Batanija e ngrohtë e Gencit



Dikur në kohën e regjimit monist në Shqipëri ishte një familje prej katër anëtarësh, ku gjyshi ishte më i vjetri dhe kishte shumë vite që kishte dalë në pension. Mosha e shtyrë dhe sëmundjet e kishin bërë që të ishte barrë për nusen e djalit të vet, e cila i bënte shërbim. Edhe djali i vet mundohej ta ndihmonte të atin kur vinte nga puna, po ashtu edhe nipçja i vogël Genci, që sapo i kishte mbushur 9 vjeç.
Pas një farë kohe nusja e djalit nga lodhja e tepërt filloi t’i kërkonte burrit të vet, që ta çonin babën në azilin e pleqve. Normalisht burri i saj, nuk pranoi që ta çonte me duart e veta babën në azilin e pleqve, sepse e dinte që baba i vet, që e kishte rritur me aq shumë mundime do të pësonte një goditje të rëndë psikologjike. Megjithatë gruaja e tij nuk iu nda dhe pasi e mërziti burrin e vet për 9 muaj rresht për ditë, duke i kërkuar ta hiqte plakun nga shtëpia ia doli ta bindte bashkëshortin, që ta çonin plakun në Azil me justifikimin, se atje do të kishte një shërbim më të mirë dhe më cilësor. Burri me zemër të thyer, por i hutuar nga presioni i vazhduar i gruas së vet, për ta hequr belanë nga qafa e dërgon babën e vet në azil dhe e rregullon atje.
Dy javë pasi e kishte rregulluar babain merr djalin e vet Gencin 9-vjeçar për dore, dhe shkojnë në azil për të vizituar të dy gjyshin. Kur po largoheshin Genci i thotë gjyshit të vet:
-O gjyshi, o gjyshi, a ke nevojë për ndonjë gjë të ta sjellim këtu?...
-Po me gjyshin,- i thotë plaku i trishtuar për ikjen e bijve të vet,- më sill ndonjë batanije, se kam pak ftohtë këtu, është dimër tani...
Ata largohen dhe e lenë gjyshin aty në azil në vetmi, duke u dridhur nga emocionet. Kur po afroheshin ditët e vizitës, Genci mezi po priste t’i çonte batanijen gjyshit të vet. Ndërkaq një natë përpara nusja e djalit e alarmuar hyn në dhomën e ndenjies dhe i drejtohet burrit të vet, duke bërtitur:
-Or burrë, Genci po e bën copë-copë batanijen e shtrenjtë, që kemi mbuluar krevatin tonë, ku flejmë... shpejt ndaloje, se mua nuk më dëgjon,- i thotë ajo me shumë shqetësim burrit të vet. Burri me vrap shkon në dhomën e vet të gjumit, dhe e gjen të birin Genci, që po e ndante batanijen me një palë gërshërë të mëdha e të mprehta, të cilat nuk i kishte parë ndonjë herë në shtëpi.
-Çfarë po bën mor bir,- i flet ai me të butë vogëlushit, por në zërin e tij dallohej qartë shqetësimi.
-Po e ndaj në dysh, kuvertën e mirë,- i thotë vogëlushi,- se dua t’ia çoj gjyshit në azil!...
-Mirë, mor të keqen babi, ti nuk ke nevojë ta presh më dysh. Merre të gjithën dhe ia çojmë së bashku gjyshit.
-Jo, babi. Gjysmën do t’ia çoj gjyshit të ngrohet tani, kurse gjysmën tjetër po ta ruaj ty, që kur të rritem unë e ti të bëhesh plak të ta jap me vete ta kesh për t’u ngrohur në azilin e pleqve...- dhe vazhdoi ta priste batanijen me gërshërë pa e prishur fare terezinë.
Burrë e grua u panë sy më sy, dhe pa bërë fjalë shkuan dhe e morën plakun e shkretë në azil. Pasi e sollën në shtëpi, e mbështollën me dashuri, që edhe ai të mund të rronte e të vdiste i qetë, atje ku kishte lindur e po i vinin ditët e fundit të jetës.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit