Formimi dhe shkaterrimi i universit





Teoritë e formimit të Universit

Nga Burxhu Çekmexhe

Deri në mesin e shek. XX këndvështrimi mbizotërues në të gjithë botën ishte se universi është i pafund, ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojë kështu gjatë gjithë kohës. Sipas këtij vështrimi, i cili njihet si “modeli i universit statik” universi nuk ka, as fillim, as fund. Përmbajtja e kësaj teorie, se universi është një përmbledhje substancash të fiksuara, statike dhe të pandryshueshme përbën bazën e filozofisë materialiste dhe për pasojë ka hedhur poshtë ekzistencën e Krijuesit. Megjithatë meqë shkenca dhe teknologjia përparoi gjatë shek. XX modeli “i universit statik” u çrrënjos krejtësisht.
Tashmë kemi hyrë në shek. XXI dhe një agim i ri qëndron mbi ne. Nëpërmjet eksperimenteve të shumta, vëzhgimeve dhe përllogaritjeve të drejtuara nga disa prej shkencëtarëve më të shquar fizika na ka provuar, se universi me të vërtetë ka pasur një fillim, se ai erdhi në ekzistencë nga asgjëja në një moment të vetëm me një shpërthim të madh. Për më tepër që tashmë është diçka e sqaruar përfundimisht, që universi nuk është i fiksuar –statik, ashtu siç vazhdojnë të këmbëngulin me kokëfortësi materialistët. Në të kundërt pa u ndier kemi një proces konstant lëvizje, ndryshimi dhe zgjerimi. Të gjithë këto fakte të sqaruara së fundmi të gjitha këto veprojnë si gozhdë për ta gozhduar arkivolin e teorisë së universit statik. Sot të gjitha këto fakte janë të pranuara universalisht nga komuniteti shkencor. Origjina e universit na përshkruhet në Kuran në ajetin vijues:
“Ai i krijoi qiejt dhe tokën nga asgjëja.” Enam 101.
Ky informacion është në pajtim të plotë me zbulimet e shkencëtarëve bashkëkohorë. Ajo që u përmend më sipër, pra universi erdhi në ekzistencë nga asgjëja si rezultat i një shpërthimi, në fizikë njihet si Big Bang.

Universi që zgjerohet
Në Kuran, i cili na është zbuluar 14 shekuj më parë kohë kur astronomia ishte një shkencë totalisht primitive zgjerimi i universit na përshkruhet kështu:
Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë. Dharijatë 47.
Deri në fillim të shek. XX i vetmi këndvështrim mbizotërues në botën e shkencës ishte, se “universi ka një natyrë konstante dhe ai ka ekzistuar qysh prej një kohe infinit.” Po në këtë kohë fizikanti rus Aleksandër Fridman dhe kozmologu belg Zhorzh Lëmetrë përllogaritën teorikisht, se universi është në lëvizje të vazhdueshme dhe se ai zgjerohet. Ky nocion u konfirmua nga të dhënat e vëzhguara më 1929. Ndërsa po vëzhgonte qiellin me teleskop astronomi amerikan Edvin Habëll zbuloi se yjet dhe galaktikat largoheshin vazhdimisht nga njëri-tjetri. Ky zbulim shihet si një nga më të mëdhenjtë në historinë e astronomisë. Gjatë vëzhgimeve Habëll vërejti se yjet emetojnë një dritë, e cila bëhet e më e kuqe sipas largësisë. Kjo ndodh kështu sipas ligjeve të njohura nga fizika, ku drita që i drejtohet pikës së vëzhgimit kthehet në vjollcë, kurse drita që i largohet asaj pike bëhet më e kuqe. Gjatë vëzhgimeve të tij Habëll vërejti tendencën drejt së kuqes të dritës që lëshohej nga yjet. Me pak fjalë yjet po largoheshin edhe më shumë gjatë gjithë kohës. Yjet dhe galaktikat jo vetëm që largohen prej nesh, por gjithashtu edhe nga njëra-tjetra. Një univers ku gjithçka largohet vazhdimisht nga gjithçka tjetër do të thotë se është një univers që zgjerohet vazhdimisht. Të gjitha vëzhgimet e bëra në vitet në vijim vërtetuan, se universi zgjerohet vazhdimisht. Me qëllim që ta kuptojmë më mirë këtë, le ta paramendojmë universin sikur është sipërfaqja e një tullumbaci të fryrë. Ashtu si fryhet një tullumbac dhe pikat në të largohen nga njëra tjetra, po ashtu edhe trupat qiellorë largohen nga njëri-tjetri kur zgjerohet universi. Kjo u zbulua teorikisht nga Albert Ajnshtajn, që është një nga shkencëtarët më të nëdhenj të shek. XX. Megjithatë për të mos e prekur “modelin e universit statik”, që ishte i pranuar gjerësisht asaj kohe Ajnshtajni e la mënjanë këtë zbulim.  Ai do ta përshkruante këtë gjë si gabimin më të madh të jetës së vet. Ky fakt është shpjeguar në Kuran, në një kohë kur teleskopët dhe përparimet teknologjike të kësaj natyre as që mendoheshin. Kjo sepse Kurani është fjala e Allahut, Krijuesit dhe Sunduesit të gjithë universit.

Fundi i Universit dhe përtypja e madhe
Ashtu siç u tha më sipër krijimi i universit filloi me një shpërthim të madh. Nga kjo pikë e asaj kohe universi ka vazhduar të zgjerohet. Shkencëtarët thonë, se kur masa e universit do të mbërrijë në një nivel të mjaftueshëm ky zgjerim do të mbarojë për shkak të gravitetit, duke shkaktuar që universi të shkatërrohet vetë. Teoria e Përtypjes së Madhe (Big Crunch) propozon që universi, ashtu si nisi zgjerimin e tij me Big Bengun do të shembet brenda vetes, duke u shkatërruar me shpejtësi të madhe. Sipas kësaj teorie kjo shembje e universit do të vazhdojë deri sa universi ta ketë humbur masën e tij dhe të kthehet në një pikë të vetme me dendësi infinit. Gjithashtu besohet se universi i tkurrur do të mbarojë i tkurrur aq fort sa e kanë emërtuar Përtypja e Madhe (Big Crunch). Renata Kallosh dhe Andrei Linde, profesorë të fizikës në Universitetin e Stanfordit kanë deklaruar rreth kësaj teme:
Universi mund të jetë i destinuar të shkatërrohet e të zhduket. Gjithçka që ne shohim tashti, edhe në një largësi më të madhe që ne nuk e shohim do të shembet brenda një pike më të vogël se sa një proton. Lokalisht do të jetë njësoj sikur të jesh brenda një vrime të zezë... Ne kemi zbuluar, se në disa nga përpjekjet më të mira për ta përshkruar energjinë e errët parashikojnë se ajo do të kthehet gradualisht në energji negative, e cila do të sjellë mungesën e stabilitetit në univers, dhe më pas shkatërrimin e tij... Fizikantët e dinë tashmë, se energjia e errët mund të bëhet negative dhe universi mund të shkatërrohet dikur në një të ardhme të largët... por tashti ne e shohim se kjo mundet të ndodhë jo në fillim, por në mes të ciklit të jetës së universit tonë.
Ja se si përshkruhet hipoteza e Përtypjes së Madhe (Big Crunch) në Kuran:
(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palosim qiellin sikurse palosja e fletëve të një libri. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është detyrim Yni, e Ne e bëjmë këtë. Enbija, 104.
Në një ajet tjetër kjo lloj gjendje e qiejve përshkruhet kështu:
Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë! Zumer, 67.
Sipas teorisë Përtypjes së Madhe (Big Crunch) universi do të fillojë të shembet ngadalë dhe më pas do të bëhet shkatërrimi i tij me shpejtësi. Në fund të procesit universi do të dendësohet në infinit dhe do të zvogëlohet e nxehet pafundësisht. Kjo teori shkencore shkon paralelisht me shpjegimet kuranore të këtij koncepti të veçantë shkencore. Allahu e di më së miri.

Marrë nga islamonline.net perktheu: Roald A. HYSA

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit