Studime

Ky studim është paraqitur në simpoziumin kombëtar të Forumit Musliman të Shqipërisë i mbajtur në Kavajë: “Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami përcjell në këtë integrim”, gjithashtu gjendet në formë të plotë si libër studimor në versionin elektronik me 148 faqe i publikuar në http://www.xhamiakokonozit.com/html/mediat_e_shkruara.html


Paraqitja e monitorimit “Mediat e shkruara dhe muslimanët

Roald A. Hysa

Në këtë kumtesë do t’ju paraqes monitorimin që kam kryer gjatë viteve 2005-2006, në gazetat e shkruara shqiptare që dalin kryesisht në Tiranë. Nëse ne nuk e dimë se ku jetojmë, çfarë vendi zëmë dhe si na paraqesin, atëherë nuk do të jemi në gjendje të bëjmë vlerësimin real të gjendjes ku ndodhemi. Kjo nëpërmjet shifrave dhe problemeve të evidentuara dhe jo nëpërmjet fjalëve. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e këtij monitorimi të realizuar prej meje. Kohët e fundit është vënë re një shtim në rritje të interesit të shtypit të shkruar ndaj Islamit dhe muslimanëve. Kohët e fundit është vënë re një shtim në rritje të interesit të shtypit të shkruar ndaj Islamit dhe muslimanëve. Këtë e pohon edhe ky monitorim që do ta ndiqni në vijim ndaj kësaj shtrese, e cila po bëhet e ndjeshme në shoqërinë e re shqiptare postdiktatoriale. Pikërisht ishte besimi i mohuar i shqiptarëve, ajo që e bën me interes këtë monitorim pas rreth 15 vjet tranzicioni. Vetëkuptohet që jo çdo gjë e pasqyruar në të përditshmet tona të shkruar nuk e pasqyron të plotë këndvështrimin musliman të gjërave, për objektet, sendet dhe temat që i interesojnë njerëzit për jetën e përditshme. Gazetarët janë munduar t’i pasqyrojnë ato sipas kuptimit të tyre, duke rënë pré edhe e mosnjohjes dhe e padijenisë, e ardhur kjo si shkak kryesor nga ndërprerja drastike 30-vjeçare e edukimit fetar në përgjithësi dhe atij musliman në veçanti. Një tjetër arsye e mosnjohjes është edhe puna rutinë, e cila bëhet pengesë për ta kuptuar si duhet problemin. Po ashtu siç mund të vërehet se ka pasur në disa raste edhe keqdashje dhe dëshirë për të ndikuar në probleme të ndryshme. Ndërkaq ky monitorim ka pasur për synim jo evidentimin e gabimeve të mundshme të shtypit se sa më tepër vendin që zënë muslimanët dhe problemet e tyre si kategoria shoqërore me e madhe në Shqipëri. Dalja në pah e këtyre problemeve ka ardhur më pas, kur pikërisht është parë se si janë trajtuar problemet. Një rast i tillë është shqetësimi i një gazetareje se muslimanët nuk e festojnë Vitin e Ri, duke i cilësuar ata si ekstremistë. Por kjo është më tepër çështje kulture sesa armiqësie sociale siç paraqitet rëndom për vetë faktin se Viti i Ri ndër shqiptarët është një festë e re e futur nga të gjithë ish-regjimet komuniste për të zëvendësuar festat fetare. Për pasojë këtu nuk asnjë lloj ekstremizmi, por ruajtje të identitetit kulturor musliman, i cili tashmë në një shoqëri të mbizotëruar nga laiciteti shtetëror dhe shekullarizmi kërkon mbijetesën e vet, si dhe vetë mosha e re gazetarëve që i trajtojnë këto probleme konsiderohet si “armiqësi kulturore apo sociale”. Ndërsa kjo gjë në fakt është diversiteti kulturor që po përjetohet nga shoqëria shqiptare, e cila ka filluar të stabilizohet tashmë pas 15 vjet tranzicioni. Shpresojmë që ky monitorim do t’i vlejë të interesuarve, pra, atyre që merren me gazetarinë e shkruar, për t’iu dhënë të kuptojnë se tashmë muslimanët janë një shtresë e rëndësishme, qoftë sociale, qoftë ekonomike e Shqipërisë bashkëkohore. Jo vetëm muslimanët si shtresë, por edhe Komuniteti Musliman Shqiptar, në nivelin përfaqësues si dhe shoqatat e ndryshme muslimane, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e ndryshme bamirëse në trojet shqiptare.

Kriteret e këtij monitorimi

Ky monitorim është bërë në 19 gazeta të ndryshme, ku nga këto 16 janë të përditshme kombëtare dhe që shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, njëra është lokale që del në Durrës (Durrësi Bulevard) dhe nuk është e përditshme, dhe tjetra është gazeta javore ABC. Nga ky vëzhgim janë lënë jashtë gazetat partiake, me përjashtim të gazetës “Republika”, e cila me gjithë statusin e saj partiak, është blerë nga privatë dhe vepron si çdo e përditshme e pavarur, por në rastet kur republikanët kanë nevojë, ata kanë vendin e tyre të padiskutueshëm në gazetë. Kriteri kryesor është që gazeta të ketë bërë ndonjë lajm, njoftim apo shkrim të çdolloji gazetaresk që i intereson muslimanëve, apo ka të bëjë me to dhe fenë e tyre Islamin. Ndërkaq në monitorim citohet data, gazeta, titulli i shkrimit (në disa raste edhe nëntitulli apo mbititulli), rubrika ku përfshihet, emri i autorit (ndërsa kur nuk është vënë emër është vënë “pa autor” dhe në rast se është me iniciale, janë vënë inicialet) dhe numri i faqes. Më pas është vënë një përmbledhje e shkrimit dhe ajo çka ka në brendësinë e tij si dhe citime nga teksti, kur është bërë ndonjë i tillë sipas rastit. Titujt e cituar apo tekstet në thonjëza që janë riprodhuar janë lënë siç janë në origjinal, qoftë edhe me gabime në të shkruar për t’i mbetur besnik citimit të bërë. Këto janë kriteret kryesore, të cilat jemi munduar t’i ndjekim me besnikëri.

Gazetat e përditshme të shfrytëzuara:

SOT, Korrieri, Ballkan, Tirana Observer, ABC, Albania, Dita, Express, Shekulli, Gazeta Shqiptare, Koha Jonë, Metropol, Panorama, Republika, Tema, 55, Standard, Durrësi Bulevard, Telegraf Ditor.

Marrëveshja e katër komuniteteve fetare tradicionale dhe aktualiteti shqiptar

Pikërisht të premten më 18 mars 2005 nënshkruhet një nga marrëveshjet më të rëndësishme ndërmjet katër komuniteteve ekzistuese prej qindra vjetësh në të gjitha trevat shqiptare. Pra, atyre komuniteteve që i përkasin dy feve tradicionale: të krishterë dhe muslimanë. Komuniteti bektashi që kryesisht është i përqëndruar në jug të vendit së bashku me atë të krishterë ortodoks, atij katolik që është i përqendruar në Tiranë, Durrës, Mirditë, Shkodër e në ndonjë rreth tjetër si dhe Komunitetit Musliman Shqiptar që është edhe përfaqësuesi më i rëndësishëm dhe që përfshin të gjithë Shqipërinë zyrtare në hartën e vet të ndikimit. Pikërisht nga kjo pikëpamje ky i fundit është edhe më i rëndësishmi. Deklarata e firmosur nga përfaqësuesit e këtyre komuniteteve dhe që kanë në dorë efektivisht edhe drejtimin administrativ dhe atë shpirtëror është cilësuar si: “Deklarata e Angazhimeve të Përbashkëta Morale” dhe është firmosur nga Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar H. Selim Muça, Kryegjyshi Botëror H. Dede Reshat Bardhi, Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit monsinjor Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Ortodoks i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos. Kjo u arrit edhe në sajë të bashkëpunimit me konferencën botërore “Fetë për paqen”, si dhe mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Në bazë të kësaj deklarate të përbashkët është vendosur motoja “Predikimi në asnjë rast nuk duhet të nxisë urrejtje fetare”, dhe kështu këta drejtues të lartë angazhohen në bazë të kësaj deklarate për vazhdimin dhe promovimin e një atmosfere paqësore në vend brenda komuniteteve përkatëse fetare. Të pranishëm në këtë nënshkrim të rëndësishëm kanë qenë krerë të lartë shtetërorë, trupat diplomatikë dhe natyrisht edhe zyrtarë të lartë të këtyre komuniteteve. Ky është një tregues edhe i rëndësisë së dhënë nga të gjithë palët e interesuara, ku më të interesuarit janë jo vetëm komunitetet, por edhe vetë shteti shqiptar, i cili kohët e fundit është vënë në një dilemë sepse gjatë viteve të tranzicionit iu është hapur dera edhe shumë sekteve fetare, të cilët kanë ardhur me synime të mirëpërcaktuara prozelitizmi[1].

Kësaj marrëveshje i ka paraprirë një fushatë në shtyp për problemet e hapjes së një universiteti islam në Tiranë që iu bë e ditur publikut gjatë përurimit të universitetit katolik dhe spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë”. 3 ditë përpara se të firmosej kjo kontratë në faqet e gazetës që ka hyrë së fundmi në tregun e shtypit të shkruar “Express”, më saktësisht të martën në 15 mars 2005, botohet një shkrim i titulluar “Mjaft pasiviteteve në çështjet fetare”, analizë, Xhavit Shala (drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve për Sigurinë Kombëtare – ish-funksionar i rendit dhe i SHISH).

Në këtë shkrim, të cilin autori e nis duke përmendur përplasjen e simboleve ku përmend rastin e dy kryqeve të mëdhenj ortodoksë, vazhdon me analizën mbi gjendjen e bashkësisë muslimane pas ardhjes së demokracisë deri në ditët e fundit. Ai akuzon haptas se OJQ-të arabe u bënë përhapëse të fondamentalizmit islamik në Shqipëri nëpërmjet selefizmit. Citojmë nga shkrimi: “Selefizmi është semafori jeshil i fundamentalizmit islamik. Ai ndryshon nga katër drejtimet kryesore të ushtrimit të myslimanizmit, të njohura zyrtarisht në botë.” Në rreshtat pasues të këtij citimi autori mundohet të bëjë një shqyrtim të imtë për këtë lëvizje në botë dhe në Shqipëri dhe lëvizjet e tyre. Duket nga informacioni i paraqitur nga ky autor se ai nuk i njeh sa duhet shkollat juridike islame dhe se informacioni është i marrë nga burime jo të mirëinformuara për nga pikëpamja doktrinale, për të cilën ai mundohet të japi shpjegime si dhe për ndjekësit e këtyre lëvizjeve. Burimet e informimit të autorit duhet të jenë të brendshme, të Komunitetit Musliman. Megjithatë, me sa duket, më i rëndësishëm për këtë person janë pikat që jepen në mbyllje të shkrimit dhe që kanë të bëjnë me: miratimin e ligjit për komunitetet fetare, nënshkrimi i një aktmarrëveshjeje midis qeverisë dhe katër komuniteteve fetare si dhe zgjidhja me ligj për kthimin e pronave komuniteteve fetare.

Vijmë në datën 19 mars 2005, kur pothuajse në të gjitha gazetat shqiptare të përditshme i bëhet jehonë faktit të nënshkrimit të një marrëveshjeje midis të katër komuniteteve fetare tradicionale të pranishëm në vendin tonë.

Titujt e përdorur nga të gjitha këto gazeta janë të ngjashëm dhe nga një lexim i vëmendshëm kuptohet se kanë përdorur një burim të përbashkët që mund të ketë qenë edhe faqja zyrtare e internetit e qeverisë shqiptare ose edhe ATSH.

Në të gjitha këto shkrime i bëhet jehonë faktit të nënshkrimit të marrëveshjes së katër komuniteteve fetare tradicionale në Shqipëri e quajtur “Deklarata e Angazhimeve të Përbashkëta Morale”. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm kryeministri Fatos Nano, funksionarë të lartë shtetërorë, funksionarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësuesit e konferencës botërore “Fetë për Paqen”, me drejtoreshën e saj rajonale Emyli Kruniç. Po ashtu kjo nismë është mbështetur nga Ministria e Jashtme Gjermane. Në këtë deklaratë komunitetet fetare angazhohen për vazhdimin dhe promovimin e një atmosfere paqësore brenda komuniteteve dhe në asnjë rast të mos nxisin urrejtjen fetare ndaj njëri-tjetrit.

Pak a shumë, teksti është i ngjashëm në të gjitha gazetat, por në rastin e gazetave “Panorama” dhe “Shekulli” është gabuar kur thuhet katër fe në titull, sepse janë dy fe dhe katër komunitete. Muslimanë dhe të krishterë që i përkasin bektashinjve dhe sunitëve; ortodoksë dhe katolikë. Përjashtim në hartimin e këtij lajmi bëjnë gazetat “Korrieri” dhe “55”, të cilat e kanë trajtuar ndryshe, pra, jo në formën e një lajmi, porse kanë dhënë edhe pika nga kjo deklaratë e nënshkruar si dhe çfarë i kanë kërkuar autoriteteve shtetërore këto komunitete fetare. Ndërsa në gazetën e përditshme “Dita” i lëshohet një vend i konsiderueshëm fjalës së kryeministrit shqiptar Fatos Nano për këtë ngjarje të rëndësishme.

Po ashtu në dy të përditshme “Panorama” dhe “Shekulli” shfaqen dy shkrime nga dy analistë të mirënjohur si Ferdinand Xhaferaj dhe Mentor Nazarko. Le t’i kushtojmë pak vëmendje secilit shkrim:

E shtunë 19 mars 2005

gazeta “Panorama

Universitetet fetare dhe siguria kombëtare”, Ferdinand Xhaferaj, opinion, fq. 1 me vazhdim fq. 11.

Në këtë shkrim vëmendja e autorit është përqëndruar mbi hapjen e universitetit musliman që ende nuk është hapur në Tiranë. Në të gjithë shkrimin është bërë i ndjeshëm fakti se nëse do të hapet një universitet musliman në Shqipëri do të minimizohet rreziku që vjen ndaj të shkolluarve jashtë në universitetet fetare. Ndërsa hapja e një universiteti musliman në Tiranë do të sjelli edhe një kombëtarizim të kuadrove që mendohet se do të dalin nga kjo strukturë e supozuar. Ky shqetësim i autorit vjen nga traditat e vendeve të tjera islame, citojmë: “Traditat e huazuara nga vendet arabe mund të prodhonin një orientim të Islamit shqiptar sipas parimit, feja para kombit. Kjo do të përbënte një kërcënim nga më seriozët për institucionin e harmonisë fetare”. Ky autor vazhdon më tej të flasi me tone pozitive për punën që duhet të bëjnë predikuesit muslimanë në bazë të ajeteve kuranore për tolerancën. Më tej ky autor e sheh si pozitiv hapjen e këtij universiteti dhe mbylljen e ciklit të arsimit të lartë për të gjithë nxënësit e 7 medreseve të shpërndara në Shqipërinë zyrtare. Ky autor mendon, citojmë: “Pra, universiteti duke mundësuar një zhvillim modern kombëtar të Islamit në vendin tonë do të jetë një harmonizues progresiv i Islamit kombëtar shqiptar me vlerat e qytetërimit evropian.”

gazeta “Shekulli

Pajtimi si bazë e sigurisë”, opinion, Mentor Nazarko (ish-këshilltar i presidentit Rexhep Meidani), fq. 1 me vazhdim në fq. 14.

Në këtë shkrim autori merr shkas nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët të të katër krerëve të katër komuniteteve fetare tradicionale në vend si dhe kontekstit politik dhe social në të cilën u nënshkrua kjo deklaratë. Vetëvrasja e disa adoleshenteve që mendohet të jetë shtyrë nga sekti i “Dëshmitarëve të Jehovait”, realizimi i një ligji që do të rregullojë marrëdhëniet e feve me shtetin, çështjet e sigurisë kombëtare, hapja e një universiteti musliman, si dhe vazhdimi i harmonisë dhe i tolerancës fetare janë marrë në shqyrtim në këtë shkrim nga autori. Po ashtu ky autor e sheh si pozitiv lëvizjet e bëra nga Komiteti Shtetëror i Kulteve me në krye z. Ilir Kulla. Pas këtyre konstatimeve të bëra nga ky autor, pra, të marrëdhënieve të shtetit me fetë, ai ngre si problem çështjen e integrimit të Shqipërisë, citojmë: “Kjo përbërëse e rrjedhës së zhvillimeve tona shoqërore lidhet në mënyrë vendimtare jo thjesht me imazhin e vendit i cili nuk është një fjalë goje, por me të gjithë zhvillimet integruese shqiptare dhe me sigurinë kombëtare. Nuk mund të përfshihesh në një organizim ndërkombëtar si BE i cili derimëtani konsiderohet si klub i vendeve të krishtera, pa i dhënë drejtimin e duhur këtij procesi, pa zgjidhur në mënyrën më të drejtë disa prej problemeve në fjalë.” Në vazhdim ky autor ngre problemin se sektet fetare për mendjen e tyre ateiste përfaqësojnë në një farë mënyre llozha masonike, ku përqëndrohet jo vetëm pushteti shpirtëror, por edhe ai ekonomiko-financiar që i kapërcen kufijtë legalë shtetërorë. Më pas ky autor nënvizon faktin se shteti duhet të rregullojë me dinjitet raportet me bashkësitë fetare pa shkelur lirinë e besimit. Në aspektin e marrëdhënieve të shtetit, ai duhet të diferencojë marrëdhëniet e tij me fetë tradicionale dhe me fetë e reja që kanë hyrë pas hapjes së Shqipërisë. Ky autor e mbyll opinionin e vet me shqetësimin e sigurisë kombëtare, ku citojmë dy fjalitë e fundit: “Për më shumë që sot feja është bërë element thelbësor i lidhur me sigurinë e vendeve të veçanta, apo në përgjithësi e familjes së tyre. Sa më i vogël të jetë një vend, megjithë historinë e lavdishme të bashkëjetesës mes feve, aq më i madh është rreziku i faktorëve të tillë si terrorizmi.”

Pra, kjo është atmosfera e paraqitur në mediat shqiptare rreth këtij evenimenti të rëndësishëm, ku të katër komunitetet njëzëri i kanë kërkuar kryeministrit Nano rikthimin e pronave të tyre. Kjo është edhe kërkesa më e rëndësishme që i kanë bërë ato kryeministrit shqiptar dhe së cilës pas kaq vjet demokracie nuk i është dhënë akoma zgjidhje.

Problemi i karikaturave dhe pasqyrimi i tyre në shtyp

Me të ashtuquajturin problem të karikaturave që plasi në të gjitha mediat ndërkombëtare, nuk mund të mbetej pa u trajtuar edhe nga mediat tona të shkruara. Jo vetëm që u dhanë njoftimet për atë çka po ndodhte në të gjithë botën myslimane, por me këtë problem u morën edhe analistët e opinionistët shqiptarë. Mendimet që u dhanë ishin nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet, deri sa u tha që muslimanët me këto veprime po kërcënojnë lirinë e mediave për të pasqyruar realitetin. Ndërkaq ky debat, nuk arriti t’i japë jetë një debati tjetër! Atij që: “A ka gjëra të shenjta shoqëria shekullare që ne të gjithë kemi ngritur”. Megjithatë neve shohim se ky problem u lansua edhe për arsye komerciale, për vetë faktin e titujve bombastikë që u përdorën, pavarësisht reagimit që pritej nga pjesa muslimane e shoqërisë. Nga zhvillimet, të cilat dolën në pah pasi kishte shpërthyer në media ky problem, u vu re se botimi i parë i karikaturave nuk kishte pasur impaktin e pritur nga vetë botuesit. Karikaturat u botuan në shtator, ndërsa skandali shpërtheu në dhjetor në botën myslimane dhe në janar arriti pikun e vet. Ribotimi i tyre në Norvegji më 10 janar 2006 nga revista “Magazinet”, cilësohet nga analisti dhe diplomati Luan Rama si një “shkarje të rrezikshme”. Më 30 janar edhe gazeta daneze Jyllands Posten, edhe Magazinet kërkojnë falje publike për botimin e karikaturave, por situata vazhdoi të mbetet e njëjtë, sepse shumë gazeta të tjera evropiane i ribotuan ato. Në Shqipëri mediat reaguan në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. Në të gjithë shkurtin më pas pati reagime të ndryshme edhe prej të gjithë analistëve. Një çast me të vërtetë interesant i këtij muaji, ishte edhe ai i vizitës së ministrit të jashtëm spanjoll Migel Angel Moratinos ku në takimin që ka pasur me homologun e tij shqiptar Besnik Mustafaj, dy kanë qenë temat kryesore të bisedimeve ndërmjet tyre: hapja e ambasadës spanjolle në Tiranë, si dhe ka kërkuar që Shqipëria të përcjelli mesazhe moderuese në Konferencën Islamike si anëtare e saj, rreth protestave të ashpra ndaj botimit të disa karikaturave të Profetit Muhamed në gazetën daneze “Jyllands Posten”. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, ministri spanjoll Moratinos ka deklaruar: “Është e vërtetë se Shqipëria është një vend me shumicë popullsie myslimane dhe gjatë bisedimeve kemi trajtuar edhe këtë problematikë të ekseseve që po ndodhin në Botën Arabe ndaj këtyre botimeve. I kam kërkuar kolegut tim shqiptar, si anëtar i Konferencës Islamike, që të dërgojë atje mesazhin e moderacionit”. Kjo deklaratë e ka vënë paksa në vështirësi ministrin Mustafaj. Megjithatë të gjitha gazetat i kanë bërë jehonë këtij lajmi dhe kanë pasqyruar deklaratën e Moratinos. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar ashpër kundër saj krahu i majtë i politikës shqiptare me përfaqësuesit e saj: Paskal Milo, Ilir Meta, Arta Dade etj. Më tej Komuniteti Musliman ka bërë thirrje për më tepër maturi ndaj këtij problemi dhe njëkohësisht ka reaguar ashpër ndaj publikimit të karikaturave.

Ndërkaq një deklaratë e ambasadorit iranian në Tiranë, Biazar në një konferencë shtypi solli reagime të ashpra nga analistët shqiptarë. Deklaratat e kryetarit të KMSH kanë një theks të ndjeshëm tolerance, por duke e cilësuar këtë ngjarje si të papranueshme dhe trajtimin që i është bërë figurës së Profetit Muhamed. H. Selim Muça e ka cilësuar botimin e karikaturave si: “..., një akt i rëndë fyes ndaj besimtarëve myslimanë. Për më keq, në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për karikaturimin e profetit Muhamed, e cila sërish nuk do të ishte e pranueshme, por për disa karikatura që janë thelbësisht denigruese dhe fyese”.

Po ashtu më pas do të jepet deklarata e Myftinisë së Shkodrës rreth problemit të karikaturave. Në këtë deklaratë Myftinia i ka dënuar këto publikime si akte destabilizues dhe që baltosin dinjitetin e myslimanëve. Në një pjesë të deklaratës thuhet: “Nuk e dimë se pse këtu dhe në Perëndim çdo ditë e më tepër po shtohet arroganca ndaj myslimanëve dhe Islamit, në një kohë që dikush sa për sy e faqe trumbeton mbrojtjen e të drejtave të besimit dhe lirive të njeriut”. Pavarësisht zemërimit që ngjalli në të gjithë botën islame dhe bllokadës që iu bënë prodhimeve daneze, të gjitha palët në “konflikt” në Shqipëri lëshuan mesazhe tolerance dhe mirëkuptimi. Vetë ambasadori danez në Tiranë Finn Theilgaard ka shkuar në selinë e Komunitetit Musliman dhe ka dorëzuar deklaratën e kryeministrit danez që i ka dënuar karikaturat. Janë dy gazeta ato që botojnë edhe intervistën marrë ambasadorit danez rreth këtij problemi, si dhe reagimeve të ndryshme në Danimarkë dhe të kryeministrit të saj, Rasmusen. Ky problem ka vazhduar të trajtohet edhe pas muajit shkurt, porse ritmi i botimeve rreth kësaj teme ka qenë i papërfillshëm dhe nuk ka pasur atë impakt që pati në fillim. Në një shkrim që shfaqet në muajin mars në gazetën “Shekulli”, nga një shqiptar, i cili ka marrë nënshtetësinë daneze, njoftohemi se gazetat daneze subvencionohen nga shteti dhe nuk janë private. Megjithatë ky problem u mbyll në shtypin ndërkombëtar edhe për shkak të ngjarjeve të tjera, që do të zinin faqet e para dhe titujt kryesorë të edicioneve televizive.

Në krye të listës të gazetave që kanë treguar një vëmendje të posaçme ndaj muslimanëve dhe problemeve të tyre janë:

  1. Korrieri me 42 shkrime të ndryshme
  2. Shekulli 33
  3. Gazeta Shqiptare 29
  4. Standard 24
  5. Panorama 24
  6. Metropol 24
  7. Express 23
  8. Tirana Observer 22
  9. Albania 17
  10. Ballkan 12
  11. Koha Jonë 11
  12. SOT 9
  13. Tema 8
  14. Dita 7
  15. 55 4
  16. Republika 3
  17. Telegraf Ditor 2
  18. ABC 2
  19. Durrësi Bulevard 1

Ndërsa nga rubrikat më e pasura ka qenë ajo e lajmit me 155 lajme të ndryshme dhe është e kuptueshme përse, ku edhe këtu në krye të listës është:

  1. Korrieri 26
  2. Shekulli 21
  3. Panorama 21
  4. Gazeta Shqiptare 18
  5. Express 15
  6. Metropol 10
  7. Albania 10

Po ashtu një nga rubrikat më të pasura ka qenë ajo e “Komente, opinione, analiza”, ku edhe këtu numrin më të madh të shkrimeve e ka:

  1. Korrieri 12
  2. Standard 9
  3. Tirana Observer 7

Ndërsa me lajmet dhe komentet që vijnë nga “Bota” për Islamin dhe muslimanët është gazeta “Metropol”, e cila ka numrin më të madh të shkrimeve kundrejt 17 shkrimeve që janë në total.

Siç edhe mund të shihet në bazë të shifrave ka një rritje të ndjeshme të interesit në mediat e shkruara për problemet e muslimanëve dhe kjo tregon se jo vetëm lajmet për terrorizmin islamik janë ato që bëjnë bujë. Nga të dhënat e mësipërme ky fakt vihet re qartë, si dhe nga rubrikat e ndryshme në të cilat evidentohet edhe më tej ky interes. Ndërsa më poshtë do të japim një përmbledhje të temave më të rëndësishme, të cilat janë trajtuar më gjerësisht nga shtypi. Një vëmendje e madhe është treguar ndaj marrëdhënieve ndërfetare, por tema më e ndezur ka qenë e ashtuquajtura “problemi i karikaturave”, e cila ka shqetësuar së fundmi të gjithë botën në përgjithësi, duke shkaktuar debate dhe diskutime, të cilat nuk janë shuar ende.

Temat që i kanë interesuar më tepër mediat e shkruara

Temat që i kanë interesuar shtypit të shkruar kanë qenë nga më të ndryshmet, por ato që kanë ngjallur më tepër interesimin e publikut të gjerë, në bazë edhe të rregullit të “scoop-it” gazetaresk si dhe të lajmeve që bëjnë bujë janë këto që po i rendisim më poshtë, sipas rendit kronologjik të ndjekur në këtë monitorim.

1. Gjykimi i Islamit ndaj vetëvrasjes, pas një serie vetëvrasjesh të disa të rinjve, që mendohet të jenë nxitur nga disa sekte fetare (“Dëshmitarët e Jehovait).

  1. Premtimi i kryeministrit Fatos Nano për hapjen e një universiteti islamik në Tiranë.
  2. Nënshkrimi i marrëveshjes së katër komuniteteve fetare tradicionale në Shqipëri e quajtur “Deklarata e Angazhimeve të Përbashkëta Morale”.
  3. Në vëmendjen e disa analistëve ka qenë zgjidhja e disa problemeve fetare, duke vendosur një marrëveshje më përfaqësuesit e lartë fetarë, për t’i dhënë zgjidhje problemit të edukimit fetar, duke shmangur kështu rreziqet e fundamentalizmit në të mirë të sigurisë kombëtare.
  4. Problemi i lidhjeve shqiptare me “terrorizmin islamik ndërkombëtar”.
  5. Shkarkimi i sekretarit administrativ të Komunitetit Musliman Shqiptar, Zylyftar Dervishi me akuzën e falsifikimit të diplomës.
  6. Reformatorët dhe tradicionalët, përplasjet e brendshme mes myslimanëve.
  7. Hetimet rreth vrasjes së ish-sekretarit të KMSH-së, Sali Tivari.
  8. Fillimisht problemi i kryqit të vendosur në fshatin Fikas, në komunën e Bradasheshit, Elbasan, e më pas kryqet e vendosura në kodrat e komunës së Bushatit në Shkodër.
  9. Rreth një ngjarje të rëndë të ndodhur në Baltëz të Fierit, ku gjetën vdekjen aksidentalisht me tritol dy besimtarë myslimanë.
  10. Të ashtuquajturat akuza për përfshirjen e kryetarit të BISH, H. Ing. Selim Muça, në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, në favor të një kandidati të Partisë Socialiste.
  11. Shoqërimi në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, dega e antiterrorit, të 6 imamëve të xhamive të kryeqytetit dhe anëtarë të këshillit të myftinive, për të ashtuquajturat kërcënime që u janë bërë Ilir Kullës (kryetar i KSHK) dhe Selim Muçës.
  12. Themelimi i Forumit Musliman Shqiptar.
  13. Fshati i Kondovës dhe lëvizja e tyre e etiketuar si “lëvizje ekstremiste islamike”, por ajo zhurmë u krijua për të tërhequr vëmendjen se Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni nuk po zbatohet.
  14. Kalimi i Medresesë pas nënshkrimit të kontratës me një shoqatë sponsorizuese turke nën kontrollin e kësaj të fundit dhe kundërshtimi i trupit pedagogjik.
  15. Dorëheqja e parevokueshme e nënkryetarit të BISH, Bledar Myftari shoqëruar më akuza të ndryshme ndaj këtij institucioni.
  16. Bin Ladeni ka investuar në Shqipëri nëpërmjet të tjerëve.
  17. Fjalimi i mbajtur nga presidenti Alfred Moisiu në Oksford, Angli me temën: “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”, i cili solli zemërimin e muslimanëve ndaj deklaratave të bëra në këtë fjalim.
  18. Kthimi i pronave Komunitetit Musliman Shqiptar (BISH) nga ana e shtetit.
  19. Përplasjet e krijuara në Shkodër për xhaminë-kishë në kalanë e Rozafës.
  20. I ashtuquajturi problem “i debatit të karikaturave”, si dhe lajmet për protesta të ashpra në të gjithë botën myslimane.
  21. Mbështetja që i ka kërkuar ministri i jashtëm spanjoll Migel Angel Moratinos, Shqipërisë për të përcjellë mesazhet e moderacionit në Konferencën Islamike si anëtare e saj rreth protestave të ashpra ndaj botimit të disa karikaturave të Profetit Muhamed në një gazete daneze.

Gjuha e përdorur nga gazetarët

Gjuha e përdorur nga gazetarët në përcjelljen e lajmit kur ka qenë fjala për të realizuar tituj bombastikë dhe tekste po aq të forta, ka qenë ajo e trendit global anti-islam. Pra, mund të themi hapur dhe pa doreza se ka qenë një gjuhë shumë e ashpër dhe agresive. P.sh. më 10 shkurt 2005 Gazeta “Koha Jonë” në editorialin e saj “Muxhahedinët e shtypit shqiptar”, Rudolf Marku, sulmon pseudo-publicistët, të cilët nuk i njeh njeri dhe që abuzojnë, por duke përdorur si analogji termin islam “muxhahedin”. Përdorimi i këtij termi është bërë me kuptim përkeqësues, kështu autori ose nuk e ka ditur kuptimin e saktë të tij, ose e ka bërë qëllimisht për të vazhduar në rrugën e klisheve të krijuara abuzivisht nga mediat asokohe kundrejt Islamit. Një gjuhë tejet e ashpër është përdorur në të ashtuquajturat “probleme të sigurisë kombëtare”, ku mund të fusim të ashtuquajturën përplasje selelefi-komunitet. Në këtë drejtim shquhet “Gazeta shqiptare”, e cila jo vetëm kërkon të shesi lajmin e saj, por tregohet më e zellshme sesa misioni që ka marrë përsipër. Nuk mbeten mbrapa edhe gazetat e tjera, si: Korrieri, Metropol e ndonjë tjetër. Le të shohim tituj të këtyre gazetave që i përmendëm: [Reformatorët dhe tradicionalët, përplasjet e brendshme mes myslimanëve]

30 prill 2005 gazeta “Gazeta Shqiptare” Hoxha” i fshatit, prodhues bombash”/ 1 maj 2005 gazeta “Gazeta Shqiptare” “Bomba u përgatit për një zyrtar”, “Kërcënimi se bllokoi ekstremistët në komunitet”, rubrika faqja e parë, re.kro. Ky titull paralajmërohet me gërma të mëdha qysh në faqe të parë i shoqëruar me një fotografi të xhamisë së re të ndërtuar në Fier.

“Selefizmi është semafori jeshil i fundamentalizmit islamik. Ai ndryshon nga katër drejtimet kryesore të ushtrimit të myslimanizmit, të njohura zyrtarisht në botë.” (15 mars 2005 gazeta “Korrieri” “Mjaft pasiviteteve në çështjet fetare”, analizë, Xhavit Shala (drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve për Sigurinë Kombëtare – ish-funksionar i rendit) Duket nga informacioni i paraqitur nga ky autor se ai nuk i njeh sa duhet shkollat juridike islame dhe se informacioni është i marrë nga burime jo të mirinformuara për nga pikëpamja doktrinale. Ndërsa për të tjerat burimet e informimit të autorit duhet të jenë të brendshme, të Komunitetit Musliman. 1 maj 2005 gazeta “Korrieri” “Islamiku “kamikaz”, student në Egjipt”. “Përplasja mes dy rrymave te muslimanët”, 15 maj 2005, gazeta “Korrieri” “Myslimanët, jo selefizmit me status”. Siç mund të vihet re edhe nga këto tituj që përmendëm kemi shfaqjen e termave kamikaz, selefi, muxhahedin, fundamentalizëm islamik etj. Përdorimi i tyre është tendencioz dhe armiqësor dhe kërkojnë diskriminimin publik të ngjarjeve dhe të personave. Një gjuhë shumë e ashpër është përdorur gjatë muajit janar-shkurt 2006, kur edhe shpërtheu problemi i karikaturave. Gjatë kësaj periudhe pati një debat publik, ku disa opinionistë si Xhavit Shala, Bashkim Kopliku e ndonjë tjetër mundohen t’u dalin krah muslimanëve vendas. Po ashtu me tituj bombastikë është trajtuar edhe ngjarja e rrëzimit të kryqve në Bushat të Shkodrës.

Ndërkaq kemi anën tjetër të medaljes kur kemi të bëjmë me paraqitjen në shtyp të festave fetare islame të dy bajrameve. Gjuha ndryshon krejtësisht dhe vetë gazetarët përpiqen ta shohin më thellë problemin, jashtë kornizave të trendit global anti-islam. Ata mundohen të zgjerohen dhe të paraqesin një informacion të pasur nëpërmjet reportazheve të përgatitura, apo dosierëve. Një rast interesant është ai i një reportazhi shkrimor dhe fotografik në “Tirana Observer” për një xhami në Kavajë të përshtatur në ambientet e një ish-fabrike me oxhakun e kthyer në minare nga imami Xhafer Shkodra.


[1] Prozelitizëm - Fushatë për fitimin dhe konvertimin e njerëzve nga një fe në një fe tjetër.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit