Një mandat amerikan për Shqipërinë?
Një
mandat amerikan për Shqipërinë?
Roald
A. HYSA
Me ç’farë anë t’pjerrë Amerika,
Anës tjetër i bie pika.
Hafiz Ibrahim Dalliu 1919
Hajde nëno
mos ki frikë
Se ke
djemtë në Amerikë...
Fan Noli
Pak
njerëz e dinë që ata që e ngritën Shqipërinë më 1920-ën patën kërkuar asokohe
një mandat amerikan për Shqipërinë. Këta politikanë të mëdhenj ishin të
mendimit se vetëm Amerika gëzon autoritetin moral të nevojshëm për një mandat
mbi Shqipërinë. Ata janë emra të shquar si Faik Konica, Mehmet Konica, Mihal
Turtulli, Esat pashë Toptani, Kristo Dako, Mit’hat Frashëri etj., ndërsa Fan
Noli me cilësinë e kryetarit të Vatrës kërkonte një ndihmë amerikane më tepër,
se sa protektorat. Por është fakt se edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit
e kanë marrë seriozisht këtë mundësi. Njerëzit që merren me historinë dhe në
forumet internetare ku diskutohen çështjet e Shqipërisë të pas Luftës së Parë
Botërore mund t’i dinë disa gjëra nga këto që përmendëm më sipër dhe që do t’i
shtjellojmë në vijim, ndërsa publiku i gjerë nuk e di që ishte pikërisht elita
politike e kohës, që në bisedimet e Konferencës së Paqes në Paris 1919 pjesa më
e madhe e tyre do të kërkonte, që për të paktën një vit ose dy SHBA të merrnin
një mandat kujdestar për Shqipërinë. Dhe jo vetëm delegacioni shqiptar e kërkoi
këtë gjë, por do të ishin edhe kolonitë e emigrantëve shqiptarë në Rumani,
Turqi e SHBA. Do të ishte dr. Adhamidhi ai që do të bënte inicimin e kësaj
kauze në Amerikë, si Kryetar i shoqërisë Bashkimi në Egjipt dhe delegat i
Vatrës. Këto koloni i drejtuan një peticion presidentit Uillson, në të cilin kërkojnë
nga ai që të pranojë një mandat amerikan mbi Shqipërinë “në mënyrë që ta udhëheqë
atë në rrugën e progresit e të qytetërimit, që ajo të bëhet faktor i rregullit
dhe i paqes në Ballkan”. Këtë peticion e kanë nënshkruar Halil Pasha, kryetar i
kolonisë shqiptare në Turqi, Princ Gjika, Pandeli Evangjeli, kryetar i kolonisë
shqiptare në Rumani, Parashqevi Qiriazi, në emër të partive politike dhe grave
shqiptare në Amerikë, Mihal Grameno e Nuredin Vlora. Tashmë është një gjë e
ditur se ishte ndërhyrja vendimtare e presidentit amerikan Uillson, bazuar në
14 pikat e një platforme për një rend të ri botëror më të mirë, që do ta
shpëtonte Shqipërinë nga një copëtim i mëtejshëm dhe nga pretendimet
territoriale të fqinjëve mbi të ashtuquajturin Vorio Epir nga Grekët dhe
kërkesat për Shkodrën e pjesën veriore të Shqipërisë nga Serbo-Malazezët, si
dhe për pretendimet ndaj Vlorës dhe të pjesës tjetër të Shqipërisë nga Italia.
Në
fillim të prillit të vitit 1919 temë e ditës ishte mandati italian mbi Shqipërinë,
ajo që e shqetësonte shumë politikën dhe elitën shqiptare të kohës, e sidomos
sovraniteti italian mbi Vlorën, si një pikë kyçe gjeo-strategjike mbi Otranton.
Në delegacionin shqiptar në Paris me në krye Turhan Pashën lindin kontradikta për
zgjidhjen e këtij problemi, ku ky i fundit ishte për një zgjidhje kompromisi.
Anëtarët e delegacionit e largojnë Turhan Pashën dhe sjellin në krye ipeshkvin
Luigj Bumçi. Delegacioni i dërgon fuqive të mëdha të Konferencës së Paqes një
letër të nënshkruar Mehmet Konica, Mihal Turtulli e Mit’hat Frashëri me cilësinë
e anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme dhe të delegacionit shqiptar të pranishëm
në bisedime. Në këtë letër u kushtohet më shumë vend arsyeve pse Italia nuk
mund të jetë mandatore e Shqipërisë. Edhe në këtë letër Konica dhe të tjerët
theksojnë, se vetëm Amerika disponon autoritetin moral të nevojshëm për
realizimin e një mandati mbi Shqipërinë. Njohja e delegacionit amerikan me detajet
e çështjes së Adriatikut dhe ato të Ballkanit e ndryshoi deri në një farë mase
qëndrimin e delegatëve amerikanë ndaj çështjes shqiptare.
Sipas
Hari Silajxhiç* njohës shumë i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe që
ka hyrë në arkivat e Uashingtonit në studimin e tij pohon: “Është fakt se në
Departamentin e Shtetit mendonin seriozisht për një mandat amerikan mbi Shqipërinë.
Për këtë flet edhe një memorandum i brendshëm, i cili për fat të keq nuk ka datë.”
Më tej Silajxhiç sqaron se porosia e parë e këtij memorandumi është të
themelohet Shqipëria e bashkuar në kufij që do të përfshinin Shqiptarët në
Serbi dhe Mal të Zi. Ky territor do t’i jepej një mandatori neutral ndaj
shqiptarëve dhe të gjitha këto kushte vetëm SHBA mund t’i plotësonte. Po sipas
Silajxhiçit edhe një nga anëtarët e delegacionit amerikan ishte i mendimit se
Amerika duhet ta pranonte mandatin mbi Shqipërinë, se prania e Amerikës aty do
të kishte një jehonë pozitive për tërë Ballkanin.
Madje
edhe Hoxha Kadri Prishtina me anëtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës i
janë drejtuar presidentit Uillson në vitin 1918 për t’iu ankuar ndaj masakrave
të serbo-malazezëve në Plave e Guci. Për fat ndërhyrja e presidentit Uillson u
mjaftua në ruajtjen e statusit të Shqipërisë londineze dhe nuk u shty më tej
edhe për faktin se emigracioni grek loboi dhe pati një ndikim të ndjeshëm nëpërmjet
senatorit amerikan Loxh. Mehmet Konica pati ndihmën e pakursyer të një
amerikani dashamirës Çarls Telford Erikson, i cili përgatiti një memorandum për
Konferencën e Paqes, por që u cilësua “si një punë e mirë, por që përmbante
doza utopie”. Delegacioni shqiptar e paraqiti kërkesën e tij zyrtare në
Konferencën e Paqes për një mandat amerikan mbi Shqipërinë më 7 mars 1919.
Në fund
të Konferencës së Parisit Shqipërisë do t’i duhej të përballej me fqinjët në
përplasje të forta ushtarake dhe për fat Lufta e Vlorës do të mbyllej në favor
të Shtetit të ri më 1920, me kryeministrin e dalë nga Kongresi i Lushnjes
Sulejman bej Delvinën. Lufta e Koplikut ishte
luftë kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës. Kjo
ndërhyrje synonte të shkëpuste një pjesë tjetër nga trualli shqiptar dhe ta
detyronte qeverinë shqiptare të ndiqte një politikë projugosllave. Hafiz
Ibrahim Repishti luajtur një rol aktiv në mobilizimin dhe organizimin e
Luftës së Koplikut (1920), për gjashtë muaj rresht. Ndërkaq nga ana verilindore
do të ishin përpjekjet e Elez Isufit, që do të ndalnin invazionin serb dhe me
10 dhjetor 1921 fuqitë tona kombëtare hynë në Dibër, Peshkopi e në Lumë si
ngadhnjimtarë duke pasur në ballë komandantin e përgjithshëm Elez Jusufin dhe
kapiten Ali Rizain.
Merita
e presidentit Uillson qëndron në faktin se ai arriti të pengojë vënien në jetë
të Traktatit të fshehtë të Londrës 1915, i cili praktikisht nënkuptonte
eliminimin e Shqipërisë nga harta gjeo-politike si shtet.
Comments
Post a Comment