Hixhreti i Profetit dhe përkujtimi i tij

(A ka ardhur koha të bëjmë hixhret dhe si duhet ta përkujtojmë këtë ditë kaq të lavdishme për Islamin? Omeri e futi hixhretin në jetën e çdo muslimani dhe një gjë të tillë duhet ta bëjmë edhe ne, kur dihet mirë që dashuria për Profetin Muhamed alejhi selam është një nga themelet ku bazohet feja e çdo individi.)

1431 vjet më parë mbërriti në Medinën e Ndritshme burri më i lartë i të gjithë kohëve, ai që nuk pranoi asnjë titull njerëzor përpos atij që ia dha vetë Allahu i Lartësuar, Resul-Allah, i Dërguari i Allahut. Në këto ditë ne të gjithë duhet të bëjmë hixhretin e Profetit Muhamed, duke bërë fillimisht një përmbledhje të asaj që shkoi dhe të vendosim se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Një nga pyetjet më shqetësuese që vazhdimisht duhet t’ia drejtojmë vetes tonë si muslimanë është: A kemi bërë atë që duhet dhe a po bëjmë atë që duhet? Konotacionet e kësaj ngjarje të jashtëzakonshme duhet të jenë sa më të dukshme në jetën tonë. Thjeshtësia e kësaj ngjarje është me të vërtetë solemne në historinë islame, saqë një nga sahabët më të mëdhenj dhe një shtyllë e Islamit, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e caktoi si ditën kur do të fillonte kalendari hënor hixhri. Ndryshimi që erdhi pas kësaj date të rëndësishme është si i natës me ditën. Një nga ngjarjet më të mëdha të hixhretit të Profetit tonë dhe që do shikuar me një vëmendje të posaçme është ajo e vëllazërimit midis Ensarëve dhe Muhaxhirëve. Me të vërtetë që ne sot nuk mund të vendosim analogjinë e duhur, porse vend për t’u vëllazëruar kemi. Një nga shumë rregullat e arta themelore të vendosura nga Islami është ndjekja e Traditës Profetike me fanatizëm, jashtë kësaj rruge çdo gjë e humb sensin e vet, sado që ne të mundohemi t’i japim një kozmetikë islame. Festa të tilla si viti i ri janë krejtësisht festa komerciale, të cilave ua shohin më tepër hajrin dyqanxhinjtë dhe prodhuesit, se sa vetë festuesit. Ndërsa ne si muslimanë u shohim vetëm sherrin, sepse pa hyrë thellë në argumentet fetare, të cilat janë shpjeguar prej kohësh nga dijetarët dhe hoxhallarët muslimanë, neve vetëm humbasim dhe i largohemi traditave tona të bukura islame.

Ne duhet të bëjmë hixhret nga moralet e ulëta dhe të liga të shoqërisë sonë moderne, duhet t’i largohemi të keqes masive që përhapet nga të gjitha mediat shekullariste, duhet të largohemi nga haramet me trup, me shpirt, me zemër e me gjithë familjet tona, e për këtë duhet të vëllazërohemi me njëri-tjetrin sipas binomit ensar-muhaxhir. Si Ensarët, ne duhet të përkrahim këdo që kërkon të afrohet me këtë fe kaq të lartë dhe si muhaxhir, neve duhet të sillemi me këtë botë, në të cilën jemi mysafirë të sprovuar nga ana e Allahut të Lartësuar, se kush do të jetë nga vepërmirët. Fatkeqësisht festa të tilla si Viti i Ri dhe risitë që i përkasin kësaj feste janë futur nga regjimi i kaluar komunist, si kundërpërgjigje ndaj festave tona të nderuara, bajrameve vjetore dhe xhumasë. Kështu që ne kemi më shumë arsye për t’i kundërshtuar këto festa të kota e pagane, se sa t’i marrim si model. Gjithashtu jo pa qëllim kjo festë pompohet së bashku me festa të tjera, si ajo e Krishtlindjeve dhe shpesh i dëgjojmë rrugëve njerëzit të thonë “Gëzuar festat”, si pa gjë të keq. E gjithë kjo reklamë shumëngjyrëshe që po përjetojmë këto ditë në pamje të parë nuk tregon ndonjë synim, por jo më kot pompohen harmonia dhe toleranca ndërfetare ndër shqiptarët kudo ku janë. Ato janë pjesë e një projekti asimilues fetar të të gjithë atyre që janë të pandërgjegjshëm ndaj përkatësisë së tyre fetare. Kështu mund të jepnim argumente të pa fund nga jeta shekullare e shoqërisë tonë të ashtuquajtur moderne, të tilla që do të na e argumentonin edhe më tepër kundërshtimin e imitimit. Me të vërtetë që imitimi në shoqërinë moderne e ka humbur vlerën e sevapit. Nuk mund të fitojmë kënaqësinë e Allahut, duke imituar këta xhahilë, të cilëve Allahu u ka vënë ndër duar mjete tepër të vlefshme, por që nuk ua dinë vlerën e vërtetë. Si mund ta përkujtojmë hixhretin e Profetit tonë të dashur Muhamedit (alejhi selam)? Mund të gjehen shumë mënyra pa dalë nga kornizat tona islame. Përpjekja për të gjetur mënyrat e duhura është vetë një hixhret nga imitimet e verbra dhe të kota. Të mbahen mexhlise për hixhretin e Profetit tonë dhe moralet e tij të larta gjatë të gjithë muajve të vitit do të ishte një nga mënyrat më të mira për ta përkujtuar atë (alejhi selam) dhe do të na rritej edhe më shumë dashuria, të cilën neve duhet ta bëjmë pjesë të fesë tonë në jetesën e përditshme.

Roald A. Hysa

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit