Namazgjaja
Namazgjaja
Vendndodhja: Rruga e Elbasanit
(përbri Kuvendit të Shqipërisë), Jug-Lindje.
Mesi i shek. XIX
Një nga vendet më
karakteristike të shek. XIX është edhe rregullimi i Namazgjasë nga Ahmet Bej
Toptani, i biri i Abdurrahman Toptanit[1].
Namazgjaja gjendet sot e kufizuar me rrugën e Elbasanit, rrugës së Kuvendit të
Shqipërisë, bulevardit Zhan d’Ark dhe Shtëpisë së Oficerëve, me një sipërfaqe
trualli rreth 4,000 m2. Me rregullimin e rrugës së Elbasanit dhe
zgjerimin e saj, kjo sipërfaqe është pakësuar në rreth 2800 m2.
Namazgjaja është e vendosur në juglindje të Sheshit Skënderbej. Ky shesh i
gjelbëruar u rrethua me mure guri dhe me selvi karakteristike, ku disa prej
tyre kanë mbijetuar edhe sot. Ky vend iu përkushtua faljeve të dy bajrameve, të
Ramazanit dhe të Kurbanit, gjithashtu u përdor edhe për mbledhje të ndryshme të
qytetarëve tiranas, të cilët mblidheshin zakonisht të Rrapi i Tabakëve në
fillim të rrugës Ali Demi[2].
Kështu, veç ndërtesave të bukura të kultit dhe rrugëve të gjera kryesore, të
shoqëruara me kanale uji të rrjedhshëm anash që ndihmonin në pastrimin e
qytetit, qendra e Tiranës u pajis edhe me një shesh tërheqës të gjelbëruar
“namazgjah”. Ai përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e
tyre gjatë muajit të ramazanit dhe bajramit[3],
edhe në vitin 1946 aty është falur namazi i Bajramit. Këtu duhet të kemi
parasysh se për faljen e bajrameve dhe atyre të ramazanit merret parasysh
kalendari hënor hixhri, i cili është i përbërë nga 355 ditë, pra, 10 ditë më
pak nga ai diellor. Tradita e faljes së bajrameve në sheshin e Namazgjasë u
rikthye pas shumë vjetësh ndërprerjeje në vitin 1993, por për pak kohë. Po në
këtë vit u vu guri themelues i një xhamie të re me përmasa të mëdha, ashtu siç
i takon Tiranës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe autoritetet lokale me
kryetarin e atëhershëm të bashkisë, si dhe përfaqësuesit e lartë të Komunitetit
Musliman. Xhamia ende nuk është ndërtuar, ndërsa tradita e faljes kaloi nga
sheshi i Namazgjasë, i cili nuk le shumë vend për besimtarët nga pemët e shumta
të mbjella, në sheshin Skënderbej, në krah të xhamisë së Et’hem Beut për herë
të parë më 2003. Tradita e faljes së bajrameve në sheshin Skënderbej vazhdon
edhe sot dhe do të vazhdojë, si një nga traditat e vjetra të muslimanëve
tiranas.
Marrë nga libri i Roald A. Hysa "Historiku i xhamisë qytetëse shqiptare- Xhamitë e Tiranës"
Comments
Post a Comment