Krimet e Asadit




Ka edhe më keq...

(Historia është mësuesi më i mirë,ky është një nga mesazhet që ne duhet ta kemi gjithnjë parasysh. Diktatorët e kuq i kanë lyer vazhdimisht duart me gjakun e popullit të vet. Kështu rasti i Beshar Asadit në Siri është një konfirmim. Ai është kthyer tashmë në “katilin e popullit të vet”.)

Diku nga mesi i viteve 1980 më kishte bërë përshtypje shumë historia e popullit tonë, që e kishte çarë rrugën e vet të historisë me shpatë në dorë. Pasqyrimi më i mirë i saj ishte rezistenca kundër turkut barbar, që vinte nga Azia. Një nga emrat që më kishte bërë përshtypje dhe akoma më bën edhe sot ishte ai i Himarës. Emri Himarë u bë subjekt i një tregimit tim mbi luftën me turqit, edhe për arsyen se unë i dhashë karar, që ky emër të zbërthehej në Hi – Mbarë, binte b-ja dhe dilte Himarë, pra gjithandej hi e zjarr. Zjarr dhe nota të thella tragjizmi e përshkruan tregimin tim, i cili sot më tepër do të bënte përshtypje për notat e larta tragjike në tetë-oktavë, se sa për realitetin. Me vonë pas studimesh të thelluara në histori e gjuhësi, sidomos kur disiplina etimologjike për momentin e shkrimit tim ishte krejtësisht e vakët dhe e bazuar në parapëlqim ma hodhën poshtë tregimin tim, dhe unë edhe sot ndjej një fije keqardhje për atë zell, që tregova në shkrimin e atij tregimi (madje kam mësuar, se në një gjuhë tjetër himar i thonin gomarit-magjarit, e kot nuk thotë populli: sa të rrosh, do të mësosh). Me kalimin e ditëve një tjetër realitet i hidhur më bëri shumë përshtypje, dhe ato ishin rrëfimet e babait tim mbi kuçedrën komuniste, se si pa e marrë pushtetin mirë filloi masakrat në Tiranë, Vlorë, Kukës, Peshkopi e gjetkë. Atëherë mendova, se nuk kishte ku të shkonte më keq. Komunistët me Enver Hoxhën paskëshin qenë më të këqij, se sa edhe vetë turqit. Madje sa më tepër ta shfletosh historinë e atyre viteve, aq më tepër të shtohet neveria dhe urrejtja për ata njerëz, dhe për ideologjitë e tyre të majta terroriste. Një nga krimet më të shëmtuara prej tyre është edhe ai i gushtit 1943, kohë kur vrasin hoxhën e Saukut Selim Brahjen në ditën e parë të Ramazanit në prag të xhamisë. Po ashtu rreth 37 persona që gëzonin emër të mirë në Tiranë u vranë barbarisht gjatë periudhës tetor-17 nëntor 1944. Me qindra janë arrestimet e bëra nga njësitet e posaçme partizane para se të çlirohej Tirana, dhe ne menduam se nuk ka më keq se kaq. Por kur nisën gjyqet speciale dhe fluturuan kokat e njerëzve si pa të keq, përsëri menduam, se nuk ka më keq se kaq. Ndërkaq kalvari i vuajtjeve të shqiptarëve nga komunizmi sapo kishte nisur dhe njerëzit nuk shihnin dritë në fund të tunelit. Vrasje, internime, burgime, dëbime, madje edhe ndaj kosovarëve që “arratiseshin drejt tokës së premtuar” të mëmëdheut. Hija e UDB-së i përndiqte ata dhe na frikësonte të gjithëve. Por desh Zoti filluan proceset demokratike dhe njerëzit u çliruan nga barra e së kaluarës, e sidomos filluan të shpreheshin tashmë lirisht. Mirëpo filluam të mësojmë, se ka pasur edhe më keq se sa këtu te ne. Khmerët e kuq, të cilët e përgjysmuan popullsinë e Kamboxhias. Revolucioni kulturor në Kinë, Koreja e kuqe, Kuba e gjithandej kuq. Epo menduam, se duhet të mbesi ndonjë sa për shembull dhe shyqyr Zotit, që i kemi larg, e nuk i kemi afër. Ndërkaq filloi “pranvera arabe” dhe na solli në vëmendje, se epoka diktatorëve nuk kishte mbaruar akoma. I pari që e pësoi nga zemërimi popullor, dhe u detyrua të lerë pushtetin ishte Ben Aliu i Tunizisë, i cili u largua shpejt dhe më me pak kosto. Por diktatorët e botës arabe po iu sjellin një kosto të lartë njerëzore popujve të tyre. Me qindra të vrarë “e lagën me gjak” pranverën egjiptiane. Sheshi Tahrir do të mbetet përherë simboli i revolucionit, që hodhi poshtë idhujt e rremë për të ngritur lirinë njerëzore në piedestal dhe shprehjen e saj. Me miliona egjiptianë e falën xhumanë në Sheshin Tahrir derisa e detyruan Mubarekun të largohet nga politika me turp. Fatkeqësisht apo fatmirësisht këto revolucione nxorën në pah, se këta diktatorë të kuq kërkonin t’ua lenin si trashëgim pushtetin e tyre fëmijëve dhe të afërmve, të cilët ishin realisht ata që po gëzonin të mirat materiale të pushtetit. Mirëpo faraonët e kuq nuk e patën të gjatë, dhe nuk ndodhi si në Kore. Rrugën e vazhdoi Libia, e cila u zhyt në një banjo të madhe gjaku edhe më tragjike, se sa Egjipti. Gadafi u tregua edhe më katil, se Mubaraku, madje ai importoi mercenarë serbë e rusë për të vrarë popullin e vet. Dhe ne të gjithë menduam, se ku ka më keq se kaq, të marrësh mercenarë me pagesë për të vrarë popullin tënd. Gjithsesi Gadafi desh Zoti e ra, dhe një Këshill Transitor ka marrë përsipër të bëjë transicionin nga regjimi i vjetër tek një i ri më i reformuar. Bota arabe akoma nuk e ka reformuar veten drejt proceseve të mirëfillta, të cilat do të sillnin përmirësimin e gjendjes së popullit nëpërmjet reformave të thella historike, politike, ekonomike e qeveritare, por ajo tashmë ka hedhur hapin e parë, largimin e diktatorëve. Ndërkaq edhe largimi i këtyre diktatorëve të kuq, sa vjen e bëhet më i vështirë. Asadi i Sirisë po reziston dhe çdo ditë që po kalon, po i skuq qytetet siriane me gjakun e qindra të pafajshmëve. Edicionet e lajmeve japin njoftime, se ai nuk ka kursyer aspak gratë dhe fëmijët e vegjël të pambrojtur. Shumë video të marra me celularë qarkullojnë lirisht në internet, ku mund të shihet me fakte, se çfarë po ndodh atje, pavarësisht se ka njerëz që i janë bashkuar politikës zyrtare të Asadit. Nga duart e tij kullon gjak të pafajshmish, dhe jo nga gjaku i atyre që kanë rrokur tashmë armët  për ta luftuar atë. Flitet me disa qindra të vrarë çdo ditë. Madje edhe shumë të vrarë janë nga radhët e ushtrisë së Asadit, të cilët janë dyshuar se do të dezertojnë për të kaluar në frontin e kundërt. Vrasje dhe përdhunime fëmijësh, keqtrajtime, jetë të shkatërruara prej plumbave e torturave, mosbesimi që e përshkon atmosferën siriane, edhe këtu mercenarë, të cilët vijnë nga fqinjët, që vrasin pa i vrarë ndërgjegjja, e shumë e shumë...
Një letër e shkruar me shumë dhimbje nga një shkrimtar sirian qarkulloi në ditët e para të shkurtit, ku denoncoheshin haptazi Asadi dhe përkrahësit e vet të brendshëm e të jashtëm Irani, Kina e Rusia, se po ushtronin një gjenocid të pastër mbi popullin sirian. Kjo letër preku zemrat e të gjithë lexuesve. Gjithandej muslimanët me drejtuesit e tyre fetarë po luten që kjo gjendje të marrë fund sa më shpejt. Dhe ne do të vazhdojmë të themi, me të vërtetë me çfarë kemi parë deri tashti paska edhe më keq. Asadi pa dyshim është “katili i popullit të vet”.

“Bolshevizma s’pajtohet kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer ditën e Kijametit.”
HAFIZ ALI

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit