Shekullarizmi modern




Shekullarizmi modern dhe rrënjët e tij


Shekullarizmi dhe laicizmi janë dy terma të cilët vazhdojnë të na shqetësojnë në jetën tonë të përditshme, duke qenë një fushë e hapur për diskutim. Sidomos në jetën e sotme shoqërore nga grupe të ndryshme interesi ato interpretohen dhe zbatohen ndryshe. Këto dy drejtime kanë të ngjashmet dhe të përbashkëtat e tyre dhe ato ndryshojnë prej vendeve të tyre të origjinës. Gjithsesi këto përbëjnë trendin kryesor të shoqërive perëndimore qysh nga ditët e para të Revolucionit Borgjez Francez e deri në ditët tona. Pasi lindi dhe zuri vend gjerësisht në Perëndim kjo tendencë e demokracive perëndimore filloi të eksportohej edhe në vende të tjera, si një model që pati sukses në vendet e origjinës. Zbatimi i këtyre të dy termave social-filozofike në politikë dhe në shtetformim ka gjetur zbatime të ndryshme edhe në vendet e origjinës së tyre. Po ashtu me zgjerimin gjeografik ka ndryshuar, por qendra e tyre ka mbetur akoma edhe sot Evropa Perëndimore. I pari që foli për shekullarizmin ishte një britanik Xhorxh Xhekob Houlliouk në 1851, ndërsa laicizmi gjeti zbatimin e vet në Francë dhe mori nota të thella anti-klerikalizmi dhe kundër kishës në përgjithësi. Prej gati dy shekujsh këto terma janë interpretuar e ri-interpretuar edhe nën dritën e ngjarjeve historike dhe sot vazhdojnë të interpretohen nga filozofë e sociologë bashkëkohorë nën dritën e rrethanave të reja historike që krijohen.
Shekullarizmi është parimi i ndarjes së institucioneve qeverisëse dhe i personave të mandatuar për të përfaqësuar shtetin nga institucionet fetare dhe prijësit e ndryshëm fetarë. Në një mënyrë shekullarizmi pohon të drejtën, që shoqëria të jetë e lirë nga sundimi dhe mësimet fetare, dhe që qeverisja të jetë e lirë nga ndikimi i fesë brenda një shteti, që është neutral në çështjet e besimit. Në një tjetër kuptim më të drejtpërdrejtë shekullarizmi i referohet këndvështrimit, që veprimtaria dhe vendimet njerëzore dhe veçanërisht ato politiket duhet të jenë të pandikuara nga ndikimet fetare. Shekullarizmi i gjen rrënjët e veta të largëta në disa filozofë grekë e romakë, të tillë si Mark Aureli dhe Epikuri, tek Ibn Rushdi në Mesjetë, ndërsa gjatë periudhës evropiane të Iluminizmit tek mendimtarë të tillë, si Denis Didero, Volteri, Baruh Spinoza, Xhon Loku, Xhejms Medison, Tomas Xheferson dhe Tomas Pein, dhe së fundmi tek disa mendimtarë të lirë, agnostikë dhe ateistë të tillë si Robert Ingersol dhe Bertran Rasell. Qëllimet dhe argumentet në mbështetje të shekullarizmit ndryshojnë gjerësisht. Nga laicizmi evropian shekullarizmi debatohet si një lëvizje përdrejt modernizimit, dhe që qëndron shumë larg vlerave fetare, që gjithashtu njihet si shekullarizim. Ky lloj shekullarizmi në nivel shoqëror ose filozofik është shfaqur më shumë në ato shtete me fe zyrtare krishterimin, apo në ato shtete që e mbështesin zyrtarisht fenë. Disa studies debatojnë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shekullarizmi shtetëror ka shërbyer gjerësisht për ta mbrojtur fenë dhe fetarët nga interferencat qeveritare, ndërsa shekullarizmi në nivelin shoqëror është më pak mbizotërues. Brenda disa vendeve lëvizje të ndryshme politike e kanë mbështetur shekullarizmin për arsye të ndryshme.
Termi “shekullarizëm” u përdor fillimisht nga shkrimtari britanik Xhorxh Xhekob Houlliouk në 1851. Houlliouk e shpiku termin “shekullarizëm” për të përshkruar këndvështrimin e tij për të promovuar një rregull shoqëror të ndarë nga feja, pa i kritikuar apo larguar besimet fetare. Houlliouk duke qenë vetë një agnostik debatonte me të tjerët se: “Shekullarizmi nuk është një argument kundër Krishterimit, është diçka e pavarur nga ai. Ai nuk merret me pretendimet e Krishterimit; ai përkrah disa të tjera. Shekullarizmi nuk thotë, se nuk dritë apo udhëzim tjetërkund, por i përmbahet asaj që ka dritë dhe udhëzim në të vërtetën shekullare kushtet dhe sanksionet e së cilës ekzistojnë pavarësisht dhe veprojnë përgjithmonë. Dija shekullare haptaz është ajo lloj dije, e cila gjendet në këtë jetë, e cila është e lidhur me sjelljet e kësaj jete, të çon në mirëqenien e kësaj jete, dhe është e aftë t’i bëjë ballë sprovave të kësaj bote”. Houlliouk në këtë qëndrim të tijin është i ndikuar nga të qenit agnostik, dhe në total i referohet jetës së kësaj bote siç edhe mund të shihet nga këto fjalë.
Fjala laicitet është përdorur qysh nga fundi i shek. XIX e këndej për të kuptuar lirinë e institucioneve publike dhe veçanërisht të shkollave fillore nga ndikimi i Kishës Katolike në ato vende ku ajo ka pasur ndikim në kontekstin e një procesi shekullarizues. Sot ky koncepti mbulon të gjitha lëvizjet fetare. Ata që e kanë propozuar këtë pohojnë se shekullarizmi shtetëror francez është i bazuar në respektin e mendimit dhe lirinë e fesë. Së këndejmi mungesa e fesë shtetërore dhe për pasojë ndarja e kishës nga shteti konsiderohet të jetë kusht paraprak për këtë liri mendimi. Propozuesit e laicitetit thonë se ai është i diçka krejt tjetër nga anti-klerikalizmi, i cili në të vërtetë e kundërshton ndikimin e fesë dhe të klerit. Laiciteti mbështetet në ndarjen e jetës private, së cilës i përkasin ithtarët e fesë dhe sferës publike ku këta ithtarë duhet të shfaqen si qytetarë të thjeshtë të barabartë me qytetarët e tjerë të lirë nga çdolloj veçantie etnike, fetare apo tjetër. Sipas këtij koncepti qeveria duhet t’i shmanget marrjes së pozicioneve mbi doktrinat fetare dhe t’i marrë në konsideratë subjektet fetare për praktikat e tyre në jetën e banorëve. Mbështetësit debatojnë se laiciteti në vetvete nuk do të thotë nevojshmërisht armiqësi e qeverisjes me respektin që kanë ndaj fesë. Ai përshkruhet më së miri, si një besim, që qeverisja dhe çështjet politike duhet të mbahen larg organizatave dhe çështjeve politike (për aq sa kjo e fundit nuk ka të bëjë me pasoja shoqërore të dukshme). Me këtë nënkuptohet për të mbrojtur qeverisjen nga çdolloj ndërhyrje të mundshme nga organizatat fetare, dhe t’i mbrojë organizmat fetare nga mosmarrëveshjet dhe kundërshtitë politike.
Kritikët e laicitetit debatojnë, se kjo është një formë e maskuar e anti-klerikalizmit dhe shkelje e të drejtave individuale e shprehjes fetare, dhe kjo në vend që të promovojë lirinë e mendimit dhe lirinë e fesë, e ndalon besimtarin të ndjekë fenë e tij/ e saj.

Në terma politike shekullarizmi është një lëvizje drejt ndarjes se fesë nga qeverisja (ku më rëndom nënkuptohet ndarja e kishës nga shteti). Kjo gjë mund t’i referohet edhe pakësimit të lidhjeve ndërmjet qeverisë dhe fesë zyrtare, duke i zëvendësuar ligjet e bazuara në Shkrimet e Shenjta (të tilla si Torahu dhe Sheriati) me ligjet civile, dhe duke zhdukur diskriminimin me bazë fenë. Me këtë në demokraci mbrohen të drejtat e minoriteteve fetare. Shpesh shekullarizmi asociohet me periudhën e Iluminizmit në Evropë dhe ka luajtur një rol qendror në shoqërinë perëndimore. Parimi, por jo edhe nevojshmërisht praktika e ndarjes së kishës nga shteti në Shtetet e Bashkuara dhe i laicitetit në Francë tërhoqën shumë drejt shekullarizmit. Kushtetuta franceze e përkufizon Francën si “një Republikë laike” dhe francezët në përgjithësi mendojnë se ata me laicizmin përbëjnë “një përjashtim”. Tashmë në përgjithësi në të gjithë Perëndimin është një trendi i mirënjohur shekullarizmi dhe eksportimi i tij nëpërmjet sistemit demokratik edhe në vendet e tjera të Lindjes. Mirëpo shekullarizmi amerikan është i një fryme tjetër, madje ai do të ishte më i përshtatshëm për vendin tonë. Në SH.B.A. hapësirat publike nuk konsiderohen totalisht të lira nga religjioni, por  rregullat e përgjithshme dhe ligjet sanksionojnë që hapësirat publike duhet të jenë të hapura për forma të ndryshme të besimit. Roli i qeverisë amerikane nuk është të forcojë sekularizmin, por të përshtasë shprehjen e besimeve në mënyrë neutrale[1].
Shekullarizmi si frymë qeverisje në vendet e ndryshme muslimane shfaqet pas Luftës së Parë Botërore dhe rënies së Perandorisë Osmane më 1923. Proceset shekullarizuese kishin filluar tashmë, por rënia e kalifatit dhe e sulltanatit osman njëkohësisht i hapi rrugë ndërtimit të shteteve kombëtare në Ballkan e duke u shtyrë edhe më tej në Lindjen e Mesme me shtete të reja si Turqia, Shqipëria, Siria, Arabia Saudite etj. Me ndonjë përjashtim të ndonjë shteti si Arabia Saudite, i cili qysh në fillimet e veta vendosi në kushtetutën e vet bazat e Sheriatit dhe të gjykimit në bazë të këtij ligji, të gjitha shtetet e reja të ngritura, duke pasur në gjirin e tyre edhe minoritete fetare të krishtera iu drejtuan filozofive qeverisëse shekullarizuese dhe laicizuese. Sipas natyrës së vendeve dhe të elitave udhëheqëse u zhvilluan këto procese. Në këtë drejtim një shembull të veçantë përbën Turqia e Mustafa Qemalit, i cili doktrinën e vet qeverisëse e ngriti në nivel kushtetues, duke e ashpërsuar luftën për zbatimin e saj. Madje absurdi arriti deri aty sa elita qeverisëse qemaliste kërkoi të nacionalizojë edhe fenë islame, duke e kënduar Kuranin turqisht, faljen e pesë kohëve turqisht dhe ezanin turqisht.


[1] Unsecular America, Christian Century, Vol. 121, No. 4, 24 February 2004, p. 5.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit