VENDIMI QË NXITI PROPAGANDËN ATEISTE




VENDIMI QË NXITI PROPAGANDËN ATEISTE

(Ata duan ta fikin dritën e Allahut me frymët e tyre, por Allahu veçse e përsos atë...)
Nga avokat Xhafer Sadiku

Ndalimi i besimit fetar dhe prishja e objekteve të kultit, më 1967, u parapri nga një fushatë propagandistike ateiste që zgjati disa vjet. Në mbledhjen e 3 prillit 1962, Sekretariati i KQPPSH diskutoi për intensifikimin e propagandës ateiste dhe mori vendimin përkatës. Vendimi* u firmos nga Enver Hoxha dhe përmbante shtatë pika.
Detyra kryesore i vihej Lidhjes së shkrimtareve dhe artistëve, me qëllim që të kishte më tepër tregime, skeçe, pjesë teatrale, skica etj. Gjithashtu duhej të aktivizonte më shumë njerëzit e letërsisë dhe arteve në qendër e rrethe, si dhe redaksitë e shtypit dhe Radio-Tiranës.
Një rol të rëndësishëm iu ngarkua shkollës, ndërsa tërheqja e të gjithë masës së arsimtarëve dhe intelektualëve të tjerë në propagandën ateiste – shkencore duhej të konsiderohej si një nga detyrat themelore.
Ministria e Arsimit dhe Kulturës u ngarkua të kishte kujdes për përgatitjen e arsimtarëve me frymën ateiste në shkollat pedagogjike, në kurset e ndryshme, apo edhe në seminaret me punonjësit e kulturës.
Propagandës ateiste i shërbenin edhe lufta kundër zakoneve, që Partia i quante të këqija si dhe organizimi i festave si Viti i Ri, 1 Maji, 28-29 Nëntori etj. Festa të tilla si ajo e pranverës, e të korrave, martesat, datëlindjet, etj, sipas Partisë, duhej të zhvisheshin nga lëvorja fetare dhe tu jepej karakter popullor.
Të organizoheshin mbrëmje dëfrimi, piknikë, etj që të rinjtë të mos e ndjenin nevojën për të vajtur në faltore dhe në panaire fetare. 
_______________
*) Vendim nr. 128, datë 3.4.1962 , (Mbi luftën kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare dhe mbi përhapjen e njohurive ateiste-shkencore në masa)


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit