
Nga karafilat e zinj.
* * *
Librat nxjerrin krye
Të mitur siç janë gjithnjë
Te muret vendosur sipër
Kërkojnë në heshtje
Dhimbjen e zhveshur lakuriq.
Mos qaj për të
As ai për ty, për të qarë s’ka.
* * *
Tullat e rrëgjuara
Njëra pas tjetrës
Dalin nën shiun e syve
Breshërues pa fjalë, memecë
Dhe lypin mëshirë papushim
Nga kalimtarët më memecë se ta.
Aty ka ndonjë që ndihmën e ka
Në vend të lutjes, mëshirë për
Të tjerët që nuk dinë se ç’është
Të nderesh.
* * *
Ka qenie,
Sipër teje dhe poshtë,
Në mes rrin peshkaqeni
Tërheq rrjetën
Nxjerr pantallona të grisura
Dhe shapkat e fakirit,
Ia mbyll hundët
Por fryma ka marrë fund
Në fundin e ditës së mëparshme.
shkurt 1994
Comments
Post a Comment