Faktori shqiptar





Faktori kombëtar dhe shqiptarët në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri

Roald A. Hysa

Ndarjet politike ndërkombëtare ndikuan ndjeshëm tek shqiptarët në këtë gjysëm shekulli që kaloi. Ato e fraksionuan më tepër identitetin e tyre kombëtar dhe i vendosën ata përpara zgjedhjeve të detyruara politike. Ishin pikërisht këto zgjedhje të detyruara nga ideologjitë politike dhe kufijtë politikë ato që sollën dëmtimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar. Në mesin e shekullit të kaluar shqiptarët u ndanë në tre entitete të ndryshme politike, ku secili prej tyre paraqiste nga një problem më vete. Shteti i ri shqiptar që po ngrihej brenda kufijve londinezë i bazuar në ideologjinë bolshevike kishte problemet e veta të brendshme për legjitimimin e  pushtetit të ri që po ndërtohej. Atyre iu desh të ballafaqoheshin shumë shpejt me masakrat në jug të trojeve etnike shqiptare dhe me shpërnguljet masive të popullsisë myslimane çame, e cila tashmë u përzu përfundimisht nga shovinistët grekë nga trojet e veta, ku kishte jetuar qysh nga lashtësia. Protestat e qeverisë së re komuniste ishin krejtësisht formale dhe ajo u kufizua duke i dhënë ndihmën e parë emigrantëve. Ndërkaq pjesa tjetër e trojeve shqiptare përfundoi në një entitet të ri që e emërtonte veten si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, e cila në vetvete ndahej në republika më të vogla të bazuara në nacionalitetin, rregull ky që nuk vlejti për shqiptarët. Ata u ndanë në republikat e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe ishte pikërisht kjo ndarje që do të sillte aktet dramatike të gjysëm shekulli më vonë, që e detyruan Bashkësinë Ndërkombëtare me në krye SHBA-në dhe NATO-n të ndërhynin ushtarakisht nga ajri dhe më pas nga toka. Gjatë këtyre ngjarjeve gati një e treta e popullsisë së Kosovës martire u shpërngul me dhunë dhe me mijëra të pafajshëm u vranë dhe me mijëra të tjerëve edhe sot nuk iu dihet fundi. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës mori fund një herë e mirë shpërbërja e ish-Jugosllavisë, duke u shndërruar kështu radikalisht harta e Ballkanit dhe duke dalë në dritë një realitet i ri politik. Deri dje me ndryshimet politiko-ideologjike pushteti i kufijve politikë kishte qenë tejet i ngurtë, qoftë në marrëdhëniet e brendshme, qoftë edhe në marrëdhëniet e jashtme dhe veçanërisht në marrëdhëniet e jashtme duke mos lënë shteg për zgjidhje. Me gjithë ndryshimet e rëndësishme politike që ndodhën, politika e brendshme dhe e jashtme e shtetit grek pavarësisht nga ideologjitë që udhëhiqeshin partitë që hipnin në pushtet njëra pas tjetrës, ishte dhe mbetet e njëjtë. Të majtë apo të djathtë shfaqeshin dhe shfaqen njësoj kur vjen fjala për minoritetin shqiptar çam, që u shpërngul me forcë në vitin 1945. Ata vazhdojnë të mos pranojnë të paguajnë dëmshpërblimet dhe tokat e kërkuara nga çamët dhe në këtë linjë ata shfaqen jashtëzakonisht agresivë në politikën e tyre të jashtme. Ndërkaq brenda vendit për të larguar sadopak vëmendjen nga problemet e jashtme shqiptare, regjimi komunist i dha një shtysë përkeqësuese mentalitetit lokalist e rajonal, duke i vënë në pozita të këqija çamët e shpërngulur dhe kosovarët dhe i njëjti mentalitet u shfaq edhe me ardhjen e kosovarëve të parë në Shqipëri, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh këto ditë edhe me serbët, pasi një pjesë e mirë e faktorit ndërkombëtar e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ata nuk e kanë lëshuar Kosovën dhe po përpiqen vazhdimisht të majtë e të djathtë njësoj. Tepër e nderë është gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Megjithatë duhet të themi se popullsia shqiptare e vendosur në republikat e Malit të Zi dhe të Maqedonisë tashmë gëzon të drejta më të mëdha dhe me gjithë kufijtë politikë ekzistues, tashmë ideologjitë e vjetra ranë në këto dy ish-republika jugosllave dhe shqiptarët kanë më tepër mjete politike për të luftuar dhe për të fituar të drejtat e tyre. Gjithashtu kufijtë e tyre shtetërorë nuk janë më aq të ngurtë sa në të kaluarën dhe ato mund të përshkohen shumë lehtë tashmë, një favor i madh ky për thyerjen e mendësive dhe afrimin shpirtëror të shqiptarëve.
Ky fleksibilitet politik i krijuar nga rrethanat e reja diplomatike duhet shfrytëzuar tashmë për afrimin e mëtejshëm të shqiptarëve për të zhdukur sadopak diferencat e ndryshme të shkaktuara nga pushtetet politike të bazuara në ideologjitë politike shoviniste antishqiptare. Epoka e globalizimit dhe e internetit është një nga mënyrat më të shpejta të ndërveprimit mbarëshqiptar dhe që i zhduk apo i bën të pandjeshëm kufijtë politikë dhe fizikë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë çast domethënës politik ndërkombëtar për të zënë një vend të rëndësishëm në Ballkan dhe njëkohësisht për të shkuar drejt bashkimit të pashmangshëm të të gjithë elementit shqiptar. Por na duhet gjithashtu të luftojmë dhe të dalim mbi mentalitet lokaliste dhe rajonale për të larguar përfundimisht kompleksin e inferioritetit, që na ka kapluar deri në këto çaste.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit