NACIONALIZMI



Shfaqja e nacionalizmit evropian dhe ndikimi i tij te Shqiptarët

Nacionalizmi shqiptar është një shfaqje relativisht e vonët dhe historiku i tij shkon rreth 135 vjet, ku ai është i lidhur ngushtësisht me historikun e nacionalizmit në përgjithësi dhe zhvillimet politiko-ushtarake të shek. XIX-XX. Si fillim do të flasim shkurtimisht për lindjen e nacionalizmit në Evropë, zhvillimet e tij historike dhe disa qasje të studiuesve për ta periodizuar atë, pasojat ekstreme në Evropën e shek. XX, si dhe fillimet në trevat shqiptare e më pas ndryshimet e pësuara në bazë të rrethanave historiko-politike. Nacionalizmi si ideologji përfshin një kuptim shumë të gjerë dhe do të duheshin libra për ta shpjeguar atë, por si ideologji ajo përfshin territorin ku është vendosur dhe popullsinë autoktone të tij të formuar në bazë të një identiteti kulturor e trashëgiminë popullore e fetare të një populli. Për herë të parë si term u përdor nga filozofi gjerman Johan Gotfrid Herder, por u përdor gjerësisht në fillimet e viteve 1800. Zhan Zhak Ruso dhe idetë e tij social-politike ndikuan pa dyshim Revolucionin Francez dhe për shumë studiues ato favorizuan zhvillimin e socializmit dhe rritjen e nacionalizmit. Kur dhe ku shfaqet nacionalizmi është shumë e vështirë për t’u saktësuar, por zhvillimet e tij janë të lidhura ngushtësisht me ato të shtetit modern dhe nxitjes për sovranitet popullor, të cilat dolën në sipërfaqe me Revolucionin Francez dhe Revolucionin Amerikan në fund të shek. XVIII dhe kulminuan me revolucionet nacional-etnike në Evropë, si fjala vjen Lufta për Pavarësi e Greqisë etj. Qysh nga ajo kohë nacionalizmi është bërë një nga forcat më domethënëse politike dhe shoqërore në histori.

Manifestimet e para të nacionalizmit shfaqen në Revolucionin Francez dhe përhapen në të gjithë Evropën me trupat e Napoleonit. Janë disa lidhjet shoqërore, që e shoqërojnë nacionalizmin në shtetet-kombe, të cilët shfaqen në Evropë në shek. XIX, pas rënies së Perandorisë Franceze në Vaterlo. Është e pranuar nga gati të gjithë historianët lidhja ndërmjet përhapjes së nacionalizmit dhe zhvillimit industrial të një vendi, po ashtu edhe të nacionalizmit dhe alfabetizimit të masave popullore; në këtë drejtim era napoleonike përbën një ndarje të dallueshme ndërmjet Evropës pre-nacionale, ku identiteti i shteteve të ndryshme përbëhej nga vazhdimësia dinastike mbretërore dhe i një Evrope ku subjekti i parë dhe i fundit ishte Shteti-Komb. Që të realizohej ky kalim plotësisht ishte e nevojshme zhdukja e Perandorisë (e kuptuar kjo si shtet pluri-nacional), si model politik. Në këtë kuptim të gjithë luftrat e shek. XIX e duke përfunduar me Luftën e Madhe (Lufta I Botërore) kontribuojnë në krijimin e shteteve kombëtare nga hiri i shteteve shumë-kombëtare, si Perandoria Austro-hungareze e Habsburgëve, Perandoria Osmane dhe Perandoria Ruse. Me pak fjalë nacionalizimi i Evropës në vija të trasha mund të ndahet në tre faza kohore: 1. Restaurimi (1815-1848)- në këtë kohë nacionalizmi përbën një ideologji progresiste dhe liberale e mbështetur nga borgjezia, që ishte akoma në luftë me klasën aristokratike për mbizotërimin e shtetit. 2. Periudha e shkëmbimit të lirë (1848-1871), që sheh konsolidimin shoqëror të hegjemonisë borgjeze bazuar në binomin liberalizëm- Shtet Kombëtar; në këtë periudhë lindin Italia dhe Gjermania si shtete kombëtare nën mbrojtjen e Francës dhe Anglisë. 3. Periudha e Imperializmit (1871-1914), kur edhe për shkak të krizës së rëndë dhe të gjatë ekonomike të njohur si “Depresioni i madh” përdorën binomin e ri proteksionizëm-imperializëm në një konkurencë në rritje në Luftën e Parë Botërore. Ndërkaq nacionalizmi vjen duke u bërë edhe më shumë agresiv, duke u lidhur përherë e më tepër me irracionalizmin filozofik dhe artistik: ku në politikën e brendshme prodhohet nacionalizimi i masave (G. Mosse- historian gjerman) dhe ndarja koloniale e botës në politikën e jashtme. Ky proces shoqërohet nga luftëra dhe periudha paqeje; në fillim mund të kujtojmë këtu Kongresin e parë të Berlinit (1878), ku ndahen zonat e influencës në Ballkan nga Fuqitë e Mëdha; Kongresin e dytë të Berlinit (1885), ku ripërcaktohen zonat e zgjerimeve koloniale të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Belgjikës e Rusisë. Regjisori i të gjithë kësaj veprimtarie diplomatike ishte kancelasri gjerman Oto fon Bizmark (1862-1890). Në fund Lufta I Botërore dhe epilogu i saj në Versajë nuk i zgjidhi përgjithësisht problemet e ngritura nga nacionalizmi imperialist, por përkundrazi krijoi probleme të reja edhe më të rënda, me lindjen e nacionalizmave të rinj akoma më agresivë dhe më të pakontrollueshëm (Fashizmi dhe Nazizmi). Për Evropën mund të thuhet se pas vitit 1945, e pas dy luftrave botërore, të cilat i kushtuan 70 milionë të vdekur nacionalizmi po i lë vend procesit të unifikimit të Evropës. Gjithsesi nuk mund të themi se nacionalizmi është zhdukur krejtësisht, por ka shfaqje të ndryshme të tij, siç është rasti i Lega Nord në Itali, apo partive të ndryshme të djathta, të cilat shfaqin një urrejtje kundër emigrantëve apo ekstra-komunitarëve në Evropën Perëndimore. Luis Snajder në librin e tij The meaning of nationalism (Kuptimi i nacionalizmit-1954) na propozon një qasje historiko-kronologjike, duke dalluar katër forma të nacionalizmit, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën në kohë: 1. Nacionalizmi Integrues (1815-1871), në të cilin përfshihen proceset bashkuese të shteteve, si të Italisë dhe Gjermanisë. 2. Nacionalizmi Shpërbërës (1871-1890), që pati për protagonistë pakicat në perandoritë që po shpërbëheshin, si ajo austro-hungareze dhe osmane. 3. Nacionalizmi Agresiv (1900-1945), i cili ishte shkaku i shpërthimit të dy luftrave botërore e për pasojë i ndërthurur me imperializmin. 4. Nacionalizmi bashkëkohor (1945 e në vijim), që karakterizohet nga sforcimet për ekspansion ekonomik e neoimperialiste të të dy aktorëve kryesorë të Luftës së Ftohtë, SHBA e BRSS, dhe për shtytjen që i dha dekolonizimit të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Këto janë zhvillimet historike në përgjithësi të nacionalizmit në nivel ndërkombëtar

Le të shohim në përgjithësi se çfarë ka ndodhur në trojet tona. Lidhja e Prizrenit është organizmi i parë me elemente të theksuara politike, ushtarake dhe qeverisëse në nivelin përfaqësues për unifikimin e katër vilajeteve shqiptare në një nën sundimin e Perandorisë Osmane. Të gjithë historianët bashkëkohorë përfshirë këtu edhe ato të regjimit komunist e shohin këtë organizëm dhe veprimtarinë e tij, si të një rëndësie themelore për hedhjen e bazave të pavarësisë dhe të nacionalizmit shqiptar. Nga viti 1878 e deri më 1912 kemi një periudhë prej tre dekadash e gjysmë shumë të ngjeshur me ngjarje, qoftë në arenën ndërkombëtare, qoftë në atë të brendshme, ku pak nga pak do të merrte fund “status quo” e Fuqive të Mëdha për t’i dhënë fund kështu njërit prej formacioneve më të mëdha, që kishte dominuar skenën ndërkombëtare, Perandorisë Osmane. Kongresi i Berlinit dhe Lidhja e Prizrenit janë dy ngjarje domethënëse dhe që dominojnë në pjesën e parë të kësaj periudhe dhe që ky i pari me vendimet e veta dëmtoi shumë integritetin territorial të katër vilajeteve shqiptare, ndërsa Lidhja hodhi bazat politiko-ushtarake të rezistencës shqiptare për t’i ruajtur këto territore. Më pas vijnë përpjekjet për arritjen e një Lidhje të dytë mbarëkombëtare në atë të Pejës (janar 1899-maj 1900) me Mulla Haxhi Zekën si kryetar dhe Sami Frashërin, si frymëzuesin dhe ideologun e saj, por që edhe kjo u shtyp me forcë nga pushteti osman. Pas kësaj vjen e ashtuquajtura lëvizja e komitëve për pavarësi me Themistokli Gërmenjin, Hafiz Ali Korçën etj. deri me shpalljen e Hyrrietit dhe marrjen e pushtetit nga xhonturqit, të cilët pavarësisht nga programi i tyre kaluan në politika dritëshkurtra nacionaliste shtrënguese në kuadrin e një perandorie shumëkombëshe dhe shumëfetare, të cilat ndikuan ndjeshëm në shpërthimin e dy luftërave ballkanike dhe që i paraprinë në një farë mënyre Luftës së Madhe në trojet shqiptare. Ishin pikërisht këto luftëra që i detyruan patriotët dhe rilindësit shqiptarë të rrisnin përpjekjet e tyre në arenën ndërkombëtare dhe të rrëmbenin pushkët për të mbrojtur territoret shqiptare, si dhe veprimet e tyre të kulminonin më 28 nëntor 1912 me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë me në krye Ismail Qemal bej Vlorën, Vehbi efendi Dibrën e shumë politikanë të tjerë shqiptarë.

Ndërkaq kërkesat qysh nga Lidhja e Prizrenit e deri në korrik të vitit 1912 kanë qenë të njëjtat. Në Lidhjen e Prizrenit u vendos, që të gjitha krahinat e Shqipërisë të bashkohen e të kenë një administratë të përbashkët. Nënpunësit të jenë Shqiptarë e të përdoret shqipja si gjuhë zyrtare. Të çelen shkolla shqipe në të gjitha krahinat, edhe një pjesë e taksave direkte të mbesi në vend për t’u përdorur brenda në Shqipëri. Të gjitha fetë të gëzojnë liri të plotë. Ky vendim u dha në tetor 1879. Sulltani kishte urdhëruar formimin e një komiteti të posaçëm për të studiuar çështjet e Shqipërisë; ai vendosi për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një vilajet. Por kur kaloi alarmi i parë ai i kushtoi më pak vëmendje Lëvizjes Shqiptare dhe nuk e konsideroi si urgjente plotësimin e kërkesave shqiptare. Në të njëjtën kohë Dervish Pasha, një nga eksponentët e centralizimit, kishte arritur në Stamboll. Ai këshilloi qeverinë mos t’u bënte shqiptarëve asnjë koncesion, por të shtypte lëvizjen e tyre me forcën e armëve. Ndikimi i marshallit dhe mendimi mbizotërues në kryeqytetin turk se ai do të ishte i aftë të përmbante e nënshtronte Lëvizjen Shqiptare bënë që Porta të vendoste që të mos u lëshonte pe kërkesave të shqiptarëve. Ajo vendosi të dërgonte Dervish Turgut Pashën të qetësonte Shqipërinë (Stavro Skëndi, Zgjimi Kombëtar shqiptar). Përpjekjet e vazhdueshme të patriotëve rilindas për hapjen e shkollave shqipe hasën në kundërshtimin e vazhdueshëm të administratës osmane dhe të asaj xhonturke deri në momentet e fundit të ndarjes më 1912, kur patriotët shqiptarë të detyruar edhe nga presioni I ushtrive fqinje shpallin tashmë pavarësinë nga Perandoria Osmane. Njëri nga elementet që i ndau më pas shqiptarët nga turqit, megjithëse për qindra vite e kishin ndjerë veten shumë të afërt me njëri-tjetrin, duke ndarë pushtetin ekzekutiv dhe shpirtëror ishte gjuha, e cila më pas u bë elementi kryesor i ndjeshëm i një lufte të brendshme, ku me të u dalluan Rilindësit dhe një pjesë e madhe e mendimit politik të tyre dhe propagandës, e cila u fokusua në arritjen e unifikimit të alfabetit. Latinxhinjtë, kështu thirreshin nacionalistët nga partia kundërshtare e xhonturqve dhe e centralistëve. Hoxha latin është thirrur rëndom Hafiz Dalliu e shumë hoxhallarë të tjerë për përpjekjet e bëra prej tyre në favor të këtij alfabeti. Ndërkaq në skenën politike osmane ishte shfaqur lëvizja e xhonturqve, një lëvizje që për shumë studiues ndikoi në shkatërrimin e mëtejshëm të Perandorisë Osmane, me gjithë përpjekjet e kësaj partie për ta reformuar atë dhe për t’ia zgjatur jetën. Gjatë gjithë kësaj kohe një letërsi e tërë u vu në shërbim të rritjes së ndjenjave kombëtare te shqiptarët, ku kësaj gjëje i shërbyen disa intelektualë të mëdhenj rilindas, të cilët zgjodhën si armën e tyre poezinë. Kjo ishte letërsia e Rilindjes dhe përfaqësuesit nga më të rëndësishmit ishin Naim Frashëri, Pashko Vasa, Gjergj Fishta etj. Ato në poezinë e tyre përdorën një gjuhë të thjeshtë popullore për të përçuar mesazhin e tyre.

U ngrit fati i Shqipërisë,/ si i vdekuri nga varri,/ mori rrugët e Azisë/ duke ecur si i marri... etj., Histori e Skënderbeut, Naim Frashëri. Shqipërinë e mori turku i vu zjarr,/ Shqipëtar mos rri po duku Shqipëtar,/... etj., Pashko Vasa, madje vargjet e Pashko Vasës “...e mos shikjoni kisha e xhamia/ feja e Shqiptarit asht Shqiptaria.”, u bënë si moto për të gjithë nacionalistët e mëvonshëm, duke parë diferencat fetare ekzistuese dhe zhdukjen e tyre nëpërmjet lidhjes së gjakut dhe gjuhës, pra kombit. Këtyre ndjenjave i shërbeu edhe një letërsi e tërë e orientalistikës evropiane, e cila e karakterizonte Turkun si barbar, i ardhur nga stepat e thella të Azisë, si pushtues i pamëshirshëm, i cili rrëmbente, grabiste e përdhunonte. Pas vitit 1880 fillon të shfaqet flamuri i sotëm shqiptar me rrënjët te Skënderbeu, të cilin fillimisht e propaganduan në punimet e tyre arbëreshët Anselmo Lorekio dhe Zef Skiroi, e pas vitit 1900 shfaqet në punimet e Faik Konicës. Shqiponja me dy krerë shihej nga patriotët rilindas si përfaqësuese e Gegërisë dhe e Toskërisë, por në fakt rrënjët e saj janë te shqiponja me dy krerë bizantine, e cila simbolizonte pushtetin temporal dhe shpirtëror të unifikuara këto tek figura e Perandorit Bizantin. Ndërkaq edhe termat Shqipëri dhe Shqiptar u përdorën si sinonime të Vendit të Shqiponjave dhe të bijve të Shqiponjave, kurse të dhëna të fundit etimologjike-gjuhësore të mbledhura nga studiues shënojnë se Shqip apo Shqiptoj, kanë të bëjnë me fjalën Kuptoj. Pra, a më shqipton?- A më kupton? Të gjithë ata që u morën me propagandën nacionaliste u cilësuan si shqiptaristë. Do të ishte Asdreni i diasporës shqiptare në Rumani me përpjekjet e tij, që do t’i sillte kauzës nacionaliste Himnin e Flamurit nëpërmjet vargjeve të tij dhe muzikës së kompozuar nga rumuni Qiprian Porumbesku. Nga viti 1912 e këndej ky himn do të zejë vendin kryesor në të gjitha ceremonitë zyrtare të Shtetit Shqiptar.

Tashmë Shqiptarizmi dhe ideja e tij fillojnë të përpunohen dhe të propagandohen nga një seri njerëzish të shquar, të cilët vinin nga kategori të ndryshme, e veçanërisht dalluese ishin ato të prejardhjes fetare, duke krijuar një amalgamë, e cila deri me ngritjen e Shtetit Shqiptar të vitit 1920 nuk arriti të krijojë kohezionin e duhur. Gjithsesi identiteti musliman dhe figurat përfaqësuese të tij kanë qenë një nga elementet themelore në ngritjen dhe përpunimin e një nacionalizmi, i cili dha një kontribut të gjerë qysh në çastet e para të Pavarësisë me hoxhallarë të shquar, të cilët morën pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Sherif Langu, Hafiz Ymer Sallaku etj.

Ndërkaq pas ngritjes së Shtetit të ri shqiptar të vitit 1920 do të ishin H. Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, të cilët me përpjekjet e tyre për arsimin, me librat e botuar dhe shkrimet në shtypin e kohës ata që do t’i jepnin një hov ideve nacionaliste, duke i pasuruar ato me vizionin e tyre. Kjo kastë njerëzish punuan për një shtet të shëndoshë shqiptar larg miteve dhe propagandave false të kohës. Pas ngritjes në pushtet të Regjimit Komunist ideologjia nacionaliste do të zhvendosej përkohësisht për t’ia lënë vendin internacionalizmit proletar. Pas izolimit të thellë të Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës qeveritarët komunistë nëpërmjet aparatit të tyre propagandistik do t’i riktheheshin përpunimit të nacionalizmit me forma të reja, por gjithsesi duke e vënë theksin kryesor në dashurinë për atdheun e ri socialist. Kalimi në demokraci dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare kanë bërë që tashmë të humbasë kuptimi klasik i nacionalizmit, duke u thyer kufijtë politikë shtetërorë të vendeve evropiane në përgjithësi tendencë e cila ka prekur edhe politikën e shtetit shqiptar pavarësisht nga ngjyrat. Organizma të tillë si Bashkimi Evropian, NATO e ndonjë tjetër kanë ndryshuar shumë mënyrën e jetesës dhe të menduarit politik. Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë, multikulturalizmi dhe bashkëjetesa, interneti dhe rrjetet sociale, janë tendenca dhe politika, të cilat synojnë në zhdukjen e kufijve nacionalë e racialë. Lëvizja e lirë me Ballkanin për shqiptarët tashmë është një realitet. Bota e gjithë është kthyer në një fshat global, të cilin komunikimi i shpejtë masiv e ka afruar edhe më tepër.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e një vështrimi krahasues mbi nacionalizmin në botën perëndimore dhe atë shqiptare. Por ajo çka doja të theksoja ishte të mos kalohet në ekstremizimin e ideologjisë nacionaliste, ashtu siç po shfaqet nga Lëvizje apo Parti të ndryshme shqiptare në Shqipëri apo Kosovë dhe të humbasim luftën për mbijetesë në një kohë kur Evropa Perëndimore, ku ne dëshirojmë të hyjmë i ka dhënë lamtumirën nacionalizmit në favor të shpërbërjes së Shteteve Kombëtare dhe kalimin në një formacion më të madh politiko-shtetëror, atë të Evropës së Bashkuar. Sot po luftohet në një botë pa kufij me lëvizje të lirë të ideve dhe kapitaleve, ndërsa shteti nacional i përfaqësuar nga ideologjia nacionaliste thjesht është një pengesë në rënien e këtyre kufijve, të cilët rezultuan krejtësisht të dëmshëm.

Roald A. Hysa

BOTUAR NE: http://www.e-zani.com/2011/11/10/shfaqja-e-nacionalizmit-evropian-dhe-ndikimi-i-tij-te-shqiptaret/

Popular posts from this blog

Nënat e sulltanëve osmanë

Populli i zhdukur homo - Marind Animët

Emra Muslimane