Arti Islam







Mbi disa zhvillime në artin dhe arkitekturën islame

Ajo çka gjendet mbi tokë do të zhduket, ndërsa do të mbetet përgjithmonë Fytyra e Zotit Tënd gjithë Madhështi e Lavdi”. (Rrahman, 26-27)

Vështrim i përgjithshëm

Çdo gjë ndryshon, zhvillohet dhe një ditë asaj i vjen fundi. Për këtë kanë qenë të ndërgjegjshëm të gjithë ata që dhanë sadopak ndihmesë në të gjitha këto fusha të artit dhe arkitekturës islame. Ajo çka janë munduar këta artistë të sjellin është që të bashkojnë hyjnoren në kornizën e realitetit bashkëkohor të çastit që jetohet. Kjo ka sjellë ndryshimin, duke ruajtur njëkohësisht edhe thelbësoren në tipologjinë e artit dhe të arkitekturës. Të flasësh për artin dhe arkitekturën islame nuk është një temë që mund të trajtohet lehtë. Do të duheshin disa vëllime dhe një kohë e gjatë studimore për të dhënë një mendim shterues rreth këtij fenomeni karakteristik, i cili shtrihet gjerësisht në kohë dhe në hapësirë. Në kohë, ai nis qysh me ndërtimin e Qabes (Kaaba) prej Ibrahimit, pra, duke hyrë thellë në kohë e vazhdon deri në ditët tona. Kurse në hapësirë nis qysh nga Arabia që është djepi i të gjithë Qytetërimit Islam dhe i përfshin të gjithë kontinentet. Kështu që si ndërmarrje është shumë e vështirë për vetë faktin e dy faktorëve të mësipërm themelorë për një studim të mirëfilltë. Megjithatë kjo nuk na ndalon të paraqesim një panoramë të përgjithshme dhe të japim një vështrim të shkurtër për disa çështje rreth kësaj teme. Në sferën e këtij ndikimi përfshihet edhe Shqipëria, e cila përjetoi një periudhë kohore të konsiderueshme nën ndikimin osman, rreth 500 vjet. Ky ndikim shfaqet jo vetëm nën atë që rëndom historianët e quajnë pushtim dhe sundim, por në të gjitha sferat e jetesës, shpirtërore, shoqërore, artistike, kulturore etj. Arti dhe arkitektura Islame shfaqen nga mesi i shek. të 7-të si një kulturë alternative dhe shumë bindëse[1] me thjeshtësinë e saj imponuese fillimisht dhe më pas duke kaluar në vepra madhështore dhe kryevepra që do të kishin dhe kanë ende një ndikim të madh në arkitekturën bashkëkohore. Me hyrjen e Kalifatit Islam në Spanjë e duke mbrritur deri në Puatje, ku edhe frenohet nga Karl Marteli, Mbreti i i Frankëve, krijohet një zonë e gjerë kontakti midis këtij qytetërimi të ri dhe atij të Botës së Vjetër që në atë kohë përjetonte periudhën e errët të saj. Ndikimi arab tek evropianët perëndimorë ishte shumë i ndjeshëm sidomos nëpërmjet universitetit të famshëm të Kordovës dhe arriti që të bëhej aq i modës saqë Adelard de Bath do të pohonte se shumë mendime të tija ua atribuonte arabëve me qëllim që të pranoheshin nga lexuesit e asaj kohe[2]. Kushdo mund t’i dallojë entitetet e mëdha kulturore brenda artit dhe arkitekturës islame: ajo osmane, perëndimore islame, egjiptiane, iraniane dhe indiane. Ato bëhen të dallueshme qysh në fillimet e shek. XIV. Studime më të detajuara natyrisht që mund të nxjerrin nënndarje të tjera në kohë dhe hapësirë dhe shumë studiues të shek. XX përpiqen në këto drejtime. Ndërmjet tipareve të dukshme që i bashkojnë të gjitha këto tradita të ndryshme dhe që i ndajnë nga kulturat e tjera të mëdha është uniteti i funksioneve. Me pak fjalë, është krijuar një funksion fetar dhe social islamik që është i veçantë vetëm për tokat muslimane. Një funksion i larmishëm ky dhe që ndërtimet nuk janë të së njëjtës formë. Por ato janë të njëjta për aktivitetin njerëzor për të cilin janë ndërtuar. I kufizuar në format simbolike (mihrabi, minareja, kaligrafia për zbukurim, arabeskat), ky funksion musliman mund të përshtatet shumë mirë në çdo traditë arkitekturale apo ornamentale dhe kjo mund të vihet re në të gjithë arealin botëror islam me ndarjet dhe nëndarjet e veta. Shumë e vështirë është për të gjetur një emërues të përbashkët për të gjitha shprehjet artistike te popujt muslimanë. Paraqitja e frymorëve në artin islam është e ndaluar nga Tradita Profetike dhe në këtë drejtim ky art dallohet nga ajo që quhet anikonizëm, pra, nuk është në qendër të vëmendjes figura njerëzore. Kështu që baza e traditës artistike qëndron në zbukurimet kaligrafike si tipar i dallueshëm i kësaj kulture, në të cilën fjala si një ndërmjetëse e Zbulesës Hyjnore luan një rol shumë të rëndësishëm. Një shprehje tipike e artit musliman është edhe arabeska me të dyja format e saj, gjeometrike dhe bimore. Një lule që del nga një tjetër pa fillim dhe fund dhe e aftë për të dhënë një numër të pafund variacionesh. Punimet në gur të arabeskave u futën nga mesi i shek. 15-të dhe në shekullin pasues, edhe në stilet e Xhulio Romanos dhe të nxënësve të Rafaelit për të zbukuruar galeritë e hapura dhe llozhat e Vatikanit[3].

Periudhat e zhvillimit historik

Zhvillimi i artit islamik – nga shek. VII e deri në shek. XVIII – mund të klasifikohet në tre periudha kryesore. Periudha formuese e artit islamik nis qysh me udhëheqësit e parë të Islamit, kalifët umajadë (661-750) Muavinë, Jezidin etj, të cilët e përhapën Islamin nga Damasku, Siri e deri në Spanjë. Periudha e mesme përfshin harkun kohor të kalifëve abasidë (750-1258) Harun er-Rashidin, Mutevekilin etj, të cilët sunduan në Bagdad, Irak deri në pushtimin e tij nga Mongolët. Ky kalifat është i famshëm për përkrahjen e tij për mësimin dhe kulturën dhe është më i shkëlqyeshmi në historinë islame. Periudha qysh nga pushtimi mongol e deri në shek. e 18-të mund të emërtohet për lehtësi periudha e vonshme e artit islamik. Brenda kësaj periudhe, stile të dallueshme arti u përcaktuan në pjesë të ndryshme të botës islame, sipas shijeve të dinastive të sundimtarëve të ndryshëm. Në periudhën e vonshme të artit dhe arkitekturës hyjnë edhe periudha osmane (1453-1900) dhe periudha mogule (1530-1760). Këto dy të fundit i dhanë një shkëlqim të madh arkitekturës islame, e para me xhamitë e famshme të Stambollit dhe e dyta me Taxh Mahallin dhe përzierjen e disa kulturave me atë vendase, duke krijuar kështu edhe një gjuhë të re, urdunë.

Tipologjia sipas shtrirjes gjeografike

Arti dhe arkitektura islame përfshin territoret e Lindjes së Mesme, Afrikën Veriore, Indinë Veriore dhe Spanjën që ranë nën kontrollin e muslimanëve qysh në fillimin e shekullit VII. Më pas Islami pati një përhapje të gjerë edhe në Kinë, Filipine dhe në gadishullin e Indokinës, Malajzi e ishujt e Indonezisë. Arti Islam karakterizohet në përgjithësi nga mungesa e paraqitjes figurative të krijesave të gjalla. Kjo karakteristikë njihet nën emërtimin anikonizëm që vjen nga greqishtja an - mungesë + ikona - pamje + izëm. Refuzimi i paraqitjes së figurave njerëzore dhe të kafshëve e ka rrënjën e saj në mësimet e Profetit Muhamed a.s. themeluesi i Islamit. Ndjekësit e parë të Muhamedit a.s. vinin nga të gjitha anët e Gadishullit Arabik dhe nuk kishin tradita vendase të krahasueshme me ato të mbretërive që i pushtuan njëra pas tjetrës, prej të cilave morën edhe pikënisjen. Me përhapjen e Islamit, format e tij të artit u zhvilluan të modifikuara edhe nga kushtet klimaterike dhe materialet e përdorshme në vendet e fituara, duke përthithur dhe duke përshtatur stilet artistike vendase. Motivet e një zone shumë shpejt u bënë universale për botën e gjerë islamike. Arti Islamik kështu mori nga shumë burime, sidomos nga Persia para-islamike, nga e cila mori ornamentet, dekoracionet dhe nga arkitektura e saj. Stilet e Azisë Qendrore u sollën nga inkursionet e mongolëve dhe të turqve. Ndërsa influenca kineze pati një efekt formatues në pikturën islamike, poçerinë dhe tekstilet. Po të shihen me vëmendje ndërtimet e Afrikës Veriore shihet një ndikim i madh nga arkitektura egjiptiane porse po të hyjmë më thellë në kontinentin afrikan në Mali, Burkina Faso e Nigeri do të shohim një ndryshim rrënjësor dhe kalimin në një arkitekturë tërheqëse primitive por shumë interesante nga pikëpamja ndërtimore, duke krijuar kështu një areal më vete. Elementet e përbashkëta në të gjithë këto zona dhe gjatë të gjithë kohërave në ndërtimet e xhamive janë drejtimi gjeografik nga Qabja, mihrabi, minareja, kaligrafia për zbukurim, oborret e jashtme ose të brendshme të pajisura me çezmat për të marrë abdes[4]. Një karakteristikë, e veçantë për metropolet e mëdha ishin komplekset e mëdha arkitektonike ku në qendër kishin xhaminë, mensa për të varfërit, spitale, kitabhanet dhe medresetë (biblioteka dhe shkolla). Ndërsa të veçantat e këtyre ndërtimeve shihen në materialet e përdorura për ndërtim që i kanë dhënë edhe natyrshmërinë dhe unicitetin sipas zonave gjeografike e duke shfaqur kështu tipologji të veçanta. Në Afrikën Veriore mbizotëron tulla e pjekur në diell dhe duke zbritur më poshtë në Mali dhe Burkina Faso shihen ndërtime me baltë unike e ndërthurur, për ta përforcuar murin, me hunj që dalin jashtë faqes së murit dhe duke i dhënë ndërtimit nga pamja e jashtme, një tërheqje të veçantë. Muret janë shumë të larta dhe ndërtesa nuk ka çati për shkak të reshjeve të pakëta në këto zona. Ndërsa ndërtimet me tullë të pjekur shfaqen në Spanjë shumë herët dhe ndërtimet me gur të skalitur shfaqen në zonat malore. Në zonat fushore shfaqen ndërtimet me qerpiç (tulla balte të thara në diell), këtu hyjnë edhe ndërtimet e Shqipërisë së Mesme. Për herë të parë minarja shfaqet në Tunizi dhe nëpërmjet osmanëve përhapet në të gjithë botën islame.

Xhamia dhe karakteristikat e saj themelore

Ritualet e thjeshta të besimit islam i dhanë jetë një arkitekture unike fetare, duke përfshirë këtu xhaminë (mesxhidin), një vend për mbledhjen e bashkësisë dhe faljen, dhe medresenë, ose shkollën fetare. Më vonë këtij kompleksi iu shtuan edhe bibliotekat (kitabhanet). Xhamia është një ndërtesë që shërben si vendadhurimi për muslimanët. Xhamitë janë të tipeve dhe përmasave të ndryshme; xhamitë e së Premtes – në të cilat e gjithë bashkësia mblidhet për të kryer faljen e së Premtes – janë me të vërtetë më të rëndësishmet. Karakteristikë e veçantë e xhamive ishte se ndërtoheshin në qendër të qytetit dhe çdo lagje kishte xhami të vetën dhe në shumë raste nëpër lagje ndërtoheshin disa dhoma të vogla që quheshin edhe mesxhide[5]. Koha e artë e ndërtimit të xhamive nis qysh në shekullin VII, kur nis edhe përhapja e Islamit, deri në shekullin XVI. Xhamia e parë ishte oborri i shtëpisë së Muhamedit a.s. në Medine më 622. Muri i oborrit që shihte në drejtim të qytetit të shenjtë të Mekes – i quajtur muri i kibles – ishte i mbuluar me çati dhe ku kryheshin ritualet e faljes. Ndërsa tre muret e tjera ishin të pajisur me arkada të vogla. Kjo skemë u bë plani bazë për të gjitha projektet e mëvonshme të xhamive, për të cilat tre elementet kryesore vazhduan të jenë oborri, muri i kibles dhe salla e mbuluar për lutjet dhe faljet. Në qendër të murit të kibles ishte mihrabi ose vendorientimi që tregon anën e Mekes. Ngjitur me mihrabin në të djathtë gjendet mimberi një vend i ngritur, platformë, nga e cila mbahet predikimi i ditës së Premte, hytbeja. Mimberet punoheshin dhe punohen ende prej druri, me shumë shkallë që përfundojnë me një shesh të vogël në fund dhe të mbuluar. Po ashtu një element i vonshëm është edhe një vend i ngritur, në krah të kundërt me mimberin e hytbes ku në ditët e tjera, mbaheshin ligjërata ose siç njihen në terminologjinë fetare, vazë. Në shoqëritë e dominuara nga Feja Islame, xhamia shërben për nevojat politiko-sociale njësoj si dhe për ato fetare[6]. Xhamia bëhet një forum për shumë funksione publike, duke shërbyer si sallë gjyqi, shkollë, sallë mbledhjesh etj. Gjendet pranë bibliotekave, spitaleve, hamameve, medresesë, universiteteve dhe arkës së shtetit. Kështu krijohet padyshim një ansambël i dallueshëm qytetar ku në qendër të vëmendjes është xhamia, e cila është pikënisja e të gjitha veprimtarive sociale. Ndërsa Islami përhapej jashtë Arabie, në projektin e xhamisë u trupëzuan elemente të adaptuara nga arkitektura e territoreve të pushtuara. Xhamitë me kube – novacioni më i madh dhe i fundit në projektin e xhamisë – e patën origjinën e tyre në Turqi pas pushtimit osman të Kostandinopojës (sot Stambolli) më 1453. Frymëzim për xhamitë e mëdha osmane u bë rikonstruksioni i Aja Sofias së Kostandinopojës, ku struktura e re me harqe-kube bëri të mundur përdorimin e kubeve të ndriçuara mirë në çatitë me hapësira të mëdha. Xhamitë osmane zakonisht paraqesin sallën e faljeve dhe sipër saj një kube qendrore e madhe, përreth e qarkuar nga kube më të vogla dhe gjysëmkube. Gjithashtu një element që i përket oborrit të xhamisë ishin edhe çezmat e vendosura për të marrë abdes në formën e rrethit ndërsa hamami që gjendej pranë xhamisë e plotësonte ciklin e nevojave të një besimtari e të krejt bashkësisë. Një tjetër element i rëndësishëm dhe karakteristik ishin dhe bahçet me lule që e rrethonin xhaminë, duke i ofruar njerëzve çaste pushimi në orë të ndryshme të ditës. Në xhamitë e hershme thirrja e ezanit u bënte nga muezini, drejtpërdrejt nga çatia e xhamisë. Përdorimi i minaresë për këtë qëllim filloi me Xhaminë e Kajruanit (shekulli VIII) në Tunizi[7]. Minaret u bënë një veçori e zakonshme në të gjitha xhamitë e mëvonshme. Ato janë gjithashtu të rrumbullakëta, kuadrate, spirale ose oktagonale.

Minareja

Fjala “minare” rrjedh nga arabishtja “al-manarah”, dhe ka kuptimin e kullës që ka një dritë, dmth, far ndriçues. Karakteristikë e kullës së xhamisë, është se ka një tarracë afër majës nga ku myezini i fton besimtarët në falje dhe që quhet “al-ma’zanah”; dmth vendi nga ku thirret ezani (thirrja për falje) prej myezinit. Minaret u futën në shek. VII, me formë baze katrore, tip që më pas pati përhapje edhe në zonat e Maghrebit e në Andaluzi. Në qendër të tarracës ngrihej një tjetër kullëz, edhe ajo në formë katrore me një mbulojë në formë piramidale ose gjysëmsferike. Një nga supozimet që i dha jetën më pas minares, është se ato fillimisht patën funksionin praktik të kullës së rojes, duke patur pozitën dominuese në qytet dhe më pas u shfrytëzuan për thirrjen e ezanit. Në mes të viteve 1100 dhe 1200 shfaqet për herë të parë minareja cilindrike me bazë rrethore. Në perandorinë otomane minareja cilindrike merr një zhvillim më të madh me majën shpuese në formë koni. Interesante janë edhe dy ekzemplare minaresh me shkallë spirale nga jashtë, nga të cilat më imponuesja gjendet në Samara, Irak dhe tjetra në xhaminë e Ibn Tulunit në Kairo. Minaret zakonisht ndërtohen edhe dyshe por ka raste që edhe më tepër se dy, që vendosen në të dy krahët e derës për të theksuar më tepër pamjen e xhamisë.

Zbukurimet floreale dhe format gjeometrike

Në Perëndim njihen edhe nën emërtimin Arabeska. Ky term zakonisht i mvishet vizatimeve me modele shumë të përpunuara dhe të pasura me imtësi. Kur përmendet ky emërtim nga perëndimorët, ai nënkupton gjedhet, modelet e përdorura nga arabët dhe maurët në ndërtesat e tyre private si dhe ato të kultit. Në fakt është një shprehje tipike e artit musliman që përfshin jo vetëm botën arabe por të gjithë botën ku Islami ka zënë vend dhe që ka pasur ndikime të ndjeshme, ajo është edhe arabeska me të dyja format e saj, gjeometrike dhe bimore. Një lule që del nga një tjetër pa fillim dhe fund dhe e aftë për të dhënë një numër të pafund variacionesh.

Përdorimi i formave bimore dhe atyre gjeometrike, prej artistëve muslimanë në artin e tyre, u kushtëzua edhe prej ndalimit nga Islami i imitimit të krijesave të gjalla dhe atyre antropomorfe në veçanti. Natyrisht ky ndalim bëri që artistët të kalojnë nga format njerëzore, më pak tek ato të kafshëve, në ato florealet dhe gjeometriket si më të preferueshmet brenda mjedisit të xhamisë. Kritikët perëndimorë të artit e përshkruajnë zbukurimin floreal të muslimanëve si një mungesë konvencionale të efektit të rritjes dhe të krijimit. Ajo që të shtyn më tepër në këtë, janë rrethanat natyrore me të cilat karakterizohet pjesa më e madhe e vendeve muslimane ku bimësia në më të shumtën e rasteve mungon, si psh, Afrika Veriore, Arabia etj. Megjithatë nuk mundesh që t’i përjashtosh këtu konceptet fetare, të cilat kanë luajtur një rol të dorës së parë në jetën e muslimanëve në përgjithësi. Zbukurimet floreale më të hershme gjenden në Xhaminë e Shkëmbit (Kubetu Sakhra) në Jeruzalem (Kuds) dhe mendohet që të jenë punime të artistëve sirianë dhe koptë (egjiptas). Porse në disa vende i gjejmë të kombinuara elementet floreale me ato katërkëndore, rrethore dhe me kurba të ndryshme.

Elementi i dytë themelor në artin islam janë shabllonet gjeometrike. Arsyet për përdorimin e tyre, janë dy: E para është popullariteti i formave abstrakte që njëkohësisht janë edhe alternativë zëvendësuese e formave të gjalla që janë të ndaluara. Kjo gjë u favorizua veçanërisht në xhamitë, edhe për faktin se nxisin shpirtin e meditimit në të kundërt me format e gjalla e antropomorfe që të kujtojnë dhe të drejtojnë për nga ana materiale e botës dhe jo nga mrekullia e krijimit të kësaj bote nga Zoti. Faktori i dytë për përhapjen e këtij tipi arti është zhvillimi dhe popullariteti i shkencës së gjeometrisë në Botën Muslimane në atë kohë nëpërmjet figurave të shquara që bënë epokë. Është më se e qartë dhe e dukshme se zhvillimin më të madh dhe pranimi i gjerë i këtij arti i detyrohet muslimanëve, megjithatë shumë studiues debatojnë për origjinën e tij. Fakte të qarta të zbukurimeve gjeometrike gjenden në qytetërimin e krijuar nga egjiptianët antikë, po ashtu edhe në Mesopotaminë e lashtë, Persi, Siri dhe Indi. Zbukurimi me format yjore është përdorur gjerësisht nga koptët e Egjiptit, porse muslimanët mbeten mjeshtrat e këtyre punimeve. Ajo çka vihet re’ lehtësisht në këtë lloj arti, është se artistit i duhet një njohje e mirë në gjeometrinë praktike për të realizuar një gjedhe origjinale si dhe në aplikimin e vizatimit teknik. Pra, atij që e studion këtë lloj arti vëren se për të arritur në një gjedhe origjinale më parë i duhet të ushtrohet për një kohë të gjatë me këto lloj punimesh. Si përfundim për këtë çështje do të thonim se ky lloj arti e ndihmon meditimin e individit gjatë soditjes dhe qëndrimit në xhami, pa e shqetësuar aspak dhe njëkohësisht duke mos pasur, as fillim, as fund kërkon të përçojë te njeriu idenë e paskajshmërisë dhe të pafundësisë që inspirohet nga ajeti kuranor: “Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi dhe ai është më i dijshmi për çdo gjë” (Hadidë, 3).

Kaligrafia arabe

Në shekujt VII-VIII ushtritë muslimane e përhapën Islamin qysh nga brigjet e Atlantikut e deri në Sind (Pakistani i sotëm). Ato nuk sollën vetëm fenë me vete por edhe një gjuhë që flitej dhe shkruhej, duke u bërë shkaktarët dhe nxitësit e një qytetërimi të tërë. Gjuha arabe u bë faktori themelor që bashkoi shumë popuj në një qytetërim. Alfabeti arab u bë kështu për popujt vendali ashtu siç u bë alfabeti latin për popujt e krishterë të Perëndimit[8]. Në ndryshim nga gjuhët e latine, shkrimi arabisht nis nga e djathta në të majtë. Shkruesit arabë përdornin pena të kuqe (kalem) ose furçe të posaçme për të shkruar dhe për shekuj të tërë, kaligrafia ka qenë një nga artet më të respektuara. Po të flasim në vija të trasha, në shekujt e parë të Islamit ka pasur dy lloje të dallueshme shkrimesh: kursivi dhe kufiku. Në shekullin XI shkrimi kufik doli nga përdorimi, duke u zëvendësuar nga një lloj i ri shkrimi i quajtur naskhi që u përdor gjerësisht në kopjimin e Kuranit dhe që ishte ndoshta shkrimi më i përhapur në botën arabe. Shkrime të dallueshme u zhvilluan në rajone të veçanta. Në Spanjë shkrimi maghribi (perëndimor), u zhvillua dhe u bë shkrimi standart për Kuranin në Afrikën Veriore. Një kontribut të veçantë për kaligrafinë arabe kanë dhënë Persia dhe Turqia. Vendasit adoptuan alfabetin arab për gjuhët e tyre, duke krijuar kështu edhe tipet e tyre të shkrimit. Shkruesit persianë shpikën shkrimin taliki[9] në shekullin XIII. Një shkrim i veçantë u zhvillua nga Perandoria Osmane dhe që përdorej gjerësisht nga kancelaritë e ndryshme i njohur me emrin divani. Ky lloj shkrimi është shumë i përpunuar dhe shpesh i vështirë në të lexuar. Me këtë lloj shkrimi janë shkruar pothuajse të gjithë dokumentet që mbajnë tugrën e sulltanit[10]. Karakteristikë e veçantë për kaligrafinë osmane është edhe tugra[11], një lloj shifre mbretërore e bazuar në emrat dhe titujt e sulltanit sundues dhe e punuar me një kompozim me të vërtetë të ndërlikuar. Një tugra e veçantë krijohej për çdo sulltan që hipte në fron dhe vendosej në fillim të çdo dekreti perandorak nga një kaligraf i aftë për këtë punë, si shenjë dalluese, nishan. Me kaligrafinë arabe është krijuar një letërsi e tërë profesionale, doracakësh e udhëzuesish për shkruesit profesionistë dhe sekretarët (qatipët) dhe që përdorej në kancelaritë e ndryshme. Nën sundimin e Perandorisë Osmane u krijua një kategori e gjerë shkruesish profesionistë, të cilët ndaheshin në kategori dhe shkallë të ndryshme dhe që shëbenin në shërbime të ndryshme si sekretarë dhe disa prej tyre ishin të detyruar që të merrnin dije edhe nga fusha të tjera përveç kaligrafisë siç është rasti i Katip Çelebiut dijetar dhe enciklopedist osman[12]. Në një kuptim më të gjerë kaligrafia arabe gjithashtu përfshin edhe shkrimet arabisht të përdorura në materiale të tjera përveç pergamenave, papiruseve dhe letrës. Pllaka qeramike me kaligrafi arabe si dhe tapete, sixhade e qilima të zbukuruara me to, është një gjë tepër e zakonshme dhe që haset shpesh, e shtrirë në kohë dhe në të gjithë hapësirën islamike. Shpesh nëpër muret e xhamive i gjen të shkruara vargje nga Kurani ose në hyrje të saj sipër gjen të shkruar Fjalën e Njësisë (Shehadetin). Në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, në kupolën e saj në formën e një spiraleje gjendet Ajetul Kursija. Po ashtu muret e saj janë zbukuruar edhe me afreska të ndryshme. Mundet që t’i gjesh edhe të gdhendura në gur, ose të ekzekutuara nëpër pllaka qeramike. Është aftësia e madhe e shkruesit ajo që e bën të realizojë shkrime monumentale.

Ndërtimet sociale

Të rëndësishme ndërmjet formave të ndryshme të arkitekturës islamike janë pallatet, karvansarajet, hanet, hamamet dhe qytetet, planet e përpunuara të të cilëve tregojnë kujdesin për të pasur sa më shumë ujë dhe ruajtjen nga të nxehtit. Një tip i tretë ndërtese janë mauzoleumet ose siç njihen gjerësisht tyrbet. Të gjitha këto struktura, fetare dhe shekullare, janë pjesë e veçorive organike dhe dekorative. Janë pikërisht ndërtimet e ndryshme sociale që i dhanë jetë fytyrës së qytetit islamik ose të ashtuquajturit oriental. Me një xhami të madhe në qendër, hamamin (banjo publike), imaretet[13], administratën publike, vakëfet, çezmat apo krojet publike për të shuar etjen e kalimtarëve, në shekujt e fundit shfaqet edhe kulla e sahatit ose sahatkulla. Spitalet janë një nga arritjet më të mëdha të Shoqërisë Islame Mesjetare. Spitalet islamike shërbenin për qëllime të ndryshme: si qendër trajtimi shëndetësor, shtëpi pushimi për ata që shtroheshin nga sëmundjet dhe aksidentet, azil për të çmendurit, dhe si shtëpi pushimi që jepte ndihmën kryesore për të moshuarit e shëndetligjtë, të cilëve iu mungonte familja që të kujdesej për to. Të gjithë spitalet në vendet islamike janë të financuara nga të ardhurat e trashëguara nga besimtarë të devotshëm të quajtuar vakfe. Pjesë tjetër e ndërtimeve sociale, karakteristikë e qytetit islamik, ishte edhe pazari ku përqëndrohej veprimtaria tregëtare e qytetit ose edhe bezistanet që ishte një formë më e zhvilluar e pazarit të profilizuar oriental[14]. Në bezistanet përqëndroheshin tregëtarët e mëdhenj dhe kryheshin veprime që i përkasin shkëmbimit monetar. Ato zakonisht ndërtoheshin në qytetet e mëdha dhe zakonisht nga feudalët e mëdhenj[15].

Hamami (Banja)

Në të gjitha qytetet islamike e gjen edhe hamamin, si një shenjë dalluese e këtij qytetërimi. Islami i kushton një vëmendje të veçantë pastërtisë trupore sidomos në çaste të veçanta. Banjat publike hasen edhe në qytetërime të tjera më të hershme, si në lindje te kinezët po ashtu edhe në Perëndim te romakët. Hamamin ose banjën publike e gjen si një ndërtesë të veçantë dhe funksionale në të gjitha qytetet muslimane që sipas madhësisë mund të kishin edhe më shumë se dy hamame (në rast se qyteti kishte dy ose më tepër hamame, njëri përdorohej vetëm nga gratë), por edhe në ndërtimet private. Përdorimi i hamameve bëhej me radhë, fillimisht përdorohej nga burrat e më pas nga gratë (fëmijët meshkuj pa mbrritur moshën madhore futeshin së bashku me gratë). Të lahesh në hamam nuk është thjesht një procedurë pastrimi fizik, por në më të shumtën e rasteve është edhe një akt përkushtimi. Pastërtia dhe kujdesi për trupin në shoqërinë islamike janë të rregulluara nga norma që i përkasin jetës së përditshme, me veprimet e saj të zakonshme të pastërtisë dhe që disiplinojnë më tutje hapësirën e pastrimit që përbëhet nga banjot. T’i drejtoheshe hamamit dhe të laheshe i tëri, bëhej e detyrueshme qoftë në rrethana të jashtëzakonshme, si në rastin e përgatitjes për t’u martuar, si edhe në rrethana të zakonshme pas menstruacioneve apo marrëdhënieve seksuale (gusul[16]). Struktura arkitektonike e hamamit, në elementet e saj më të thjeshta, përbëhet nga një sallë pushimi apo veshjeje, në një tjetër dhomë të freskët, ku bëhen kontaktet e para dhe të fundit me ujin e freskët, në një sallë qendrore më të ngrohtë, në të cilën është e mundshme të rrish më gjatë dhe me një sallë të mbrame në fund, ku avulli nxit djersitjen dhe në të cilën duhet të veshësh pantofla për të mos djegur këmbët. Në anët e kësaj salle, në vende më pak të nxehta, frekuentuesit e hamamit përgatiteshin për larjen e kokës, masazhin etj[17]. Ndërsa në shtëpitë private, hamamet i gjeje brenda shtëpisë dhe komunikohej vetëm nëpërmjet dhomës së gjumit ku flenin çiftet e martuara, të cilët merrnin gusul menjëherë pasi kishin kryer marrëdhëniet seksuale. Pra, që të mos merreshin vesh nga pjesa tjetër e familjes. Në këtë pjesë të shtëpisë, hamami përdorej vetëm për të kryer larjen dhe në ndryshim nga ditët e sotme, nuk kryheshin nevojat e tjera, madje kanë qenë xhelozisht të ndara. Brenda hamamit kishte një lambik të madh, gryka e të cilit kalonte nëpërmjet një mangalli me prush që e nxehte ujin me të cilin do të laheshe. Nuk ka qytet që të mos gjeje hamamet, gjithashtu edhe në të gjitha trojet shqiptare[18]. Shumë domethënëse është edhe historia e fillimeve të Tiranës si qytet kur Sulejman pashë Bargjini (Mulleti) që njihet si themeluesi i saj, ndërtoi xhaminë që mbante emrin e tij, hamamin dhe furrën e bukës[19]. Pra, tre elemente themelore për qytetërimin, xhamia si vendadhurimi që i mbledh njerëzit në një vend, hamami si simbol i pastërtisë së detyrueshme, si dhe furra e bukës që u duhet njerëzve për t’u ushqyer. Kështu që hamami në arkitektonikën qytetare islame shihet si një element themelor qytetërues.

Qeramika

Një nga prodhimet e artit që ka lënë më shumë gjurmë në të gjithë artin botëror, është edhe qeramika. Tradita e qeramikës arabo-islamike rrjedh nga format antike dhe teknikat e përpunimit të Mesopotamisë dhe pasurohet me kontributin e turqve, persianëve e kinezëve dhe që arrijnë deri në Mesdhe. Arti i glazurimit u përkrye gjatë shekujve derisa u prodhua rreth vitit 1000 një qeramikë e llustruar me reflekse metalike. Në shekullin XVI ndërtimi i xhamive në Stamboll kërkonte sasi të mëdha pllakash të smaltuara dhe për këtë u ndërtua fabrika në Iznik (Nikea e lashtë), pranë kryeqytetit. Ndër aplikimet në qeramikë qenë edhe ato të kaligrafisë arabe, një nga motivet më të dallueshme të artit islamik. Malaga dhe Almeria ishin dy qendrat më të mëdha të prodhimit dhe eksportimit të qeramikave në Spanjën (Andaluzinë) e shekullit XIII, drejt Egjiptit, Anglisë dhe Italisë. Në shekullin XV teknikat e qeramikës shtegtojnë nga ishulli i Majorkës (prej kësaj rrjedh termi majolika) për në Itali, e më pas drejt Evropës Veriore[20]. Pas shekullit XVI janë qeramikat turke dhe ato persiane që ndikojnë gjerësisht këtë art që ishte futur thellë edhe në prodhimet shtëpiake përveç atyre të zbukurimit.

Përfundim

Në përfundim të këtij shkrimi mund të themi se me këto pak elemente që i morëm në shqyrtim del në pah se së bashku me zhvillimin e xhamisë brenda kuadrit të qytetit të ri islamik, arti dhe arkitektonika erdhën në zhvillim gradualisht, duke sjellë në jetë elemente thelbësore pasuruese që ia ndryshuan fytyrën pak nga pak, me kalimin e kohës qytetit. Kompleksi qendror qytetar erdhi duke u shtuar pikërisht rreth xhamisë, e cila u bë pikë referimi fillimisht me xhaminë, e më pas shtohet me mejtepet, medresetë, kitabhanet, spitalet, hamamet etj. Pra, përveç banesave qytetare nëpërmjet artit dhe arkitekturës së re që mori fuqinë, qyteti islamik me veçoritë e veta që ndryshonin nga vendi në vend u bë i dallueshëm fizikisht edhe nga ana pamore. Në këtë shqyrtim jemi të vetëdijshëm se kemi lënë manash për mungesë vendi dhe kohe, letërsinë islame, për të cilën mendojmë se kërkon një trajtim të veçantë. Po ashtu edhe artin e libërlidhjes, i cili deri vonë ka ruajtur karakteristikat e veta së bashku me kaligrafinë. Është për t’u vërejtur se shtypshkronja zuri vend vonë në vendet islame edhe për shkak të kastës së shkruesve (kopistëve). Prandaj edhe ky lloj arti ruan një origjinalitet të veçantë. Ky lloj ndryshimi arkitekturor së bashku me zhvillimin e letërsisë dhe poezisë, ndikuan gjerësisht në formimin e një qytetërimi të ri të fuqishëm, që jo vetëm ndryshoi jetën e atyre që jetuan në të gjithë arealin islamik, porse ndikoi fuqishëm edhe në qytetërimin e ri evropian, që po rilindte, duke lënë pas Mesjetën.

Literatura e shfrytëzuar:

1. “Urbanistika dhe arkitektura e qytetit të Kavajës – Vështrim i zhvillimit historik”, Doc. Dr. Ark. Isuf Sukaj, Ombra GVG, Tiranë 1998.

2. “Qytetërimi”, Keneth Clark, Shtëpia e Librit, Tiranë.

3. “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar”, Jacque Le Goff, Toena-F. Soros, Tiranë 1998.

4. Britannica 2001 De Luxe Edition, on CD.

5. Islami ndërmjet lindjes e perëndimit, Alija Izetbegoviq, Prishtinë 1999.

6. “Dokumente osmane në arkivat shqiptare”, dr. Kujtim Nuro, Amfioni & Zeti, Tiranë 2000.

7. “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”, Zija Shkodra, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Historisë, Tiranë 1984.

8. Europa Islamica, L’Espansione 1492: La Riconquista, Il segno di una civilta, ”; Pedro Martinez Montavez, Carmen Ruiz Bravo; Istituto Geografico De Agostini; Novara 1991.

9. “Shqipëria dhe Shqiptarët”, Sami Frashëri (Kamus al-alam), Dajti 2000, Tiranë 2002.

10. “Tirana 1604-1937”, botuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Shtypshkronja “Luarasi”, Tiranë 1937.

11. www.lexicoforient.com


[1] “...por në mes të shekullit të shtatë u shfaq një forcë e re që kishte besim, energji dhe vullnet për të ngadhnjyer si edhe kulturë alternative – Islami. Fuqia e Islamit fshihej në thjeshtësinë e tij”. “Qytetërimi”, Keneth Clark, Shtëpia e Librit, Tiranë, fq. 29.

[2] “Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar”, Jacque Le Goff, Toena-F. Soros, Tiranë 1998, fq. 402.

[3] Britannica 2001 De Luxe Edition: Arabesque

[4] Abdes – Ritual fetar islam që konsiston në larjen e gjymtyrëve të ekspozuara përpara faljes në xhami të të pesë kohëve.

[5] “Urbanistika dhe arkitektura e qytetit të Kavajës – Vështrim i zhvillimit historik”, Doc. Dr. Ark. Isuf Sukaj, Ombra GVG, Tiranë 1998, fq. 20.

[6] Islami ndërmjet lindjes e perëndimit, Alija Izetbegoviq, Prishtinë 1999, fq. 247.

[7] www.lexicoforient.com

[8] Po aty, fq. 249.

[9] “Dokumente osmane në arkivat shqiptare”, dr. Kujtim Nuro, Amfioni & Zeti, Tiranë 2000, fq. 31.

[10] Po aty, fq. 31.

[11] Britannica 2001 De Luxe Edition, 1994-2001, Arabic calligraphy.

[12] “Perandoria Osmane” – Periudha klasike 1300-1600, Halil Inalxhik, Drita e Jetës, Gjilan 2002, fq. 137.

[13] Imaret – është kompleksi që përfshin xhaminë, hamamin dhe furrën e bukës.

[14] “Urbanistika dhe arkitektura e qytetit të Kavajës – Vështrim i zhvillimit historik”, Doc. Dr. Ark. Isuf Sukaj, Ombra GVG, Tiranë 1998, fq. 30.

[15] “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”, Zija Shkodra, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Historisë, Tiranë 1984, fq. 172.

[16] Gusul – Larje totale e trupit që bëhet në rastet kur nuk merr dot abdes, dmth, pas menstruacioneve për femrat, derdhjeve të pavullnetshme të spermës gjatë gjumit te meshkujt dhe marrëdhënieve seksuale midis bashkëshortëve.

[17] Europa Islamica, L’Espansione 1492: La Riconquista, Il segno di una civilta, ”; Pedro Martinez Montavez, Carmen Ruiz Bravo; Istituto Geografico De Agostini; Novara 1991; fq. 166.

[18] “Shqipëria dhe Shqiptarët”, Sami Frashëri (Kamus al-alam), Dajti 2000, Tiranë 2002, fq. 33; 43; 68; 87; 92; 100; 110; 128; 143; 144; 151; 154; 172.

[19] “Tirana 1604-1937”, botuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Shtypshkronja “Luarasi”, Tiranë 1937, fq. 8-9.

[20] Europa Islamica, L’Espansione 1492: La Riconquista, Il segno di una civilta, ”; Pedro Martinez Montavez, Carmen Ruiz Bravo; Istituto Geografico De Agostini; Novara 1991; fq. 102.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit