Profeti Muhamed
Muhamedi a.s. dhe jeta e tij
(Personazhi historik me biografinë më të detajuar dhe që ka pasur ndikimin më të madh në të gjithë historinë e njerëzimit)
Për Muhamedin është shkruar shumë dhe vazhdon të shkruhet edhe gjatë kësaj kohe që u shkruan këto radhë modeste për të Dërguarin e fundit të Zotit, Muhamed ibn Abdullahun a.s. Është një nga personazhet historike, që i diktoi njerëzimit idetë, mendimet dhe e shtriu influencën e tij shpirtërore në një hapësirë gjeografike bukur të madhe duke nisur nga Maroku e përfundon në Malajzi e deri në Ishujt Filipine. Të shkruash për figurën e tij nuk arrin asnjë herë që ta shterosh nga fillimi deri në fund dhe të japësh një mendim të plotë për jetën e tij por edhe pa e trajtuar nuk mund ta linim dhe jam munduar ta kap nga disa këndvështrime kryesore me të cilat ndikimi i tij vazhdon të ndihet edhe sot në ditët tona pas rreth 1.400 vjetësh që Ai është larguar nga kjo botë dhe ka ndërruar jetë. Jeta e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) është më e sakta dhe më e trajtuara nga të gjithë biografët muslimanë. Janë transmetuar aq shumë hadithe për jetën e tij saqë ato tregojnë edhe çaste nga më intimet nga jeta e tij bashkëshortore me gratë. Me hadithet e tij lëvrohet një shkencë e posaçme që njihet si Shkenca e Hadithit. Në të gjithë Botën Islame njihen Sahihët e Buharit e të Muslimit dhe sunenet e Ebu Daudit, Termidhiut, Nesaiut dhe Ibn Maxhes. Gjashtë librat e këtyre gjashtë prijësve të hadithit kanë ndikuar në ruajtjen e fesë dhe për nga rëndësia e tyre vijnë menjëherë pas Kuranit të Famshëm, duke u bërë kështu burimi i dytë i rëndësishëm për Legjislacionin Islam. Shembulli i tij i jetesës ndiqet edhe sot e kësaj ditë nga muslimanët e devotshëm në të katër anët e globit duke patur kështu një ndikim real edhe pas ndërrimit jetë e për më tepër rreth 14 shekuj pas kësaj ngjarjeje. Për çdo vit në Arabinë Saudite organizohet një konkurs për biografinë më të arritur dhe më të mirë për jetën e Profetit të shquar. Shkrimtarët muslimanë edhe pa këtë nxitje nuk reshtin së shkruari me respekt, nderim e dashuri për këtë figurë që e ka shenjuar gjerësisht jetën e tyre dhe të miliarda muslimanëve anekënd globit.
Një gjini e posaçme letrare është e lëvruar apostafat për ta lavdëruar veçanërisht Profetin e Islamit dhe që njihet nën termin letrar Mevlud. Me qindra Mevlude janë kënduar dhe këndohen në përkujtim të Profetit. Edhe në shqip ekzistojnë disa Mevlude të përkthyera nga osmanishtja e më pas autorë të ndryshëm kanë krijuar mevludet e tyre origjinale. Këtu mund të përmendim Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës etj. Emri i tij përmendet së bashku pas atij të Allahut në Shehadet me gradën më të lartë “Resulullah-I Dërguari i Allahut”. Personi që ia doli të përmbledhi një grup fisesh endacake të shpërndara andej-këndej në të gjithë Arabinë, e t’i fusi nën flamurin e Islamit. E pa qysh në gjallërinë e vet fenë e tij të triumfojë dhe frutet e asaj pune janë një Bashkësi Mbarëbotërore Muslimane prej gati 2 miliardësh sot në shek. XXI. Sa herë që përmendet emri i tij më pas shtohet zakonisht fraza “Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të” dhe megjithëse nuk është midis nesh për Profetin Muhamed flitet me një respekt, nderim e dashuri të veçantë.
Comments
Post a Comment