Integrim



Integrimi i Islamit në Evropë dhe Muslimanët Evropianë
(Shumë muslimanë janë integruar gjerësisht me mënyrën e jetesës evropiane dhe nuk ndjejnë ndonjë vështirësi të jetojnë në vendet e BE-së. Nuk mund ta themi këtë për një pjesë të shoqërisë evropiane me Muslimanët, e cila ka zgjedhur rrugën e provokimit dhe të lëndimit të ndjesive fetare.)
Integrimi i Islamit dhe i muslimanëve në Evropë është një nga temat e nxehta që i shqetëson vazhdimisht opinionistët vendas dhe të huaj. Pa hyrë në hollësi në komentet e tyre, vërehet qartë se e shohin si të vështirë integrimin e Islamit në Evropë dhe shprehen në mënyrë tendencioze për këtë. Nuk është e kollajshme që një sistem jetese si Islami dhe fe njëkohësisht të integrohet në një sistem të tillë si Bashkimi Evropian, ndërsa Muslimanët ka shumë kohë që janë integruar në jetesën evropiane që herët në formën e komuniteteve, ku në qendër të komunitetit është e vendosur xhamia, ashtu si edhe në vendet muslimane. Një pjesë e jona e dinë shumë mirë (e mërgimtarëve shqiptarë), sepse janë të lidhur me xhamitë e vendeve ku jetojnë. Problemi kryesor është: si edhe në shtetet e veçanta evropiane anëtare të BE-së, se vetë BE-ja si organizëm është afetar dhe laik njëkohësisht. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, që megjithëse edhe vetë vendet e BE-së që janë të Krishtera si popullsi nuk e kanë integruar brenda vetes së tyre dhe BE-së, Krishterimin si fe zyrtare, apo si fe që drejton jetesën e tyre. Qeveritë e BE-së janë shekullare, si edhe vetë BE-ja, megjithëse kultura e tyre përbërëse e ndërgjegjes është ajo e krishterë katolike, e në vijim protestante e ortodokse. Tashmë është e mirënjohur për të gjithë thënia e Jezu Krishtit në Bibël “Jepini Cezarit atë që është e Cezarit”. Në bazë të kësaj shprehje në Bibël partia shekullare dhe laicizmi luftuan dhe e fituan betejën për pushtet me Kishën dhe me princat e saj kardinalë të lartë, të cilët e drejtonin praktikisht të gjithë Evropën, duke u bazuar në mësimet e Biblës dhe ligjet e saj. Domethënë partia shekullariste përdori argumente nga i njëjti libër me të cilin kishin bashkëjetuar prej qindra vjetësh dhe prej ligjeve të të cilit ishte qeverisur nga Kisha. Beteja e heshtur mes shekullarizimit dhe Kishës vazhdon akoma edhe sot. Ata kanë gjetur modus vivendin e tyre, por kjo s’do të thotë se këto dy shtylla mbajtëse të BE-së janë paqësuar me njëra-tjetrën. Lufta e tyre vazhdon nëpërmjet mjeteve të tjera, herë të dukshme e herë të padukshme. Ligje të reja nxirren vazhdimisht për mirëqenien dhe mbarëvajtjen njerëzore, por të gjitha kanë të bëjnë me jetën shekullare dhe jo me atë të krishterë. Tashti historia shkruhet nga fitimtarët, ashtu siç edhe u shpreh një gjeneral romak pas fitores me njërin nga fiset italike, kur ata po ankoheshin për haraçin që duhet t’i paguanin fitimtarit: “Vae Victis-Mjerë të mundurit”. Kuptimi i kësaj shprehje nuk ka humbur vleftën e saj akoma, dhe mund të shihet edhe sot se çfarë vazhdon të shkruajë e të shprehet partia shekullare. Le t’i kthehemi edhe një herë shprehjes “Jepini Cezarit atë që është e Cezarit” dhe kontekstit të saj aktual. Po të mundohemi ta përkthejmë atë në ditët tona do të thoshim me plot gojën, që Jezu Krishti po i këshillonte bashkëkombasit e vet të ktheheshin në taksapagues të rregullt e jo në rebelë. Të njihnin autoritetin dhe të mos i ndanin punët kaq kollaj me thikën e mprehtë të kasapit. Pra, i parë në këtë kontekst ai nuk po i këshillonte që të bënin një ndarje kaq drastike e të thellë ndërmjet pushtetit temporal dhe atij shpirtëror, por po i këshillonte të respektonin ligjin dhe autoritetin e organizmave të legjitimuar në një shoqëri të shumëllojshme. Misioni i tij nuk ishte kryengritja apo ndarja e pushteteve, por përforcimi dhe përmirësimi i ligjit hebraik të asaj kohe. Pushteti qëndronte në duart e Romakëve dhe ligji zbatohej nëpërmjet këshillave dhe vendimeve të Sinedrit hebraik. Nëse mund të bëjmë një analogji BE-ja e sotme është një Perandori Romake moderne, ku në të përfshihen shumë popuj, shumë kultura dhe shumë besime, që nga ai monoteist, me hebrenjtë në fillim e më pas me të Krishterët, deri edhe me besimet pagane e idhujtarinë e rëndomtë, e cila sot mund të përfaqësohet shumë mirë me pjesën shekullare, që beson vetëm në një grumbull vlerash morale dhe asgjë më.
Po në këtë dilemë ndodhen edhe Shqiptarët në vendet ku po jetojnë, Kosovë, Shqipëri e gjetkë, ku nuk po gjejnë një modus vivendi të përshtatshëm ndërmjet fesë së tyre dhe shtetit laik e shekullar. Të hysh në BE-ka përparësitë dhe të mirat e veta, por kjo nuk do të thotë që muslimanët me Islamin e tyre nuk mund të integrohen në BE. Tashmë një pjesë shumë e madhe e Muslimanëve janë integruar gjerësisht dhe shumë mirë në të gjitha shtetet e BE-së dhe nuk po shihet ndonjë vështirësi, por këto vende nuk mund të bëjnë kauzë të tyre mosrespektimin e të drejtave dhe ndjesive të muslimanëve, ashtu siç ndodhi në Danimarkë me rastin e karikaturave dhe në disa raste të tjera kur Muslimanët janë prekur jo pa qëllim në ndjesitë e tyre fetare.
Roald A. Hysa

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit