Përsiatje
Edhe një herë për Xhaminë e Madhe të Tiranës
(Përsiatje mbi Xhaminë e madhe të Tiranës në këto ditë të ftohta të dhjetorit. Muslimanët kryeqytetas e kanë shumë të nevojshme për të mos thënë domosdoshmëri një faltore të përmasave të mëdha e gjithashtu dinjitoze, ashtu si i takon Komunitetit tonë.)
Tashmë vjeshta kaloi dhe dimri është shtruar këmbëkryq në vatrat tona, ku secili prej nesh, kush më pak e kush më shumë i ka marrë masat për ta pritur. Ndërkaq problemi i Xhamisë së Madhe në Tiranë na rishfaqet edhe një herë për shkak të shiut e të ftohtit dhe bëhet më i ndjeshëm sidomos ditën e Xhuma, kur të gjithë ne si muslimanë i drejtohemi atyre pak xhamive tona në kryeqytet për të festuar kështu fundjavën tonë. Pikërisht këtë ditë dhe më tepër në Xhaminë e Et’hem Beut vërehet përherë e më tepër ky problem tejet i ndjeshëm për të gjithë muslimanët kryeqytetas: Ai i nevojës urgjente të Xhamisë së Madhe. Në këtë ditë të xhuma, të gjithë besimtarët pa u ndjerë dhe me shumë përkushtim kryejnë faljen e kësaj dite të shenjtë dhe shumë të ndritur për të gjithë ne. Ato falen në trotuarin përpara xhamisë pa u ankuar duke shpresuar të fitojnë kënaqësinë e Zotit, ndërsa ata më me fat falen brenda xhamisë në këto ditë me shi dhe të ftohta të dhjetorit. Imamit i duhet ta nxitojë xhumanë, duke ndjerë keqardhje për bashkëbesimtarët e vet, që me durim presin jashtë në të ftohtë. Gjithsesi kjo nuk është zgjidhja.
Ditës së xhuma i duhet dhënë haku, po ashtu edhe ne si muslimanë presim me padurim ndërtimin e një Xhamie të Madhe, e cila do t’i jepte një zgjidhje të përkohshme Komunitetit tonë në rritje. Shpeshherë deri tani i jemi drejtuar pushteteve t’i japin zgjidhje kësaj gjendje të nderë, por akoma vazhdon pa ndryshim. Problemi është i njëjtë, njerëzit falen në shesh ditët e Bajrameve dhe po vazhdojnë të falen në shesh edhe ditët e xhuma. Mirë kur ditët janë pa shi dhe të ngrohta, por si i bëhet halli në këto ditë që shiu nuk po pushon dhe moti po shkon drejt temperaturave të ulëta dhe ngricave?!...
Neve jemi Komuniteti fetar më i madh në vend, por që akoma nuk kemi zënë vend siç duhet në fizionominë e kryeqytetit. Dy kisha të përmasave të mëdha janë ndërtuar tashmë në zemër të kryeqytetit. Pikërisht ishin ditët e fundit të dhjetorit kur nisën lëvizjet demokratizuese në të gjithë vendin. Ishte pikërisht në këto ditë kur Hafiz Sabri Koçi me një grup besimtarësh rihapën Xhaminë e Plumbit në Shkodër, duke i dhënë jetë një reaksioni zinxhir, i cili do të kishte pasojat e veta në të gjithë Shqipërinë. Në janar do të rihapej xhamia e Et’hem Beut në Tiranë e në shkurt do të vijonte me xhaminë e Kokonozit, ku do të rihapej edhe Medreseja e Tiranës, e cila do të bëhej kështu vatra e parë e dijeve islame në Shqipërinë postdemokratike. Ishte Hafiz Sabriu me ligjëratat e tij, që do të ndizte zjarrin e dashurisë për fenë islame dhe do të risillte traditën e faljes së Bajrameve në Namazgjanë e Tiranës. Ringjallja e fesë në ditët e dhjetorit paralajmëroi një ringjallje shpirtërore në vijim, por megjithëse muslimanët shtoheshin dhe shtohet akoma numri i atyre që falen, numri i xhamive mbetet i njëjtë. Në një Tiranë metropol, ku banojmë rreth një milion njerëz janë dhjetë xhamitë, faltoret në të cilat neve duhet t’i drejtohemi për faljet tona. Asnjëra prej tyre nuk i kënaq kërkesat e xhematit për nga madhësia. Kështu ne duhet të kënaqemi që i kemi të paktën këto xhami, ndonëse për nga numri vazhdojmë të shtohemi. Për çdo falje Bajrami kemi shpresë se do të kemi mundësinë, që nga vizitat e politikanëve të lartë në Komunitetin Musliman të marrim ndonjë lajm të mirë për Xhaminë e Madhe, por ata hyjnë bëjnë urimet e rastit, thonë ndonjë fjalë të mirë dhe vazhdojnë me politikën e tyre ditore, ku me vizitën e Komunitetit plotësojnë axhendën e tyre ditore. Ndërkaq Muslimanët me shumë durim e vendosmëri vazhdojnë të presin pranverën, kur do të çelin mimozat dhe atëherë ata do të kenë mundësinë që të falen në trotuaret apo oborret e xhamive mbi hasrat plastike.
Roald A. Hysa
Comments
Post a Comment