Don Kcira


Muslimanët, nacionalistët, ateistët dhe don Anton Kçira

(Deklaratat e Kçirës u mbrojtën vetëm nga disa ekstremistë të krishterë, por hasën në zemërimin e gjerë të shqiptarëve. Falja “e vonuar” e Kçirës nuk e justifikon atë, por nxjerr në pah një realitet të hidhur, ku ka dorë edhe nga nacionalizmi ekstrem.)

Deklaratat e don Anton Kçirës një prifti katolik që ushtron veprimtarinë e tij misionare në SHBA kanë shqetësuar pa përjashtim të gjithë komunitetet shqiptare kudo ku ato ndodhen. Pa dyshim ai që është prekur më tepër në ndjenjat e veta është komuniteti i muslimanëve shqiptarë pa përjashtim se ku ata ndodhen apo jetojnë. Normalisht deklaratat e këtij prifti jezuit nuk janë të lehta për t’u kapërdirë për më tepër që jehona e vrasjeve masive në Kosovë e Bosnje Hercegovinë me urdhër të Sllobodan Millosheviçit nuk është shuar ende. Për pasojë edhe plagët e mijëra njerëzve e familjeve në të dy vendet akoma kullojnë gjak dhe sytë e shumë nënave, baballarëve e fëmijëve kullojnë lot të hidhur. Këto deklarata janë me të vërtetë të habitshme, kur mendojmë se vijnë nga një prift kosovar, që pretendon se ka ndihmuar me propagandë dhe me fonde luftën çlirimtare në Kosovë. Këto deklarata janë bërë në vitin 2007 pas arrestimit dhe dënimit të vëllezërve shqiptarë Duka në SHBA. Normalisht që të gjithë ne pa përjashtim e dënojmë terrorizmin dhe dhunën, për më tepër që Shqiptarët në këtë qindvjetëshin e fundit kanë vuajtur tmerrësisht nga banjot e gjakut të organizuara nga motive të ulëta të të krishterëve ortodoksë, me të cilët jemi fqinjë. Kështu që dhunën e çdo lloji e dënojmë dhe nuk mundet ta pranojmë. Por kjo nuk do të thotë se ne tashti duhet të marrim pozitën e të nënshtruarit dhe t’i themi bravo se e kemi merituar atë kalvar gjaku dhe mundimesh, për faktin se nuk jemi të gjithë në një mendje, ashtu si na sugjeron Kçira në videon e shumëpërfolur.
Gjithsesi nuk mund të rrimë pa vërejtur se këto deklarata u zhvarrosën nga disa gazetarë tre vjet pasi janë bërë nga Don Kçira. Normalisht që nuk mund të jemi dakord me këto lloj deklarimesh, por pse u zhvarrosën pikërisht tashti?!...
Janë pikërisht ato gazetarë që zhvarrosën nga trash-i i youtube-it edhe një hutbe krejtësisht të harruar të hoxhës sonë të nderuar Shefqet Krasniqit dhe e kthyen në një casus belli për të sulmuar me paturpësi jo vetëm hoxhën, por të gjithë muslimanët shqiptarë nëpërmjet tij, duke i etiketuar si ekstremistë, radikalë dhe jo-tolerantë. Janë pikërisht ato gazetarë që duan të gjejnë patjetër gjilpërën në kashtë dhe më pas të sulmojnë ashpërsisht duke vënë kujën ndaj fetarizimit ekstrem. Këto janë shoqëria civile që vazhdimisht po sulmojnë në emër të laicizimit ekstrem të shtetit, fenë. Me këto fjalë nuk dua të mbroj Don Kçirën dhe deklaratat e tij të papranueshme, por kur thotë se deklaratat e mia janë nxjerrë nga konteksti, pjesërisht jam i detyruar ta besoj. Ata që e kanë nisur këtë fushatë e kanë ditur shumë mirë dhe i kanë bërë hesapet me imtësi, duke e ditur se ndjenjat e një populli të tërë do të lëndoheshin dhe do të kishte reagime të gjithanshme. Këto reagime ata i dinin dhe i prisnin nga muslimanët që janë shumicë, si dhe nga shumë nëna e gra të veja dëshmorësh, që e derdhën gjakun e tyre për atdheun e Kosovën e lirë dhe të pavarur. Një parullë e vetme ironike e shkruar në një nga muret e Prishtinës (Me fat Bajramin n’katedralen e re) dhe krerë të lartë të komunitetit katolik e musliman u detyruan të dalin e të shprehen publikisht nëpër media me parulla të fryra për të nxitur tolerancën fetare midis të dy komuniteteve. Gjithsesi don Anton Kçira kërkoi falje publike për të gjithë ato fjalë që kishte thënë pa doganë, ku prej zemërimit të tij (të sinqertë) të gjithë ne morëm një mesazh të dhimbshëm dhe ky prift pa dashje shprehu atë që ndjente. Gjithashtu nuk mund të lejmë pa përmendur para pak kohësh sulmin e të ashtuquajturës shoqëri civile ndaj imamit Xhemail Duka në fshatin Marinë të Kosovës dhe gatishmërinë e menjëhershme të institucioneve kosovare për ta përzënë atë jashtë territorit shtetëror. E pra, këto janë lëvizje të llogaritura mirë dhe që vijnë erë nacionalizëm ekstrem e dogmatizëm. Feja e Shqiptarit është Shqiptaria thoshte një nga rilindësit tanë, por me këtë shprehje nuk mund të hedhim poshtë vlerat fetare islame, të cilat ngrihen mbi vlerat universale të dashurisë dhe të harmonisë ndërnjerëzore.
Nacionalizmi është streha e horrave. Kjo është një nga thëniet më të përhapura të shekullit të kaluar, por që ka vlerën e vet dhe sot. Nacionalizmi është përdorur si strehë e sigurt nga komunistët gjerësisht dhe shumë persona po i fshehin synimet e tyre të vërteta pas parullave nacionaliste për të fituar para dhe famë në të gjitha trojet shqiptare e kryesisht në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e në diasporën tonë në Evropë e Amerikë.
Kështu ky prift na vendosi neve përpara një realiteti të hidhur dhe i parë në kontekstin e sotëm na la të kuptojmë se gjërat nuk duken aq të thjeshta të para nga një sy i papërvojë.
Roald A. Hysa

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit