SI U LUFTUAN ZAKONET “PRAPANIKE”?



SI U LUFTUAN ZAKONET “PRAPANIKE”?

Nga Avokat Xhafer Sadiku

Lufta e regjimit komunist kundër fesë dhe zakoneve të “vjetra” daton që me marrjen e pushtetit, por në fillim të viteve 1960 lufta u ashpërsua duke aktivizuar Frontin Demokratik dhe mësuesit. Këshillat pedagogjike u ngarkuan me detyrë të raportonin në fund të çdo viti mësimor, se çfarë kishin bërë gjatë vitit “kundër kundër zakoneve prapanike”, madje u ishte thënë që “…pranë këshillit pedagogjik të ketë një dhomë të propagandës ateiste”.
Më 3 prill 1962, Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH e diskutoi problemin duke thirrur disa nga sekretarët e partisë në rrethe, për të ekspozuar situatën në terren.
Një nga zakonet “prapanike”, sipas drejtuesve të partisë, ishte edhe mos dalja e vajzave dhe nuseve të reja kur ata vinin nëpër shtëpitë e fshatarëve. Një zakon i tillë ishte pothuaj se në të gjitha rrethet e vendit. Veshja tradicionale e grave konsiderohej zakon prapanik etj.
Sekretari i komitetit të partisë të rrethit Tepelenë, tha se: ”…kishat janë bërë shkrumb dhe për të krishterët nuk kemi ndonjë problem, por ne kemi sot 17 bektashianë dhe shehlerë. Myhyp nuk ka përveç atyre të vjetërve, … një ndihmë të madhe për të luftuar zakonet prapanike dhe për të përhapur njohuritë ateiste – shkencore na kanë dhënë arsimtarët… Përveç leksioneve për të luftuar zakonet prapanike janë çfaqur edhe skeçe të ndryshme…”
Sekretari i parë i partisë për Tiranën vuri në dukje se: “… Teqe në rrethin tonë nuk kemi përveç Petrelës, por edhe këtu besnikët e saj janë mjaft të pakët. Këtë vit kemi vënë re se ka patur frekuentim të madh natën e kadrit, përveç atyre në moshë të kaluar ka patur edhe të rinj, të cilët i merrnin prindërit, ndërsa ditët e premte venë shumë pak…”
Në Berat, çështja e zakoneve prapanike dhe pikëpamjet fetare kanë qenë problem, - theksoi sekretari i parë i partisë së atij rrethi, - “prandaj ne e kemi kapur seriozisht këtë çeshtje. Tek ne ka qenë problem sidomos Tomorri, ku venë jo vetëm njerzit, por theren dhe një sasi e madhe bagëtish… Në qytetin e Beratit ndodhet një lagje ku ka mjaft fetarë të cilët mbajnë edhe ramazan. Në hedhjen e kryqit në ujë tani nuk venë më njerëz si më parë, vitin e kaluar u hodhën për të marrë kryqin dy të rinj që nuk janë anëtarë të bashkimit të rinisë. Ditët e pashkëve nuk ndodh që priftërinjtë të ndezin qirinj rrugëve për të tërhequr vëmendjen e njerëzve… E zhvilluar është bërja e synetllëkut.. Më parë kemi patur nxënës të shkollave që mbanin ramazan, por arsimtarët kanë bërë një punë mjaft të madhe në këtë drejtim dhe tani nuk gjen nxënës që të mbajnë ramazan”.
Megjithë masat e regjimit, kishte rezistencë jo vetëm nga populli por edhe nga komunistët. 
Në mbledhje u tha se: “na rezulton të ketë mësues të cilët nuk luftojnë kundër zakoneve prapanike dhe që mbajnë ikonat në shtëpi, duke thënë se janë vepra arti etj... Për ramazan ka raste që komunistët jo vetëm që i mësojnë fëmijët të mbajnë ramazan, por venë dhe u thonë mësuesve pse u bëni presion. Ka gjithashtu komunistë që i bëjnë fëmijët e tyre synet dhe që shkelin vendimet që ka marrë organizata e frontit.
Kleri, sidomos kleri katolik, në këtë situatë vepron me taktikë, ai punon me tepër për tërheqjen e njerëzve në ceremonitë fetare ... Meqë tani nuk kanë shkollë të tyre, ata mundohen të rekrutojnë nga elementët që janë më besimtarë".
Enver Hoxha vlerësoi punën e organizuar që bëhej në Shkodër, ndërsa përmendi një sërë masash që duhej të merreshin, për të luftuar “zakonet prapanike” dhe “mbeturinat fetare”. Në Tomorr, tha ai, “të bëhet repart ushtarak, në mënyrë që të mos venë njerëzit...
Në qoftë se xhamia prishet, xhami tjetër nuk ka, vdiq hoxha ose myftiu, nuk kemi me kë ta zëvendësojmë. Në qoftë se Gjirokastra nuk ka myfti nuk kemi ku të gjejmë tjetër. Në qoftë se kërkon nxënës për medresenë komuniteti mysliman, ne nuk kemi t’i sigurojmë. Me një fjalë, të përdoren lloj lloj mënyrash të tilla për të penguar aktivitetin e komuniteteve fetare. 
Pastaj, mund të flitet në mënyrë të veçuar dhe të organizuar me hoxhallarët e priftërinjtë. Ndonjë hoxhe ose prifti që është i mirë t’i flitet haptazi që të mos tregohet i zellshëm në punën e tij, t’i thuhet të hidhet edhe ndonjë fjalë kundër fesë për të ftohur besimtarët nga feja. Fundi edhe le ta heqin nga puna. Kështu do të jetë më mirë fshati do të mbetet pa të dhe pa xhami. Në këtë drejtim pra, kur vjen puna në shteg mund të merren disa masa të tilla, natyrisht jo fare hapët… sepse këta nuk janë veçse 150 hoxhallarë që i bien kokën vërdallë partisë. Prandaj i mblidhni ose bashkarisht, ose në grupe, ose veç e veç dhe punoni me ta… Çështja është që të neutralizohet puna e tyre sa më shumë”.
P.S. ky studim  eshte bazuar mbi materialet e Byrose Politike te Partise Punes se Shqiperise dhe mbi fjalet e diktatorit Enver Hoxha

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit