Hyrja e osmanëve në trojet arbërore dhe kthimi në Islam









Hyrja e osmanëve në trojet arbërore dhe kthimi në Islam




Hyrja e Osmanëve në trojet arbërore është një proces i gjatë i shikuar nga këndvështrimi i futjes së Ballkanit nën sundimin e tyre. Nevojat osmane për ekspansion nuk bënin dallim kur vjen fjala për të marrë në dorë situatën dhe për t’i sjellë fundin sunduesve të ndryshëm ballkanas, qofshin ato grekë, latinë, sllavë apo arbëreshë. Ajo çka e karakterizon politikën ekspansioniste të sulltanëve të këtyre kohëve ishte marrja e Kostandinopojës, e veçanërisht atë të Mehmet Fatihut, që e ktheu në sfidë pushtimin e saj. Fundi i asaj çfarë kishte mbetur nga Bizanti ishte Kostandinopoja dhe këtë të gjithë sulltanët e atyre kohëve e dinin mirë. Marrja e Kostandinopojës do të thoshte edhe shkëputjen e lidhjeve të fundit shpirtërore, morale e politike të të gjithë sunduesve ballkanas me qendrën unifikuese politiko-shpirtërore të pushtetit nga ku e kishin burimin kryesor të gjithë ata. Gjendja e Bizantit në atë kohë ishte e mjerueshme dhe nuk përfaqësonte më atë superfuqi që kishte qenë. Kryqëzata e vitit 1204 dhe sundimi latin i Kostandinopojës në bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Shën Markut tashmë kishin sjellë shpërbërjen e Perandorisë Bizantine, fuqia e së cilës në kohën kur e kishte rrethuar sulltan Mehmet Fatihu kufizohej me qytetin e Kostandinopojës dhe rrethinat. Në këto kohë tashmë Shteti Osman dhe sulltanët ishin shfaqur si një formacion ushtarak me pikësynime të qarta për t’u zgjeruar në Rumeli-Ballkan e më gjerë në Evropë. Pasi i kishin futur nën sundimin e tyre këto vende, të tjera probleme iu dolën Osmanëve dhe që kishin të bënin me taksat, timaret dhe konsolidimin e pushtetit të tyre. Një fenomen që ka pasur interes të madh për studiuesit dhe ka qenë më i debatuari është ai i kthimit të fesë nga arbëreshët, nga të krishterë katolikë apo ortodoksë në muslimanë. Fushata konvertimi masiv, devshirmeja, xhizja, dhuna dhe taksat e rënduara janë disa nga tezat e hedhura nga studiues të ndryshëm mbi kthimin masiv tashmë të shqiptarëve nga të krishterë në muslimanë pas futjes së tyre nën sundimin osman. Të dhënat flasin ndryshe dhe politikat shtetërore të Osmanëve nuk i pohojnë tezat e mësipërme. Shteti Osman veproi si çdolloj shteti normal i asaj kohe, krahas ekspansionit konsolidoi themelet e hedhura nga sulltanët e ndryshëm njëri pas tjetrit, sistemi i mileteve, marrëveshjet me patriarkët e Stambollit dhe të Jeruzalemit, sistemi i taksimit, i cili nuk bënte dallim ndaj popullatës të krishterë apo muslimanë qofshin, dhe shumë elemente të tjera. Madje janë gjëra të ditura tashmë, se manastiret, kishat dhe katedralet së bashku me të gjithë klerin përkatës ishin jashtë sistemit të taksimit dhe gëzonin prona me të cilat mbaheshin asokohe.
a. Nënshtrimi i Ballkanit dhe i trojeve shqiptare nga osmanët
Beteja e Fushë-Kosovës më 1389-ën tregoi se princat ballkanas dhe bujarët e tyre nuk ishin në gjendje të ballafaqoheshin me një superfuqi të tillë, siç ishte asokohe Perandoria Osmane. Strategjia e tyre ishte thyerja e princërve të ndryshëm ballkanas një nga një nëpërmjet diplomacisë apo veprimeve të ndryshme politiko-ushtarake dhe vendosja e tyre fillimisht në gjendjen e vasalitetit. Arbëria në atë kohë ishte shumë e copëzuar dhe vetëm formalisht ndonjëri nga bujarët arbëreshë mundet, që të njihte sundimin e bizantinëve. Ndërkaq princat dhe bujarët arbëreshë kishin njohur për të parë të tyren me kohë mbretin anzhuin të Napolit, Karli I Anzhu[1], të cilit ia kishin deleguar kurorën mbretërore të Arbërisë, por secili vepronte për llogari të vet dhe po në këtë mënyrë i ndërtonte marrëdhëniet me fqinjët e vet, qoftë të afërt apo të largët. Pa mbushur mirë një shekull, një tjetër sundimtar i huaj do t’i imponohej trevave arbërore dhe ky ishte mbreti serb që do të vetëquhej më vonë “perandor i Romanisë, Sklavonisë dhe Arbërisë” Stefan Dushani[2]. Megjithatë principatat arbëreshe do të ruanin autonominë e tyre dhe do të përpiqeshin vazhdimisht të zgjeroheshin në dëm të fqinjëve, siç është rasti i Principatës së Balshajve, por edhe i të tjerëve Topiajve, Muzakajve etj. Turqit shfaqen fillimisht në jug të trevave shqiptare, duke u thirrur nga bujarët e ndryshëm si mercenarë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ushtarake midis tyre. Në rastin tonë konkret prej burimeve dokumentare marrim vesh se janë thirrur Turqit më 1358 në këto zënka, e më pas nga sundimtari serb i Janinës Thoma Preljuboviçi më 1380, që kishte një urrejtje patologjike kundrejt shqiptarëve[3]. Ndërkaq përpara se të ndërhynin ushtarakisht në Ballkan, osmanët nëpërmjet bizantinëve të islamizuar kishin filluar të ndërhynin në punët perandorake me sulltan Orhanin (s. 1326-1360)[4]. Po ashtu gjeneralë kompetentë osmanë kishin përgatitur një fushatë ushtarake efikase për të ndërhyrë në Ballkan, e cila u zbatua dhe u kompletua brenda 15 muajve pas hipjes në fron të sulltan Muratit I (s. 1360-1389). E gjithë Traka me kështjellat e saj kyçe dhe rrafshinën e saj që shtrihej deri në këmbët e maleve Ballkan ra në duar të osmanëve[5], duke ia ngushtuar edhe më tepër frymëmarrjen asaj çka kishte mbetur nga mbeturinat e Perandorisë Bizantine dhe duke i bërë më të dukshme synimet e tyre për shkatërrimin e saj dhe për futjen nën kontroll të pjesës tjetër të Ballkanit. Kryqëzata e katërt më 1204; e cila nuk mbërriti kurrë në Vendet e Shenjta, degjeneroi në plaçkitjen e Konstandinopojës nga kryqtarët dhe shumë ngjarje të tjera që pasuan ndarjen e madhe midis dy kishave të krishtera më 1054, bëri që një kronist bizantin të shënonte: “Saraqenët janë të mirë dhe të mëshirshëm në krahasim me këta njerëz që mbajnë mbi shpatulla kryqin e Krishtit”.[6] Megjithë përpjekjet e perandorëve bizantinë për të arritur në një marrëveshje me pjesën tjetër perëndimore ndaj rrezikut të dukshëm osman, nuk u arrit që ndonjë marrëveshje e nënshkruar të zbatohej konkretisht, porse më tepër u thellua ndarja midis krishterimit lindor ortodoks dhe atij latin perëndimor. Më 1425 përballë delegatit papnor, një funksionar i lartë bizantin deklaroi se: “Më mirë të shihet çallma turke në mes të kryeqytetit, sesa mitra latine”[7]. Perandori Jan Paleologu mundej të gjente aleatë vetëm duke premtuar nënshtrimin e Grekëve ndaj Kishës Romane. Përpjekjet për “kryqëzata” të tjera e veçanërisht kundër osmanëve u ndërlikuan më tepër kështu nga konflikti ndërmjet Kishave Greke dhe Latine, gjendje e cila pasqyrohet shumë qartë në një letër të poetit të shquar italian Petrarkës drejtuar Papës Urban: “Osmanllinjtë janë thjesht armiq, por Grekët skizmatikë janë më keq se sa armiqtë”[8]. Ndërkohë që muret e Kostandinopojës binin në duart e turqve osmanë vetë krishterimi latin përjetoi një krizë të fuqishme, kur tre papë njëkohësisht pretendonin fronin e Shën Pjetrit, i cili u zhvendos nga Roma për në Avinjon[9]. Kjo ishte pak a shumë ajo çka po ndodhte përreth arbëreshëve, të cilët nuk mund të arrinin të gjenin ndonjë mbështetje të sigurt, qoftë në Bizantin ortodoks, qoftë në Perëndimin latin, të cilët edhe vetë ishin të copëzuar në mbretëri e principata. Po ashtu ishte kjo gjendje e nderë paaftësie e Papatit, që nuk arriti t’i sigurojë mbështetjen e duhur në Perëndim Skënderbeut e Huniadit, kur atyre iu desh që të luftonin gati të vetëm kundër osmanëve, që përbënin fuqinë më të madhe të kohës. Kështu është viti 1385, kur me marrjen e Serresit, Ohrit dhe Manastirit fillon vendosja e Osmanëve në trevat e sotme shqiptare. Beteja e Fushë-Kosovës më 1389 do t’i jepte fund rezistencës efektive të organizuar të princave ballkanas, e cila do të pasohej vetëm nga bujari arbëresh Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur nga osmanët Skënderbej, si dhe nga Gjon (Janko) Huniadi. Janë dy beteja të rëndësishme, që i dhanë të drejtën osmanëve të mbizotëronin në Ballkan dhe të zhduknin pak nga pak rezistencën e popujve dhe të princave ballkanas. Zvarritja dhe pakësimi i ndihmës së premtuar nga Perëndimi, por edhe kushtet tej mase të favorshme për paqe të ofruara nga Murati II bënë që mbreti Vladislau i Hungarisë ta ratifikonte traktatin me osmanët në Seghedin. I ndodhur përballë propozimeve të favorshme Vladislau e nënshkroi traktatin në korrik 1444[10]. Ky traktat u thye me nxitjen e përfaqësuesit papnor pranë oborrit mbretëror hungarez kardinal Cezarinit pak ditë pas nënshkrimit. E gjitha kjo çoi në përplasjen e osmanëve dhe hungarezëve në betejën e Varnës, ku mbreti Vladislau vritet gjatë betejës dhe demoralizimi që ngjalli vdekja e mbretit shumë shpejt u shndërrua në panik dhe arratisje të përgjithshme nga sytë këmbët[11]. Në historinë e betejave kundër osmanëve humbja në Fushën e Mëllenjave, më 1448, do të thoshte fundi i ofensivave të ndërmarra nga popujt evropianë[12]. Në këtë situatë janë të kuptueshme përpjekjet e Huniadit për të arritur një normalizim të përkohshëm të marrëdhënieve me Perandorinë Osmane. Më 20 nëntor 1451 u arrit një armëpushim trevjeçar. Kushtet e armëpushimit nuk qenë dhe aq të favorshme për ta, megjithatë Osmanët i premtuan Hungarisë, Serbisë dhe Raguzës paqe për të gjithë periudhën e rënë në ujdi[13]. Pas kësaj periudhe qetësie Huniadi do t’i vazhdonte përsëri fushatat e tij antiosmane, por më 11 gusht 1456, në një kamp pranë Zemunit (pranë Beogradit të sotëm) vdes Gjon Huniadi, i vrarë nga epidemia[14] dhe mbyllet kështu një kapitull i rëndësishëm i rezistencës antiosmane, e cila do të vazhdohet edhe për pak kohë nga Gjergj Kastrioti. Skënderbeu sipas të gjitha burimeve historike kishte arritur të merrte një edukim në oborrin e sulltanit osman në trupat e jeniçerëve. Për të ardhur më 28 nëntor 1443, kur Skënderbeu shpall në Krujë shkëputjen nga vasaliteti osman dhe e shpall Krujën kryeqendrën e zotërimeve të tij. Pak muaj më pas në mars 1444 të këtij viti zhvillohet Kuvendi i Besëlidhjes shqiptare të Lezhës dhe si kryetar i saj zgjidhet Skënderbeu. Më pas menjëherë ky i fundit filloi të ushtrojë presion mbi bujarët e tjerë arbëreshë, duke ndjekur politikën e dobësimit të tyre në favor të principatës së vet dhe për pasojë zotërimet e këtyre bujarëve të shkriheshin në Principatën e Kastriotëve[15]. Pas rrethimit të parë të Krujës, i cili do të ishte një sukses i ndjeshëm për Skënderbeun, si pasojë e masave centralizuese që mori ai, jo vetëm feudalët e vegjël, por edhe feudalë të tjerë të mëdhenj, si Muzakët, Topiajt, Balshajt e humbën gradualisht pozitën e tyre si zotër feudalë të pavarur dhe principatat e tyre filluan të bashkohen me atë të Skënderbeut[16]. Kështu përballë kësaj politike centralizuese të Skënderbeut solli edhe dobësimin e asaj çka ishte arritur në Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, ku edhe i dolën haptazi kundra tij disa bujarë shqiptarë, bashkëpunëtorë shumë të afërt, si nipi i tij Hamza Kastrioti, Moisi Golemi, Gjergj Stres Balsha etj.[17], por që ata nuk patën sukses dhe ai arriti ta ruajë pushtetin me ndihmën e Raguzës.[18] Ndërkohë që po përgatiste Kuvendin e Dytë të Lezhës, Skënderbeu vdes i sëmurë rëndë në shtrat, duke i dhënë fund rezistencës së fundit zyrtare ndaj osmanëve në Ballkan. Po ashtu edhe përplasja osmano-venedikase për dominimin e bregdetit jonian dhe të Adriatikut tregoi për superioritetin osman. Me traktatin e 25 janarit 1479, Republika e Përndritur i lëshonte Portës së Lartë, Shkodrën, Krujën, Limnosin, Negropontin, si dhe Kepin e Magnës, në jug të Peloponezit[19]. Po në të njëjtin vit bie edhe Ulqini, të cilin ata ia dorëzuan çelësat e kalasë Ahmed pashë Hersegollit, vezir i Mehmed Fatihut. Mehmed Fatihu nga ana e tij e regjistroi si has të sanxhakbeut të Shkodrës[20]. Sulmet turke në Friuli arritën kulmin e tyre në vitin 1499. Në vitet 1500 e 1501 Venediku humbet njërin pas tjetrit një numër zotërimesh në Dalmaci, Shqipëri e Greqi: Modonin, Koronin, Navarinon, Durrësin. Në vitin 1502 po dukeshin shenjat e një paqeje mes Venedikut e Turqisë, që në fakt u nënshkrua në janar të vitit 1503. Kjo paqe rezistoi, mirë a keq, për tridhjetë vjet, duke mbyllur një periudhë të gjatë në të cilën pushteti venecian në gjirin e detit Adriatik erdhi vazhdimisht duke u rrudhur[21]. Fillimi i shek. XVI do t’i gjente të gjithë arbëreshët shumë shpejt nën sundimin osman dhe kështu do të niste një epokë e re për Arbërinë, e cila do të sillte më pas ndryshime rrënjësore për strukturën e popullatës dhe zhvillimet sociale.

b. Ndryshimi i strukturës konfesionale

Ndryshimi i strukturës konfesionale (besimeve) te shqiptarët qoftë të veriut dhe ato të jugut, pra, qysh nga Tregu i Ri që është pika më veriore e deri në Artë e në të gjithë Çamërinë ishte relativisht i ngadalshëm dhe mbetet një habi për të gjithë studiuesit për ndryshimet e mëdha që solli nga ana demografike për ndjekësit çdo feje. Pas futjes nën sundimin e osmanëve të të gjithë trojeve shqiptare, edhe të atyre pak qyteteve bregdetare që ishin nën kontrollin e venedikasve, u shoqërua natyrshëm edhe me ndryshimin e strukturës konfesionale në të gjithë vendin. Megjithatë na duhet të themi për hir të së vërtetës, se sundimi osman nuk ishte ai që solli kontaktet e para me Islamin, që ishte feja dhe doktrina shtetërore dhe ligjore e tyre. Kontaktet me Islamin të shqiptarëve janë shumë më të hershme se kaq. Një nga kontaktet më të hershme dhe që na ve më shumë në mendime është ekzistenca e Xhamisë së Mlikut, e cila sipas një dokumenti të ardhur nga Halepi i Sirisë daton rreth viteve 1205 e deri më 1291[22]. Pra, rreth një shekull më parë se të ndodhte, në mos dhe më tepër, Beteja e Fushë-Kosovës dhe të shfaqeshin turqit osmanë si fuqi e kohës. Sipas disa të dhënave historike kemi edhe rastin e Jakub Shpatës, një nga princat e parë shqiptarë që u kthye e u bë musliman. Hapat e parë drejt islamizimit masiv të shqiptarëve nuk janë bërë prej pushtetit osman siç mund të paraqitet rëndom nga historianët. Ato janë bërë prej tarikateve të ndryshme siç mund të përmendim bektashinjtë me Sari Salltëkun në Krujë, në Tetovë Kalkandelët dhe në Janinë teqeja e Sheh Hashimit, të cilët janë vendosur në territoret shqiptare para hyrjes së osmanëve[23]. Duhet pasur parasysh se për të krishterët ortodoksë dhe për muslimanët, integrimi me të krishterët katolikë ishte një poshtërim, rënie në një nivel më të ulët[24]. Vetë osmanët nuk kishin treguar ndonjë interes të veçantë ndaj prozelitizmit të popullsive të krishtera, si dhe përjashtimi i konvertimeve me dhunë nga pikëpamja shtetërore, i dha një kuptim të veçantë parullës së ortodoksëve bizantinë “Më mirë çallma turke, sesa tiara papale”[25]. Sipas të gjitha të dhënave historike ndryshimi i strukturës konfesionale nuk ka qenë i shpejtë dhe ndryshime të ndjeshme janë bërë pas më se një shekulli që sundimi osman zuri vend në trojet shqiptare. Ndërkaq me hyrjen e Mehmet Fatihut në Kostandinopojë, ai arriti një marrëveshje me Patriarkun Ortodoks Genad Skolarin, duke sjellë në jetë kështu sistemin e miletit osman, ku fillimisht përfshiheshin të krishterët armenë, ortodoksët, hebrenjtë dhe muslimanët. Disa historianë arsyet e konvertimit të shqiptarëve i shohin tek taksa e xhizjes, porse sipas regjistrave të xhizjes, në shek. XVI në Ballkan nuk kishte më tepër se 300 konvertime në vit[26]. Një numër jo-domethënës ky. Ndërkaq po të ishte kaq e madhe në sasi taksa e xhizjes, osmanët nuk do të kishin asnjë interes për ta konvertuar popullsinë e krishterë, porse do të kishin tendencën për të ruajtur atë gjendje për të vjelur vazhdimisht xhizjen. Ndërkaq në fqinjët tanë, ku mbizotëronte ortodoksia dhe marrëveshjet e sulltan Mehmetit u respektuan nga ana e shtetit osman deri ditën kur pushoi së qeni si shtet, nuk pati ndryshime të ndjeshme, kjo edhe për meritë të marrëveshjes së osmanëve me Patriarkanën. Kështu në gjysmën e parë të shek. XVI, Arbëria vazhdoi ta ruante fizionominë e saj të krishterë, procesi i islamizimit eci shumë ngadalë, gjë që tregon se qeveria osmane nuk ndoqi dhunën e drejtpërdrejtë për kthimin e të krishterëve në fenë islame dhe në sanxhaqet shqiptare shtëpitë e krishtera përbënin 98.3%, kurse ato muslimane 1.7%[27]. Ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XVI kemi nga 84 qytetet kryesore ballkanike në 60 qytetet më të mëdha mbizotëronin ende të krishterët, ku ritme më të shpejta kanë qytetet shqiptare[28]. Ndërkaq feudalë të mëdhenj nuk u detyruan nga osmanët, që të kthenin fenë për të ruajtur zotërimet, porse u përshtatën me sistemin e ri të timareve dhe kështu në regjistrat osmanë do të gjesh deri në dy breza të tjerë timariotë të krishterë[29]. Një nga tezat e ngritura prej disa studiesve është ajo e kthimit me dhunë nëpërmjet sistemit të devshirmesë, ose e thënë më mirë të marrjes së të krishterëve dhe futja e tyre në repartet e jeniçerëve, apo në shkollat e larta sulltanore, ku përgatitetshin për të shërbyer në pallatet e sulltanëve, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë osmanë. Megjithatë le të shohim se çfarë thonë shifrat, ndërkohë që rekrutimi bëhej një herë në tre vjet ose në shtatë vjet dhe merreshin 1.000-3.000 djelmosha[30] në të gjithë Ballkanin, ku kishte më tepër të krishterë. Me lejimin nga ana e Sulltan Muratit III në vitin 1582 të shtetasve muslimanë të inkuadroheshin në oxhakun e jeniçerëve, pushon së ekzistuari sistemi i devshirmesë. Sipas të gjithë të dhënave historike mesatarja e kësaj takse në vit shkonte 1.000 djem dhe nga fillimi i zbatimit të këtij sistemi në shek. XV e deri në fund të shek. XVI, numri i djemve të krishterë të rekrutuar është ndërmjet 200.000-300.000 vetëve. Pra, siç mund të shihet se edhe kjo tezë e humbet vlerën e vet nga pikëpamja kohore, e sipërfaqes së madhe gjeografike ku kryhej rekrutimi dhe nga pikëpamja numerike, që nuk përbën ndonjë rritje të ndjeshme të të konvertuarve. Të rekrutuarit e devshirmesë për disa vjet me radhë nën kujdesin e mësuesve më të mirë, merrnin një edukim jashtëzakonisht të zgjedhur, që përfshinte të gjitha disiplinat: sportive, ushtarake, intelektuale dhe artistike. Kjo gjë bëhej me qëllim që ata të përgatiteshin për t’u bërë të përsosur në të gjitha drejtimet, por duke zhvilluar njëkohësisht dhuntitë e veçanta të çdonjërit. Në të njëjtën kohë, ata formoheshin për të marrë përsipër të tëra detyrat shtetërore dhe për t’i kryer ato me frymën e nënshtrimit të plotë dhe të besnikërisë së patundur ndaj sulltanit. Në të vërtetë ata e ndërronin fenë, porse nuk humbisnin, përkundrazi përfitonin nga ky sistem dhe i mirëprisnin[31] të dërguarit osmanë që merreshin me rekrutimin e tyre. Ndërkaq popullsia e krishterë, veçanërisht ajo katolike, gjendej pa drejtuesit e saj, ose edhe ato priftërinj që ishin, ishin injorantë siç vërehet edhe nga studiues të huaj. Nga ana tjetër serbët nëpërmjet kishës svetisaviane i serbizonin të krishterët katolikë me dhunë, duke ua ndërruar deri edhe emrat dhe po ashtu vepronin edhe ortodoksët grekë, që për nga pikëpamja e miletit nuk përbënin ndonjë ndryshim të madh për sundimin osman, sepse i nënshtroheshin Patriarkanës. Duke u gjendur para presioneve të tilla ku “...deri në katër mijë frymë të krishtera me një prift të vetëm keqbërës, konkubinar dhe që jep shembull të keq”[32], nuk është për t’u habitur se si zona të tëra pak nga pak filluan të islamizohen. Pra, arsyet janë komplekse dhe nuk mund të jenë thjesht ato që janë paraqitur si presion i padurueshëm i të ashtuquajturit pushtim osman. Megjithatë një fakt domethënës është se në vendet e tjera të Ballkanit si grekët, serbët, malazezët dhe rumunët, megjithëse janë fqinjët tanë dhe kanë qenë nën sundimin osman gjithashtu, nuk shihet të ketë pasur konvertime në ndonjë numër të ndjeshëm. Ndërkaq zona të tëra në jug dhe në veri të trojeve shqiptare e kanë ruajtur identitetin e tyre të krishterë, katolik apo ortodoks. Debatit të islamizimit mund t’i sillnim edhe argumente të tjera, porse këto janë ato më kryesoret dhe më të debatueshmet në opinionin publik dhe fundja kaq na lejon vendi.



[1] “Historia e Popullit Shqiptar”, vëll. 1, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, fq. 240.
[2] Po aty, fq. 276.
[3] “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV (Burime Bizantine)”, Përg. Koço Bozhori, U.SH. Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967, fq. 25-26.
[4] “Histori e Ballkanit”, Georges Castellan, Sh.B. Çabej, fq. 58.
[5] “The Ottoman Centuries: The rise and fall of the Turkish Empire”, Lord Kinross, Harper Collins Publishers, New York - USA 2002, fq. 45-46.
[6] “Histori e Ballkanit”, Georges Castellan, Sh.B. Çabej, fq. 42.
[7] Po aty, fq. 37.
[8] “The Ottoman Centuries: The rise and fall of the Turkish Empire”, Lord Kinross, Harper Collins Publishers, New York - USA 2002, fq. 46.
[9] The battle for God, A history of Fundamentalism, Karen Armstrong, Ballantine Books, New York 2001, USA, fq. 61.
[10] Mureşanu, Camil. Janko Hunyadi- Mbrojtës i Krishterimit, Sh.b. 55, Tiranë 2008, fq. 117
[11] Po aty, fq. 128.
[12] Po aty, fq. 202.
[13] Po aty, fq. 213.
[14] Po aty, fq. 241.
[15] Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Sh. B. Luarasi, Tiranë 2001, fq. 135.
[16] Po aty, fq. 136.
[17] Po aty, fq. 137.
[18] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 83.
[19] Po aty, fq. 105.
[20] Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Ohër. Sh.b. 55, Tiranë 2008, fq. 38.
[21] Nadin, Lucia. Shqiptarët në Venedik- Mërgim e integrim 1479-1552, Sh.B. 55, Tiranë 2008, fq. 81.
[22] “Në gjurmët e faltoreve të vjetra”, Fatri Maqellara, Qytetërimi Islam, buletin periodik, nr. 1/1999, fq. 9.
[23] Kujtime, v. I (1885-1912), Eqerem bej Vlora, Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë 2001, fq. 207.
[24] Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Jack Le Goff, Botimet Toena – Fondacioni Soros, Tiranë 1998, fq. 182.
[25] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 283 dhe fq. 285.
[26] Po aty, fq. 285.
[27] Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit 1506-1839, fusha fetare I, Petrika Thëngjilli, Tiranë 2002, fq. 25-26.
[28] Po aty, fq. 38.
[29] Zgjimi kombëtar shqiptar, Stavro Skëndi, Phoenix & Shtëpia e Librit, Tiranë 2000, fq. 18.
[30] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 283 dhe fq. 170; dhe “Histori e Ballkanit”, Georges Castellan, Sh.B. Çabej, fq. 117.
[31] Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantranit, Dituria, Tiranë 2004, fq. 136.
[32] Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, V. III (1603-1621), përg. Injac Zamputi, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1989, fq. 37.

Comments

  1. Your blog is really interesting.I like it.
    Have a nice day.

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit