Shejh Ahmed Dedat
Ahmed Dedat (korrik 1918-gusht 2005)- Ai ka qenë një shkrimtar i madh dhe një ligjërues e orator i shkëlqyer musliman. Ai është shumë i mirënjohur për debatet e tij publike ndërfetare me të krishterët ungjillorë, po aq sa edhe për ligjëratat e tij me tema për Islamin, Krishterimin dhe Biblën. Ai u synoi që t’i pajisë muslimanët me armët e duhura teologjike për t’u vetëmbrojtur nga misionarët e krishterë dhe përpjekjet e tyre për t’i konvertuar muslimanët në të krishterë. Dedati u frymëzua në punën e tij nga e dijetarit të madh mysliman Rahmetullah Kairanvi “Iz’harul Hak – Peshorja e së vërtetës”. Ai përdori anglishten në vend të arabishtes për ta shpërndarë mesazhin e tij në të gjithë ato vende të Perëndimit ku kishte muslimanë. Ligjërata e parë e tij publike ka qenë “Muhamedi i Dërguari i Paqes”. Në vitin 1957 Dedati së bashku me dy shokë të ngushtë Gulam Hysein Vanker dhe Tahir Resuli themeluan Islamic Propagation Centre International (IPCI- Qendrën Ndërkombëtare të Përhapjes së Islamit) me të cilën ai ndihmoi duke shtypur libra dhe duke i shpërndarë ato në të katër anët, si dhe ishte presidenti i kësaj qendre deri më 1996. Me arritjen e suksesit ai i kushtohet tërësisht davas islame dhe arrin që në ligjëratat e tij të ndiqet nga një publik prej 40,000 vetësh. Por suksesin e tij më të madh e pati me debatet ndërfetare me tema të ndryshme nga Islami, Krishterimi dhe Bibla, ku më të famshmet janë debati kundër një misionari të krishterë nga Nazarethi dr. Anis Shorrosh i titulluar “A është Jezusi Zot?” dhe një tjetër me pionierin e Televangjelizmit të Krishterë Xhimi Suagart i titulluar “A është Bibla Fjala e Zotit”, i cili u ndoq nga 8,000 persona të pranishëm. Debatet e tij kundër Stenli Sjobergut dhe të tjerëve, si rasti i ushtarëve amerikanë të vendosur në Gjirin Persik patën një impakt të thellë tek ndjekësit e këtyre debateve dhe pjesëmarrësit e tyre. Kështu mund të përmendim një ish-ministër kishe si Keneth Xhenkins (tashmë quhet Abdulla Faruk), i cili përqafoi Islamin. Dedati mbajti gjithashtu ligjërata të kombinuar me debat me ish-misionarin Geri Miler (tashmë Abdul-ehad Omer) dhe ish-klerikun katolik Xhejms Kaningam,- të cilët përqafuan Islamin pasi kishin debatuar me të mbi Islamin dhe Krishterimin. Për më tepër ai e sfidoi papën pararendës Gjon Pali II në një debat publik, por ai pranoi të debatonte në një konferencë me një rreth tepër të ngushtë në një sallë të vogël. Më 3 maj 1996 Shejh Ahmed Dedat pëson një goditje nga e cila mbetet i paralizuar që nga qafa e poshtë dhe kështu humbet edhe aftësinë e të folurit. Ai ka fituar mirënjohjen e të gjithë botës islame për punën jashtëzakonisht të madhe që ka kryer në shërbim të Islamit. Pas nëntë vjet paralize ndërron jetë në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në Verulam të Afrikës së Jugut, ku edhe varroset me nderime në varrezat e këtij qyteti.
Comments
Post a Comment