Turqia dhe ne
Roli i Turqisë në Ballkan, Shqipëria e Madhe
dhe lajmet e sajuara
(Të
gjithë cituam njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk citonte burime zyrtare normale për
një lajm të zakonshëm, sado i rëndësishëm mund të ishte ai. Media internetare
të nisura nga “vullneti i mirë” gjeneruan lajme mbi mbështetjen e Turqisë ndaj
Shqipërisë së Madhe, por pa dashje krijuan një kundërefekt të padëshirueshëm.)
Përpara pak ditësh në shumë portale interneti
qarkulloi një lajm i habitshëm, i cili nëpërmjet një reaksioni zinxhir në rrjetin
social të FCB u shumëfishua pafundësisht. Teksti i lajmit ishte pak a shumë i
tillë dhe nuk ndryshonte nga të gjithë ato “agjenci internetare”, të cilat
vrapuan ta paraqesin si lajmin e fundit:
“Kryeministri turk Recep Tajip Erdogan në një
intervistë për kanalin shtetëror turk deklaron se Turqia do mbështes vëllezërit
shqiptarë nëse do jetë e nevojshme edhe me trupa ushtarakë, ai shtoj më tej se
populli Shqiptar ka të drejtën e vetëvendosjes për krijimin e një shteti të
madh Shqiptar, dhe se UÇK nuk është organizate rebele-terroriste por vullneti i
shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. Erdogan ka kërcënuar me shpërbërje
të Maqedonisë dhe gjithë Ballkanit nëse te drejtat e shqiptarëve nuk merren
parasysh. Ai shtoi se trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do
ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare. Kjo deklaratë ka bërë që
ministrat e jashtëm grek dhe serb të reagojnë ashpër.” Ajo që u vu re ishte se
të gjithë këto portale citonin njëri-tjetrin nga e kishin marrë, dhe ajo që u
mungonte ishte një burim serioz nga ku merren zakonisht lajmet. Lajmi ishte kaq
i bukur, sa nuk na besohej të gjithëve. Edhe unë vetë që kam punuar kaq vite
gazetar në momentin e parë u hutova dhe gati sa nuk e mora për të mirëqenë këtë
lajm, por më pas kur vërejta shpejtësinë e pabesueshme të efektit zinxhir, që
krijon FCB dhe komentet shoqëruese nga shumica normalisht që dyshova. Fillova të
kontrolloj një nga një portalet internetare dhe vërejta që ata citonin njëri-tjetrin
dhe askush nuk citonte burime zyrtare. Kërkova në trtalbanian.com një uebsajt i
një kanali televiziv shtetëror turk, nuk gjeta as hijen e një lajmi të tillë.
Aty u mor vesh që dikush, dashamirës apo dashakeq e kishte sajuar këtë lajm dhe
ia kishte dalë të manipulonte me ndjenjat proturke tonat. Por kjo nuk mbeti me
kaq, pra në suazat e një rrjeti social si FCB, me këtë lajm u mor edhe gazeta e
përditshme “Bota Sot”, e cila e emetoi në faqet e saj, duke i dhënë formën përfundimtare
këtij lajmi, si edhe disa kanale televizive e gjeneruan atë. Deri këtu le të
themi se nuk ka ndonjë problem, porse krijohet problem kur media të rëndësishme
merren seriozisht me këtë lajm dhe harrojnë rregullin bazë të gazetarisë
moderne: kontrolloje lajmin se nga vjen. A ka bazë ky lajm, apo jo? Po nuk e
pati emetuar ndonjë burim zyrtar, të cilin mund ta citosh rregullisht ti nuk
mund t’i japësh formë zyrtare. Përndryshe mund ta kalosh te rubrika thashetheme
dhe kështu je i larë më publikun e gjerë. Më e bukura e këtij lajmi ishte, se
na ishin “zemëruar keq” ministrat e jashtëm serbë e grekë, armiqtë tradicionalë
të shqiptarëve. Atë që nuk e bëri asnjë nga mediat tona e bëri një nga gazetat
e armiqve tonë “Danas” e Beogradit. Në këtë botë ku informacioni mund të merret
nga kushdo, qoftë edhe nga një njeri i thjeshtë, për shkak të lehtësimit
maksimal të mjeteve të komunikimit “Danas” bën detyrën më të thjeshtë i kërkon
shpjegimeve nëpërmjet kanaleve normale të komunikimit dhe merr normalisht përgjigje.
Ky është edhe teksti i përkthyer nga “Danas”:
Kryeministri turk Rexhep Tajip
Erdoan ka përgënjeshtruar në mënyre zyrtare pretendimet më të fundit të disa
mediave prishtinase, se gjatë vizitës së fundit në Prishtinë ai paska premtuar,
që do të ndihmoje të kthejë në realitet Shqipërinë e Madhe përmes ndihmës
ushtarake. "Turqia ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e Ballkanit
dhe i ve shumë rëndësi stabilitetit dhe paqes në rajon",- thuhet në
komunikatën zyrtare të zëdhënësit të qeverisë. Ambasadori i Turqisë në Beograd
Ali Riza Çollak, po ashtu e përgënjeshtroi lajmin e përhapur nga Bota Sot.
"Me të tilla gënjeshtra dikush po përpiqet të demtojë marrëdhëniet e mira
mes Turqisë e Serbisë".
(http://www.danas.rs/danasrs/svet/globus/bota_sot_izmislio_erdoganovu_izjavu_.12.html?neës_id=240213)
Kështu që u ndjeva sinqerisht i
fyer, kur e mora vesh këtë lajm, sepse miqësia jonë me Turqinë është tejet
jetike për të gjithë ne Shqiptarët. Por kur mundohesh të rregullosh situatën me
gjëra të sajuara nuk është çudi ta dëmtosh më keq atë dhe menjëherë m’u kujtua
ajeti i Kuranit Famëlartë:
“O ju që
keni besuar, nëse ndonjë
i pandërgjegjshëm
u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni
mirë, ashtu që
të mos e goditni ndonjë
popull pa e ditur realitetin, e pastaj të
pendoheni për atë
që keni bërë.”
Huxhuratë, 49: 6.
Roald A. Hysa
Comments
Post a Comment