Himni i flamurit dhe strofat e harruara



Himni i flamurit dhe strofat e harruara


Roald A. Hysa


28 vs 29 nëntori, tashmë njerëzit janë ndarë në dy pjesë. 5 Heronjtë e Vigut u rivendosën në Shkodër dhe politika festoi e ndarë. Ardhja në fuqi e komunizmit la në heshtje shumë gjëra. Për ato gjëra sapo ka filluar të flitet, por gjithmonë në skaje. Njerëz dhe figura të margjinalizuara nga historiografia komuniste e indoktrinuar nga një ideologji ateiste ekstreme, e cila i shuante apo i nxirrte në harresë për t’i larguar nga kujtesa kolektive e popullit. Rasti në fjalë është vetë himni i Flamurit, tek i cili u aplikua kjo ideologji.

Pak histori
"Himni i Flamurit" ose siç njihet rëndom "Rreth Flamurit të Përbashkuar" është përdorur për herë të parë në 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga baballarët e Kombit Shqiptar në Vlorë. Fillimisht himni jonë ka qenë një marsh rumun i përdorur edhe si himn kombëtar. Muzika është kompozuar nga Ciprian Porumbescu, ndërsa autor i tekstit është rilindësi Aleksandër Stavre nga Drenova e Korçës, ASDREN. Deri më tani poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore të nacionalizmit shqiptar. Ky himn ka fituar tashmë qytetarinë pavarësisht edhe ndonjë përpjekje gjatë këtij 102-vjeçari për ta zëvendësuar atë.

Strofat e harruara
Të gjithë e kemi kënduar me zë të lartë himnin tonë kombëtar nëpër evenimente të ndryshme. Madje jemi çjerrë duke e kënduar atë përpara ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit të skuadrës tonë Kuq e Zi në Serbi, Francë e gjetkë. Nëse ka një moment ku të gjithë Shqiptarët janë ndjerë të bashkuar të gjithë pa përjashtim të majtë apo të djathtë, Gegë e Toskë, malci jallia ka qenë pikërisht, kur ne të gjithë jemi çuar në këmbë dhe kemi kënduar me dorën në zemër pikërisht vargjet e Asdrenit. Jemi ndjerë krenar sa herë që ky flamur ka valuar në garat olimpike, ku atletët tonë kanë zënë vend në podin e nderit, si dhe i kemi parë politikanët tonë të krenohen më shumë se sa golden medalistët, që kanë derdhur djersë pa hesap për të qenë në majë të atij podi. U ndjemë krenar kur fluturoi me dronin mbi Beograd dhe djemtë tonë nuk e lanë të binte për tokë, e në shumë e në shumë raste të tjera.
Por nuk e kisha këtu fjalën. Teksti i himnit tonë përbëhet nga 6 strofa nga të cilat shumica e Shqiptarëve veç tre dinë. Pikërisht tre të parat, të cilat reflektojnë edhe gjendjen politiko-historike të asaj kohe të trazuar luftërash ballkanike e botërore më pas. Shqipëria si nocion politik me gjithë flamurtarët e kombit dhe shtetit që po ngrihej ishte në rrezik të mbetej një nocion vetëm në letër. Me mijëra veta derdhën gjak e ranë dëshmorë për këtë flamur. Tashmë rrethanat kanë ndryshuar, madje kishin ndryshuar me kohë, se kur pyesnim për strofën e katërt të cilën nuk e këndonim gjatë regjimit komunist, na thoshin se përmendja e Zotit në këtë strofë ishin “mbeturina mikroborgjeze” dhe “të zakoneve fetare e prapanike”, që mbizotëronin në mendimet e Asdrenit.

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

E pra, rilindësit ishin të gjithë njerëz që besonin në Zot dhe për këtë e demonstruan në të gjithë veprimtarinë e tyre jetësore, e Asdreni e futi edhe në atë pra, që do të hynte në gojën e të gjithë Shqiptarëve, himnin e tyre të flamurit. Por komunistët që erdhën në pushtet nuk kishin se si ta pranonin këtë fakt. Të ardhur nga lufta vëllavrasëse atyre iu leverdisnin vetëm etiketimet dëshmorë e tradhtarë. Tradhtarë për ata ishin “armiqtë e popullit” legalistët, ballistët, indipendentistët, fetarët që i kishin kundërshtuar gjatë luftës, e kushdo që nuk pranonte vijën e Partisë Komuniste. Epitetet i shenjtë, atdhe i shtrenjtë, dhe fjala Zot, emërtimet theror e shenjtor ishin “mbeturina fetaro-mikroborgjeze” dhe “zakone prapanike”. Një terminologji me konotacione fetare nuk mund t’i pëlqente një regjimi të ashpër ateist, që i dënoi dhe i vrau fetarët. Me mbarimin e periudhës moniste dhe fillimin e demokracisë ndryshuan krejtësisht rrethanat, por për fat të keq himni vazhdoi të këndohej me dy strofa apo edhe tre të tilla, dhe “në emër të laicitetit të shtetit vazhdoi të mbesë në harresë” strofa e tretë. Megjithëse nga dita në ditë po del në pah kontributi i fetarëve për këtë vend, e në veçanti i hoxhallarëve përsëri në emër të laicitetit po lihen në harresë dhe po përmenden vetëm në ato vende që janë larg vëmendjes së publikut.
E si mund të kujtohen patriotët e shquar Hafiz Dalliu e Hafiz Aliu që e shkrinë jetën e tyre për këtë vend dhe për këtë shtet, për arsimin e ndriçimin e këtij populli. Kryetarët e bashkive të Tiranës e Durrësit Zyber efendi Hallulli, Ismail efendi Ndroqi, Ali efendi Dërhemi e Hafiz Ali Podgorica. Edhe për njëqind-vjetorin e ngritjes së Flamurit, po ashtu edhe këto ditë që po festohen përsëri festat nuk po përmenden fetarët, që kontribuuan për këtë flamur. Data 29 nëntor reflekton të njëjtat ngarkesa negative, që i përmenda më sipër “mbeturina fetaro-mikroborgjeze” dhe “zakone prapanike”. Ato fetarë që kanë qenë pjesë e Shtetit Shqiptar të përpara vitit 1945, edhe sot e kësaj dite nuk ka për ta ndonjë fjalë apo akuzë për korrupsion a diçka tjetër. Shpresojmë që së shpejti këta njerëz të marrin përkujtimin e duhur dhe të zënë vendin që ju takon në historinë e vendit tonë.
Lista e tyre është shumë e gjatë dhe nuk patën frikë të sakrifikohen për këtë atdhe që e kishin ideal. Ndërkaq një ndryshim të vogël të himnit mund ta bënim duke e futur në strofën e katërt, në vend “të luftojmë”, sepse po vazhdojmë të luftojmë; na duhet të fusim “të punojmë”, pra “Për të, për të punojmë ne!”. E kjo strofë duhet të zërë vendin e merituar duke u kënduar me zë të lartë e me krenari nga të gjithë, duke mos harruar edhe të gjithë ato fetarë, që luftuan e punuan për Flamurin Kombëtar.


Himni Kombëtar

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!

Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vend.

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.

Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet

Mbi dhe, nën dhe’ si një shenjtor!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit