Vatra dhe ndihmesa e saj


Vatra dhe ndihmesa e saj për njohjen dhe ruajtjen e kufijve shqiptarë





Roald A. HYSA


Vatra është një nga shoqatat më aktive të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit për çështjen kombëtare. Të gjithë emigrantët shqiptarë u mblodhën rreth kësaj shoqërie, duke dhënë një ndihmesë të shquar dhe njëkohësisht tepër të vlefshme sidomos gjatë periudhës 1912 e deri më 1925, kohë kur u stabilizua problemi i kufijve me fqinjët tonë, të cilët nuk reshtën me përpjekjet e tyre për të shkëputur copa territoresh. Edhe sot e kësaj ditë fqinjët tanë jugore nuk kanë hequr dorë nga pretendimet mbi Vorio Epirin. Përplasjet për Shqipërinë e Jugut kanë nisur më herët se sa ditët e fundit kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe ngritja e një shteti shqiptar me të gjitha atributet. Gjatë kësaj kohe arritën deri në kulm masakrat greke në Çamëri e në të gjithë ato pjesë ku kishte Shqiptarë.
Pas vendosjes së Faik Konicës në Amerikë më 1909 do të fillonte një erë e re në përpjekjet kombëtariste të emigrantëve shqiptarë. Ai do të drejtonte të përjavshmen Dielli, e cila do të kthehej në një pikë reference për të gjithë shqiptaro-amerikanët. Kostandin Demo një nga pionierët shqiptarë në Amerikë shkruan se Faik Konica ishte “një forcë e madhe lëvizëse dhe frymëzim për të gjithë ata shqiptarë që dëshirojnë shtet të pavarur shqiptar.” Ndërkohë që edhe Shqiptarët myslimanë e kishin themeluar një shoqatë të tyren, e cila kishte hapur një shkollë në Uoterberi, Konektikat me rezultate të jashtëzakonshme. Krahas përpjekjeve për të arritur një sensibilizim më të madh dhe forcimin e rrjetit të brendshëm Vatra dhe drejtuesit e saj të lartë lobuan fort për Çështjen Kombëtare dhe tërheqjen e vëmendjes të administratës amerikane ndaj problemit shqiptar. Problemet u bënë më të ndjeshme gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Madhe, kur si fqinjët veriorë dhe jugorë të Shqipërisë nisën fushata të mirëfillta të spastrimit etnik. Një rol të dhimbshëm në këtë drejtim ka luajtur edhe kisha ortodokse, sidomos në jug të vendit.
Kisha Greke e mbështetur edhe nga Fanari i Stambollit, po ashtu edhe nga Ekzarkati Bullgar ranë dakord që të punonin kundër Shqiptarëve. Një nga misionarët amerikanë i pranishëm në Shqipëri  gjatë Luftës së Parë Botërore në një shkrim të tijin ka theksuar se në krimet monstruoze gjatë Luftërave Ballkanike ka ndikuar Kisha Greke. Në raportet e misionarëve jepen shifra mbi këto krime, ku janë djegur 35,000 shtëpi dhe janë vrarë 20,000 njerëz në tetor 1913, ndërsa në gusht 1914 me mijëra njerëz vuajnë nga uria, malaria dhe janë pa strehë. Po sipas raporteve të këtyre misionarëve pjesa më e madhe tyre janë myslimanë, 200,000 bektashi e 100,000 synitë, të zhvendosur të gjithë këto në rrethinat e Vlorës. Në një informacion të ambasadorit amerikan në Itali Nelson Pejxh flitet për dërgimin e një anëtari të personelit të ambasadës për të vëzhguar gjendjen. Ai e konfirmon gjendjen e rëndë të të shpërngulurve me forcë shqiptarë dhe gjenocidin e trupave greke ndaj popullsisë shqiptare në jug të vendit. Priftërinjtë grekë i shërbyen politikës greke të ekspansionit territorial, ku çdo ortodoks që deklarohej shqiptar dhe mësonte shqip shkishërohej.
Studiuesi Harri Silajxhiç vëren se ishin emigrantët shqiptarë ata që e sensibilizuan çështjen shqiptare në Amerikë, dhe vinin pikërisht nga zonat ku kishin ndodhur masakrat greke. Kështu Shqiptarët në Amerikë u përpoqën me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion të tërheqin vëmendjen e publikut amerikan për situatën në Shqipëri. Vatra u përpoq gjithashtu maksimalisht ta paraqesë problemin shqiptar edhe para publikut evropian. Ata luajtën një rol të rëndësishëm në ndihmë të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919.
Vatra reagoi ashpër edhe ndaj përpjekjeve të organizatës Pan-Epirote në Amerikë, e cila kërkonte përfshirjen e Shqipërisë së Jugut brenda Greqisë. Ajo përgatiti një memorandum ku me fakte hidhte poshtë manovrat greke me peticionin me nënshkrime false të përgatitur nga Grekët, sikur popullsia e Jugut këkronte t’i bashkohej Greqisë. Ky memorandum u botua në “Adriatic Review” dhe në këtë mënyrë u informua edhe publiku me të gjitha hollësitë e kësaj dredhie. Përfaqësuesi i Vatrës në Konferencën e Paqes ka qenë patrioti dhe diplomati Mehmet Konica. Shqiptarët e Amerikës mblodhën një shumë të konsiderueshme për nevojat e delegacionit shqiptar në Paris, 250,000$, ku një pjesë e kësaj shume u investua në daljen e revistës “Adriatic Review” në anglisht dhe shqip, për të sensibilizuar publikun amerikan.
Projekti i një mandati italian mbi Shqipërinë shkaktoi kundërshtimin e të gjithë politikanëve shqiptarë, po ashtu edhe të veprimtarëve të Vatrës. Fan Noli përgatiti dhe ia dërgoi më pas Komisionit Hetimor Amerikan një memorandum në të cilin paraqiste në mënyrë të detajuar pikëpamjet shqiptare për këtë çështje. Aty Noli shprehet se për Shqiptarët një protektorat italian do të thotë pushtim dhe kjo do të ishte një poshtërim për ata, pavarësisht përkatësisë fetare. Veprimtarë të shquar shqiptaro-amerikanë në dobi të lëvizjes kombëtare kanë qenë edhe çifti Kristo e Sevasti Dako e Parashqevi Qiriazi (këto të dyja motra), të cilët lobuan pranë administratës amerikane në dobi të Shqipërisë. Vatra e vazhdoi kontributin e saj edhe me dërgimin e Fan Nolit në Shqipëri si deputet i diasporës shqiptare. Megjithëse në distancë të largët Vatra luajti rolin e oponentit gjatë viteve 1920-1925 ndaj politikave të ndryshme dhe partive në Parlamentin Shqiptar.
Ndihmat e Vatrës dhe sensibilizimi që i bëri kjo shoqëri emigracionit në forma të ndryshme e ndihmuan popullin shqiptar të kalojë pasojat e para shkatërruese që la Lufta e Parë Botërore, dhe kjo mund të shihet edhe në këtë dyvargësh të Fan Nolit:

Hajde nëno mos ki frikë
Se ke djemtë në Amerikë...



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit